Kap. V Shkodra e krahina e saj në Mesjetë; Dr. Konstantin Jireçek: ''Skutari und sein Gebiet im Mittelalter'', 94-124

(Dalë sërbisht në Glasnik të Shoqatës Gjeografike Sërbe në Belgrad, moti 3, 1914, blê 4, botuem gjermanisht së pari këtu, i hartuem risht prej Auktorit vetë.)

Nji nga lëqêjt mâ të mëdhajt të gjysishullit balkanik âsht ai i Shkodrës. Romakët e quejshin "lacus Labeatis" ase "palus Labeatis", me emnin e fisit të Labeatvet. në librin e Presbyter Diocleas-it quhet Balta, ashtu siç e quejshin në fund të mesjetës edhe lëqêjt e vogjël moçalakë të bregut të detit afër Ulqinit, Durrsit e Vlonës. Njerzit e mësuem në mes të Sërbve të moçëm e quejshin "lëqên i Djoklitís" (....). Lëqêni âsht 42 km. gjatë, 14 km. gjânë e me 362 km. katrore sipërfaqe. Bregu perëndimuer âsht i përpjetët e shkrepuer me ishuj mbi të cilët gjinden gërmadha kuvêndesh të vjetra e qytezash. Bregu linduer âsht fushë e plot me moçale. Në mes shtrihet 12 km. thellë përmbrênda kah an'e lindjes nji bërryl nja 1-2 km. gjânë. Pjes'e përjashtme e mâ e gjânë e këtij bërryli quhet lëqên'i Kastratit, e mbrêndshmja lëqên'i Hotit, mbas emnave të dy fiseve t'afëra shqiptare. Rrafsh'i lëqênit s'âsht mâ i nalt se 6m. përmbi faqen e detit. Prandej klim'e zonës së brigjeve të tija âsht aq'e ngrohtë sa brigjet e detit me pemë juge gjithfarësh, ullînj et. Ujnat mâ të mëdhaj qi derdhen në tê janë: prej veriut Moraça me krahët e vet Zeta, Ribnica dhe Cemi (Cjevnja, në qv. XIV Cjemva); mâ përtej kah perëndimi lum'i madh Crnojeviæ dhe mâ i vogli Crmnica. Prej lindjes vjen lum'i Rijollit ("fiume clamado Rivola"-1426- me nji emën të vjetër latin, rivulus). Lëqên'i Shkodrës âsht përgjithsisht i cekët, simbas Cvjiqit nja 2-7 m. e vetëm në disa vênde nga mâ të thellat andej kah bregu perëndimuer mbërrîn deri në 44 metra.

Shumë rândsí ka pasun gjithmonë gjoja e peshkut në këtë lëqê, sidomos ajo e saragavet (alburnus scoranza, italisht scoranza, ndër dokumenta të mesjetës saracha). Rrafsh'i lëqênit ka ndërrue shpesh. Porsa të çante rrugë Drîni për me u derdhun në Buenë, ndalej rryma e ksaj prej lëqênit e faqja e këtij niste me hypun. Thuhet qi tash ka mâ se 40 vjet qi hyp, pikrisht qyshse âsht hapun përsri lidhja ndërmjet dy lumejve të mëdhaj. Ndër kohnat kur Buena s'kishte lidhje me Drînin rrafsh'i lëqênit ulej.

Malet e bregut perëndimuer pak rândsí kanë pasun heret. Kjo anë ishte e dame në dy Zhupa (qarqe administrative), nga të cilat njâna ishte Crmnica.Pjesa mâ e madhja e katundeve të ksaj nën Nemanjidët e Balshiqët ishin vakufe të monastirit të Shën Nikollit të Vraninës. Në jugë të Crmnicës qëndronte zhup'e Krajinës (nga ky emën Kraja e soçme), dikur zona kufitare e Sërbvet kundrejt Grekvet sa kohë qi këta kishin në dorë Shkodrën. I këndohet emni qyshë ke Diokleasi (Craini) dhe ndër dokumenta. Nji princ sërb, Shën Vladimiri, e kishte oborrin e vet në Krajinë pranë nji kishe të Shën Mrís, në të cilën pat qênë edhe vorrue, kur aty në 1016 shtiu e mbyti Car'i mbrapëm i Ohrit Gjon Vladislavi në ishullin e lëqênit të Prespës. Qyshë prej qv.XIV trup'i këtij shênjti gjindet i vorruem në manastirin e Shën Gjon Vladimirit afër Elbasanit. Duket qi kur trupat e Despotit t'Epirit Mhill I qenë shtrëngue me e lëshue përsri Shkodrën mbasi u a patën rrëmbye nji herë Sërbvet për nji kohë të shkurtën në 1215, do të kenë pasë marrë edhe eshtnat e shênjtit nga kisha e Shën Mrís e çue në Durrës. Manastir'i moçëm i Krajinës përmêndet edhe në kohnat e Balshiqvet si "Shën Mrija Virgjën e Krajinës". Jastrebov-i e Rovinskij i tregojnë gërmadhat e këtij manastiri tri or'e gjymsë kâmbë larg nga Shkodra në rrânxë të malit të Taraboshit, në nji katund qi sod âsht i banuem vetëm prej myslimanësh shqiptarë. Ippen-i ka gjetun këtu, në katundin e Ostroshit, gërmadhat e nji kishe të madhe me nji pirg katërkândsh përmbi portën. Nën Ostroshin gjinden katundi i gjysshkretuem i Shtitarit në breg të lëqênit. Ndërmjet Shtitarit e Shkodrës në breg të lëqênit gjindet katundi Shkja me nji kishë të vogël, në të cilën shihen ende shênja të padallueshme të freskut.

Mbi ishujt kanë qênë pesë monastire të vogla. Mâ i madhi ishte manastir'i Shën Nikollit n'ishull të Vraninës, kundruell grykës së Moraçës. Mbi kët ishull janë dy maja shkâmbi të nalta 330 m. me nji pamje të gjânë rreth e rrotull përmbi lëqê e rrethsinën e tij. Monastiri ka qênë i pajuem me dhuntina të shumta si prej anës së Nemanjidvet ashtu edhe prej Balshiqvet e mâ vonë (1527) prej Skanderbeg Crnojeviqit. Nji kohë të gjatë ka qênë i lidhun me monastirin sërb të Shën Mhillit e Shën Gabrielit në Jeruzalem, të cilit i a kishte dhânë Cari Stefan Dushan. Ka pasë mbetun shkret ndër kohnat e vona, kur Tyrqit mbas 1843-s ndërtuen mbi at'ishull nji kalá me topa kundra Malazezvet. U përtri mbandej prap në 1886. N'ishullin e afër Kom gjindej nji monastir i Zonjës Shën Mrí. Ndër muret e tija gjindej vorr'i Llesh Gjurasheviqit (Crnojeviq), nji kryekomandantit të Despotit Stefan, me nji mbishkrim. Mâ tej âsht Starèeva Gorica, nji monastir dikur i njohun me nji nga dorshkrimet e vjetra. Tash âsht krejt shkret. Këtu ka qênë vorrue Bozhidar Vukoviqi (1540) qi shtypte libra kishet sërbisht në Venedik. N'ishullin Beshka Gorica kanë qênë dy kisha, nji e Shën Gjergjit e tjetra e Shën Mrís nánë. Ndër gërmadhat e ksaj së fundit gjindet vorr'i Lenës, së bijës së Princit Lazarit sërb, e cila mâ parë ka qênë e shoqja Gjergj Strashimiroviq Balshiqit e mbas tij e Vojvodës së madh të Bosnes Sandal (+1442). Mbi ishullin Moraçnik ka qênë nji monastir i vogël i Shën Mrís nânë qi ka qênë dorovitun prej të mbrapmit Balshiq, Balsha III Gjurgjeviqit.

