Kujtesë për luftëtarin Mane Nishova
Nga Bashkim Koçi
Mu përgjëruan dy luftëtarë të luftës së Dytë Botërore, Mustafa Bakiasi dhe Qemal Bego, të dy mbi 90-vjeçarë, të cilët, pavarsisht nga njëri tjetri, më kërkuan të shkruaja për Mane Nishovën, një nga pjeswmarrësit e dyfishtë nëpër luftra, atë të Spanjës dhe atë tonën, nacionalçlirimtaren.
Jeta e Mane Nishovës është plot çudira, të thëna e të pathëna, nga ato që, kur njihesh me “marrëzitë” e tij, të nisura që në vogëli, herë-herë të duken ëndërra, ëndërra që nuk kanë lidhje me njeriun, të cilit zoti ia dha jeta për t’a jetuar. Ai për sa jetoi nuk i hodhi hapat andej nga e shpinte shtegu, por çau e shkoi andej nga nuk kishte shteg. E di pse? Sepse Mane Nishova ngado që të shkonte dëshironte të linte gjurmë.
E, kur “lexon” jetën e njeriut Mane Nishova, ndjehesh sikur shfleton një nga ata librat që të mbërthejnë, që s’e lëshon dot pa ia lexuar edhe faqen e fundit të fletës së fundit. Ai paska lindur në vitin 1908 në një fshat të Nahijes së Beratit, në Nishovë. Rrënjët e fisit të tij janë edhe më të thella, nga Goxhabellinjtë e Gramshit të Tomorricës, andej nga kishte prejardhjen edhe arkitekt Kasëmi, kryearkitekti që bëri epokë në një perandori të tërë. Këtu na duhet të bëjmë një sqarim të vogël sepse lexuesi i këtyre radhëve edhe mund të çoroditet, madje edhe të pyesë: Ç’lidhje ka Gramshi, fshati nga ka origjinën arkitekt Kasëmi, me Nishovën, e cila ndodhet me dhjetra kilometra larg tij? Gramshi, për të cilin bëjmë fjalë, mori të tatëpjetën, u shpërbë, në kohën e shthurjes së spahillëkut, ku një pjesë e bejlerëve dhe spahinjve humbën pronat e tyre. Pas shthurjes së sistemit të Spahinjve, Gramshi u bë fije-fije. Shumë familje shkuan në Turbohovë, fshat shumë afër Gramshit, pjesa tjetër më e kamur shkoi në Prrenjas, Mëlovë dhe Zaloshnjë, përtej lumit të Tomorricës; familje të tjera u vendosën në nahijen e Beratit, në Novaj, Nishovë, Kapinovë etj. Me dy fjalë Koxhajt e Nishovës janë kushërinj të largët të Goxhaj-ve të Gramshit të dikurshëm të Tomorricës.
Por le të vijmë aty ku e nisëm, tek Mane Nishova (Koxhaj) tek ai që, ashtu si arkitekt Kasemi çuditi një perandori të tërë, ky do të linte nam si luftëtar internacionalist në Spanjën e largët, tutje në gadishullin Iberik.
Që i vogël Mania kishte ndjerë në zemrën e tij dy gjëra kundërthënëse: Tmerrin e jetës dhe harenë e jetës. Të parën, pra tmerrin, e pa me sy, e ndjeu në të gjithë qënien e tij që kur ishte kërthi, i parritur mirë, atëhere kur u sistemua me punë si pastrues në zyrat e administratës Austro-Hugareze në fshatin Konak të Tomorricës, atëhere qëndër administrative e zonës. Ja, ky pastrues zyrash, duke parë se aty, në ato mjedise që i pastronte me fshesë, hynin e dilnin, qarkullonin njerëz të kënduar, edhe pse ishin rracë e huaj, dhe aty gjendeshin si pushtues, i lindi dëshira të bëhej si ata, i shkolluar, por vetëm në gjuhën shqipe. Nga të dhënat e jetëshkrimit të tij mësuam se Mane Nishova, gjatw atyre viteve, paska mbaruar katër klasë në shkollën e fshatit Vërzhezhë, fshat goxha i dëgjuar në ato vite si qëndër mësimi e shkollimi.
