Komandanti “nuk vjen” në sheshet dhe rrugët e pista!
I nderuar z.Thano
Intelektualët e vërtetë, pavarësisht situatave politike e social-ekonomike, me të cilat janë të detyruar të kenë lidhje, qoftë dhe pragmatiste, kanë mision të flasin, të shkruajnë e të operojnë për të vërtetën, e cila, mund të zhytet, por kurrsesi të mbytet. Në këtë linjë besoj se është edhe shkrimi i botuar në dy numra radhazi tek “Dita”, me titull “NJË RRUGË PËR ENVERIN” i analistit të mirënjohur, Bedri Islami. Sigurisht, mendimet e autorit të shkrimit në fjalë, nuk mund të jenë qindpërqind në unison me këtë replikën time, replikë e cila mund të merret edhe si monolog. Por një monolog i nevojshëm dhe për një çështje tepër madhore, që lidhet me figurën e një personaliteti, i cili nuk mund të shmanget nga Historia e shqiptarëve, e më tej saj.
Duke e ditur se hapësira në faqet e gazetës për mua “nostalgjikun e komunizmit” nuk mund të jetë e madhe, po mundohem të kaloj “nëpër maja malesh”, se vetëm kështu mund të shohësh shpejt majën më të lartë të tyre, siç ishte shqiptari i madh Enver Hoxha për popullin shqiptar dhe historinë e tij mijëra vjeçare.
Kush ishte Enver Hoxha?
Jo vetëm brezi i lindur në tri dekadat e fundit, por edhe në që e jetuam kohën e tij, të trazuar e të molepsur nga sulmet e pandërprera që iu bënë e po i bëhen kësaj figure pas ndarjes nga jeta, ndodh që bëjmë pyetjen: Ç’ishte Enver Hoxha? Një komunist? Një partizan? Një Komandant? Një komisar? Një udhëheqës masash? Një strateg e reformator? Një legjendë? Apo një e vërtetë?
“Historinë e bëjnë masat, individët lozin rol të veçantë”, na mëson historia e shoqërisë njerëzore. Por roli i Enver Hoxhës në Epokën 50 vjeçare të Shqipërisë së Re e moderne ishte vigan. Ai përmblidhte në një njeri të vetëm virtytet më të larta e më të arrira të shqiptarit, dhe ishte në të njëjtën kohë edhe realizuesi më i shkëlqyer i aspiratave të popullit të tij.
Në dy mijë vjet të Erës së Re, Arbërit nxorën dhjetra e qindra kollosë të mendjes e të shpatës. Midis tyre shkëlqeu Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ai pati me dhjetra tituj me të cilët Kancelaritë e kohës e patën emërtuar si “Princi i Arbërit”, “Iskandër”, “Kalorsi i Krishtit” etj. Por populli i tij e quajti me fjalën e thjeshtë “Kryetrimi”
Pesëqind vjet më vonë, Arbëri – tashmë Shqipëria, do të kishte përsëri Heronjtë e saj të penës e të pushkës, të mendimit e të veprimit, të aksionit e të revolucionit, që i dolën zot vatanit në momentet më kritike. Midis tyre, si një shqiponjë mali u ngrit Udhëheqësi i Lavdishëm Enver Hoxha. Edhe këtij Heroi Kombëtar koha i dha dhjetra tituj, por populli që e deshi aq shumë e quajti thjeshtë “Komandanti” dhe “Burri i dheut”.
Enver Hoxha ishte përfaqësuesi më autentik i shprehjes së njohur shqiptare “Burri i dheut”. Që të fitosh këtë titull kërkohen shumë veti e virtyte të larta e të dallueshme midis njerëzve të zakonshëm. Midis të tjerave, të jesh apo të bëhesh i tillë, duhet të kesh mençuri, trimëri e guxim burrash të vërtetë. Këto veti, ashtu si shumë të tjera, Enver Hoxha i pati në shkallën më të lartë. Për gjysëm shekulli me radhë ky “Burrë i Dheut”, si askush tjetër në historinë e vjetër e të re të shqiptarëve, mbrojti e ngriti në nivelet më të larta interesat e Shqipërisë e të Kombit të vet. Nuk mund të thuhet më saktësi nëse Epoka nxjerr Kollosë, apo Kollosët bëjnë Epokë. Por në rastin tonë, ne pa frikë mund të deklarojmë: Enver Hoxha për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar bëri Epokë. Një Epokë që e futi Shqipërinë në hartën e Botës, duke i ngritur shqiptarët dhe vendin e tyre në shkallën më të lartë të dinjitetit si komb!
Faktet dhe argumentet për këto deklarata të miat janë të shumta. Jo një shkrim gazete, por as gjithë gazetat e ditëve tona, me 20 apo 30 faqet e tyre, nuk do mund t’i përmblidhte këto fakte, të cilat rrojnë jo vetëm në memorien e popullit, por edhe në të gjitha skutat e arshivave e të diplomacive botërore. Vetëm duke ndjekur dokumentat e cunguara të CIA-s që kanë nisur të botohen në shtypin tonë (gazeta SOT për shembull), e kupton se çfarë konspiracioni është zbatuar e realizuar kundër LANÇ e Periudhës Socialiste, dhe vëçanërisht ndaj realizuaesit të këtyre dy epokave vigane, Enver Hoxha. Kush nga shqiptarët e kohëve për të cilat flasim, por edhe i kohëve të sotme, do të mundte ta përballonte këtë konspiracion si Enver Hoxha?! Asnjë! Rezultatet mizerabël të tri dekadave të demokracisë pluraliste borgjeze e vertetojnë më së miri këtë konkluzion.
