PLANET SERBE PËR SPASTRIMIN ETNIK DHE KOLONIZIMIN E KOSOVËS GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE


Faqe 9
faqe
- 10 -

Faqe 11
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e ndërpreu procesin e kolonizimit të Kosovës me elementin sllav. Pas hyrjes së ushtrive gjermane e italiane, nga frika e hakmarrjes, në gjysmën e dytë të prillit të vitit 1941, pasoi ikja e kolonëve serbë, malazez e të tjerë nga Kosova. Një numër i tyre u vendos në vendbanimet kompakte serbe e malazeze, e kishte edhe që kishin mbetur në vendbanime të tyre, përkundër të gjitha të këqiave të bëra ishin mbrojtur nga popullata vendase shqiptare.


Nga synimi i ndërrimit të strukturës nacionale dhe kolonizimit të Kosovës Serbia nuk hoqi dorë as në rrethanat më të vështira, siç ishin ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kohë Serbia, veç luftës këmbëngulte rreth vijave të demarkacionit ndërmjet pushtuesve italianë e gjermanë, i kushtoi kujdes të veçantë kolonëve të saj në Kosovë. Qeveria e Nediqit përpiqej përherë që nga një pjesë e Kosovës, që, me marrëveshje e sipas së drejtës historike e natyrore i takoi Shqipërisë së pushtuar nga Italia fashiste, të shpërgnulen sa më pak serbo-malazezë. Kur nuk ia arrinte dot qëllimit, kjo qeveri kolonët e shpërngulur i vendoste përreth kufirit të Kosovës dhe pandërprerë i përgatiste për rikthimin e tyre duke i indoktrinuar në domosdonë e kthimit, si edhe duke i përgatitur ata në fushën ushtarake, duke formuar njësitë të armatosura çetnike prej çetave e deri te korpuset ushtarake. Çështjen e shpërnguljes së kolonëve serbo-malazez nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore Qeveria e Nediqit e shfrytëzoi edhe në luftë kundër synimeve çlirimtare të forcave të ndryshme shqiptare, veçanërisht të Komitetit të Kosovës e të Qeverisë Shqiptare, por edhe në fushën diplomatike. Qeveria e Nediqit, duke politizuar çështjen e kolonëve të shpërngulur përpiqej ta bindte Gjermaninë naziste që ajo të përkrahte për rishtrirjen e mëparshme të Serbisë së madhe në këto anë.[1]


Për sendërtimin e qëllimeve të parashtruara Qeveria e Nediqit që nga ditët e para, u organizua në shkallë shtetërore. Në fillim kjo detyrë iu ngarkua Sigurimit Shtetëror e më vonë, kur çështja u masivizua edhe më shumë, sendërtimin e këtyre qëllimeve e moren për sipër prefektët e qarqeve dhe të rretheve. Shteti përgatiti pyetësorët, të cilët duhej t’i plotësonte çdo kryefamiljar i shpërngulur, e ku kërkohej, veç të tjerash, të deklaroheshin se sipas urdhërit të kujt shpërnguleshin, çfarë qëndrimi kishin ndaj serbo-malazezve organet e pushtetit, organizatat e individët dhe a shpërnguleshin për shkak të torturave apo pse nuk donin të mbeteshin jashtë Serbisë. Kuptohet, sipas skenarit të Qeverisë së Nediqit deklaratëdhënësit duhej të flisnin sa më keq për Qeverinë Shqiptare, veçanërisht për qëndrimin e saj ndaj kolonëve serbo-malazezë që këto pastaj ata t’i shfrytëzonin në arenën diplomatike ndërkombëtare. Për këtë arsye nuk janë të rralla deklaratat në të cilat në mënyrë të paskurpullt sulmohet jo vetëm Qeveria Shqiptare, por edhe populli shqiptar në tërësi. Të kësaj fryme janë veçanërisht raportet e hieromonahut të kishës së Deçanit. Veç kësaj, shumë deklaratëdhënës të manipuluar nuk mund të fshehnin faktin se me shqiptarët deri në kohën e “kreyengritjes”, siç e quanin shumë prej tyre fillimin e Luftës së Dytë Botërore, patën fqinjësi të mirë. Bile disa prej tyre u detyruan disa herë të pohojnë se edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore shumica e popullsisë shqiptare nuk ndërroi qëndrimin e saj të mëparshëm.[2]


