KOLONIZIMI SLLAV GJATË JUGOSLLAVISË SOCIALISTE: Presionet për shpërngulje të shqiptarëve


Faqe 11
faqe
- 12 -

Faqe 13
Duke mos pasur mundësi realizimi të plotë të projektit të Çubrilloviqit dhe të projekteve të tjera, pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti serb e vijoi zbatimin e fazave të mëtejshme të dhunës e të terrorit ndaj shqiptarëve, të shpërnguljes së tyre nga atdheu dhe kolonizimin me elementin serb në Kosovë.

Edhe pse Jugosllavia në mënyrë publike pas vitit 1944 ishte deklaruar për “barazi të përgjithshme dhe lirinë e të gjithë qytetarëve”, politika serbomadhe ka shkuar disa hapa më tutje në aspektin e programimit të shfarosjes së popullit shqiptarë.


Pas mbarimit të luftës dhe formimit të organeve të reja të pushtetit siç quhej popullor, në emër të vëllazërim-bashkimit, rindërtimit të vendit, të drejtave “të barabarta”, filluan aksione të shumta në punë vullnetare, në rindërtimin e vendit. Edhe në Kosovë, në krahasim me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, filloi në zhvillim i ngadalshëm ekonomik, pastaj kulturor, arsimor, shëndetësor etj. Filluan të hapën shkollat në gjuhën shqipe me ideologji të caktuar komuniste, të organizohen kurse kundër analfabetizmit, kurse shëndetësore, kurse të amvisnisë, të bujqësisë dhe të tjera. Filloi një zhvillim dhe rindërtim i ngadalshëm, me moton ta shkatërrojmë të vjetrën dhe të ndërtojmë të renë. Vazhdoi periudha e ndjekjeve, burgosjeve, vrasjeve, internimeve. etj. Më pastaj filloi presioni ekonomik për grumbullimin kinse të “tepricave”, propaganda për deklarim të dhunshëm si kombësi turke, me qëllim të shpërnguljes në Turqi, aksioni i mbledhjes së armëve të cilat shqiptarët nuk i kishin, në dimrin e viteve 1955/56, me arsyetim se shqiptarët po përgaditëshin për kryengritje të armatosur dhe bashkimin me Shqipërinë. E tërë kjo u përcoll edhe me gjykime masive e dënime drastike të shqiptarëve përsëri për gjoja “koloaboracion me okupatorin” për të vazhduar më vonë, pas Rezolucionit të Inforbyrosë (1948), por gjoja krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe bashkëpunimin me Bashkimin sovjetik e shtetet e tjera të Bllokut të Lindjes. Shqiptarët arrestoheshin, vriteshin, masakroheshin dhe internohesin në burgjet e kampet e ndryshme të Jugosllavisë (Goli-Otok, Bileçë, Nish, Gradishkë etj.).


Si presione më të drejtëpërdrejta për ndjekjen dhe për shpërnguljen e shqiptarëve, përveç maltretimit të personave të pafajshëm dhe veçanërisht të intelegjencës së pakët dhe punëtorëve të arsimit, që u shpallën armiq të rendit socialist dhe u burgosën, u internuan e, madje, një pjesë edhe u pushkatuan pa gjyq - ishin deklarimi i dhunshëm për kombësi turke, aksionet e mbledhjes së drithit, aksioni i mbledhjes së armëve me arsyetim se shqiptarët kinse po përgatiten për kryengritje të armatosur dhe bashkim me Shqipërinë, inskenimi i organizatave të fshehta politike “irredentiste”, redukimi i të drejtave sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, mbyllja e disa shkollave në gjuhën shqipte, nxjerrja e flamurit shqiptar në ditën e festës kombëtare nga ana e organeve të sigurimit si provokacion për t’i burgosur njerëzit e pafajshëm etj. E gjithë kjo strategjemë mizore u sajua për të gjetur shkak për shpërnguljen masive të shqiptarëve jashtë Jugosllavisë. Në këtë periudhë “u zbuluan” kinse gjithato “organizata irredentiste e diversioniste”, “shqiptaromëdha”, të cilat, në fakt, nuk ekzistonin.


