Instituti “Eqrem Çabej” si një kauzë dhe apoteozë kulturore

Instituti “Eqrem Çabej” si një kauzë dhe apoteozë kulturore

Në vitet ’70 të shekullit XX, gjatë një udhëtimi në Gjirokastër, qytetin fantazmagorik të Jugut, kërkova në labirintin (gati kretez) e kalldrëmeve shtëpinë hijerëndë dhe madhështore ku kishte lindur në 7 gusht 1908 Eqrem Çabej.

E gjeta shtëpinë, mbi portën e së cilës ishte një stemë e vjetër. Porta e drunjtë m’u duk gati si një portë kështjelle. Në shtëpinë e madhe takova një grua, në moshën e papërcaktuar, kur shkohet drejt pleqërisë, por ke ende një mbijetesë të rinisë së vonuar.

I thashë se isha një gazetar, i “Dritës” dhe se doja të shihja shtëpinë e Çabejit.

Gruaja, e mirësjellshme dhe e qetë më tha se ishte e vërtetë se në këtë shtëpi kishte lindur “Profesori i Madh”, por shtëpia i qe shitur një familjeje tjetër, ku ajo ishte nuse e shtëpisë. Madje, ndonëse unë nuk e kërkova, më solli një kontratë në fletë të zverdhura ku thuajse shtëpia e familjes së Çabejve i qe shitur në vitet ’60 një familjeje tjetër.

Gruaja, më gostiti me kafe dhe gliko, një ritual gjirokastrit, shekullor.

Befas e pashë një kyç të madhe metalik prej hekuri, që m’u duk shumë i çuditshëm. E mora dhe e peshova në dorë këtë kyç.

M’u duk një relike e vjetër, pa shëmbëlltyrë.

“Është kyçi i portës, të keqen nëna”, më tha gruaja, me një zë të ulët, sibilin.

Sa do të doja ta rrëmbeja, ta merrja me vete atë kyç. Por thjesht në imagjinatë. Mjediset e brendshme të shtëpisë qenë gati kështjellore.

Shumë vite më vonë, në vitet ’90 të shekullit që iku unë isha për ca kohë ministër i Kulturës i Shqipërisë, e kam konceptuar dhe nënshkruar një shkresë, drejtuar Institutit të Monumenteve, për të shpallur shtëpinë e Çabejit një shtëpi muze.

Në 1 korrik 2017, Brikena, vajza e denjë e Eqremit dhe Shyhretes, si dhe Gjergji, i shoqi i saj më ftuan mua si dhe një grup personalitetesh të kulturës, të gjuhësisë, por edhe të mediave në përurimin e Institutit “Eqrem Çabej”.

Ceremonia u bë në Vilën Çabej, 2 katëshe, që tashmë do të shërbente si ndërtesa e Institutit.

Kam ndjerë një emocion të madh. Në kokë m’u vetëtitën dhe më lëvizën me vërtik kujtime të shumta, që lidheshin me Çabejin.

Shumë veta e morën fjalën. Folën me terma vlerësues për dijetarin.

Po nuk lamë pa prekur edhe rëndësinë humaniste të këtij njeriu të rrallë.

Më në fund u bë një realitet jetik ekzistenca e Institutit “Eqrem Çabej”. Që nga viti 1555 kur i mrekullueshmi Gjon Buzuku botoi librin e parë shqip, duke i bërë shqiptarët përfundimisht një Popull të Librit e deri në ditët tona struktura kulturore e shqiptarëve ka funksionalizuar një simbolikë të brendshme, koncentruese dhe përbashkuese.

Në këta 5 shekuj të kulturës, emri i Eqrem Çabejit hyn ndër 10 emrat më të rëndësishëm të të gjitha kohërave. E kam fjalën për mjeshtrit e kulturës, të cilët kanë dhënë shumë më tepër ses shumë protagonistë të tjerë të historisë sonë.

Kuptohet, që Instituti Eqrem Çabej përbën një ngjarje, më shumë sesa një lajm për mediat shqiptare. Pikërisht në banalitetin dhe skenografitë e spektakleve të mediave, të përditshmërisë së marrëzive dhe të humbjes së motiveve dhe vlerave mendore, Instituti Eqrem Çabej përbën një kryelajm, që ngrihet mbi bëmat e politikanëve tanë, të sektit oligarkik, të injorantëve në pushtet të babëzitur ekonomik, të krimit të organizuar dhe të degradimit të jetës të vërtetë shoqërore, të manipuluar barbarisht me propagandë dhe injorancë.