Përveç kësaj, qarqet shoveniste serbe bënin plane për pushtimin e trojeve shqiptare, kolonizimin me elementin sllavë, përkatësisht të ndërrimit të strukturës etnike të popullsisë së Kosovës, të bazuar në projektin e Ilija Garashaninit. Po i theksojmë disa nga ato: Sipas projektit të hartuar prej avokatit nga Sarajeva Stevan Moleviq, të titulluar “Serbia homogjene” i 30 qershorit 1941, parashihej që Serbia të përfshinte në lindje dhe në juglindje Kosovën dhe Maqedoninë, Vidinin dhe Qystendilin në Bullgarinë e sotme; në perëndim - banovinën e Vërbasit, Dalmacinë Verirore, Likën, Kordunin, Baninë dhe një pjesë të Sllovenisë; në jug - Malin e Zi dhe Hercegovinën, duke përfshirë edhe Dubrovnikun, të cilit do t’i jepej status i veçantë, dhe pjesën veriore të Shqipërisë. Sipas Moleviqit, në gjirin e Serbisë së Madhe duhej të përfshiheshin të gjitha trevat ku ka serbë, apo ku Stevan Moleviqi supozonte se kishte serbë. Për te serbë ishin edhe maqedonasit dhe malazezët. Ndërkohë ai kërkonte shpërnguljen në masë të kroatëve, myslimanëve dhe të shqiptarëve nga rajonet, ku ata përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë.[3]


Në programet e çetnikëve më 1941 planifikohej: “Të krijohet Jugosllavia e Madhe në të Serbia e Madhe, etnikisht e pastër në kufijtë e Serbisë dhe të Malit të Zi, të Bosnjes e Hercegovinës, të Sremit e të Banatit. Të pastrohen të gjitha territoret nga elementët joserbë”. Të krijohen kufijtë e drejtpërdrejtë, kufijtë e përbashkët ndërmjet Serbisë e Malit të Zi, si dhe Serbisë dhe Sllovenisë, nëpërmjet spastrimit të Sanxhakut dhe të disa pjesëve të Bosnjes nga myslimanët dhe kroatët. Në përputhje me planet e sipërpermendura, Lëvizja Çetnike synonte ta kultivonte dhe ta mbante gjallë në Kosovë frymën e hakmarrjes, të shfarosjes së shqiptarëve dhe të gllabërimit të trojeve të tyre etnike. Kështu në një nga elaboratet e përgatitura në atë kohë, me titull: “Krahina e Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit”, midis të tjerave thuhej, se “Kosova ka qenë serbe dhe ajo do të mbetet patjetër serbe, jo vetëm për nga pozita shtetërore juridike, por edhe nga struktura e popullsisë së vet, e cila duhet të jetë me shumicë serbe”. “Pas përfundimit të luftës do të shpërthejë hakmarrja e serbëve ndaj shqiptarëve. Kjo nuk do të pengohet e sidomos aksioni i Vasojeviqëve, të cilët duhet të zgjerohen në Rrafshin e Dukagjinit.[4]

Ndërkaq, me ligjin mbi kolonizimin e brendshëm duhet të parashihet që shqiptarët, për shkaqe strategjike të transferohen në Srem, në Shumadi dhe në trevat e tjera, ku do të jenë të parrezikshëm dhe me kohë do të asimilohen.[5]