Një jetë me kuptim të plotë nuk është duke qënë i pasur, duke qënë i njohur, duke qënë shumë i arsimuar ose i përsosur. Bëhet fjalë për të qënë i vërtetë, i drejtë dhe i përulur, në gjendje për të ndarë gëzimin apo hidhërimin me të tjerët, pra të prekin jetën e të tjerëve. Vetëm atwherë ne mund të kemi një jetë të plotë. Mane Nishova e paskësh bërë të tijën këtë mënyrë të jetuari, pra të ishte i drejtë e i përulur për të tjerët, që në ditët e para kur u njoh me revolucionarin Riza Cerova. Kur binte fjala për rrugën që kishte ndjekur si luftëtar, apo edhe faktin që u bë pjesë e Brigadave Internacoinale në luftën e Spanjës, ai thoshte me plot humor se e kishte patur peshqesh dhe e kish marrë “më qafë” Riza Cerova.
Kush mbyll sytë e veshët ndaj britmës së të varfërit, të të shtypurit, të deskriminuarit një ditë do të bërtasë edhe ai, por nuk do t’i përgjigjet kush. Mane Nishova e kishte mësuar këtë këshillë të vyer nga bashkëluftëtarët, nga miqtë e shokët që iu bashkua me dëshirë të zjarrtë për sa qe gjallë. Atë e gjejmë në të gjitha lëvizjet revolucionare të kohës, por edhe si pjeswmarrës e përkrahës i vendosur i progresit shoqëror. Vetëm për këtë, që ai nuk doronte padrejtësitë, kapadillëkun e një shteti të kalbur, i lindëte e drejta të motivonte veprimet që binin ndesh me regjimin. Gjatë këtyre viteve, pra në dhjetvjeçarin ku shumë patriotë sakrifikuan edhe jetën, siç e la të shkruar Riza Cerova “për popullin fukara”, Mane Nishova e pa tre herë derën e burgut nga regjimi i oborrtarëve anadollakë.
Ndoshta nga ndjekja që u bëhej elementëve përparimtarë, por edhe në kërkim të një jetë më të mirë e më të sigurt, Mane Nishova mori rrugët e mërgimit. I mërguar ekonomikisht dhe politikisht. Ishte viti 1924, në Francë, kur ra në kontakt edhe me Kahreman Yllin e patriotw të tjerë. Punonte në minierat e nxjerrjes së qymyrgurit. Por, “zanati” që kish marë që në rini të tij nuk mund ta harronte, madje bëri përpiekje për t’iu përshtatur nivelit të lëvizjeve përparimtare në shtetin francez. Kontaktet me njerëz të ditur e që ishin inkuadruar në shoqata e organizma të nivelit evropian, siç ishte KONARE, ndikuan dukshëm në ngritjen e nivelit politik e vetëdijes për të kryer punë të mëdha. Në ato vite duket se tek Mania shpërtheu hovi krijues, duke u bërë njeri i ndikuar me ndjenja e ide të fuqishme përparimtare.
Vitet ’36 Mane Nishovën e gjejmë në Kuçovë, aty ku shoqëria “Puna” e mbajti afër si njeri me aftësi të veçanta organizuese. Bashkëkohësit thonë se programin shoqërisë “Puna” ua dha Mania të gatshëm, të cilin ai e kishte sjellë nga Franca e që ia kish dhënë me dorën e tij patrioti Halim Xhelo në vitin 1935.
Ishin idetë përparimtare që e kishin bërë për vete, por tek ky djalë i ri njerëzit që e rrethonin, kryesiaht bashkëluftëtarët, shikonin që në bisedat e këtij djaloshi dominonte nxitja për të ndërmarë veprime konkrete. Jo se ishte i shpejtuar, por nga “mospërmbajtja” për t’i dhënë grushtin e fundit një regjimi që duhej përmbysur, qoftë edhe me gjak, të jepte përshtypjen se ai kishte marë përsipër për të ndryshur botën. Ca gjëra Mania i kishte nga vetja, por ai, gjë të cilën e përsërishte shpesh, shpirtit të tij ia kish vënë “fitilin e zjarrit” Riza Cerova kur ky i fundit i kish vajtur në shtëpi, në Nishovë, për të krijuar “grupin edukativ” për kompaktësimin e fshatit, por edhe për të qënë të gatshëm për përkrahjen dhe pjesmarrjen në Lëvizjen e Fierit të muajit gusht të vitit 1935.