Siç po shihet, presionet për shpërngulje ndaj shqiptarëve ishin aq të shumta e të shumëllojshme, sa jeta e tyre në Kosovë e në viset e tjera të Jugosllavisë u bë e padurueshme. Prandaj, një numër jo i vogël u detyruan të regjistroheshin si turq që të shkonin në Turqi për të shpëtuar sa më parë nga ferri i pushetit serb. Shpërgulja e shqiptarëve nga Kosova mori përmasa të gjera me intensitet të lartë, sidomos gjatë viteve ‘50 e ‘60 të shekullit XX. Gjatë këtyre viteve u shpërngulën në Turqi 283.000 shqiptarë, do të thotë afër një e treta e popullsisë së atëhershme.[1] Maqedonia ishte etapa përfundimtare e shpërnguljeve pa kthim të shqiptarëve në Turqi. Të gjithë lumenjtë e popullsive të dyndura nga Jugosllavia vërshonin në Maqedoni dhe pastaj i drejtoheshin Turqisë. Procesi u realizua “fshehtazi”, ndërsa motivet e shpërnguljes ishin sikurse të paraluftës, kryesisht të natyrës politike, vetëm që u modifikuan dhe iu përshtatën kushteve të reja të sistemit socialist.[2]

Në anën tjetër në Kosovë vinin një numër i madh i serbëve dhe malazezëve si nga territoret e afërta, ashtu edhe nga ato të largëta të Sërbisë dhe të Malit të Zi, si kuadro dhe me familje. Punësohen kryesisht në organizatat dhe institucionet shtetërore, shoqërore, kulturore etj. Vlerësohet se në Kosovë prej vitit 1945 deri me 1965 janë vendosur 12.300 familje sllave, ose rreth 64.000 persona me prejardhje sllave.[3]


Ky proces u ndërpre në vitin 1966 (pas Plenumit të IV të Brioneve), kur u kritikua ashpër shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë së asaj kohe, që kishte goditur rëndë të gjithë të tjerët pikërisht shqiptarët e Kosovës, por edhe të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë.


Ndërpreja e përkohshme e kolonizimit dhe kthimi i disa kolonëve në vendlindje

Pas vitit 1966, e posaçërisht pas nxjerrjes së Kushtetutës të vitit 1974, serbët e malazezët, duke i humbur privilegjet dhe duke mos e duruar barazinë e shqiptarëve me ta, një numër i tyre, sidomos ai me origjinë kolonizuese kthehen në vatrat e para të saj si dhe në viset më të zhvilluara të ish Jugosllavisë. Ata pasurinë, tokën, banesën e tjerë të marrë falas në Kosovë e shiste me çmime të larta dhe me ato mjete blenin tokë, shtëpi, objekte ekonomike dhe gjëra të tjera në viset e Serbisë, në krahasim me Kosovën me çmime shumë më të ulta, kështu që i mbeteshin mjete të bollshme edhe për kursim. Shpërnguljen e këtillë ekonomike të serbëve e malazezëve, qarqet politike shtetërore të Serbisë dhe disa edhe të Jugosllavisë e shfrytëzonin si presion të mëtejmë ndaj shqiptarëve. “Presioni” mbi serbët dhe malazezët ishte floskulë politike dhe shpifje. Gjendja faktike nuk përkon me kualifikimet se serbët dhe malazezët po shpërngulën nga Kosova për shkak të “presioneve”, “diskriminimit”, “terrorit”, “gjenocidit” etj. nga ana e shqiptarëve. “Presioni” i shqiptarëve mbi serbët dhe malazezët ishte një shpifije e rëndë dhe mbi këtë konstruksion u krijua një klimë dhe një strategji antikosovare dhe antishqiptare pothuajse në tërë Jugosllavinë. Sipas burimeve serbe prej vitit 1967-1980 nga Kosova u shpërngulën 57.118 serbë e malazezë.[4]

Duhet theksuar se popullata shqiptare e Kosovës që nga vitit 1968 e deri në vitin 1981 përjetoi deridiku një transformim në aspektin arsimor, kulturor, shkencor, ekonomik etj. Ajo ishte njëfarë pauze në valën e shpërnguljeve dhe u bë për të evituar ndonjë situatë shpërthyese në Jugosllavi dhe për të vendosur njëfarë ekuilibri politiko-etnik në federatë, me shpresën që ajo të mos shpërbëhej në të ardhmen.

Referencat
  1. KMDLJN, Prishtinë, BULETINI, nr. 14, janar-mars 2000, fq. 21.
  2. Dr. Hivzi Islami, Kosova dhe shqiptarët. Çështje demografike. Prishtinë, 1990, fq. 164.
  3. KOSMET ili KOSOVA, v. e c., Punim i dr. H. Bajramit, fq. 170.
  4. E njëjtë.

Faqe 11
faqe
- 12 -

Faqe 13