Më 12 shtator 1941 gjenerali Lubo Novakoviq në letrën që i dërgonte Kosta Peçancit, të njohur edhe më parë për krimet e pashembullta mbi shqiptarët, i përkujtonte: “Kur të nisem në rrugën fatlume, e di çfarë planesh ke për jugun tonë. Besoj se në Sanxhak, në Dukagjin dhe në Fushë të Kosovës, nuk do të mbetet asnjë plis për farë. Lumenjt Sitnica dhe Llapi do të bartin dy muaj koka shqiptarësh”.[6] Programi i Drazha Mihailoviqit për spastrime etnike dhe krijimin e Serbisë së Madhe në Jugosllavinë e Madhe më 20 dhjetor 1941, në mes tjerash parasheh: “..... Të spastrohen territoret shtetërore prej të gjitha pakicave dhe elementëve jonacionalë.... Pjesët e spastruara të kolonizohen me malazezë, ndërsa çështjen e myslimaneve duhet rregulluar me Turqinë përmes Londrës”.[7] Agjentët e D. Mihailoviqit paralajmëronin se “çetnikët do të çlironin Kosovën nga shqiptarët dhe të gjithë ata do t’i zhduknin, pa lënë njeri të gjallë”. Në mars të vitit 1942 në fshatin Suhadoll, Voja Dragoviq, prijës çetnik, deklaronte se “pas fitores së luftës nga aleatet, duhet zhdukur të gjithë shqiptarët, duke mos përjashtuar as fëmijët në djep”.[8]


Për nxitjen e urrejtjes kundër popullit shqiptar, krahas Levizjes Çetnike, një rol shumë agresiv luajti edhe Kisha ortodokse serbe. Për klerikët serbë “shqiptarët ishin gjarpinj helmues që duheshin zhdukur, mbytur ose u duhej shtypur koka”.[9] Gazeta “Borba”, në nëntor të vitit 1944, shkruante se “në Kosovë, pas 6 prillit të vitit 1941 serbët dhe malazezët kishin përjetuar nën shtypjen e shovinistëve shqiptarë, që i shndërruan këto treva në arenë të tmerrshme të vrasjeve dhe të djegieve”. Sipas saj, “mbi kolonistët e lodhur e pa ndihmë, që luftonin në front kundër keqbërësve italianë e gjermanë u bënë krime të tmerrshme.[10]

Referencat
  1. Dr. Izber Hoti, Çështja e kolonizimit të Kosovës Gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Fjala”, Prishtinë, 5 korrik 1993.
  2. E njëjtë.
  3. Rexhep Qosja, Çështja shqiptare, historia dhe politika. Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1994, fq. 171; Dr. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, 1997, fq. 46.
  4. Gojko Medenica, Četnicki pokret na Kosovu i Metohiji u vreme II svetskog rata, “Vjetari” X-XI, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1979, fq. 347-375; Dr. M. Shatri, Kosova në Luftën e Dytë ......., v. e c., fq. 47.
  5. E njëjtë.
  6. Vojna organizacija cetnika u okupiranoj Srbiji 1941-1942, VIG, Beograd, 1968, fq. 205-214; Dr. Hakif Bajrarmi, Planet për Serbinë homogjene dhe tragjedia ballkanike, 1941-1945, “Rilindja”, 13.IX 1995; AVII B, K.111, fas. 4, d.14; Dr. M. Shatri, Kosova në ........, v. e c., fq. 47.
  7. Dr. Hakif Bajrami, Politika ..........., v. e c., fq. 144.
  8. Dr. Sh. Braha, Gjenocidi serbomadh ....., v. e c., fq. 207; Dr. M. Shatri, Kosova në ....., v. e c., fq. 53.
  9. Arkivi i Institutit Historik të Kosovës në Prishtinë, k.14/8, 181; Dr. Muhamet Shatri, LNÇ në Prizren dhe rrethinë (1941-1945), Prishtinë, 1987, fq. 186.
  10. “Borba”, Beograd, 21.IX 1944, fq. 1.

Faqe 9
faqe
- 10 -

Faqe 11