Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  

< Bardhyli >
< Forcimi i pushtetit mbretëror  


Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në krye të shtetit ilir. Pas kësaj date ai nuk përmendet më. Periudha që pason është mjaft e errët dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të fragmentuara, por ndonjëherë tepër të rëndësishme. Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet Bardhyli i ri. Rrethanat në të cilat ai u gjend në krye të shtetit ilir dhe marrëdhëniet e tij me Glaukinë, të cilin e zëvendësoi, janë të paqarta. Një lidhje martesore e paraqet Bardhylin si aleat të Pirros. Plutarku thotë se pas vdekjes së gruas së parë, Antigonës, Pirroja “u martua me shumë gra, për arsye politike dhe për të rritur fuqinë e tij”. Një ndër to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit të ilirëve. Historiani romak Justini dhe shkrimtari romak i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e tyre për një fushatë të Pirros kundër ilirëve, në të cilën ai kishte dalë fitimtar dhe kishte pushtuar edhe qytetin që ishte kryeqendra e tyre, pa na thënë emrin e tij. Edhe historiani grek i shek. II Apiani, gjithashtu, i bën jehonë kësaj ngjarjeje, duke thënë se Pirroja zotëronte një pjesë të Ilirisë gjatë bregdetit Jon. Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë, megjithatë, se deri ku u shtri sundimi i mbretit molos mbi tokat ilire dhe si ndodhi që ai i rritur në oborrin e Glaukisë ndërhyri me forcë në shtetin e tij. Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet një grindje e brendshme midis trashëgimtarëve apo pretendentëve për fronin e Glaukisë, e cila u shfrytëzua nga Pirroja. Por nuk është për t’u përjashtuar edhe pikëpamja sipas së cilës Bardhyli i ri të ketë qenë një pinjoll i Bardhylit I, që vjen në fuqi me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të fundit një pjesë të Mbretërisë Ilire. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si Pirroja u bë zot i krahinave perëndimore të Mbretërisë Ilire, ndofta edhe i Apolonisë, kurse Bardhylit i la krahinat lindore rreth liqenit Lyhnid, ose në perëndim të tij. Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit të ri si “mbret i lirëve” mbi një pjesë të shtetit ilir nuk duhet të kenë zgjatur shumë. Pasazhi i Apianit që thotë se këto toka i trashëguan dhe pasardhësit e Pirros bie në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve të mëpastajme. Grindjet e brendshme për trashëgimin e fronit të Glaukisë duket se u kapërcyen shpejt. Në prologun e librit XXIV të historianit latin Trogut bëhet fjalë për “luftën që Ptolemeu e Kerouni (mbret i Maqedonisë) bënë me Monunin ilir dhe Ptolemeun, të birin e Lysimahut”. Ky lajm që i takon një ngjarjeje të vitit 280 p.e.sonë flet për një sundimtar ilir që ndërhyn në grindjet për fronin maqedon si aleat i pretendentit tjetër, birit të Lysimahut. Sipas renditjes së Trogut, Monuni është kundërshtar i parë i Keraunit dhe mund të supozohet edhe iniciator i kësaj lufte. Sidoqoftë ky Monun duhet të ishte sundimtar i një vendi, kufijtë e të cilit takonin me Maqedoninë. Supozimi se ai ishte një mbret dardan, sot është zhvleftësuar duke i lënë vend mendimit se në rastin konkret kemi të bëjmë me një sundimtar të shtetit ilir. Figura dhe veprimtaria e tij bëhet më e qartë nëpërmjet një monedhe të Dyrrahut. Kjo është një tridrahme, e cila mban simbolet e njohura të tridrahmes së mëparshme autonome të Dyrrahut; në faqe ka një lopë duke e pirë viçi, në