Por Instituti “Eqrem Çabej” nuk përbën thjeshtë një akt juridik, konfirmimi zyrtar, ndonëse tërë merita e nismës i takon Brikenës dhe njerëzve të familjes.

Në veprën e tij kolosale dhe të shumëdisiplinëshme, vizionare dhe të një kulturologjie të epërme Eqrem Çabeji si askush qe shndërruar shumë vite më parë, pra që në mesin e shekullit të kaluar si një Institucion Mendor, i Mëvetshëm dhe Universal.

Ai qe pra Institut jo thjesht nga emri i tij, jo thjesht nga veprat.

Ai qe dhe është përfundimisht pa asnjë dyzim, apo tjetërsim, një institut i referencës madhore për gjuhësinë dhe kulturën shqiptare, dhe askush tjetër nuk mund të mëtojë që të krijojë pikërisht këtë lloj instituti të pashembullt preferencial, për shqiptarët, për albanalogjinë, për dijetarët e botës, Institut i përbërë nga instrumente mendorë dhe shpirtërorë, të cilët janë më të plotfuqishëm, ndonëse shpesh duken si më të padukshmit.

Eqrem Çabeji është kapërcyesi i një Rubikoni, në kulturën e ndërlikuar por dhe të paçmuar të gjuhës shqipe.

Ai kapërcen si askush, gati si një Marathomonak, fazën parashkencore, gjysmë mitike të studimit të origjinës së gjuhës shqipe, duke dalë nga gjuhësia shkencore gjermane dhe botërore e një strukturimi serioz të shkencës linguistike, për të zhvendosur përfundimisht epiqendrën gravitacionale të studimit të gjuhësisë shqiptare, të konceptualizuar si një shkollë shkencore e mëvetshme, pikërisht në metropolin e vet mendor, në Shqipëri.

Çabeji bëri një punë pionieri, për të hedhur tutje mbi çdo “horroi vaqui”, mbi humnerat e mungesave kulturore, që kemi patur ne shqiptarët në histori, sepse Çabeji besonte, si askush, si asnjë shqiptar tjetër se vonesat kulturore nuk janë asgjë, nuk janë fatale, por janë vonesat konceptuale, ato, që lënë pasoja më prapambetëse, më primitive dhe se krijimi i një botëkuptimi shkencor, studimi me një metodologji, për të cilën ai theksonte gjithmonë fjalën e pashmangshme “akribi”, do të bënte që shqiptarët të bëheshin paraprijësit e Albanalogjisë në krejt botën, si dhe mjeshtrat e padiskutueshëm të gjuhës shqipe.

Me këto përmasa të hatashme, duhet parë puna titanike, e paepur e Eqrem Çabejit, pa harruar këtu dhe punën e mrekullueshme të disa gjuhëtarëve dinjitozë, të heshtur, eruditë, të mrekullueshëm, si Aleksandër Xhuvani, Mahir Domi, Androkli Kostallari dhe sidomos i paharruari Shaban Demiraj, por dhe Selman Riza, Jup Kastrati, pa harruar ndërkohë një emër të madh të një gjuhëtari me vizion të pashembullt që këtë vit mbushi 100 vjeç, Idriz Ajetit, prijetarit trim dhe atdhetar, që në Konferencën Gjuhësore të vitit 1968 në Prishtinë kërkoi unifikimin e gjuhës letrare shqipe për shkak të karakterit unik të pjesëve të ndara historikisht të të njëjtit komb, të kombit të martirizuar shqiptar.

Të tërë këta emra të mëdhenj që përjetuan një jetë modeste, nga më të thjeshtat që mund të mendohet krijuan Shkollën Shqiptare të Gjuhësisë dhe ngritën në mënyrë të epërme Shqipërinë kulturore.

Duke biseduar me miqtë e mi, gjuhëtarët Seit Mancaku dhe Bardhyl Demiraj, që janë dishepuj dhe vazhdues të heshtur, gjithashtu shumë modestë të këtyre viganëve të së kaluarës në gjuhësi, u mundova të shpjegoj faktin paradoksal se si këto 27 vitet e fundit (pra e kemi tejkaluar çerek shekulli) nuk është treguar asnjë interes shtetëror, por dhe kombëtar për gjuhësinë, dhe pse nuk ka studiues të rinj, të cilët të jenë diplomuar dhe në universitetet më të mira të Europës dhe të botës, të kenë një kauzë të palëkundur për ta zhvilluar shkencën e gjuhësisë në të gjitha parametrat dhe pafundësinë semantike të saj në situatën bashkëkohore, pa harruar asnjëherë perspektivën.

