KOLONIZIMI SLLAV GJATË JUGOSLLAVISË SOCIALISTE: Vrasjet, masakrat, dëbimi masiv i shqiptarëve dhe kthyerja e tyre


Faqe 13
faqe
- 14 -

Autori
Platforma antishqiptare e pushtetarëve serbë për asgjësimin e shqiptarëve ka gjetur zbatimin e saj në vazhdimësi kohore në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Ajo ka pasur kulmet e veta herë në fushën ekonomike, herë në atë politike, herë në atë fetare apo në atë ushtarake, por vazhdimisht të gërshetuara.


Ndaj popullatës dhe vendbanimeve shqiptare, policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në masë të gjerë, duke filluar në mars të vitit 1998 e deri në pranverë të vitit 1999 ndërmorën ofensiva për vrasjen e popullatës shqiptare dhe rrënimin e vendbanimeve të tyre. Kjo shtypje kulmin e arriti në muajt mars - qershor 1999. Në këtë fundshekulli, kur bota përgatitet të hyjë në mijëvjeçarin e tretë me arritje njerëzore e qytetare, shqiptarët e Kosovës pësuan një tragjedi të vërtetë: ata u ndodhën përpara mizorive dhe reprezaljeve makabre si dhe përpara një spastrimi të egër etnik të ushtruar nga ana e forcave policore e ushtarake si asnjëherë tjetër më parë. Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij, në zbatimin e planeve të përgatitura në fshehtësi, hodhën kundër shqiptarëve kosovarë armatën 45-mijëshe të policëve, ushtarakëve dhe paraushtarakëve serbë. Repartet e saj me uniforma e pa uniforma nxirrnin dhunshëm brenda disa minutave shqiptarët nga banesat dhe shtëpitë e tyre, disa nga të cilave ua vinin flakën, ndërsa njerëzit i nisnin drejt kufirit shqiptar e maqedonas. Millosheviqi kishte vendosur që t’i qëronte hesapet përgjithmonë me shqiptarët e Kosovës, ta spastronte etnikisht tokën sa më parë nga këta banorë autoktonë. Kështu planifikonte që 610 vjetorin e Betejës së Kosovës ta “festonte” në Gazimestan pa shqiptarë në Kosovë.


Edhe përkundër vrasjeve, masakrave e dëbimeve të shqiptarëve, pushteti serb me qëllim të kolonizimit të Kosovës bënte propagandë dhe vazhdonte ndërtimin e objekteve të banimit për popullatën serbe. Kështu, siç njofton gazeta “Jedinstvo” e Prishtinës, e datës 11 mars 1999, në lagjen “Bazhdarhane” në Prizren me 10 mars 1999 filloi ndërtimi i 236 banesave për nevoja të Ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe kuadrave të nevojshme për ekonominë e Prizrenit.


Vala e terrorit të institucionalizuar shtetëror serb, e vrasjeve, e masakrimeve, e ekzekutimeve të shqiptarëve përfshiu mbarë Kosovën. Paramilitarët e policët, por dhe ushtarët e egërsuar serbë mund të vrisnin dhe vrisnin kë të donin e kur të donin - pa ndjerë kurrfarë përgjëgjësie as morale, as njerëzore e as ligjore. Mund të vrisnin edhe vrisnin të rinj e të reja, pleq, plaka e burra, duke mos kursyer as fëmijë e as foshnja. Vrisnin - me apo pa motiv. Vetëm pse ishin shqiptarë. Vetëm pse donin t’i zhduknin nga faqja e dheut, t’i zhduknin nga Kosova, në mënyrë që ata, që mund të shpëtonin nga plumbi ose nga thika e tyre, të iknin, të detyroheshin të largoheshin nga Kosova, në qoftë se rastësisht mund të shpëtonin nga arrestimi apo deportimi i dhunshëm i tyre.