Mâ shumë rândsí kishte bregu linduer i lëqênit të Shkodrës, në pjesën mâ të madhen i ulët, sepse ksajt përshkohet rruga e madhe prej Shkodre në luginën e Narentës tue kalue në Nikshiq, e njohun qysh në kohnat e Romakvet. Në fushën pjellore të medisit të Moraçës, atje ku ky lumë piqet me Zetën, 5 km. në veri të Podgoricës, gjinden gërmadhat e Doclea-s, mâ të madhit qytet romak të ksaj krahine. Në fillim gjindej këtu qyteza e fisit illyr Dokleatën qi banojshin ndër malet e soçme të Malit të Zi. Tash vonë janë gjendun mbishkrime latinishte krenësh Dokleatënsh në katund të Vilusi-t afër Grahovo-s ndër gërmadhat e kështjellit romak Salthua. Doklea muer organizim qyteti si "municipium" romak prej Perëndorit Vespasian ase të të bijvet. (....)Qyteti u rrenue ndër kohnat e duhishme të qv. VII, por emni s'i u ka harrue kurrë. Duket se këtu ishte vëndosun nji popullsí e vogël. Përmêndet si selí e peshkopit Diokleías nën metropolitët grekë të Durrsit dhe si qytet i famshëm Diokleía në historí të Perëndorit Manuel Komnenos prej Kinnamos-it. Nën influencën e gojdhânavet mbi Perëndorin Diocletian, emni Doklea u kthye në Dioklea. Bozhidar Vukoviqi tue shkrue për veten e tij ende në 1520, thotë se kishte lemë në Podgoricë, "afër qytetit të quejtun Dioklitia, të cilin dikur e kishte themelue Perëndori Diokletian me emnin e vet". Malazezt i quejnë edhe sod gërmadhat Duke, Dukla dhe rrëfejnë store të ndryshme për "Car Duklanin". Në mesjetë u quejt krejt krahina rreth atij qyteti Dioclia, Diokleía, sërbisht Dioklija ase Dioklitija, dhe në veprat e Perëndorit Kostantin Porphyrogennetos e të kryekomandantit Kekaumenos vend'i fisit sërb t'atjeshëm "Dioklitianë". Edhe nji pasardhës mohamedan i së mbrapmes dynastí të maleve të Malit të Zi, Skanderbeg Crnojeviqi, shkruhej në 1523 "Sanxhak i Malit të Zi dhe Zotní i gjithë vêndit të Djoklitís". Me gjithë këtê qyshë prej qv. XII ky emën filloi të zvëndsohet pak nga pak prej atij të lumit Zeta (lat. Zenta, Genta). Zeta e Epër shtrihej ndër malet e Njegushit përmbi Katorrin deri n'anën lindore të lëqênit të Shkodrës e Zeta e Poshtër në bregun e detit të krahinës së fisit të Pashtroviqvet afër Budvës deri te monastir'i Shën Shirqit në breg të Buenës.

Qyteza e Medunit në krahinën e fisit të Kuçit âsht mâ e vjetër se Doklea. Ajo âsht qytez'e Meteon-it ase Medeon-it në vênd të fisit të Labeatvet, ku, simbas raportimeve të Polybios-it e të Livius-it, Legat'i Romës Perperna zû rob në 168 p.K. të shoqen e mbretit Genc (Genthius) Mbretneshën Etleva me të bijt Scerdilaedus e Pleuratus. Ndër kohnat e Despotit sërb Gjergj Brankoviq ajo qytezë përmêndet si Medonum ase Modon. Mbas nji përshkrimi venecjan, ajo ishte vetëm nji pirg (una torre) me nji kështjelll të vogël ku mezi mund të banojshin komandanti me disa rojtarë. Ende në 1456 atje komandonte Miloshi, nji vojvodë i Despotit, por shpejt u futën në Medun Tyrqit. Atëherë Stefan Crnojeviq'i Malit të Zi desh t'u a rrëmbente këtyne "këtë çels të dy Zetavet" qi qëndronte "në fillim të Zetës s'Epër" e për këtë qëllim muer madje edhe nji top prej Venedikasit, por u mundue kot. Mariano Bolizza, nji aristokrat prej Katorri, shkruente në 1614 qi Meduni ishte nji kalá e pamarrshme, por "mal guardata e quasi destrutta" me 200 banorë e nji Aga ase dizdar tyrk për komandant. Dihet se ç'rândsí ka pasun ky log edhe në historín mâ të re për Malazezt. Sido qoftë Meduni âsht nji ndër qyteza të paka t'Evropës, historija e të cilavet shtrihet përtej 20 qind vjetsh.

Trashigimtarja e Doklés u bâ Ribnica, në qv. XII vêndlindja e Zhupanit të Madh sërb Nemanja. Sod Ribnicë quhet lumi qi rrjedh nëpër qytet të Podgoricës e s'ka dyshim qi ky qytet âsht Ribnic'e vjetër. Emn'i Podgoricës përmêndet për herë të parë në mâ të moçmin libër noterak të gjyqit të Katorrit, në të cilin figurojnë tregtarë lëkurash e këpucarë podgoriçâj (1330). Lidhet me emnat e zhupave t'asaj kohe: n'anën lindore të lëqênit ishte zhupa e Gorës (e Malit) qi përmêndin Presbyter Diocleas dhe dokumentat e Zhiça-s (1220), mâ vonë, ndër dokumenta të Prizrenit në kohë të Car Stefan (1348) e në kadastrën venecjane të Shkodrës në 1416, krahin' e Podgorës (Nënmalit). Ende në 1448 kishte selín e vet në Podgoricë nji vojvodë i Despotit Gjergj, fisniku sërb Altoman. Qyteti ra shpejt nën zotnim të Venedikut, por qyshë mbas pak vjetsh gjêjmë aty Tyrqit, të cilët e mbajtën deri në 1877.

Nji banore e lashtë âsht edhe Tuzi, kundruell Podgoricës, i përmêndun ndër dekretet e arta të monastirit të Deçanit (1330) si "katun" (komune barijsh) i Llesh Tuzit, në kadastrën venecjane (1416) shënohet me 150 shtëpí; i zoti ishte i detyruem aso kohe të nxirrte 500 burra t'armatosun, nji pjesë kalorë e nji pjesë kâmbsorë. Nji gërmadhë në buzë të malit quhet Samobor. Mâ përtej kah juga banojnë fiset shqiptare: Hoti, i përmêndun qyshë në 1330, qi në qv.XV ishte nji fis i fortë e, simbas Bolizza-s (1614), kishte 212 shtëpí dhe nxirrte 600 burra t'armatosun; Shkreli, i përmêndun qyshë në 1416, simbas Bolizza-s me 30 shtëpí; dhe Kastrati, gjithashtu i përmêndun qyshë në 1416, edhe ky simbas Bolizza-s me 50 shtëpí.

Trí orë prej Shkodret afër bregut të Rijollit gjindet Maj'e Balezit me nji pamje të gjânë. Sipër janë gërmadhat e Balezo-s. Simbas përshkrimit të Jastrebovit, rreth'i këtyne, i matun në mest, âsht mâ i ngushtë se ai i qytezës së Shkodrës; tepricat, ndër të cilat dallohen nji kishë e madhe dhe nji e vogël, i kanë mbulue shkurret. Simbas Ippen-it maj'e kodrës ka nji rreth prej 1000 hapashalësh. Në mes të shkurrevet shihen tepricat e mureve të qytetit e të nji kishe; por gërmadhat janë mâ të lâna se ato të Svaçit, të Sardës e të Drishtit. Këtu gjindej qytet'i vogël i Baleçit (Balezo, Baleço, Ballegio, Ballesio, Baleçio të qv. XIV e XV) me nji peshkop (Balaçensis episcopus) të mvarun prej kryepeshkopit të Tivarit. Por qyshë në 1356 qahej peshkopi se s'kishte t'ardhuna mbasi peshkopija e tij ishte plot me shqizmatikë. Ndër libra t'arqivës së Raguzës përmenden artizanë të këtij qyteti, si zdrugarë e këpucarë. Mbas kadastrës së 1416-s "la cità da Balezo" kishte aso kohe vetëm 25 shtëpí. Pak mâ vonë u shkretue krejt. Në 1474 Gjon Crnojeviqi lajmonte Venedikasit se Tyrqit po dojshin me e forcue prap. Barletius (Bardheci) e përmênd logun si gërmadhë, 12 mil romak (nji mil r.=1000 hapashalë) prej Shkodre, 5 prej Drishti.

Në rreth të Balezo-s gjindet fshati mohamedan Koplik (Cupelnich te Presbyter Diocleas-i, Kupêlnik ndër pronat e monastirit të Kryêngjëllit themeluem në Prizren prej Carit Stefan Dushan në 1348, Copenico në kadastrën venecjan të 1416-s). Simbas ksaj kadastre atje banojshin ende aso kohe shumë priftën grekë të kishës sërbe dhe civila mâ e shumta e banorvet kishin aso kohe emna sërb.(.....).

