Idetë e Kryeministrit për Mit’hat Frashërin dhe qasja ndaj të vërtetës

Prof. Demir Dyrmishi

Më në fund Kryeministri e mblodhi mendjen top. Mit’hat Frashëri është patriot i madh i Kombit Shqiptar. Dhe, si për t’i mbushur mendjen bashkëkombësve të vetë se është i tillë, me ndihmën e mendjes dhe të penës së buzëhollit, para bustit të Mit’hat Frashërit, artikuloi se ai “studioi e lexoi në gjuhët dhe alfabetet kryesore të njohura të botës, ishte fëmijë i së bukurës, ka përdorur titullin e shërbëtorit të kombit, por rrallë si një ofshamë dëshpërimi, duke vërejtur vetminë në mendime dhe veprime deri në fillikatësi.”

Më poshtë si për të përforcuar idetë patriotike të Lumo Skëndos në vitet 30-të shekullit të kaluar, Kryeministri citoi mendimin e Mit’hatit të shprehur në revistën “Përpjekja Shqiptare”. “Elita, a nuk duhet të ketë për qëllim përmirësimin e vetes së saj, fitimin e virtytit, karakterit dhe diturisë? A është e mundur që njeriu, kjo krijesë… të rrojë e hequr zvarrë prej rrethanash material, prej dorës së varfër të ngjarjeve, pa ndjerë, pa manifestuar asnjë reaksion, asnjë sforcim, pa mbrojtur veten… Ata që ngrihen makar dy gishtë mbi nivelin ordiner, duhet të kuptojnë përgjegjësinë e tyre.”

Për të sjellë në vëmendjen e të pranishmëve të përzgjedhur, veprimtarinë e mëtejshme të Mit’hat Frashërit, Kryeministri citoi edhe pjesë të zgjedhura me kujdes nga Z. Aurel Plasari, rreth veprimtarisë patriotike të Lumo Skëndos si përfaqësues i Kombit shqiptar në Athinë, në Lidhjen e Kombeve, apo si kryetar i Ballit Kombëtar në azil politik, jashtë Shqipërisë. Por, për të mos u bërë i bezdisur për lexuesin nuk po vazhdoj më tutje me citate të kësaj natyre, të artikuluara përpara arkmortit të Mit’hat Frashërit.

Të gjitha këto citime, të nxjerra nga letrat shqipe të Mit’hatit, nga veprimtaria e tij diplomatike, albanologjike, apo shkencore, janë të vërteta, ashtu siç është e vërtetë edhe fakti tjetër shumë domethënës se veprimtaria patriotike, atdhetare e çdo personi, aq më tepër e një personi apo personaliteti politik, nuk varet nga ato që shkruan e thotë, por nga ato që bën, pra nga përpjekja për të mos e ndarë fjalën nga vepra. Personaliteti për të cilin po flasim bën pjesë në kategorinë e atyre politikanëve që nuk e njësojnë fjalën me veprën.

Në këtë drejtim ai është unikal, nuk ka të dytë dhe si i tillë në veprimtarinë e tij politike është cinik, me galloman dhe hipokrit dhe jo “ndër më popullorët ndër të gjithë të famshmëve e kohës” siç konkludoi Kryeministri në fjalën e përmortshme. Atdhetarizmi i tij i shtirur u manifestua gjatë veprimtarisë së Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit, kur ai u largua dhe u vu në shërbim të qeverisë së Durrësit me prirje antikombëtare. Qysh atëherë filloi të lëkundej veprimtaria e tij politike në dobi të Kombit shqiptar. Shkarja e tij nga binaret e çështjes kombëtare është argumentuar me fakte e dokumente historike nga historianë e studiues kompetentë të asaj periudhe.

Pas Luftës së Parë Botërore, Mit’hat Frashëri dha shenjat e një ripërtëritjeje të çështjes kombëtare, për t’u mbyllur, në periudhën e monarkisë, në guaskën e vet, duke u marrë me veprimtarinë e tij private, larg ngjarjeve politike të kohës. Ai u tërhoq krejtësisht nga veprimtaria e tij politike, pikërisht atëherë kur shoqëria shqiptare kishte nevojë për mendimin e tij intelektual. Ai nuk vuri në shërbim të kombit të vet as aftësitë e tij, as bagazhin patriotik të familjes që përfaqësonte, e cila kishte lënë gjurmë që në fillimet e Rilindjes Kombëtare.

Këto të vërteta të padiskutueshme në veprimtarinë politike të Mit’hat Frashërit, të cilat janë lehtësisht të njohura nga hartuesit e fjalës së përmortshme, nuk gjetën vend qoftë edhe me një rresht apo frazë të vetme në fjalën e Kryeministrit. Të jetë kjo një lajthitje, apo një marifet i vjetër për ta dhënë historinë bardh e zi, sepse kështu ndoshta figura e Mit’hat Frashërit del më “patriotike”.

Ajo që bie në sy më shumë në përpjekjen e autorëve, për ta paraqitur përpara shqiptarëve figurën e Mit’hatit si patriot të madh që “s’ka të dytë” është ndërprerja e veprimtarisë politike të tij në vitet e Luftës së Dytë Botërore, për të dhënë veprimtarinë e tij jashtë atdheut mbas mbarimit të kësaj lufte.

