Koha e rojtarit të margaritarëve/Letra për z.Madam Albright

Letra për z.Madam Albright

Shkelqesise se Saj Madeleine Albright
Sekretare e Shtetit
Te Shteteve te Bashkuara te Amerikes
Washington, D.C.
U.S.A.


E nderuara Madam Albright:

Kam nderin e veçant të i shkruaj kete leter shkelqesise Suaj duke shpresuar se do t' ju gjej shendosh dhe me bekime te Zotit.

Me quajne Besnik Bardhi. Jam nje shqiptar etnik nga Kosova. Kam lind ne qytetin e lashte te Gjakoves, ku jetoj dhe punoj. Jam mjek, specialist i otorinolaringologjise.Kam studiuar ne Fakultetin e Mjekesise te Universitetit te Prishtines, kurse specializimin e kam perfunduar ne Universitetin e Zagrebit, ne Kroaci. Arsyeja qe po ju shkruaj kete leter eshte e natyres shpirterore: Jam i martuar qe tete vjet dhe gruaja ime eshte nje zonje e mrekullueshme dhe bujare, mirepo ne nuk patem fat te beheshim me femije pershkak te disa deshtimeve te jepasnjeshme. Mirepo, me ne fund, ndodhi mrekullia! Ne ndjeme veten te bekuar qekur muajin e kaluar gruaja ime lindi nje vajze shume te bukur. Dhe ajo jeton. Ajo eshte nje engjul i vertete. Ajo eshte femije i luftes qe lindi ne liri. Edhepse qenje e njome, ajo duket se kishte gjakuar lirine dhe kishte lakmuar te lindte ne Kosoven e lire. Gjate fushates serbe te spastrimit etnik ne Kosove, shoqja ime dhe une, sikurse dhe tere populli i Kosoves, kemi kaluar muaj te terrorit dhe vuajtjes qe nuk shprehet dot me fjale. Ne ato dite e net lufte ne Gjakove, cdo nate kishte peshen dhe tmerrin e nates se Shen Bartolomeut. Secili priste radhen se kur do te vritej. Njerezit e ndjenin veten me fatlum nese fundi do t’ iu vinte nga plumbi. Ajo qe i frikesonte ata me se shumti ishte mundesia e perjetimit te masakrave, perdhunimeve ose poshterimeve te cfaredo forme ne sy te pjesetareve te familjes, farefisit dhe miqeve. Kjo ishte me e rende se vdekja! Sic e dini, serbet bene krime barbare ndaj popullates civile shqiptare. Vetem gjate nje rasti tragjik, ne qytetin tone, serbet vrane dhe pastaj dogjen 22 gra dhe femije te familjes Vejsa. Ne nje situate te tille si ne ferr, ne druanim jo vetem per jeten tone po, madje dhe me shume, edhe per jeten dhe sigurine e femijeve te Kosoves, duke perfshire dhe femijen tone ende te palindur, qe pati fatin te duroje gjithe trazirat fizike,mendore, dhe emocionale qe ne perjetuam. Gjate atyre diteve te erreta, rrezonte vetem nje drite dhe nje shprese. Gjithe shpresat dhe lutjet tona ishin drejtuar nga Zoti dhe nga SH.B.A. Gjate atyre diteve jam betuar: ne qofte se mbijetojme luften dhe me lind djale, do t ia ve emrin W. J. Clinton; e nese me lind vajze, atehere ajo do ta kete emrin Medlin. Qendrimi i drejte dhe konstruktiv i politikes se SHBA ndaj zgjidhjes se konflikit ne Kosove, beri qe ne te mos humbnim shpresen dhe vetbesimin dhe, prandaj, na ndihmoi qe te mbijetojme gjithe ato tmerre. Sikur Shtetet e Bashkuara te mos kishin intervenuar ne Kosove, populli shqiptar i mbetur atje do te shfarosej.Fatmiresisht, kjo nuk ndodhi fale Mbrojtesve te Lirise dhe te Humanizmit te prire nga Shtetet e Bashkuara te Amerikes! Asgjesimi i paramenduar i shqiptareve te Kosoves nga serbet nuk ndodhi fale vizionit human te Presidentit Clinton dhe te vendosmerise Tuaj te palekundshme per te mbrojtur vlerat e civilizimit modern. Shkelqesia Juaj , Zonja Sekretare e shtetit, ja perse bija ime, engjulli im, eshte e bekuar qe ka emrin Tuaj! Tash e tutje, mbi koken e saj si dhe mbi kokat e gjithe femijeve te Kosoves, do te rrezatoj brerorja (aureola) e hirit Tuaj te madherishem, e jo thikat e pergjakura te krimineleve serb. Dashamiresia dhe humanizmi Juaj do t i mbroje femijet e Kosoves, ashtu qe ata te kalojne ditet e femijerise te lumtur dhe pa frike se dikush do t i vret ata ose prinderit e tyre. Une e konsideroj kete femije dhurate te Zotit ne qiell, dhe te Juajen, si misionare ne toke. Ju na dhuruat jeten edhe njehere. Kjo vajze, prinderit e saj, dhe besoj se i gjithe populli shqiptar ne Kosove, do t u jene perjetesisht mirenjohes Juve dhe SHBA. Shembelltyra Juaj dhe ajo e Presidentit Bill Clinton tashme nderohen aq shume anembane Kosoves. Per mua, familjen time, qytetin tim, dhe, do te thosha, per mbare Kosoven, do te ishte nje nder i madh sikur Ju te pranonit kerkesen tone te sinqerte qe ta bekoni bijen tone duke u bere Ndrikulla e saj, ne menyre qe nje dite Medlina jone e vogel, duke ndjekur shembullin Tuaj, te behet e madhe sic jeni Ju e madherishme ne syte dhe zemrat e popullit liridashes te Kosoves, te cilet shpetuan nga vdekja e sigurte fale dashurise, guximit dhe humanizmit Tuaj. Fale dashurise, guximit dhe humanizmit te Shteteve te Bashkuara te Amerikes dhe aleateve te saj!

Zoti ju bekofte Ju dhe familjen Tuaj!

Zoti e bekofte Ameriken!

Me respekt te thelle,

Juaji

Dr. Besnik R. Bardhi

Gjakove, Kosove