Shkodra qëndron në nji fushë, vetëm 18 m. mbi rrafshin e detit, në të cilën çohet qyteza mbi nji shkâmb t'ishulluem në formë vezore e 135m. të naltë prej detit me pamje të gjânë përmbi lëqênin e gjithë rrethin, sidomos kah malet e nalta të Malit të Zi e të Shqipnís. Vetëm detin i a zên nji varg sukash. Përmbi këtë shkâmb ka pasun qyshë prej kohnash mâ të lashtash gjithmonë nji kalá.

Pranë Shkodrës rrjedh Buna qi del nga lëqêni. Mâ përtej kah lindja i ka çelë vetes rrugë nëpër malet e Shqipnís nji ndër lumnat mâ të mëdhaj të gjysishullit balkanik, Drilo i Helenvet, Drino (gjen.-onis) ase Drinius i Romakvet, në mesjetë latinisht Drinus ase me artikullin roman Ludrin, Lodrino, Oldrino, Uldrinum, shqip Drin, sërbisht në mesjetë sidhe tash Drim. Rrânja âsht der (iranisht derena, darna,= plasë, grykë malesh; gr. deírô; sl.derem, drati), sikurse ke emni Drina ndërmjet Bosnes e Sërbís. Të dy emnat kanë nji kuptim, siç e ka shënue Tomascheku. Ky lum përmbledh e çon në det t'Adrijatikut ujnat e nji krahine të madhe. Drîn i Zi del prej lëqênit t'Ohrit, Drîn'i Bardhë prej maleve të nalta afër Pejës. Drîni e ka grykën në det afër Leshës, por veç ksaj ai ka hapun shpesh herë edhe nji krah të dytë në Buenë, shi afër Shkodrës. Kështu ka qênë gjithmonë në kohnat romake. Livius-i shkruen se Shkodra qëndron ndërmjet dy lumnash, nga lindja Clausala (Drinassi a Kiri) dhe nga perëndimi Barbanna (Buena), të cilët bashkohen e bien në oriundus flumen (kështu në dorshkrime, oriundus për Drinus i cili vjen "ex monte Scardo" (mal'i Sharit) dhe derdhet n'Adrijatik. Mâ qartë flet Plinius qi thotë se Shkodra gjindet 18 mil romak larg detit e në breg të Drinit. Kjo lidhje ndërmjet dy lumnavet ishte edhe në qv. XIII-XV, kur Buena quhet shpesh "flumen Drini", Shën Nikolli në grykë të Buenës "San Nicolo de Drino" ase "de Oldrino" (në librat e arqivës së Raguzës) e Shën Shirgjit në breg të Buenës "portus Sancti Sergii de Drino" (1282) ase "de Oldrino" (1349), "Sanctus Sergius Lodrini" (1391). Por gjeografi venecjan Domenico Negri shkruen qyshë në fund të qv. XV qi Drini kishte ndërrue rrugë e afër Shkodrës shihej nji shtrat i moçëm i mbuluem. Ky shtrat i vjetër âsht shënue edhe në kartën e Venecjanit Cornelli në 1688. Nji shtegtar anonim nga Venediku shkruen në 1557 se anët e Buenës janë të blera, mbasi ky lum s'e ka zakon me shtue. Ami Boué, ka shkrue në Recueil d'itinéraires I, 334 se "la plaine de Scutari, qui, en son niveau bas, servait probablement une fois à réunir les eaux du Drin à celles du lac et de la Bojana". Mâ në funt Drini ka hapun përsri në dimën të vjetës 1858 e 1859 nji rrugë kah veriperëndimi. Pêndat e dobta të ndërtueme atje u fshinë prej tij dhe gjatë dy dimnash gjithë fusha e Shkodrës u mbyt n'ujë prej vërshimesh të mëndershme, deri qi, të tretin dimën ai çau nji shtrat të ri. Banorët thonë se dy të tretat e ujit rrjedhin nëpër këtë shtrat të ri e vetëm nji e treta nëpër të vjetrin kah Leshja.

Shkodra, s'e ka ndërrue emnin e vet ka mâ se dymijë vjet e këndej. Romakët e quejshin Scodra, gjithashtu Grekët, Byzantinët nganjiherë kanë përdorë formën shumse Skodrai. Presbyter Diocleas shkruen Scodaris, n'adjektiv Scodrinensis. Qyshë prej vjetës 1287 shihet forma Scutarum (adj. Scutarensis). Form'e moçme sërbe ishte Skëdër, me dy gjyszânore; kështu ndihet nga nji herë edhe tash në Mal të Zi. Form'e re Skadar shihet qyshë prej mbarimit të qv. XIV. Italisht qyteti quhet Scutari, shqip Skodra ase Shkodra, tyrqisht Skenderije ase Iskenderije1. Hahni e spjegon emnin prej fjalës kodra shqip.

Mbretnat ilirë e kishin selín e tyne në Shkodër. Ka edhe pare me mbishkrim Skodreinôn e nji figurë helmet. Mâ të vjetrin përshkrim të qytetit e ka bâmë Livius-i 168 v.p.K. në historín e luftës kundra mbretit ilir Gencit (Genthius). Shkodra ishte qyteza mâ e forcuemja dhe mâ e vështirë me u pushtue e fisit të Labeatvet, në nji vênd të fortë prej natyre, rrethuem me mure, me pirgje përmbi portat. Kur pretori Lucius Anicius u duk përpara qytezës, Mbreti Genc (ka edhe pare të këtij me mbishkrim grek) bâni nji mbësymje përjashta, por u shty mbrapësht e u shtrëngue me u tërhjekun në qytezët. Lypi mandej nji armpushim e ndërsa po bisedohej për këtê iku në nji anije në lëqê. Por kur pa se rrugën e ikjes e kishte të preme, vojt e i u dorzue kryekomandantit romak, i cili të mbrapmin mbret illyr e çoi në Romë. Shkodra u bâ nji qytet romak, nji ndër kryevêndet jugore të provincës së Dalmatís, ku mâ vonë Perëndori Diocletian formoi nji provincë të re me emën Praevalis. Kristjanizma u shtrî këtu qyshë heret dhe prej të IV qv. në qytet filluen me u emnuem peshkopë.

Historija e ksaj peshkopije zgjatet e papreme qyshë prej kohës romake deri në ditë të soçme. Kur perëndorija u coptue në nji perëndorí romake të Perëndimit dhe në nji të Lindjes, Shkodra me të tânë provincën mbet me Romën e Lindjes nën Stambollin. Ndërkohë, kur në qv.VII mbërrîtja e Slavëvet i ndryshoi të gjitha kushtet e këtyne viseve, Byzantët e bânë Shkodrën me Drishtin, Leshën, Ulqinin e Tivarin nji pjesë të provincës së Durrsit. Sado qi shumica e banorve të këtyne qyteteve ishin pasardhës të Romakve të hershëm, peshkopët e tyne i gjêjmë ndër katalogët e vjetër të mvarun prej metropolitvet grekë të Durrsit. Në qv. XI Shkodra ra në duer të Sërbvet, të cilët aso kohe përkrahshin kishën latine kundra Grekvet. Kështu peshkopët e këtyne qyteteve u vûnë nën jurisdikcjonin e kryepeshkopit latin të Tivarit. Kur në 1096 u përshkuen këndej kryqtarët e Francës jugore, gjetën në Shkodër Mbretin sërb Bodin, i cili i priti prinjsat e Provencalvet miqsisht. Perëndorët e familjes së Komnenvet e sidomos Perëndori Manuel, e përtrinë zotnimin byzantin përmbi këtë krahinë bregdetare. Por si ra poshtë perëndorija e Stambollit me vdekën e Manuelit (1180), Shkodrën me të gjithë qytetet e tjera rreth e rrotull i pushtoi Zhupan'i Madh sërb Stefan Nemanja. Sprovimin e fundit për t'a përtrimë zotnimin grek në këtë krahinë e bâni në 1215 i pari Despot i Epirit Mhill I. Ky i a shkëputi Shkodrën të birit Nemanjës, Zhupanit të Madh Stefanit, qi mâ vonë u bâ mbret e u quejt Kunorzuem'i Parë. Mirpo Epiroti vdiq papritmas e atëherë Sërbt e pushtuen prap qytetin, i cili mbet gjithnji në dorë të tyne gjatë qindvjetvet XIII e XIV.

