Arben Duka


Unë nuk shkruaj vargje,

thjesht të mbush gazetën,

këtë s’e kam bërë,

asnjëherë gjithë jetën!


Nuk e zbardh të zezën,

nuk e nxij të bardhën,

s’shkruaj e s’kam shkruar,

për të shkuar radhën!


Askush s’mund të jetë,

përditë i magjishëm,

po gjithnjë mjafton,

të jetë i dobishëm!


Të jetë i dobishëm,

të mendojë për mirë,

të jetë si një dritëz,

në një errësirë!


T’i thotë vegjëlisë,

hapur e më hapur,

se gjithë qeveritë,

jetën u’a kanë kapur!


T’i thotë vegjëlisë,

dhe pa varg të zgjedhur,

se gjithë qeveritë,

shumë keq ju kanë vjedhur!


Shumë keq ju kanë vjedhur,

dhe përditë ju vjedhin,

dhe përmbi kufoma,

valle vdekjesh hedhin!


T’ju thotë e t’ju thotë,

sot e përsëri,

se të nxihet jeta,

kur s’ka drejtësi!


T’ju thotë e t’ju thotë,

fort duke gjëmuar,

se liria juaj,

është e kërcënuar!


Se kush ju kap jetën,

ju vjedh pasurinë,

s’e ka problem fare,

t’ju vjedhë dhe lirinë!


T’u thotë e t’u thotë,

natë e ditë shqiptarëve,

Atdheu është yni,

nuk është i kusarëve!


Të kem gjuhën time,

dhe jo të Ezopit,

mos e ulni kokën,

as përpara Zotit!


Kurrë mos u dorëzoni,

prej lodhjes dhe hallit,

ruajeni lirinë,

si dy sytë e ballit!


Askush e askush,

nuk më komandon,

kjo është jeta ime,

i vetmi mision!


29 Gusht 2018