Pse sot Shqipëria nuk ka më personalitete të mëdha akademike, përveç ndonjë përjashtimi – ndërsa në gjuhësi nuk bëhet fjalë për vazhdues të talentuar dhe poligrafë të kësaj shkence kaq substanciale. Sot në Shqipëri mungojnë edhe latinistët, edhe osmanistët, edhe njohësit e greqishtes së vjetër apo dhe bizantine, apo dhe sllavistët, disiplinat e të cilëve ndërthuren në hulumtimin shumëplanësh dhe poliform të gjuhësisë të klasifikimit dhe etimologjisë së gjuhës.

Gjithë këto universitete private, as nuk kanë çarë kokën për të patur katedra të studimit të gjuhës shqipe.

Po si ka mundësi? Ç’na duhet turma gjysmë injorante e diplomuar virtualisht e të ashtuquajturve juristë, ekonomistë, menaxherë, specialistë të komunikimit, psikologjistë apo psikologë etj., ç’na duhen gjithë këta profesorë dhe doktorë që ngjajnë si personazhe të Akademisë së Laputës, që e ka përshkruar Suifti mjeshtërisht dhe ironikisht, të cilët nuk dinë të shkruajnë në mënyrë korrekte, në atë që quhet standardi normal, pra jo i thellë profesional, gjuhën shqipe.

Si arritëm deri këtu? Si nuk ka Akademia e Shkencave e Shqipërisë, institutet që përfaqëson ajo, mundësi të botimit të revistave autoritative shkencore të dikurshme?

Si ka mundësi që nuk botohen fjalorë të gjuhës shqipe për përdorim të gjerë popullor? Si ka mundësi që nuk luftohet, jo për purizmin absurd, por për pastërtinë e gjuhës shqipe, që përmban në vetvete mundësi të mëdha edhe të farkëtimit frazeologjik, por edhe terminologjik?

Si ka mundësi që këto 27 vjet janë botuar një numër i frikshëm përkthimesh nga gjuhët e huaja, në një gjuhë shqipe banale dhe gati të frikshme?

Si ka mundësi që janë zhdukur korrektorët letrarë dhe nuk respektohet ortografia e gjuhës shqipe? Duket sikur përjetojmë jo vetëm një kohë pa asnjë respekt për gjuhën shqipe, por gati censin e një barbarie gjuhësore.

Politikanët tanë të cilët janë fjalamanët më të padurueshëm dhe ritualë të ekranve dhe të mediave flasin në një gjuhë shqipe të kontaminuar, për shkak edhe të diturive sipërfaqësore dhe të mediokritetit në epokat e këtyre politikanëve.

Si ka mundësi që në vend të gjuhës së mrekullueshme shqipe ne të ngulmojmë, në mënyrë të pashpirt të krijojmë një kitch – gjuhë shqipe?



Eqrem Çabeji vdiq më 13 gusht 1980, në një klinikë të Romës, ku kishte vajtur për t’u mjekuar nga një sëmundje shumë e rëndë.

Por ai jetoi një nga periudhat më dinamike dhe më të habitshme të historisë së Shqipërisë. Emri i tij është lakuar si emri i dijetarit të madh.

Ndërkohë që jeta e tij vetjake dhe shoqërore si Personalitet dhe Njeri njihet ende sot shumë pak. Pritshmëritë e padiskutueshme e gjuhëtarit Shaban Demiraj i cili shkroi dhe botoi monografinë e parë kushtuar Eqrem Çabejit, pra kushtuar një jete të pashembullt njerëzore për shkencën.

Eqrem Çabeji vitet e fëmijërisë i kaloi në Gjirokastër, kur u moshua ai kishte shumë mall për Gjirokastrën dhe vinte, ndonëse jo shpesh, qëndronte te Sheshi i Çerçizit dhe tymonte cigaret e tij të pafundme duke parë monumentin e Çerçizit.

Çabeji iku nga Gjirokastra 11 vjeç.

Për të vazhduar studimet Eqrem Çabeji u dërgua në Austri.