Qytez'e Shkodrës në jetëshkrimin e Nemanjës të shkrueme prej Stefanit të Parkunorzuem (1215) quhet Rosafë. Me formën Rosapha e njeh kët'emën edhe Marin Bardheci (Marinus Barletius) në 1480, ashtu siç përmêndet edhe te disa auktorë të qv. XIX. Ky emën i përket nj'asaj kategorije toponimash për t'u vûmë ré, ndonse jo të rrallë, qi nën influencën e gojdhânavet merren hua prej vêndesh tjera. Ka qênë nji qytet Rusafa në Lindje të Syrís, në shkretí të lumit Frat, jo larg nga Palmyra e hershme, sod i lânë, por i ruejtun shumë mirë me muret e ndërtesave të tija. Emn'i tij do të jetë bartun prej ushtarvet romakë nëpër legjendën e Shën Shirgjit e shëna Baftit. Nën Shkodër ka qênë në breg të Buenës nji monastir i përmêndun i këtyne dy shênjtënve dhe populli solli vêndin e këtyne martyrve syrjanë në rrethin e afër.

Nën Nemanjajt Zeta me gjithë Shkodrën shpesh herë ka qênë vênd'i trashigimtarve të thronit. Si u shkatrrue mbretnija sërbe, këtu pat zotnue qyshë aty kah vjeta 1360 familja e Balshajvet. Në funt Tyrqit zûnë rob në 1392 Gjergj Stracimiroviq Balshën dhe e lanë mbandej të lirë vetëm kur ai u dorzoi Shkodrën. Zotnim'i Tyrqvet në Shkodër e në Shën Shirgj ngjati ksaj here nën kryekomandantin Shahin dy vjet (1393-1395). Mbasandej Gjergji vërtet i qiti përsri, por mbrapa u shtrëngue me u a kalue Venedikasvet Shkodrën me gjithë Drishtin, Denjën dhe Shën Shirgjin (prill 1396). Këta e mbajtën Shkodrën 83 vjet (1396-1479). Përfaqsuesi i tyne këtu ishte nji "capitaneus et comes" i Republikës. Sërbt u rrekën kot me e shtimë prap në dorë qytetin. E patën rrethue dy herë, të parën në mbarim të 1421-shit Despoti Stefan Lazareviq dhe të dytën mbas nja nji vjete prap despoti vetë e mbas tij Kryekomandanti Mazarak, deri sa Niccolò Cappello, i cili qëndrote me flotën venecjane përpara Shën Shirgjit, nji natë shëndreu i mbësyni Sërbt me nji sulm të fortë e i bâni me u tërhjekun kah Denja.

Tyrqit mbasi thyen Shtetet e krishtêna të Sërbís, Bosnes e Shqipnís, u rrasën përsri në kët'anë. Në kohën e Sulltan Mehmetit II Beglerbegu i Rumelís Sulejmani rrethoi Shkodrën në 1474. Por Antonio Loredano e pruejti trimnisht qytetin me 2500 ushtarë, me ndihmën e flotës venecjane në Buenë e në lëqê e i përkrahun edhe prej Crnojeviqve të Malit të Zi e prej Shqiptarve të malsivet. Nji rrethim të dytë në 1478, të përshkruem në nji shkrim latinisht prej Marin Bardhecit, e komandoi vetë Sulltan Mehmeti II. Venedikasit e pruejtën qytetin me heroizëm, por në funt u shtrënguen me e lirue me paqen e 1479-s. Prej 1600 ushtarësh qi pat pasun, vetëm 450 i kishin mbetun gjallë. Qytetarët u shpërngulën nën prinjsin e tyne Florio Jonima në Venedik, Ravenna e Treviso. Qyshë atbotë e deri në 1913 Shkodra mbet për 434 vjet nën sundimin tyrk.

Qândra e Shkodrës së vjetër ka qênë qyteza (castrum), me të hymë vetëm prej nji ane. Mbas përshkrimit t' Ippen-it, ajo âsht e rrethueme me nji mur të dyfijshëm. Në forcimet e saja kudo shihen shênjat e arqitekturës venecjane. Ndërtimet e soçme janë dâmtue shumë prej disa plasjesh depozitash baruti në qv. XIX. Të hymët të çon përpara trí portash secila me nga nji pirg mbë vete e mbas këtyne vijnë trí oborre. N'oborr të medisëm gjindet nji xhamí me teprica qemerësh gotikë të kryqzuem e skulptura. Kjo âsht pa fjalë kathedralja e dikurshme e Shën Shtjefnit, e cila ka qênë në zâ prej disa mrekullísh të vjetës 1346. Tyrqit e kthyen këtê në xhamí, por deri në 1685 ka qênë ende atje mbrênda nji orgën i prishun, ruejtun si trofé. Mbrênda qytezës gjindej nji pallat, në të cilin punojshin heret zyrtarë sërb e mâ vonë ata të Venedikut, sidhe burgjet.

Përmêndet ende nji kishë e Shën Nikollit "në Shkodrën e famshme". Mbretnesha Lenë, e vej'e Mbretit Stefan Urosh I, qi ishte frênge, atje n'atë kishë ka qênë veshun mungeshë prej mungarit Hiob. Në kadastër të 1416-s âsht e shënueme "San Nicolo apresso la porta". Tjera kisha katholike në Shkodër ishin: Shën Mrija kundruell qytezës, kisha e françeskâjvet (1395), kisha e Shën Ilís në kuvênd të Domenikâjvet (1444), Sh. Aponali, Gjithë Shênjtat, Shën Mjekët, dmth. Shën Kozmai e Shën Damjani, dhe dy kisha qi qyshë në 1416 ishin gërmadha: Shën Theodori e Shëna Kryqja. Sërbt kanë pasun në Shkodër nji monastir të Sh.Pjetrit qi mvarej prej Metropolitit të Zetës. Përjashta qytetit (Sub-Scutari = Nënshkodra) banojshin tregtarë raguzanë afër nji kishe të Shëna Vlashit. Në 1416 shtëpít e qytetit ishin të ndërtueme me gurë ase me dërrasa, aty-këtu me pullaz petavrash ase kashtet.

Pallat'i kralavet, mâ vonë i carvet sërb ishte përjashta qytetit në breg të lumit Drinac, të quejtun Negri Drinax, prej tjerë Venecjanve Drinase, sod Drinasi ase Kiri. Atje ishte selija e Mbretit të ri Stefan Dushan, kur ai në 1331 luftonte me t'anë Stefan Uroshin III. Simbas rrëfimit të përmbledhjes së jetëshkrimeve të Kryepeshkopit Daniel, i ati pat shkretue gjithë vëneshtat, pemishtat dhe arat e "urdhnue qi të shêmbej me gjithë themela edhe Oborr'i të birit nën Shkodër në breg të Drinacit me shumë pallate të mrekullueshme". Ende në 1416 kadastra venecjane përmênd "la corte de lo imperador" afër Shkodrës. Jastrebovi mendonte se pallat'i dynastís shqiptare Bushatlli në Kosmaç, i rrenuem prej nji vërshimi të Drinit në 1881, do të ketë qênë nji pjesë e këtyne ndërtesave; sepse nën nji mistrí të shkueme përsipër prej Tyrqvet u shihshin ende në dy salla teprica pikturash të vjetra kishtare. Por mbas fjalve të Danjelit Oborrin e Dushanit duhet me e kërkue mâ afër Shkodrës e mu në breg të Kirit.

Peshkopi katholik i Shkodrës qyshë prej qv. XI mvarej te kryepeshkop'i Tivarit. Peshkopët shpesh herë kanë bâmë për mbretnat sërb udhtime diplomatike. Kështu në 1321 Peshkopi Pjetër qe dërgue prej Uroshit II në Raguzë. Zyrtari politik mâ i nalti i qytetit ishte comes-i. Në 1347 përmêndet nji farë Comes Petrus Chranimiri. Bashkija quhej "commune et universitas Scutari" (1356); në krye fare qëndrojshin gjyqtarët e kshilltarët, "judices et consiliarii civites Scutari" (1401).

Në sekretarí të qytetit aktet u shkruejshin vetëm latinisht. Në 1330 përmêndet nji "Clemens filius Gini, notarius communis Scutari" shkrues për dokumenta sërbisht, në të njâjtën kohë edhe dragoman, njihet vetëm nën sundimin venecjan.