Pas dështimit të Kryengritjes së Fierit, shumica e organizatorëve përfunduan nëpër burgje dhe morën dënime maksimale, por jo pak, përfshi edhe Mane Nishovën, u largaun jashtë atdheut për t’u shpëtuar ndjekësve të mbretit Zog. Mania mbriti aty ku e gjente veten më të favorizuar, aty ku e ndjehej “si në shtëpinë e vet”, për çka ia kish përkushtuar jetën, në Lion të Francës ku edhe e prisnin drejtues të KONARE-s.
Kur diku të çfaqet një dritëz, aq më tepër kur mendon se gjithçka është shuar, njeriu bëhet me krah. Për Mane Nishovën kjo “dritëz” ishte ngritja në këmbë e të gjithë botës për të shpëtuar Republikën e Spanjës. Shumë shpejt shkoi atje, në fillim të vitit 1937, dhe u bë pjesë e brigadave Internacionale, ashtu si shumë djelmosha shqiptarë, të cilët, në një mendje si ai, kishin ardhur për të luftuar, ndoshta edhe për të dhënë jetën. Ashtu si ndodhi në të vërtetë. Mania u bë mik dhe bashkëluftëtar me Musa Fratarin, Asim Vokshin, Ramiz Varvaricën, Mehmet Shehun, Veli Dedin, Petro Markon, etj. Ky i fundit, pra Petro Marko, e vendosi si personazh të librit të mirënjohur “Hasta la Vista” dhe e mbajti mik “për kokë” përsa qe gjallë.
Në luftën e Spanjës, djemtë që kishin ardhur nga Shqipëria çfaqën virtytet më të mira, si trima e si njerëz të kënduar, të konkretizuara këto në betejat që u zhvilluan dhe mjetet e propagandës të luftës, gazeta “Vullnetari i Lirisë” dhe radiot Albaceta e Valencia, e pak më vonë në radio Brcelana e atë të Madridit. Dhe aty ballafaqimi ishte i drejtëpërdrejt, që merej vesh nga më shumë se 35 mijë vullnetarë të lirsë të ardhur nga 53 shtete të botës. Në gazetën “Vullnetari i Lirisë”, në një nga numrat e saj, në nëntor të vitit 1937, ku përkujtohej 25 vjetori i Pavarsisë, në artikullin e shkruajtur nga Mane Nishova, thuhej: “Përsëri po shkojmë drejt humbjes së plotë të pavarsisë së kombit tonë. Mbi kurrizin e popullit shqiptar Musolini po sheshon udhën e penetracionit romak në Ballkan. Shqipëria është në kthetrat e kuçedrës fashiste. Për të shpëtuar duhet t’u japim grushtin e vdekjes feudalizmit e fashizmit.”
Lufta që shpërtheu në Spanjë, e cila u zhvillua midis muajit korrik të 1936 dhe prill 1939 përfundoi me humbjen e çështjes republikane, duke përfunduar në vendosjen e diktaturës së Frankos. Vullnetarët e lirisë, të ardhur nga e gjithë bota, u larguan për në vendet e tyre dhe, bashkë me ta, edhe shqiptarët. Katër nga vullnetarët, “Heronjtë e popullit”. Xhemal Kada, Ramiz Varvarica, Musa Kame-Fratari e Asim Vokshi “mbetën atje”, duke e dhënë jetën për diçka të madhe, siç ishte shpëtimi i popujve nga murtaja fashiste. Personazhi ynë, Mane Nishova, përfundoi në kampin famëkeq të Francës ku qëndroi deri në fillim të vitit 1942. Pas largimit nga kampi frances kaloi kufirin për në Itali. Aty bje në duart e policisë italiane, por pas pak ditësh do ta gjente veten në qelitë e kuesturës së Tiranës. Me ndërmjetësinë e miqve, në nëntor të vitit 1942, u lirua nga burgu.