Po përse e bëjnë këtë kapërcim autorët e kësaj fjale kur të gjithë shqiptarët e dinë se Mit’hati jo vetëm është gjallë, por edhe shumë aktiv? Nuk do shumë mend të kuptohet. Sepse veprimtarisë së tij “patriotike”, në këtë periudhë i del krejtësisht boja. Fajet e Mit’hat Frashërit nuk mbulohen me patriotizmin e shtirur. Ai ndodhet i tëri në llogoren e okupatorëve. Por kjo veprimtari tradhtare e tij u mbulua me një “ka bërë edhe gabime, po ka bërë”, por ky nuk është gabim, është faj që ndëshkohet. Pasardhësit e Mit’hatit dhe të Ballit Kombëtar, për të vjetër e të rinj ndihen keq. Ata nuk i shpëtojnë dot as kolaboracionistët, as veten e tyre. Ata ndodhen në honin e tradhtisë dhe për të dalë nga ky hon ka vetëm një rrugë, t’u kërkojnë falje antifashistëve të kohës për veprimtarinë e tyre antikombëtare, pro fashiste e fashiste, për vrasjet, djegjet, internimet e plaçkitjet të realizuara me urdhër të tyre dhe me bajonetat e okupatorëve. Ose, të paktën, të heshtin dhe dorë për dore me të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, të ndjekin rrugën e mbrothësisë, siç kërkonin Rilindasit tanë të mëdhenj.

Autorët e fjalës së përmortshme, kërkojnë tu mbushin mendjen shqiptarëve se Mit’hat Frashëri nuk ka dhënë asnjë urdhër për vrasje e tortura! Sofizëm i kulluar. Mit’hat Frashëri nuk ishte budalla të jepte urdhra të tilla. Së dyti historia jonë kombëtare, por edhe ajo botërore na ka mësuar se udhëheqësit politikë japin direktiva e udhëzime për vartësit e tyre se si të vënë në jetë platformën apo programin politik të forcës që përfaqësojnë. Janë vartësit ata që luftojnë të vënë në jetë programin e forcës së tyre politike. Përgjegjësia është e dyfishtë. E atij që harton programe dhe e atij që e zbaton në jetë, por sigurisht përgjegjësia kryesore bie mbi të parin dhe sigurisht programe dhe udhëzime të Ballit Kombëtar nuk mungojnë, ashtu siç nuk mungojnë edhe nga pala kundërshtare, Partia Komuniste. Por me një ndryshim të madh. Balli Kombëtar vepronte nga pozitat e kolaboracionizmit, kurse Partia Komuniste nga pozitat e antifashizmit, ashtu siç vepronte e gjithë bota demokratike e antifashiste. Atëhere kush duhet të mbajë përgjegjësi, antifashistët apo kolaboracionistët? Sigurisht këta të dytët.

Si është e mundur të thuhet se Mit’hat Frashëri nuk është tradhëtar, por patriot që s’i gjendet i dyti, e për pasojë vendoset në varrezat e vëllezërve Frashëri, me të cilët përveç gjakut, nuk ka asnjë lidhje. Frashëllinjtë e luftuan tradhëtinë deri në vdekje, kurse Mit’hati i dha jetë, e ngriti në institucion. Ai meriton të prehet në varrezat publike si qytetar i këtij vendi dhe asgjë më tepër. Kurse tamtamet e Qeverisë janë jashtë protokollit. Ato bien erë kolaboracionizmi të ri. Ato nuk shuajnë gjakrat e nxehta, por u hedhin atyre benzinë. Pasojat? Shpresoj të mos ketë rrjedhje, por do të jetë e vështirë.

Ku ishte ky “patriot i madh”, ky “gjeni i kombit” kur Shqipëria u pushtua nga fashistët dhe nazistët, kur djemtë e vajzat shqiptare rrëmbyen armët, u përleshën me okupatorët dhe derdhnin gjak për të hequr qafe robërinë fashiste? Pse nuk u bëri thirrje dhe nuk u priu ai të rinjve antifashistë si “baba i kombit”? Sepse në gjakun e tij nuk vlonte antifashizmi, por kolaboracionizmi. Ai rrinte në kafenetë e Tiranës dhe hartonte plane se si ta ngrinte në sistem kolaboracionizmin, nëpërmjet përfaqësuesve të tij në qeveritë kuislinge dhe si të shuante me zjarr dhe hekur lëvizjen antifashiste të rinisë shqiptare.

Një politikë e tillë antikombëtare, nxiste dhe nxiti vëllavrasjen, bëri që në disa raste gjaku i shqiptarëve të shkonte kot, të kishte raprezalje dhe viktima të panevojshme. Edhe veprimtaria e tij politike me emigracion për të rrëzuar me forcën e armëve regjimin komunist ishte miope, sepse Amerika dhe Anglia e kishin njohur pavarësinë e Shqipërisë dhe nuk mund të ndërhynin ushtarakisht. Ato vetëm nxisnin banditizmin brenda e jashtë vendit. Për rrjedhojë, banditizmi i Mit’hat Frashërit nuk bëri gjë tjetër veçse shtoi numrin e viktimave jo vetëm në radhët e komunistëve e të popullit të pafajshëm, por edhe në radhët e antikomunistëve shqiptarë. “Patrioti i madh”, “gjeniu i kombit” nuk e rrëzon kundërshtarin me armë e bomba, por me forcën e arsyes së mendjes së tij të kthjellët. Për më tepër, ndërmarrja e tij në emigracion ishte e vonuar, ai i pati të gjitha mundësitë që të rreshtohej në anën e antifashizmit, dhe si i tillë të vihej në krye të tij dhe me luftë kundër okupatorëve ta bënte popullin për vete dhe t’i jepte, kështu, atij mundësinë që të ndryshonte raportin e forcave politike gjatë luftës në favor të tij, dhe fundi i saj ta gjente fitimtar, të kishte kështu mundësinë të konkuronte me Partinë Komuniste në zgjedhjet e mbas Çlirimit të vendit. Në këtë mënyrë do të ishte evituar apo zbutur edhe diktatura komuniste që u vendos mbas çlirimit. Këtë ai nuk e bëri, jo se nuk dinte, por nuk deshi ta bënte.


5 dhjetor 2018