Në Shkodër janë premë edhe pare me mbishkrim latinisht. Mbret Konstantini, i biri Mbretit Stefan Urosh II Milutin, i cili qe vramë shpejt në luftë me të gjysvëllán Stefan Urosh III (1322), pritte pare t'argjênta 5 typesh: "S. Stefanus Scutari", n'anën tjetër mbreti mbi thron e përqark mbishkrimi "dominus rex Constantinus". Paret e qytetit prej bronxi kishin në nji anë fytyrën e Shën Shfjefnit e në tjetrën të Shëlbuemin me mbishkrimin "civitas Scutarensis". Gjergj Stracimiroviqi pritte këtu edhe pare argjêndi me fytyrën e vet dhe atê të Shën Shtjefnit, sidhe 20 typa "Follari" prej bakri. Paret e bakrit të kohës venecjane kishin në njânën anë Shën Shtjefnit e në tjetrën Sh.Markun.

Në Drisht, Ulqin e Tivar ka pasun në mes të qytetarvet shumë teprica Romakësh të moçëm ase Romanësh, të cilat mund të njihen nga emnat e familjevet. Por në Shkodër në qv. XIV emnat ishin mâ e shumta shqip. Ndër librat e arqivës së Raguzës e të Kartorrit përmênden: "Petre de Bercia", Andrea Span, Duchesa, Moisa Travalo" (1330), "Guin nepos Petri Chranimiri" (1331), "Progon Tudori de Scutaro" (1352), "Vita filius Duche" (1370), "Tole de Paraviso" (1395), et. Kishte edhe nji parsí qyteti: "Ser Marinus, filius comitis Stefani de Scutaro" (1417), et. Në qv. XV rrojshin në qytet edhe shumë familje fisnike qi për shkak luftash të papreme s'u pëlqente mâ me banue ndër pallatet e tyne në fshat. Kishte sidomos "Proniare", të cilët ishin të detyruem me shkue n'ushtrí me kalorí të vet, si heret nën Sërbt ashtu edhe mâ vonë nën Venecjanët. Tregtia ishte e gjallë, sidomos me Prizren e me Novo Brdo. Prej së mbrêndmi vinte sidomos argjênd e dyllë e çoheshin atje pëlhurna, krypë deti, peshk lëqêni i krypun. Buena ishte e zânë mun afër qytetit me pênda për gjojë peshku e për mullîj; Venecjanët në 1422 deshën t'i hjekin këto pengime, kështu qi anijet e lëqênit të mujshin me ardhun deri mbrênda në Shkodër.(.....).

Krahin'e Shkodrës shtrihej në të XV qv. prej bregut të detit ndërmjet grykës së Buenës e të Drînit deri në Tuz, e dame në dy rrethe: "sotto Scutari" (Nënshkodra) e "sopra Scutari" (Mbishkodra). Katunde kishte 114 (38 në rrethin e epër e 76 në të poshtrin) me 1237 shtëpí. Emnat e tyne për mâ të shumtën ishin po ata të soçmit, b.f. bash afër qytetit Lubani (sod Jubani), Vulcatani (tash Vukatani), Spatari, Cusmaci (tash Kosmaçi), Ulijari (mbajtës blete) s'âsht mâ. Ishte përmbi Shkodër e prej andej âsht i datuem nji dokument dhânë Raguzanvet në 1395 prej Kostantinit, të birit Gjergj Balshës e Theodorës qi ishte nji e motra Despotit Dragash. Nga qytetet mâ të rândsishmit kanë qëndrue vazhdimisht Shkodra, Leshja e Ulqini, që të tre themeluem para kohës romake. Âsht për t'u vûmë re se qysh janë shkretue prej XV qv. e këndej shumë qytete të vogla, sidomos selí peshkopësh si Balezo, Drishti, Sarda, Sapa e Svaçi. Ky fenomen përsritet në dy vênde të gjysishullit: në Thrakë, ndërmjet Gallipolit e Edrenes, si pasojë e fushatavet pushtimtare tyrke kur Osmanllinjt kaluen n'Evropë në 1354, dhe në Shqipní, rreth Durrsit e Shkodrës, si pasojë e luftave të mëdhá tyrke në qv.XV kundra Skanderbegut e Venedikasvet.

Fortesa kryesore rreth Shkodrës ishte nja 10 km.larg kah lindja në breg të Kirit, ku fillojnë malsìt: Drivasto, latinisht Drivastum, në sërbishten e vjetër Drivost..Qyteza mund të jetë ilire ase romake. Shqip quhet sod Drishti. Âsht nji log i naltë nja 150 m. mbi nji kodër, i kufizuem kah veriu dhe perëndimi prej luginës së thellë të Kirit, kah juga prej grykës së përronit të Drishtit, kështu qi vetëm prej lindjes jet i hapët. Në medis të ksaj kodre qëndron katundi, me nji xhamí e me tepricat e qytetit të moçëm me dy porta. Nja 60-80 metra mâ nalt, mû në majë, âsht qyteza e hershme, kalaj'e Drishtit, e rrethueme me murna në formë të nji poligoni të parregullt me tepricat e pirgjevet. Ndërmjet qytetit e kalás gjindet gërmadha e nji kishëze të vogël me tri altare rrumbullake. Te nji portë âsht nji armore me tre yj mbi nji rrasë guri. Nga gërmadhat hapet nji pamje e gjànë mbi Shkodër e lëqê. Bardheci lavdron ujin e ajrin e mirë të Drishtit.

Ndër katalogët e vjetër të peshkopvet grekë, Drishti shënohet i mvarun prej metropolitve të Durrsit; por ndër qv.XI-XV ai mvarej nga kryepeshkop'i Tivarit. Drishtin e kanë pasun për nji kohë të gjatë Byzantinët, deri qi e pushtoi Nemanja bashkë me Shkodrën. Nën zotnimin sërb qyteti mbet nji bashkí e privilegjueme, me nënpunës të zgjedhun e ligjë lokale. Mbretin e përfaqsonte nji Comes (1251). Kur në 1242 erdhën Tatarët nga Hungarija nëpër Dalmatí për me kthye në Rusí kah Sërbija e Bullgarija, simbas rrëfimeve t'asokohshmit Arqidjakon Thomas nga Spalato, qytetet e Svaçit e Drishtit u rrethuen prej sish e banorët e tyne u prenë. Drishti mbasi mbet bashkë me Shkodrën për dy vjet (1393-1395) në dorë të Tyrqvet, hyni në 1396 nën zotnimin e Venedikut. Republika i vërtetoi "antiqua statua"-t, rregulloi kufíjt ndërmjet rrethit të tij e të Shkodrës dhe siguroi shitjen e venës së vendit tue ndalue atê të përjashtmen. Komandanti i rrethit të Drishtit ishte nji pushtetar (podestà, potestas) venecjan. Balsha III qe mundue me e shtimë në dorë përsri qytetin. Në nji rrethim të gjatë në 1418, Komandantit Correr i mbetën gjallë vetëm 40 ushtarë, e të tânë të tjerët i diqën zijet e etjet. Me këtë gjêndje e për nji ditë shiu të fortë shtatori, Balsha sulmoi qytezën dhe pa humbje prej anës së tij muer rob Pushtetarin me gjithë të shoqen e ushtarët. Në 1421 Drishtin e pushtuen mbandej trupat e Despotit e për këtë pushtim u erdh tepër keq Venedikasvet "quia sine Drivasto civitas Scutari parum valet" (pse pá Drishtë vien pak qyteti i Shkodrës). Despotët sërb e mbajtën Drishtin deri në 1442. Në nândorin e 1426-s qe nënshkrue atje ndërmjet Venedikut e Sërbís nji traktat i hollsishëm kufîjsh e Venedikasit e zotnuen mbandej atë qytet edhe 36 vjet (1442-1478). Mbrapa patën vërtetue prap privilegjat e qytetit.

