203. All-llahun përmendeni në ditët e caktuara (në ditët e bajramit). Kush ngutet (të largohet prej Mines) për dy ditë, nuk bën mëkat, po edhe ai që e shtyen (edhe për një ditë) nuk bënë mëkat, këto rregulla janë për atë që don të jetë i përpikët. Pra, kini kujdes All-llahun dhe dine se ju, te Ai tuboheni.
204. Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (pse në botën tjetër gjykon Ai që e di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet All-llahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë.
205. E posa të kthehet, ai në tokë vepron të bëjë shkatërrim në te, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E All-llahu nuk e do çrregullimin (fesadin).
206. Dhe kur i thuet atij: “Kij frikë All-llahun!”, atë e kap eufori për punë mëkati. Shtrat i shëmtuar është ai që i takon atij (Xhehennemi).
207. Ka nga njerëzit, i cili për hirë të All-llahut e flijojnë vetveten, e edhe All-llahu është shumë i mëshirshëm për robtë e vet.
208. O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (Përqafoni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik i juaji i hapët.
209. E nëse devijoni pasi u kanë ardhur argumentet e qarta, ta dini pra se All-llahu është i plotëfuqishëm, i vetëdijshëm.
210. Ata nuk janë duke pritur tjetër, por vetëm t’u vijë All-llahu (urdhëri i All-llahut në ditën e gjykimit) nën hije të reve, (t’u vijnë) engjëjt dhe çështja të jetë e kryer (kush për Xhennet e kush për Xhehennem). Vetëm te All-llahu është fundi i të gjitha çështjeve.