Vrasjet dhe masakrat barbare më monstruoze, që bëri pushteti kundër popullit shqiptar në Kosovë, me synim plotësisht të qartë për shfarosjen totale të tërë popullatës shqiptare të Kosovës demaskoi plotësisht politikën dhe karakterin gjenocidal të pushtetit dhe të shtetit serb. Falangat dhe kordonet ushtarake, policore e paramilitare serbe të vdekjes nuk kursyen jo vetëm civilët e paarmatosur shqiptarë, por as gratë, as fëmijët, as foshnjet e as pleqtë e tyre. Duke treguar haptas tërë egërsinë e tyre dhe duke u munduar t’i fshinin gjurmët e dhunës makabre, forcat serbe dogjën viktimat e terrorit të tyre, ose edhe i zhvarrosën dhe i dërguan trupat e tyre në drejtime të panjohura, të cilat sot po zbulohen në varrezat e shumta nëpër Serbi.


Me fillimin e konfliktit të armatosur në Kosovë (mars 1998), spastrimi etnik e gjenocidi morën formën e një veprimtarie barbare, që sfidoi gjithë bashkësinë ndërkombëtare në prag të shekullit XXI. Bombardimet e NATO-s të filluara më 24 mars 1999 kishin për synim ndaljen dhe ndërprerjen e spastrimit etnik të Kosovës me vrasje, masakrime e ekzekutime, me plaçkitje, rrënime e djegie të vendbanimeve të tëra dhe me deportimin masiv të popullsisë shqiptare nga trojet e veta etnike, që ushtronte pushteti ushtarako-policor serbë mbi popullatën shqiptare.


Planet serbe, të propozuara edhe nga Dobrica Qosiq e akademikë të tjerë serbë, deri edhe nga qarqe të politikës zyrtare të Beogradit, kanë planifikuar zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët. Për të arritur këtë qëllim, është ushtruar gjenocid i plotë mbi një popullsi të tërë në Kosovë. Është masakruar gjithë ajo popullsi civile, për t’u poshtëruar në atë masë aq barbare e për t’u deportuar ajo në tri drejtime: Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Ky dëbim ishte eksoduesi, përkatësisht zhvendosja më masive në Evropë që nga Lufta së Dytë Botërore.


Dëbimi - nxjerrja e njerëzve me dhunë nga shtëpitë dhe banesat e tyre, ku para tytave të automatikëve urdhëroheshin që të vazhdojnë drejt stacionit të trenit ose të motorizuar, madje edhe këmbë iknin drejt Shqipërisë, kufirit me Maqedoninë, por edhe drejt viseve me popullatë kryesisht shqiptare e boshnjake në Mal të Zi. Nga të katër anët e Kosovës kolona njerëzish në këmbë, me traktorë, me makina e me tren kishin marrë rrugën e mërgimit, të ndjekur e të persekutuar nga forcat serbe. Në mesin e tyre kishte edhe të sëmurë e të moshuar dhe të hendikepuar, gra shtatëzëna e fëmijë dhe foshnja të posalindura. Udhëtonin këta të ndjekur ose ecnin këmbë kilometra e kilometra në kushte të vështira atmosferike e me përjetime e kujtime tronditëse për njerëz të vrarë e të pavarrosur, kufoma të hedhura anës rrugëve, djegie të tyre e të shtëpive të tyre. U sendërtuan në vepër thëniet e kriminelit Sheshel, i cili vazhdimisht theksonte se shqiptarët duhet të ndiqen përtej Bjeshkëve të Nemura, të vdekur ose të gjallë... Ndërsa, pushteti serb kishte bërë plane që pas kësaj të gjithë refugjatët nga Kroacia e Bosnja të sillen në Kosovë si dhe një numër i popullatës serbe nga e ashtuquajtura “Srpska Republika”, p.sh. pjesë e popullatës së Banja Llukës në Prishtinë e kështu me radhë.