Qyteti e qyteza dallohen qartas prej shoshoqit: civitas et castrum. Kathedralja ishte nji kishë e Shën Gjergjit. Përmêndet edhe nji kishë e Shën Mrís dhe nji tjetër e Shën Françeskut. Peshkopi kishte nji tog kishtarë, kanonikë, nji kryeprift e shumë priftën. Por mbasi t'ardhunat ishin të pakta, shumë prej sish shërbejshin në Raguzë, në qytet e rrethin e tij .Rreth'i Drishtit kishte mjaft venë e voj. Por për shkak të luftave të padame kishte fillue me u shtue vorfnija. Simbas përshkrimit të Bardhecit, banorët e Drishtit e quejshin veten me krení si pasardhës të Romakvet (Romanorum colonos se appellantes). Me të vërtetë ndër emna familjesh të qv.XIV e XV gjinden shumë emna thjesht romanë: Palombo ase Colomba, de Leporibus Barbabiancha, Summa, Bello. Pranë këtyne pa dyshim ka edhe emna shqiptarë si: Bariloth, Trekalo, Skapuder( e para gjurmë e emnit kombtar të Shqiptarvet, nga 1368) dhe sërb, si Berivoj ase grekë, si Calageorii e Spano (spanós =mjekër-rruemi). Familja fisnike mâ e nâlta ishin Shpanajt (Span, Spano, sërbisht Spanoviqi). Nji degë e ksaj familjeje në qv. XV ka qênë në shërbim të Venedikut. Nji tjetër ishte partizane e Sërbvet. Prej sish përmêndet shpesh ndër librat e arqivës raguzane nji Peter Span, Shqiptari katholik, vdekun pas 1458-s. Ky kishte tre djelm: Bozhidarin (+para 1474), Lleshin (Alexius, filius Petri Spani ase Lješ Spanoviæ), në 1454 vojvodë i Despotit Gjergj në qytetin malsuer Novo Brdo (në 1474 ishte ende gjallë), dhe Hrvoje (gjallë në 1478). Mbas 1474-s përmêndet edhe i biri i Bozhidarit Pjetri me t'âmën Gojsavën e të shoqen Ljubosavën. Venecjanët në qv. XVI i quejshin malet mbrapa Drishtit në veri të Drinit "monti delli Spani" dhe ato në jugë të Drinit "monti delli Ducagini". Qytet'i Drishtit ka premë edhe pare të remta shumë të vjetra. Shihet mbi to nji qytet me pirgje e nji portë, përmbi këtê nji figurë zambaku.

Toponomastika e rrethit âsht pjesrisht romane: Fundina (fontana), Kryqe (crux): në 1402. Nën malin Maranai (në qv.XV Marinaa ase Marinaj) gjîndej kuvêndi benediktin i Shën Gjonit, dhânë prej papës në 1356 peshkopit të Balezos. Ky mâ vonë i përkitte qarkut të Drishtit, në katundin Stole ase Strilalio dhe abati duhej t'ishte gjithmonë nji Drishtas. Gërmadhat, nji pirg i nâltë katërkândsh me tepricat e kishës e të kuvêndit, gjinden në fushë të Shtojit, qi bie në veri të Shkodrës afër katundit të Rrashit. Në qv.XIX për këto gërmadha të kishës së Shën Gjonit të Rrashit kanë pasë dalë grindje të mëdhá ndërmjet katholiqvet e orthodoksve të shpërngulun nga Mal' i Zi.

Gjatë rrethimit të mbrapëm të Shkodrës, Tyrqit patën pushtue Drishtin në 1478 dhe marrë 300 Drishtas rob. Sulltan Mehmeti II urdhnoi me u premë kokat të gjithë këtyne para murevet të kalás së Shkodrës për të tronditun Venecjanët e me i bâmë qi të bieshin në dorë. Tue u nisun prej Shkodret fushës mbi rrugën e Prizrenit, për dy or'e gjymsë mbërrîn njeriu në Drî, mû n'atë vênd ku ky i lên malet mbrapa. N'anë të mângjët kah juga çohet nji kodër në trajtë kumbone, me tepricat e nji qyteze të lashtë, qi Shqiptarët e quejshin Dajino2. Nën kodrën gjindet nji fshat i vogël, Vau i Denjës. Atje âsht nji kishë e Shën Mrís, sod kisha famullitare e katundit të Laçit, nji ndërtesë e shëndoshë me kube të naltë e fresqe mjerisht fort të dâmtueme: mâ të rijt kanë qênë pikturue përmbi mâ të vjetrit e mbishkrimet e saja janë do latinisht e do greqisht. Këtu ka qênë vau i moçëm ku kapërcehej Drîni me varka të mëdhá parake të përshkrueme edhe prej Boué-ut ("pareço" e "ladia" të raportevet raguzane në 1377).

Qyteza âsht e njohun mirë nga përmêndoret e qv.XIV e XV, latinisht Dagnum ( mercatum Dani, de Dano, de Dagno), italisht Dagno, sërbisht Danj. Mbreti Stefan Urosh III u ka pasë dhânë këtyne Raguzanvet nji privilegjë tregtije në 1326. Cari Stefan Dushan i a kishte falë kishën aty në 1348 monastrit të Kryêngjëllit të themeluem prej tij afër Prizrenit, "kishën e Shëm Mrís në Danj me gjithë njerzín e tokat, me katundet Prapratnica e katundin Lonçari". Nën të birin e Dushanit, nën Carin Urosh, përmêndet në Denjë (1361) nji peshkop latin i mvarun te Kryepeshkop'i Tivarit. Ke Farlati shtrihet rresht'i këtyne peshkopve, qi mâ vonë kishin vetëm titullin e jo mâ selí atje deri në vjetën 1520. Nën Balshajt përmêndet shpesh dogana e këtushme (carina na Dani, Danju). Gjergj Stracimiroviqi në 1396 desht'u a lëshojë Venecjanvet edhe Denjën bashkë me Shkodrën, por atê para se t'a dorzonte i a përlau fisniku Koja Zakaria i cili shkruhej "dominus Sabatensis et Dagnensis" dhe zotnonte qytezën. Aty në 1431 ka qênë atje për nji kohë të gjatë nji sundimtar (qefalí) tyrk. Në funt Zonja Bola ase Boja, e bija e Kojës, u a dorzoi Venecjanvet në 1444 qytezën e Denjës, të forcueme me 7 bumbardha, qytezën e Shatit dhe do vise tjera. Në 1447 Denjën u a shkëputi Venecjanvet Skanderbegu, por mbas nji vjete u a ktheu prapë. Në 1456 mbandej e muerën Dukagjinajt, por mbas dy vjeç Lekë Dukagjini me të vllaznit prap u a kthyen Venecjanvet. Ndërkohë Zonja Boja ankohej në 1456 sepse papa i a kish dhânë "capellam Sancte Marie subtus Dagnum" nji kishtari latin. Republika u përgjegj se ajo s'e kishte në dorë me i shlye dekretet e papës, prandej zonja mujte me i u ankue këtij vetë. Rreth'i Denjës ishte i punuem mirë aso kohe, plot me katunde e me vëneshta të vjetra e të reja.

Mâ tutje kah lindja, afër katundit të Mazrekut, në të djathtën e Drinit bash ndër ngushticat nëpër të cilat përshkohej uji âsht nji kishë 27 hapashala e gjatë me pirg, pjesë e teprueme e nji monastiri të vjetër; nji mbishkrim përmênd "rex Vros" dhe "abas" të monastirit "cum universo suo clero". Ippen-i e quen këtë kishë Shën Nikolli i Shatit.

Kundruell, dy orë larg Shkodret, n'anën e mângjët të Drinit, gjinden gërmadhat e nji qyteti me qytezë përmbi nji gjysishull shkâmbi, të rrethuem në trí anë prej lumit; shquhen ende tepricat e pirgjevet katërkândshe mbi muret e qytetit, porta e qytezës dhe dërmí të kishës, krejt dalë prej nji punimi trashaman pa stolí. Ky ishte qytet'i Sardës, selí peshkopi nën kryepeshkopí të Tivarit. Peshkopët "Sardenses" ase "Sardanenses" përmênden 1190-1460. Nga nji herë ata titullohen edhe peshkopë të "Polatum minus", qi âsht nji banore afër malit, por mâ vonë peshkopija e tyne bashkohet me atê të Sapatës. Gërmadhat quhen sod Shurdha ase Shurza.

Jet me shënue diça edhe mbi udhën prej Shkodre në det, në grykë të Buenës dhe n'atê të Drinit. N'anë të djathtë të Buenës vjen mâ së pari katund'i Oblikës nën Tarabosh (572m.). Këtu ka qênë qyteza Obliquus, në të cilën, simbas rrëfimit të Presbyter Diocleas, Cari Samuel i Ohrit pat rrethue e zânë gjallë princin sërb Vladimirin. Në qv. XV Gojçin Crnojeviqi kërkonte prej Venedikut Oblikën, të cilën e kishin zotnue dikur të parët e tij (1444, 1452). Mâ poshtë vjen katund'i Trushit, dikur Trunsi ase Trompsi, mbi "insula Sancti Sergii", i cili në 1423 i pat mbetun besnik Venedikut.