Si çdo shenjtor ka një të kaluar edhe “shenjtori” ynë Mane Nishova ka të kaluarën e tij, të cilën, siç është lufta e Spanjës, ai i ka lënë kujtime të shkruara. Këto ditë më ra në dorë një libër, “Lufta e Spanjës”, botim i vitit 1959, pra i shkruar 60 vjet më parë. Aty “ishte” edhe Mane Nishova. Shkruan për luftën, atje në brigjet e Ebros. “Mendoj: si kaluan gjithë këta muaj, si kaluan tërë këto luftra të ashpëra? Shumë shokë të dashur nuk i shoh më. Ata ranë me nder pëgjithnjë në gjirin e tokës spanjolle, në kodrat dhe në brigjet e saj të ngrohta me diell dhe të veshura me ullinj, portokalle dhe vreshta, në frontin e luftës në Madrid, Aragonë, Teurrel, Estremandurë, Kaspe dhe në Kandesa. Shikoj lumen Ebro që shkon i heshtur. Ai ka parë shumë gjatë shekujve, ka parë legjionet romake, kartagjenase, arrabe dhe ushtrinë e Napoleonit që kanë shkuar atje po me qëllime të kundërta me tonat”. I lexoj, e përfytyroj, aq sa mundem, vuajtjen shpirtërore të këtij luftëtari dhe, përse të mos e them: ndjem më shumë se çjam për çka kanë bërë bashkëkombasit e mij për kombet e tjerë.
Përvojën e luftës në brigadat Internacionale të Spanjës, Mane Nishova e bëri pjesë të luftës nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë në vendin e tij. Ai, sapo doli nga qelitë e burgut të kuesturës së Tiranës, u inkuadrua menjëherë në formacionet partizane, në fillim komisar i Çetës së Skraparit e më pas, komisar e Brigadës së X-të Sulmuese. Shtëpia e tij në qytetin e Beratit u bë strehë për luftëtarët heronj, motër e vëlla, Margarita e Kristaq Tutulani, për Ajet Xhindolen e të tjerë djem e vajza beratase. Kanë kaluar dhjetra dekada, por hija që ka lënë i miri Mane Nishova në Berat, ndjehet edhe tani, duke përfytyruar tek ai burrë njeriun që sakrifikonte për të tjerët. Dhimbjen për tjetrin, gjindjen pranë të vobegtit apo pranimin e ndjenjës së fajit, për këtë njeri të bredhur e të ditur, ishte shënjë e qënies së përsosur, siç është njeriu.
Mane Nishova kurrë nuk punoi e luftoi për t’u dukur, për ta marë grada e tituj edhe pse për këtë personalitet të jshtëzakonshëm ishin plotësisht të merituara. Tregon një fakt i cili flet sa për qindar faqe të shkruara për qëndresën, si njeri me karakterit të fortë. Atij, në qeverinë e ngritur pas luftës, iu propozua të mbulonte detryrën e zv/ministrit në Ministrinë e Punëve të Brenëshme. Jo, nuk mund ta bëj dot, paskësh kundërshtuar Mane Nishova. Jo, nuk mund të bëhem ndjekës i atyre që deri dje më ndoqën mua.
Qëllimi i jetës, për njerëz të vërtetë, është të tregojnë vullnet për të ndihmuar të tjerët. Për këtë Mane Nishova ishte model. Në të gjitha detyrat e larta që kreu, të parën gjë që kishte në krye të punëve ishte: t’u gjendej pranë njerëzve të thjeshtë. Për disa legjislatuara të Kuvendit Popullor, ai e përfaqësoi denjësisht Nahijen e Beratit. Ishte merita e këtij burrri, thotë “Mësuesi i Merituar” Asqëri Koxhaj, njeri i afërt i tij, që në fshatin e tij të lindjes, në Nishovë, të ngrihej shkolla 7-vjeçare, nga të parat në qarkun e Beratit. Ai shpesh i kthehej të kaluarës me qëllim që ajo të shërbente për të zgjuar të ardhmen. Besoj se nuk ka qënë rastësi që ky njeri i dhimsur e i gatshëm për të ndihmuar njerëzit, të zgjidhej dhe të qëndronte në krye të Kryqit të Kuq Shqitar për shumë vjet pa asnjë shkëputje. Nuk ka qënë rastësi, gjithashtu, që me inisiativën e tij të themelohej Organizata e Veteranëve të LANÇ-it. Në kongresin e tretë të kësaj organizate, i cili u mbajt më 5 korrik të vitit 1958, Mane Nishova u zgjodh delegat për të përfaqësuar Shqipërinë në Kongresin e Paqes që u mbajt në Stokholm.
Mane Nishova bëri punë të mira edhe sepse e donte atë që bënte. Për këtë ka marë vlerësime të larta, si të luftës, të punës dhe pas fillimit të proceseve demokratike tw viteve ’90, është shpallur “Qytetar Nderi” i Poliçanit dhe i Qarkut të Beratit.
31 Maj 2018