Dhjata e Re
< JAKOBI >
Kapitulli 5
1 | 2 | 3 | 4 | 5


1 Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t'ju zënë!

2 Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.

3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t'ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.

4 Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.

5 Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.

6 Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.

7 Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit.

8 Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër.

9 Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera.

10 O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.

11 Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.

12 Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë "po" -ja juaj "po" dhe "jo" -ja "jo", që të mos bini nën dënim.

13 A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!

14 A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit,

15 dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen.

16 Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.

17 Elia ishte një njeri me të njëtat pasionet tona, dhe u lut intensivisht që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj.

18 Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet.

19 Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen,

20 le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.