Logu kryesor i bregut të Buenës ka qênë monastiri benediktin i Shën Shirgjit e Baftit në të mângjët e në jugë të lumit, 18 mil prej detit e 6 (nji or'e gjymsë) prej Shkodret. Nuk dimë se kur e prej kujt âsht themelue ky monastir. Adhurim'i këtyne dy shênjtënve syrjanë kishte mbërrîmë në kulm në qv.VI nën Perëndorin Justinian, i cili u kishte kushtue edhe nji kishë të madhe në Stamboll. Presbyter Diocleas-i raporton se n'abatí të Shën Shirgjit ishin vorret e mbretënve djokletjanë të qv. XI e XII, të Mhillit, Bodinit, e pasardhësve të tyne. Gjinden të ruejtuna mbishkrimet latinishte mbi të përtrimët e kishës prej Mbretneshës Lenë e të bijvet, Mbretnave Stefan (Dragotin) e Stefan Uroshi II (Milutin) në 1290 e 1293. Pranë monastirit ishte skela për anije tregtare, nji zyrë doganore e magazí krype. Kjo âsht arsyeja qi flitet aqë shumë ndër përmêndore të mesjetës, sidomos raguzane, për Sanctus Sergius, San Serzi ase portus Sancti Sergii de Drino (Oldrino), sërbisht Svti Srgj. Përmêndet edhe nji treg i përvjetshëm (panajir) në Shën Shirgj (1377). Mbartoheshin pëlhurna, venë Dalmatije e Italije, krypë deti et.e zhbartoheshin drû, dyllë, plumb e argjênd nga Sërbija, peshk nga Shkodra et. Zyrtarë të mbretnavet sërb ishin p.sh. nji përfaqsues i Mbretneshës Lenë, "baiulus domine regine ad portum Sancti Sergii" Bogdasha (1335). Nga depozitat e këtushme të krypës, në bazë të dekreteve mbretnore e perëndorake sërbe, merrrshin nji dhuntí të përveçme monastiret e Vraninës, Banjakës dhe Prizrenit. Në kohën e luftimevet ndërmjet Tyrqvet e Gjergj Stracimiroviqit sundonte në Shkodër e në Shën Shirgj (1393-1395) Shahini, "capitaneus Turcorum". Gjergji i dëboi Tyrqit, por qyshë në 1396 edhe këtë skelë u a dorzoi Venecjanvet. Ndër luftat e Venedikut kundra Balshës III e Despotvet sërb si liman ka pasun nji rândsí të madhe. Këtu rrijshin galerat venecjane për projën e Shkodrës e prandej në 1423 pranë monastirit ka qênë ndërtue nji mburesë e përkohshme, llagore me nji gardh hûjsh të trashë e të naltë. Në korrik të 1423-s u duk atje Gjergj Brankoviqi, i nipi i Despotit Stefan, me 8000 kalorë, por qyshë në gusht u vû nji paqë ndërmjet Venedikiut e Sërbís mu n'atë mburesë gardhi. Me këtë paqë Venecjanët mbajtën Shkodrën, Leshën, Ulqinin e Shën Shirgjin dhe Sërbt muerën Drishtin, Tivarin e Budvën. Në funt Tyrqit filluen me sulmue Shkodrën, Shën Shirgji ka përbâmë nji pikpështetje me rândsí për Venecjanët.

Tregtija lulzonte në Shën Shirgj edhe në kohën e Tyrqvet, atje u mblidhshin anijet e karvanet. Ende në 1685 ishte mbë kâmbë nji kumbonore kishe e naltë e shumë e bukur qi lante gjithë fushën. Sod kisha e Shën Shirgjit âsht nji gërmadhë e shkretë, nji ndërtesë e madhe tri sallash e tre altarësh me mure guri e tulle tue u ndërrue këta palë-palë, teprica të nji shtrese mozaiku dhe shênja fresqesh të moçme dy shtratesh nji mbë nji. Pullazi ka mbarue e mbrênda kishës rriten drûj. Në nji anë muret janë gërrye fort prej Buenës nën ta. Atje afër gjindet fshat'i Shirqit a Shirgjit.

Fusha në veri të Buenës quhej në qv.XIV e XV Zabojana (pas Buenet). Sod porti mâ i rândsishëm i këtij lumi âsht Oboti, qi gjindet në breg të djathtë e qi mundet me qênë "Scala" e qv. XV. Samrishi në breg të mângjët, dikur Samarisi, ka qênë nji çiflik i hershëm i Gjurasheviqvet a Crnojeviqvet, porse Venecjanët s'deshën me va kthye mâ atyne e kështu va falën do besnikve të vet prej familjes fisnike të Pamaljotvet. Mâ tutje në krah të djathtë âsht Gorica, banuem prej Shqiptarësh të krishtênë, Garica e Presbyter Diocleas-it, Santa Maria de Goriç de Ludrino në regjistrat e kancellarís raguzane në 1387. Asokohe këtu ngarkoheshin drú për të dërgue me anije përjashta. Mâ së mbrapmi vjen Sanctus Petri de flumine Drini (1278) dhe Ecclesia Sancti Theodori in flumine Drini (1282, 1374) e katundi Belleni (Bellani), sod Beleni ase Belaj, në breg të mângjët.

Nga an'e djathtë derdhet ne Buenë lumi Megjureç, nja 20 km. i gjatë, qi del prej lëqênit të Sashit, ky nja nji gjys'ore larg bregut të Buenës. Ky lëqê s' âsht tjetër veçse nji shtrat lumi i zgjânuem, i gjatë 500 m. e mbas shinash të fortë edhe deri në 4 km. Lugina e epër âsht moçalore e e pashëndeçme. An'e djathtë âsht pyllore, e mângjëta e xhveshtë e gurishtë me gërmadha të nji qyteti të vjetër. Këtu ishte Svaçi latinisht Suacia ase Soacia, italisht Suaço ase Soaço, selí e nji peshkopi të kryepeshkopís së Tivarit, përmêndun qyshë në 1067 e deri në 1530. Prej kohës së Nemanjës e mbrapa Svaçi ka qênë në dorë të Sërbvet, âsht rrenue në 1242 prej Tartarvet, mbandej përtrimë, por prap pat fillue me ramë para 1400-it. Njihen pare të preme prej këtij qyteti: në njânën anë kanë fytyrën e Shën Gjonit Pagzues e në tjetrën nji logjí dy podesh me kube e në majë nji pirg me mbishkrimin "Sovaci civitas". Muret e qytetit ishin në 1406 në nji gjêndje aqë të keqe qi peshkopi shkoi si i dërguem i qytetit në Venedik me kërkue lejë për "fortificare et murare locum illum", tue qênë se Tyrqit kishin fillue me plaçkitun rrethin. Raguzanët i apin peshkopit në 1413 tjegulla për të mbuluem pullazin e kishës. Në qv.XVI qyteti ishte i lânë e i shprazët. Giustiniani shkruen në 1553 se në "antichissima città della Suazzi" muret edhe pirgjet ishin ende mbë kâmbë dhe hendeqet para murevet ende lirë.". Sod katundarët e rrethit i quejnë gërmadhat "Kishat" ase "Shas", siç quhet edhe nji fshat i vorfën mohamedanësh aty afër.3 Qëndrojnë ende muret e qytetit me dy porta: veç këtyne shihen edhe teprica të disa kishave sidhe gërmadhat e nji kishe të madhe me altar në pirg e të nji kishe tjetër me teprica pikture e me vorrin e nji peshkopi të quejtun Mark e të vdekun në 1262.

Mâ larg janë disa katunde qi përmênden në kadastrën e 1416-s me këta emna: Penetari (tash Pentari), Prekali (edhe tash ashtu), Luarisi (tash Luarsi), Reçi (tash gjithashtu). Në grykë të Buenës âsht mânjtas Polani ase Pulani (tash Pulaj), djathas nji monastir i moçëm benediktin i peshkopís s'Ulqinit, San Nicolo de Boiana ase de Drino (Oldrino) ase edhe"abadia de San Nicola de la foza de la Boiana" (foza, latinisht fauces= grykë). Kët emën e ka edhe sod nji katund shqiptar i atyshëm, Shinkolli. Dikur, sigurisht ende para mesjetës, gryk'e Buenës gjindej mâ tutje kah veriu, mâ afër Ulqinit, atje ku âsht sod lëqên'i Zogaje, në nji fushë të ngrohët e pjellore, plot me pyllë, drithna e pemë.