Për të dëbuarit në Maqedoni vend i ferrit ishte Bllaca, ku njerëzit ballafaqoheshin me vdekjen. Të moshuarit, të sëmurit, fëmijët, të lodhur e të rraskapitur, të mërdhirë e të uritur erreshin, por nuk gjenin dot të gjallë. Bllaca ishte një katastrofë njerëzore e politikës antihumane ndaj një populli të pambrojtur. Bllaca, si e këtillë, u dënua nga opinioni demokratik e humanitar botëror.


Pas asaj rrëmuje të invazionit të policëve dhe të paramilitarëve, shtëpitë shqiptare mbetën dyerhapur. Mbetën edhe shporetat e ndezur, edhe buka në shporetë, gjellëra mbi të e përgatitur, tryeza e shtruar.


Gjatë dëbimit iu plaçkitën të hollat, gjërat me vlerë, automobilët. Ata që nuk kishin maltretoheshin, rraheshin apo edhe vriteshin. Dokumentet personale u merreshin dhe menjëherë ua grisnin, me qëllim që ata të mos kenë dëshmi legjimiteti. Ata ishin të bindur se shqiptarët nuk do të kthehen kurrë. Edhe gjatë dëbimit paramilitarët serbë u thonin: Se kurrë nuk do ta shohin Kosovën më, e nëse e shohin ate do ta shohin nëpërmjet ekranit të televizionit!; Se vetë e keni kërkuar këtë, shkoni në Shqipëri se ajo është juaja, kjo është Serbi!; Qe kjo është NATO-ja, vetë e këni kerkuar atë, etj.


Para tërheqjes, paramilitarët serbë ekzekutonin shqiptarët në vend, ndërsa gjatë tërheqjes ndanin burrat nga gratë, nga anëtarët e familjes dhe i kanë ekzektuar apo i kanë humbur, ndërsa gratë dhe vajzat ka raste kur i kanë dhunuar.


Lidhur me dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova, Kadare shkruante: “Deportimi i shqiptarëve të Kosovës është e treta tragjedi, më e egra, më e pashembullta e më mizorja. Por ajo ka brenda, bashkë me zinë, edhe dritën e së ardhmës. Është hera e parë që shqiptarët do të kthehen përsëri atje prej nga u shkulën. Në fatin tonë ka ndodhur nj ndryshim, nga ato që quhen hyjnore. Shqipëria, pas gjithë anktheve të saj po skajohet më në fund në atë pjesë të botës, që ëndërronin njerëzit me të ndritur të saj, që nga Gjergj Kastrioti gjer të rilindasit: në zonën evropiane, ku ka qenë e aty ku e kishte vendin. Të tjerët, fqinjët e saj të egër le të shkojnë ku të duan. Atë Kosovë, që e lanë si një të keqe, shqiptarët do të mbushin përsëri me praninë e tyre, me djemtë dhe vajzat e bukra, me rrudhat e pleqve, me armatë e pathyeshme të foshnjeve e të fëmijëve, që do të përtërihen të gjitha, siç përtërihej jeta pas ikjes së mortajës. Jeta e rikthyer pas një sezone çmohen më shumë, dhe po ashtu çmohet me shumë toka dhe shtëpia, ninullat dhe librat, de gjithçka tetër që përbën atë që thuhet vendi i atit, atdheu. Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që u ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpe, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre…”.[1]


Pushteti ka luajtur lojën e dyfishtë, atë të krimit të organizuar e të krijimit të bindjes te popullsia lokale serbe e malazeze se me dëbimin e shqiptarëve kjo anë do të jetë gjithmonë Serbi. Disa serbë vendorë naivë janë nxitur të bëjnë krime e mizori mbi fqinjët e vet shqiptarë, madje edhe pronat e shqiptarëve u janë ndarë serbëve lokalë. Kështu shumë serbë vendorë janë vënë pas krimit, plaçkës e ndarjes së tokave të shqiptarëve. Mirëpo, në fund pasi u shfrytëzuan u tradhtuan nga pushteti dhe një numër i tyre, pas kthimit të shqiptarëve, pas muajit qershor 1999 në atdhe, pasi i kishin duart e përgjakura bashkë me paramilitarët, policët e ushtarakët, shkuan pas tyre në Serbi e gjetiu, ku pjesa më e madhe e tyre kishte shtëpitë dhe banesat e veta.