Në Austri, Çabeji qëndroi 1 vit pranë familjes Rainmylernë St. Polten, afër Vienës për të mësuar gjermanishten. Vitin tjetër ai mori dy klasë njëherësh të gjimnazit, që e mbaro shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë.

Mbas këtyre dy viteve në jetën e Çabejit pati një dyjëzim. I ati i tij qe një jurist i diplomuar në Stamboll. Ai e këshilloi të birin të vazhdonte universitetin për mjekësi. Në fillim djali “i bindur” u regjistrua në fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Romës. Por ai shkonte të studionte vepra gjuhësore dhe letrare nëpër bibliotekat romane.

Në këto kushte babi e kuptoi pasionin dhe e la të lirë të birin, të ndiqte studimet për gjuhësi.

Në vitin akademik 1927-1928 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Grazit, ku ndoqi studimet për dy gjashtë mujorë (semestra).

Pastaj studimet i vazhdoi në Universitetin e Vienës. Në Universitetin e Vienës në atë kohë punonin dijetarë më famë botërore si indoeuropianisti dhe grevisti i njohur P. Kretschmer (1866-1956), albanologu i dëgjuar Nobert Jokl (1877-1942), arkeologu dhe historiani i njohur K. Patsch (1865-1945).

Çabeji u njoh me veprën e shumëfishtë të albanologut disiplinëkrijues Gustav Majer që ishte profesor në Universitetin e Grazit, por edhe me krijimtarinë e Maximilian Lambertz-it. Ai u njoh dhe me krijimtarinë e Holder Petersenit dhe sidomos të Nobert Jokl-it.

Kryerja me sukses e studimeve të larta e nxiti autoritetet e Universitetit të Vienës që t’i propozonin të diplomuarit Eqrem Çabej të rrinte në atë Universitet si asistent pranë Nobert Jokl-it. Por 25 vjeçari Eqrem Çabeji, me diplomën e Universitetit të Vienës u kthye në Shqipëri. Në fillim u emëria si nëndrejtor i Konviktit “Malet Tona” pranë Gjimnazit të Shkodrës.

Në vitin 1935-1938 Çabeji u transferua në Shkollën Normale të Elbasanit. Pas 1 viti u transferua në Ministrinë eArsimit si specialist për arsimin e mesëm. Por një kërkesë e tij e datës 17.12.1936 drejtuar Ministrisë së Arsimit flet se dëshirontë të ikte nga ai dikaster për të punuar si profesor i letërsisë në Liceun e Tiranës. Kjo kërkesë nuk u pëlqeu drejtuesve të atij dikasteri. Dhe e dërguan, habitërisht, për të shkuar në Shkollën e Plotësimit Ushtarak.

Pastaj Çabeji shkoi si profesor në Gjirokastër.

Në 25 korrik 1930 Çabeji në ceremoinë e varrimit të eshtrave të atdhetarit të Rilindjes Kombëtare Bajo Topulli mbajti një ligjëratë të paharruar.

Çabeji tha: “Por ne djalëria, e kemi për nder të quhemi djem të idesë sate. Ti, o i rrëzuari lis, si ata lisa që ngrihen ndër malet tona, ti, mësues dhe edukator i kaq brezave shqiptarë! Bajo, prehu pra! Dergje trupin tënd te balta jote. Për atdhenë, që e bëre dhe na e le trashëgim, mos ki frikë! Ne djalëria të betohemi këtu para trupit tënd, se ç’fitove ti ne do ta ruajmë, qoftë edhe me gjakun tonë. Flas për lirinë e kombit.”

Çabeji u shqetësua dhe priti rëndë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Në vitin shkollor ’39-’40 u transferua në Gjimnazin e Tiranës, ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Çabeji qe një atdhetar i spikatur.

Në një shkresë që Federata e Fashios së Tiranës i dërgonte Drejtorisë Qendrore të Partisë Fashiste Shqiptare në 29.07.1940 jepet kjo karakteristikë për Eqrem Çabejin: “Eqrem Çabeji: drejtor. I vetmi person përgjegjës për veprimet e këqija të kryera nga studentët e Liceut në demonstratat e njohura të 28 Nëntorit 1939 deri më sot nuk kaq dërguar asnjë shenjë afrimi me politikën fashiste, prandaj duhet konsideruar i rrezikshëm dhe duhen marrë masat për ta shkarkuar nga detyra që kryen tani.”