Po, pse u sulmua dhe sulmohet Enver Hoxha?
Më tepër se pesë shekuj më parë, vendi i vogël me emrin Arbëri, me qëndresën vitale 25 vjeçare kundër perandosisë më të fuqishme të kohës do të bëhej, jo vetëm mburojë e qytetërimit europian, por edhe një shembull i gjallë për gjithë kontinentin, se si një popull e një vend i vogël, mund t’i bëjë ballë perandorive të stërmëdha dhe të mbrojë lirinë e pavarësinë e tij. Në hakmarrje të kësaj qëndrese shembullore, otomanët, ndryshe nga vendet e tjera të pushtuara prej tyre, e kthyen Arbërinë në gërmadhë dhe vetëm geni i trashëguar nga Ilirët e përmendur i shpëtoi arbërit, dhe më vonë shqiptarët nga asimilimi i plotë.
Historia u përsërit në mënyrë të përpiktë, me ndryshime vetëm kohore e zhvillimore. Nga viti 1941, që shënon krijimin e PKSH, e deri në vitin e përmbysjes së madhe të vitit 1990, Shqipëria – vijim i Arbërisë së Skënderbeut, jo vetëm do të dilte në dritë, por do të bëhej një shembull i jashtëzakonshëm për kontinetin dhe njëherësh edhe sfidues për të gjithë lakmitarët e vjetër e të rinj të brigjeve të Adriatikut. Epokën e Kryetrimit Gjergj Kastrioti, do të përsëriste në dyfishin e kohës dhe në shumfishin e arritjeve Partia Komuniste Shqiptare me Burrin e Dheut, Enver Hoxhën, në krye. Periudha 1941 – 1990 që mban në kalendar plot dyzet e nëntë vjet, mban në “inventar” dy nga Epokat më të mëdha të shqiptarëve, Epokën e Famshme të LANÇ dhe Epokën e ndritur të socializmit. Pikërisht për të shembur këto dy epoka, u sulmua dhe sulmohet Enver Hoxha. Por kjo nuk u arrit dhe nuk mund të arrihet. Dy Epokat në fjalë janë si dy male të mëdhenj, ku strehohen të gjithë shqiptarët kudo që janë. Mal mbi këto male qëndron shqiptari i madh Enver Hoxha. Dhe malet nuk mund të rrëzohen.
Komandanti “nuk vjen” në sheshet dhe rrugët e pista!
Është fakt se, në Kosovë, organizata politike e shoqërore, nuk kanë munguar me propozime e nisma, gjer dhe kërkesa për referendum, për rivlerësimin e jetës dhe veprës së Enver Hoxhës. Në Ferizaj për shembull, “Fronti Popullor për Mbrojtjen dhe kultivimin e veprës së Enver Hoxhës” i ka propozuar pushtetit vendor vendosjen e emrit të tij sheshit kryesor të qytetit. Po ashtu në Shqipërinë “londineze”, ka patur inisiativa e propozime nga Organizatat e Veteranëve të LANÇ për këtë problem. Por përkundër këtyre propozimeve, unë do të shtroja pyetjen: A do të pranonte Komandanti të kthehej në Sheshin apo sheshet ku ne vetë e patëm vënë?!
Jo, Ai nuk do të pranonte të kthehej në sheshet e rrugët tona aktuale, të cilat janë kthyer në sheshe prostitucioni; në sheshe korrupsioni; në sheshe kurvash e kurvarësh të politikës borgjeze; në sheshe ku liria e individit zgërdhihet duke përcjellur plumba për të pafajshmit; në sheshe e rrugë ku zhgryhet e përdhoset identiteti dhe dinjiteti ynë kombëtar. Në këto lloj sheshesh e rrugësh, ku mbretëron skota e nëveristshme e kohës së sotme borgjeze nuk mund të qëndrojë Komandanti. Ndaj ai ka zgjedhur të qëndrojë, jo shtatore prej bronxi në pluhurin e pistë të shesheve e të rrugëve të përdhosura, por ka zgjedhur të qëndrojë Shtatore e gjallë në kujtesën e popullit, në kujtesën që ai e përcjell brez pas brezi për të mos u harruar kurrë. Në kujtesën e memorien e popullit Shtatorja e tij, kujtimi i tij, vepra e tij është e sigurtë. Aty nuk mund të preket as nga tradhëtia e as nga mercenarët e saj.
Shtatorja e Enver Hoxhës dhe veprës së tij çdo ditë lartësohet në zemrat e miliona shqiptarëve. Shumë shpejt sheshet e rrugët tona do të pastrohen dhe Ai do të rikthehet me përmasat e tij vigane, jo vetëm midis shesheve e në krye të rrugëve tona, por edhe në qendër të Historisë së Popullit Shqiptar. Se e vërteta mund të zhytet, por kurrë nuk mbytet.
Do ta mbyll këtë shkrim me thënien e shokut tim të idealeve, shkrimtarit e poetit komunist, Kryetarit të nderuar të PKSH Hysni Milloshi: “Enver Hoxha shqiptar, është gurë prove për shqiptarët. Kush i largohet emrit dhe veprës së këtij shqiptari të madh, ai i largohet emrit dhe lavdisë së tij si shqiptar”.
Gjon Bruçi
26 Qershor 2018