Vandalizmi i pushtetit serb krahas krimeve çnjerëzore mbi shqiptarët, rrënimit të fshatrave shqiptare me tërë infrastrukturën, në shënjestër të shkatërrimeve sistematike pati edhe objektet shkollore, ambulanca, shtëpi të kulturës, objekte me vlerë të trashëgimisë historiko-kulturore, si p.sh. shumë kulla të vjetra shqiptare, me 27 mars 1999 ndërtesën e kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Çarshinë e Gjakovës, Çarshinë e Pejës, më se 209 xhami, shumë teqe, shtëpi të vjetra me vlerë të madhe arkitektonike etj., si dhe shumë dokumente arkivore, libra, eksponate muzeale etj.


Gjatë kësaj periudhe pushteti serb kishte plaçkitur nga kuvendet komunale, zyret e vendit etj., tërë dokumentacionin e ofiçarive, siç ishin librat amë të të lindurve, të të kurorëzuarve, të të vdekurve, librat e nënshtetësisë, pastaj dokumentacionin e shërbimeve kadastrale etj. Ato i kishte shpërndarë nëpër qytete të Serbisë. Ndërsa, dokumentet e tilla personale dhe pronësore që posedonin shqiptarët, soldateska serbe u kishte djegur së bashku me shtëpitë dhe gjithë pasurinë që kishin, ose ua kishin grisur gjatë dëbimit të tyre. Qëllimi i tërë kësaj ishte, që dokumentet e gjendjes civile, së bashku me librat e shërbimeve kadastrale dhe dokumentet e tjera me vlerë që dëshmojnë qenësinë dhe indentitetin shqiptar të Kosovës, ajo i plaçkiti për t’i fshehur gjurmët e spastrimit etnik që bënte në Kosovë dhe për të ndërruar me dhunë strukturën demografike të popullsisë në favor të pakicës serbe e malazeze dhe për t’ua ndaluar me dhunë të dëbuarve përgjithmonë kthimin në Kosovë, duke u munduar që para syve të opinionit botëror të paraqesin mungesën e këtyre dokumenteve, si “argument” se ata nuk kanë qenë kinse asnjëherë banorë të kësaj treve. Nga Arkivi i Kosovës është marrë dokumentacioni për kolonizimin e Kosovës ndërmjet dy luftërave botërore, ai i revizionit të reformës agrare dhe dokumentacion tjetër për çështje pronësoro-juridike dhe ate të dënimeve politike pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu edhe nga institucionet tjera shtetërore janë marrë dokumentet si ai nga Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës, nga Enti i Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës së Kosovës, Muzeu i Kosovës dhe shumë institucione të tjera.


Deri në fillim të majit 1999, nga Kosova ishin përzënë rreth 730.000 shqiptarë. Prej tyre 605.000 u strehuan në Shqipëri, në Maqedoni, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa 125.000 të tjerë në vende të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës dhe Australisë. Po t’u shtohen këtyre refugjatëve edhe të ikurit deri më 1996, del se shovenizmi serb shpërnguli me dhunë deri në maj afro 1.000.000 shqiptarë të Kosovës ose më shumë se ½ e popullsisë shqiptare të këtyre trojeve. Rreth 700.000 shqiptarë u shpërngulën nga banesat dhe shtëpitë e tyre dhe u detyruan të jetonin në rajonet malore të Kosovës në një situatë dramatike.[2]

Sipas të dhënave të UNCHR në fillim të qershorit 1999, nga refugjatët e dëbuar prej Kosovë 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnje e Hercegovinë, gjithsej 782.100. Në vendet tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Izrael etj.[3]


Duhet theksuar se në mbrojtje të popullatës vendore shqiptare, të pragut të shtëpisë, në kthimin e krenarisë kombëtare, në sensibilimin e çështjës shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe në çlirimin e vendit kishte dhën padyshim Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bijët dhe bijat më të mira të popullit tonë. Disa nga ata dhanë vlerën më të shtrejtë për liri e pavarësi – jetën.


