Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  

< Bardhyli >
< Fushata maqedonese kunder Ilirise >


Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri në fushë të betejës kundër ilirëve, por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të brendshëm politik dhe kishte mënjanuar rrezikun e sulmit nga kundërshtarët e tjerë. Sundimtari i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën kundër Mbretërisë Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën dhe kishte larguar rrezikun trak e paion. I çliruar, në këtë mënyrë, Filipi u sul kundër ilirëve me një ushtri të madhe, të përbërë prej 10 000 këmbësorësh të armatosur rëndë dhe 600 kalorësish. Bardhyli i doli përpara armikut me një ushtri po kaq të madhe, 10 000 këmbësorë të zgjedhur dhe 500 kalorës. Megjithatë, mbreti plak e çmoi këtë radhë të pafavorshme ndeshjen e armatosur me maqedonët dhe bëri përpjekje për marrëveshje. Ai i propozoi Filipit paqe, me kusht që të dy palët të mbanin qytetet që kishin në zotërim në atë kohë; Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët t’i lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë. Meqenëse nuk u arrit marrëveshja, filloi përleshja. Të dy ushtritë u ndeshën me ashpërsi të madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë sulmet e armikut. Goditjeve të falangës maqedone Bardhyli u kundërvuri formacionin luftarak me radhë të shtrënguara në trajtë kuadrati. “Në krye, - shkruan Diodori, - fitorja nuk anoi as nga njëra, as nga tjetra palë, dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dy ushtritë luftuan me një trimëri të rrallë. Nga të dy anët u vranë shumë veta dhe ca më shumë u plagosën”. Megjithëse maqedonët e fituan më në fund betejën, Filipi e pa se nuk qe në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë ilirët dërguan përfaqësues dhe përfunduan paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë që kishin pushtuar. Diodori bën të qartë edhe faktin se për cilat toka ishte fjala, kur thotë se, pasi i vuri nën zotërimin e tij gjithë banorët gjer në liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në Maqedoni. Me këtë betejë, ai zgjidhi përfundimisht çështjen e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen në kufijtë perëndimorë në favor të Maqedonisë. Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën të dilnin nga gjendja e krijuar duke kërkuar aleatë kundër Maqedonisë. Në vitet e fundit të jetës së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër molosëve, të cilët ndërkaq ishin afruar me Filipin, duke synuar që t’i shkëpuste nga ndikimi maqedon. Ushtria ilire invadoi tokat molose, por ndeshi në një qëndresë të fortë dhe u detyrua të tërhiqej. Në vitin 356 p.e.sonë ky synim u përsërit në përpjekjen për një aleancë të gjerë antimaqedone. Këtë ngjarje Diodori e përshkruan kështu: “tre mbretër, ai i Trakisë, i Paionisë dhe i Ilirisë, ishin bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta mbretër fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e fuqisë së Filipit dhe duke qenë se nuk ishin aq të fortë për ta luftuar veçmas, u lidhën ndërmjet tyre me shpresë që t’ia arrinin më lehtë qëllimit”. Por ata ishin të zënë me grumbullimin e ushtrisë, kur ai i zuri në befasi dhe i theu para se të bashkonin forcat e tyre. Ky lajm vërtetohet edhe me një mbishkrim atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni midis Athinës dhe tre mbretërve të përmendur më lart. Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve quhet Grabo. Midis mendimeve të ndryshme që janë shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës i Bardhylit, që në këtë kohë duhet të ketë vdekur. Frenimi që arriti t’u bënte ilirëve nuk e kënaqte Filipin. Ai nuk e ndiente veten të qetë sidomos kur lufta për vendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi kërkonte gjithë energjitë dhe forcat e tij. Për t’u siguruar nga sulmet e shtetit ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë shtet në pozita mbrojtjeje. Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë, e sulmoi përsëri Ilirinë me një ushtri të fortë. Këtë radhë ilirët udhëhiqeshin nga mbreti Pleuria. Ata i bënë një qëndresë të ashpër dhe i shkaktuan armikut humbje të rënda. Vetë Filipi mbeti i plagosur dhe në fushën e betejës ranë shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë, ai mundi të hyjë në Iliri dhe të pushtojë disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi dhe vendosi në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe. Në burimet nuk thuhet se deri ku mundi të ketë arritur dhe për cilën pjesë të vendit është fjala kur flitet për qytetet e pushtuara, por dihet nga pohimet e Isokratit se në bregdet nuk mundi të dalë. Ka të ngjarë që ai të ketë vënë dorë mbi një pjesë të krahinës së banuar nga fisi i dasaretëve dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në burimet quhen malet e Ilirisë ose të taulantëve dhe që mund të identifikohen me vargun e maleve të Polisit, të Kamjes dhe të Ostrovicës.


<20 faqe 21 22>