shpinë një katror të mbushur me zbukurime lineare; ndryshe prej së parës monedha e re ka një peshë më të vogël (10,3-10,5 gr. në vend të 10,4-11,5 gr.) dhe krahas legjendës ????? apo ??? ka edhe emrin e mbretit (??S???OS ?????????) dhe një nofull derri mbi lopën, që mungojnë në tridrahmat e vjetra. Në një variant tjetër monedhave të Monunit u është hequr legjenda e shkurtuar e qytetit dhe është zëvendësuar me një heshtë. Këto tridrahme janë datuar me të drejtë pas vitit 300 p.e.sonë dhe përputhen si kohë me Monunin e përmendur prej Trogut. Njoftimi i Trogut dhe prerja e kësaj monedhe dëshmojnë se me gjithë tronditjen që kishte pësuar shteti ilir mbas vdekjes së Glaukisë nga ndërhyrja e Pirros, Monuni kishte mundur të rimëkëmbte shtetin e tij në të gjithë territorin e dikurshëm, prej brigjeve të Adriatikut deri në kufi të Maqedonisë. Si duket, ai përfitoi nga largimi i Pirros për në Itali për t’i rikthyer shtetit të vet tokat e pushtuara. Pushteti i tij mbi Dyrrahun ishte rritur. Duke vënë dorë mbi punishten e monedhave, ai i thelloi më shumë se paraardhësi i tij marrëdhëniet me këtë qytet. Varianti i fundit i prerjeve të Monunit tregon se mbreti ilir duhet ta ketë ndjerë veten mjaft të fortë qysh se hoqi prej kësaj monedhe emrin e shkurtuar të Dyrrahut. Nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet e tij me Apoloninë, por s’ka ndonjë arsye për t’i konsideruar të ndryshme. Edhe ky qytet duhet të ketë njohur sovranitetin e plotë të mbretit ilir, duke iu nënshtruar atij si Dyrrahu politikisht dhe ekonomikisht. Pasardhës i Monunit dhe i fundit prej dinastisë së Glaukisë ka qenë Mytili. Edhe për të si traditë letrare kemi vetëm një njoftim të shkurtër në prologun e librit XXV të Trogut ku thuhet se “... i biri i tij /Pirros/, Aleksandri bëri me Mytilin luftën ilire”. Një monedhë bronzi e prerë edhe kjo në punishten e Dyrrahut vërteton plotësisht natyrën historike të personit të Mytilit. Kjo monedhë, e cila ka si simbole kryet e Herakliut në faqe dhe armët karakteristike të këtij heroi (harkun, mëzdragun dhe millin) në shpinë, ndryshon prej prototipit të vet, sepse në vend të nëpunësit monetar të Dyrrahut atë e siglon këtë radhë mbreti Mytil (??S???OS ???????), i cili ka hequr përveç kësaj nga monedha edhe legjendën e qytetit. Vetë këto të dhëna të monedhës tregojnë se Mytili ishte zoti i Dyrrahut dhe ushtronte mbi këtë qytet po atë pushtet që kishte edhe paraardhësi i tij Monuni. Monedha është tepër e rrallë, gjë që tregon se sundimi i tij ka qenë i shkurtër. Lufta midis Mytilit dhe Aleksandrit, për të cilën bënte fjalë Trogu, i takon vitit 270 p.e.sonë. Për fat të keq nuk është ruajtur ndonjë njoftim i saktë mbi shkaqet dhe përfundimet e kësaj lufte, gjë që ka dhënë shkas edhe për supozime të ndryshme. Mendimi se ajo përfundoi në favor të Aleksandrit dhe se ky u bë përsëri zot i krahinave jugore të shtetit ilir, madje edhe i Apolonisë, u referohet Frontinit dhe Apianit. Një shqyrtim më i kujdesshëm i njoftimeve të tyre tregon se këto përfundime nuk janë plotësisht të drejta. Është e vërtetë se Frontini, që plotëson Trogun, bën fjalë për një ndeshje në të cilën Aleksandri mundi ilirët, por përleshja zhvillohet në tokën epirote dhe nga ky lajm nuk del se ai pushtoi qoftë edhe ndonjë pjesë nga tokat e shtetit ilir. Sa për njoftimin e Apianit, ai ka karakter tepër të përgjithshëm dhe as ky dhe as ndonjë autor tjetër nuk paraqesin prova se Apolonia ka qenë nën sundimin e ndonjë mbreti epirot.


<24 faqe 25 26>