Njësitë militare e paramilitare anticivile serbe kanë bërë në Kosovë krime të rënda, përmasa të krimeve kundër njerëzimit. Kriminelët serbë, përkundër gjithë egërsisë që kanë treguar duke vrarë, ekzekutuar, masakruar dhe torturuar në mënyrën më të tmerrshme viktimat, gjatë tërë kohës janë munduar t’i fshehin gjurmët e krimeve të veta, duke varrosur e zhvarrosur trupat e vrarëve e të të masakruarve, duke i bartur nga një vend në vendin tjetër, duke i hedhur në puse e humnera ose edhe duke i djegur e zhdukur në mënyra të ndryshme. Megjithatë, edhe në Kosovë po shihet se krimet nuk mund të fshehen. Këtë e ka vërtetuar edhe zbulimi i rreth 550 varrezave masive dhe i qindra e mijëra varreve individuale me trupat e dekompozuar e skeletet e viktimave që ende po gjenden nëpër vise të ndryshme të Kosovës të shkaktuar nga kriminelët serbë.


Numri i të vrarëve, të ekzekutuarëve, të masakruarëve, të djegurve për së gjalli apo për së vdekuri, sipas parametrave të deritashëm, vlerësohet të jetë së paku 11.000. Mbi 2.000 shqiptarë të burgosur dihet se po dergjen nëpër burgjet e Serbisë e të Vojvodinës, ndërsa deri në 4.000 vlerësohet të jetë numri i të zhdukurve dhe i të kindapuarve. Ushtarët, policët e paramilitarët serbë kanë dhunuar femrat shqiptare në pjesë të ndryshme të Kosovës. Numri i objekteve të shkatërruara, të djegura ose të dëmtuara - i shtëpive dhe i banesave, i lokaleve afariste dhe i fabrikave, i shkollave dhe i objekteve të tjera arsimore, kulturore e shkencore, i objekteve fetare, i monumenteve kulturore e historike që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, lokaleve afariste, punëtori zejtare, fabrika etj. - është tejet i madh. Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë (mars 1998 - qershor 1999) sipas të dhënave jokomplete janë shkatërruar dhe djegur 204.285 shtëpi, pastaj banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, në 1300 vendbanime të 29 komunave, 534 shkolla dhe 240 institucione shëndetësore, kurse 617 vendbanimeve janë shkatërruar instalimet dhe objektet për furnizim me rrymë, ujë të pijes dhe kanalizim.[4]


Këto shkatërrime ata i bënë në emër të edukatës ksenofobe e, sidomos, të politikës serbomadhe të Millosheviqit dhe të klikës së tij. Në shtyp, në masmedia dhe në meshat e tyre ata e mbiquajtën Kosovën “Djep i shtetit serbë”, “Jeruzalemi serb”, “Serbi e Vjetër” etj. Dhe për ta gdhendur në mendjet e zemrat e gjeneratave të tyre, ata asgjësuan, përshtatën, modifikuan, krijuan ose ngritën buste, monumente, vendosën pllakata e simbole të reja anembanë Kosovës.


Strategjia serbe eshtë strategji e tokës së djegur dhe të vdekur. Spastrimi etnik që të pushtohet tërësisht territori. Pushtetarët serb kanë zhvilluar strategjinë e vet me një parim të luftërave të mëparshme të vjetra me shekuj, që thotë se “asnjë popull nuk mund të pushtohet”. Për të pushtuar territorin ata kanë zgjedhur taktikën e spastrimit etnik. Kanë pasur për qëllim që të okupojnë tokat, por nuk kanë dashur që ato toka të kenë popull joserb, lëvizja për çlirim do të ishte e vazhdueshme dhe një ditë patjetër ai popull do të gëzonte lirinë.