Gryka e Buenës e ajo e Drinit janë nja 20 km. largas. Toka qi i dán, me kodra deri 551 m. nalt, në mesjetë ka qênë e mbushun dendun me banorë. Sod âsht shkret. Në det gjindet port'i Shkodrës Shëngjin i Medvës, i përmêndun qyshë në 1336 si portus Medue, në shënimet raguzane të 1414-s "Miedua , portus Alesii", në kartën e Italjanit Benincasa në 1476 Medova. Limani âsht po ai qi përmênd Qesari në de bello civili 3 mil romakë (4 km. e gjymsë) prej Leshjet si "tutissimus portus" Nympheum.(limani fort i sugurtë i Nympheum) Skanderbegu pat kërkue prej Venedikut, edhe ky i a pat lëshue, viset Medoa dhe Vilipeje (tash Velipoja) për me mujtun me dërgue grigjet e tija për kullotë në tokë të Republikës. Kadastra e 1416-s përmênd këtu shumë katunde: Barbarossi (tash Barbullushi), n'anë të djathtë të Drinit, Chacharichi (Kakariqi), Baladrini (Balldrêni), Renisse in la Medoa (Mal'i Rrencit, 551 m. nalt, në veriperëndim të Shëngjinit).

Drîni, i quejtun edhe "flumen Lesii"(Alexii), kishte në mesjetë nji rândsí shumë mâ të vogël se Buena. Asnji lajm s'na thotë se anijet tregtare i janë ngjitun këtij lumi aqë larg sa Buenës. Krahina afër Denjës quhej Rogamania, me katundet e përmênduna ndër dokumenta me emnat: La Virda (tash Vjerdha), Lissani (tash Lisna), Dodice (tash Dodej), Medoja (tash Mjedja). Mbandej vjen krahin'e përmêndun qyshë në qv. XV në të mângjëtën e Drinit Zadrima (pas Drinit). I thojshin edhe "pian del Sati" (1459) me qytezën Sati (castrum Satti, Satum, Sat, castello di Sati), nën "monte de Satti". Qyteza e Denjës, Shatit, Sapatës dhe krahinat e Zadrimës e Rogamanís i përkitshin aso kohe familjes Zakarija e mâ vonë Dukagjinvet. Gjindet sod atje edhe nji fshat i quejtun Nënshat. Por logu kryesuer ishte Sapa ase Sapata, selija e "epicopus Sappatensis" qi varej prej kryepeshkopís së Tivarit. Popullsija e vêndit e përtrinë në 1291 qytetin e shkretuem "Sava" dhe lypën nji peshkop qi papa, mbas lutjes së kryepeshkopit të Tivarit, ja kishte premtue dhe Mbretnesha Lenë lejue. Katundet e krahinës janë të njohun mirë nga traktatet e lidhuna ndërmjet Venedikut e Dukagjinit: Aimeli (tash Hajmeli), Scaramani (Sharomani, afër Nënshatit), Fontanella et. Në 1452 ishte nji fshat qi quhej Gladri dhe lumi "fiume del Jadro", sod Gjadri. Stefan Dushani i pat falë monastirit të kryêngjëllit në Prizren nji kishë të Shën Mrís nânë e nji pyllë në breg "del Gladra" e bashkë me këta edhe katundin Zheravino, i cili në qv. XV figuron si çiflik "pronia" (feud) i familjes Zakarije. Peshkopija e Sapatës mbas 1490-s qe bashkue me atê të Sardës dhe qëndron ende sod. Mbas nji përshkrimi të 1685-s në këtë kohë shiheshin vetëm pak teprica të mureve të Sapës nën mal të Kryêngjëllit (vestigi delle sole muraglie della città di Sappa alla costa del monte detto S. Angelo-Theiner). Ky âsht mali qi sod i thonë i Shën Mhillit, me nji gërmadhë kishe. Në rrânxë të malit tregohet vêndi ku ka qênë Sapa. Nji gjyms'ore mâ përtej âsht selija e soçme e peshkopit të Sapatës, prej të cilit mvaren katholiqt e Zadrimës e të Dukagjinit, mâ se 2000 shtëpí.

Afër Leshës gjindet logu Suffada (Zufada), ku ngarkohej drû e krypë, mbas nji lajmi venecjan në 1393, 8 mil prej Leshës, Shufadaj ndër dokumenta të Princ Gjon Kastrijotit në marredhânjet e tija me Raguzanët në 1420. Këndej u përshkojshin aso kohe tregtarët për Prizren "të Zotit Despot" nëpër dheun e Gjon Kastrijotit. Tre vllaznit Balshaj e kanë datue nji letër në 1368 për Raguzanët "pranë urës së gjânë të Leshës". Ky log ka qênë ndoshta vetë Shufadaj, mbasi bash nga depozitat e Urës së Gjânë tërhiqshin dhuntí krype mot për mot monastiret e Banjskës e Prizrenit.

Gjasht'orë nën Denjën, n'anën jugore të grykës së Drinit qëndron qyteti i Leshës, i quejtun kështu prej Shqiptarvet e Sërbvet, Lissos prej Helenve të hershëm, Lissum prej Romakvet, Elissos prej Byzantinvet, në qv. XIII-XV latinisht Lessium (Lexium, Lessum), në qv.XV Alexium ase Alessium, italisht Alessio. Mbi nji majë shkâmbi 200 m. qëndron nji qytezë e moçme katërkândshe, ku mund të ngjitet njeriu vetëm nga an'e lindjes. Qyteti gjindet nën atë qytezë në rrânxë të shkâmbit. Simbas Diodorit, në vjetën 385 p.K. Denysi Plak "tyrani" i Syrakuzës themeloi në Lissos nji koloní greke. Qytez'e ksaj, e njohun nga raportet e Polybios-it, u quejt Akrolissos. Hahni shënon themele të vjetra të mureve të qytezës, prej blloqesh të mëdhá guri mbas mënyrës së murevet "qyklopike" të Heladës. Ka edhe pare të "Lissiotvet" me mbishkrime greke. Mâ vonë këtu zotnuen Ilirët. Nën Romakët Leshja ishte qyteti mâ juguer i provincës së Dalmatís, piknisja e rrugave të mëdhá kah Salona, Nishi (Naissus) e Durrsi. Gjatë luftavet me Normandët, Anna Komnena lavdron pozitën e fortë e të pambësyshme të qytezës, prej kah edhe Byzantinët në luftën e tyne kundra Boemundit i çojshin Durrsit për det ushqim e armë. Në kohën e Nemanjës nuk përmêndet Leshja, por mbrapa shpejt na del nën zotnimin sërb. Peshkop'i saj heret mvarej prej metropolitvet grekë të Durrsit, por mâ vonë kaloi n'anën e kishës latine (episcopus Lessiensis, qyshë në 1371). Ndër akte tregtije Leshja vetëm rrallë përmêndet me ndonji farë rândsije. Balshajt banojshin shpesh në këtë qytet. Në 1393 shohim qi ky u dorzohet Venecjanvet prej dy vllazënve Dukagjinaj, Progonit e Tanushit. Aso kohe Leshja quhej si "syn'i djathtë i Durrsit". Skanderbegu, kur vdiq në 1468, u vorrue në kishë të Shën Nikollit të Leshës. Kur e muerën Tyrqit këtê në 1478, çelën vorrin dhe i shpërdanë eshtnat e prinjsit të famshëm të Shqiptarvet gjithandej për talisman (hajmalí). Këtu Farlati përmênd 5 kisha: Shën Nikollit (ndoshta në qytezët), e kthyeme në xhamí, e Shën Gjergjit e rrënueme, e Shën Sebastjanit, e Sancta Maria a Nivibus ase Zonj'e Borës (depojë tyrke), e Sancta Maria ab Angeli salutatione ase Sh.Nuncjata, mbandej jashta qytetit ajo e Sancta Margarita e Sancta Maria, kishë françeskane. Tash Françeskâjt banojnë n'anë tjetër të lumit në kuvênd të Shëna Ndoit. Peshkopi katholik i Leshës, prej të cilit mvaren edhe Mirditasit, nën Tyrqín e kishte selín e tij në Kallmet. Mbrênda qytezës janë gërmadhat e kështjellit të bejlerve të dikurshëm të Leshës. Deti ndërmjet grykës së Drinit e të Buenës quhej prej Venecjanvet, edhe ndër kohna të vona, "il golfo dello Drino".