Në këto rrethana autoritetet pushtuese italiane e larguan “me marifet” Çabejin nga Shqipëria, ai shkoi pranë Akademisë së Shkencave në Romë për të punuar për “Atlasin Gjuhësor Shqiptar”. Çabei ka qenë gjithmonë krenar dhe dinjitoz në qëndrimet e tij. Në një letër të datës 27.l09.1942 drejtuar kryetarit Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare ai shkruan: “Ju lutem, në mënyrë miqësore, të keni mirësinë dhe të më shlyeni nga lista e anëtarëve të Institutit të Studimeve Shqiptare. Arsyeja e kësaj kërkese është se si mis i këtj Insdtituti figuron Atë Fulvio Cordignano, të cilin unë vërtet as nuk e njoh personalisht dhe se njihet botërisht si armik i rreptë i rracës shqiptare.”

Eqrem Çabeji mund të qëndronte në Itali, por mbas çlirimit, ai u kthye në atdhe.

Këtu nis faza më e madhe e jetës së tij shkencore, arsimore, akademike, nonëse në rrethana edhe shumë të ndërlikuara historike.



Takimet dhe bisedat e mia me profesor Eqrem Çabejin kanë qenë të shpeshta.

Gjithashtu e veçantë ka qenë dhe miqësia ime me gruan e tij Shyreten.

Kam shumë kujtime të cilat do t’i shtjelloj patjetër, të artikuluara në shkrime të veçanta. Dua të theksoj se Çabeji qe shëmbylltyra e një njeriu të shkëlqyer.

Duke qenë dijetari më i madh i Shqipërisë, askush sa ishte gjallë ai nuk mund të krahasohej me të, por askush edhe tani që ai është i vdekur, nuk mund të krahasohet me të. Eqrem Çabeji sillej natyrshëm dhe me një modesti proverbiale.

Tek ai ishte krejt e huaj krekosja që manifestohet kaq shpesh tek shqiptarët, e urrente ekzibicionizmin apo narcicizmin vetiak dhe manifestonte një thjeshtësi të mahnitshme.

Por ajo që do mbetet në amshim nga ai, përveç staturës monumentale të shëm,bylltyrës do të jetë pikërisht vepra shkencore.

Instituti Eqrem Çabej ka kështu një perspektivë përmbajtësore të pafundme.

Veç të tjerave duhet të finalizohet Omnia Opera e tërë veprimtarisë së Çabejit, e artikujve të tij, të bibliografisë së madhe si dhe të letërkëmbimit me dijetarë të huaj dhe shqiptarë.

Nga ana tjetër nuk duhet harruar që është në nderin jetik të shtetit shqiptar të kujdeset për një botim thelbësor të përzgjedhur të librave të Eqrem Çabejit, në anglisht ,apo dhe në gjuhë të tjera të mëdha të botës për ta ndërkombëtarizuar ,pikërisht krijimtarinë ,siç e mbiquajta, krejt referenciale ,të këtij dijetari dhe shqiptari të madh.

Veç kësaj, Instituti Eqrem Çabeji patjetër që duhet të merret dhe me krijimtarinë letrare dhe përkthimet dhe studimet estetike, që e paraqesin Çabejin edhe si historian të letërsisë shqipe në kohëra, pra edhe në aspektin e mirëfilltë artistik dhe letrar.

Çabeji ka botuar një libër me sonete. Por dhe ka përkthyer disa poema botërore.

Një pikë inkandeshente të opusit çabejan është dhe studimi i stilit të tij.

Eqrem Çabeji ka shkëlqyer dhe do të shkëlqejë deri në fund për stilin e tij konciz, konceptual, sa shkencor, aq dhe estetikisht të arrirë.

Çabeji është një nga stilistët më të mëdhenj shqiptarë të të shkruarit.

Fjalët dhe fjalitë në shkrimin e tij nuk përfaqësojnë koleksione ,sipas një rendi të vijueshëm morfologjik, leksikor ,apo dhe sintetik, por janë konceptime të mrekullueshme, të sakta, por dhe shumë simbolike të subjekteve dhe temave që trajton.

Kështu e përfundoj këtë shkrim për përurimin e Institutit Eqrem Çabej, gati si një kauzë dhe apoteozë ringritje kulturore, shkencore për mbijetesën dhe zhvillimin progresiv dhe modern të kulturës dhe kombit shqiptar.


Nga Moikom Zeqo