Mirëpo, populli shqiptar, rinia e tij përherë iu kishte kundërvën këtij terrori e kësaj dhune, e atë me forma të ndryshme. Në fillim me organizimin e organizatave ilegale, pastaj marrjes së aksioneve kundër organeve të pushtetit si dhe në vitet e fundit edhe me rezistencën aktive - forminin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën ishin përfshirë bijt dhe bijat më të mira të popullit shqiptar në mbrojtje dhe çlirim të atdheut. Falë kësaj ushtrie, e cila filloi nismën e çlirimit të vendit, pastaj angazhimi i forcave të Aleancës Veriatlantike - NATO-s në sulmet ajrore ndaj forcave serbe që nga 24 marsi e deri me 12 qershor 1999, kur forcat tokësore të NATO-s hyn në Kosovë triumfalisht. Forcat okupuese serbe nënshkruan kapitullimin dhe u detyruan të tërhiqen nga Kosova, kurse populli shqiptar të kthehet në vatrat e veta në liri dhe të marshojë në rrugën për pavarësi.


Pas tërheqjes së trupave serbe ushtarake nga Kosova, rreth 47.000 trupa ushtarake përpara afatit të pranuar në Marrëveshjen ushtarako-teknike të nënshkruar nga NATO dhe komandantët ushtarakë të ish RFJ-së me 9 qershor 1999, janë tërhequr afro 800 tanke, transportuese të blinduara, topash dhe gryka zjarri artilerie. Menjëherë, po atë ditë dhe ditëve të tjera popullata shqiptare filloi kthimin në vatrat e veta. Këtë e bënë së pari refugjatët nga Maqedonia, pastaj ata nga Shqipëria e kështu me radhë, përkundër apelit të UHNCR të rrezikut nga minat, duke mos pritur fare kthimin e organizuar që paralajmëronin organizatat dhe institucionet ndërkombëtare humanitare e të tjera.


Kthimi i shpejtë i refugjatëve nga Maqedonia, nga Shqipëria dhe nga vendet perëndimore e të largëta, si SHBA, Kanada, Australia etj. është një fakt mahnitës për botën, që tregon se sa shumë janë të lidhur shqiptarët për tokën e vet, sa shumë dashuri kanë për atdhe.


Forcat aleate të NATO-s në krye me SHBA bënë aktin më humanitar deri më tani ndaj në populli të përvujtur, duke e mbrojtur nga asgjasimi total. Ato kontribuan që Kosova sot po shkon drejt pavarësisë. U bë konstituimi i organeve të pushtetit në udhëheqjen e UNMIK-ut të cilat gradualisht kompetencat janë duke ua lëshuar vendorëve. Ndërsa, popullata serbe dhe malazeze por edhe të tjerë e cila nuk kishte kurrfarë dorë në dhunë e terror me krijimin e kushteve filloi të kthehet në Kosovë, ndërsa me zgjidhjen e statusit të Kosovës ajo duhet definitivisht të kthehet dhe të jetojë së bashku me popullatën vendore shqiptare dhe të tjerë në barazi të plotë dhe në një shtet të ri e perspektivë – Kosovën.

Referencat
  1. Ismail Kadare në parathënjen e romanit “Nata e Kosovës”, të Rexhep Hotit, Tiranë, 1999.
  2. Kosova në vështrim enciklopedik, v. e c., fq. 52.
  3. Raport i departmentit të shtetit të SHBA, Fshirja e historisë, Pastrimi etnik në Kosovë gjatë vitit 1999, maj 1999, fq. 27.
  4. KMDLNJ - Prishtinë, Raport mbi shkeljen e të drejtave e të lirive të njeriut në Kosovë gjatë vitit 1999; “Bota Sot”, 12 qershor 2000.

Faqe 13
faqe
- 14 -

Autori