Homazh/ Sabri Godo: Pleqëria më ka bërë zemërgjerë

Sabri Godo u nda nga jeta në 3 dhjetor 2011. Si një homazh ndaj veprës së tij politike dhe letrare, botojmë këtë intervistë, të realizuar në vitet kur ai kishte ende një jetë aktive e plot dinamizëm. Në këtë intervistë Godo flet më së shumti për jetën e tij private.

Nga Leonard VEIZI

Në familjen Godo ende ruhen reliket e vjetra të familjes së madhe të Vrionëve. Sot me siguri e meritojmë të hyjnë në një fond të artë antikuarësh. Historia dhe vjetërsia e tyre ndoshta tregojnë më shumë se vetë historia e shkruar. Shtëpia e tyre, e re tashmë, ndodhet në një nga pallatet e kohës, të ndërtuara në zonën e quajtur “Ali Demi” në Tiranë.

Në moshën 74-vjeçare, njeriu e meriton cilësimin si në moshën e tretë, ose thënë ndryshe, plak. Ndoshta është një emër jo fort i gjetur, por Godo e pranon këtë fakt dhe druhet fare pak teksa shqipton qetësisht se, mosha e ka bërë punën e saj. Ndërsa jeta vazhdon të rrëshqasë edhe në pjesën e fundit për t’i dhënë ndijime të pazakonta. Tashmë ai ka një ecje të ngadaltë. Flet gjithashtu ngadalë, por shkoqur. Nga larg duket sikur një notë plogështie a ndryshku e ka zënë. Por çuditërisht, mendimet i ka të zhdërvjellta dhe të kthjellëta, me harresa të pakonsiderueshme në subkoshiencë. Nuk ka qenë asnjëherë amator në punët që ka bërë, megjithëse thotë se edhe profesionet nuk kanë qenë ato që i janë dashur të bëjë në jetë.

Si doli partizan

Ai doli partizan sapo kishte mbushur të 14-at, kur ka guxuar të marrë pushkën, e të bashkohet me luftëtarët partizanë të Çetës së Rinisë së Gjirokastrës, duke u futur kështu në rrjedhën gjigante të Luftës së Dytë Botërore. Në 23 muajt e jetës partizane, ai kalon 5 muajt më të vështirë kur batalioni “Baba Abazi” i Brigadës së 6-të Sulmuese dhe i rreshtuar nën komandën e Divizionit të 6-të, kapërceu kufijtë shtetërorë shqiptarë, për të zmbrapsur forcat gjermane edhe nga tokat e Kosovës, atëherë nën flamurin jugosllav. Pas lufte, titullohet oficer i Ushtrisë Shqiptare. “Unë kam ndryshuar shumë herë profesion. Koha kur kam shërbyer si ushtarak ka pasur një hapësirë prej një vit e gjysmë pas luftës. Pastaj kam shpenzuar 25 vjet të kohës, në atë që quhej “tregtia shtetërore”. Puna si shkrimtar nuk është se ka pasur ndonjë vend të veçantë në jetën time. Shkruaja ndërkohë që punoja”, thotë ai. Sabri Godo kujton se gjithsej, vetëm një vit ka qenë shkrimtar në profesion të lirë. Titullarët e atëhershëm nuk pëlqyen disa nga shkrimet që ai arriti të botonte të shtypin e kohës. Ishin disa tregime me temën e luftës, të cilat u cilësuan si të shkruara nën ndikimet e Rrymës së deheroizimit. Këtu filloi dhe goditja e tij intelektuale. U dha një urdhër i rreptë, që të hiqet si shkrimtar i lirë dhe, ç’është më e keqja, t’i hiqej e drejta e botimit, derisa të riedukohej. “Më dërguan për të punuar në një uzinë këtu në Tiranë. Ngandonjëherë kam qenë edhe pa punë, derisa në fund të viteve ‘80 dola në pension. Në atë kohë mbahesha dhe me honorare të shkrimeve të ndryshme, të cilat botoheshin si bashkëpunime në revistën “Hosteni” apo dhe në Kinostudio. Kam pasur detyrime familjare vazhdimisht. Detyrime që binin drejt mbi mua, aq më tepër që familja ime prej tetë vetësh banonte në një dhomë e një kuzhinë. Dhe, bëja përpjekje për të mbijetuar”, thotë Sabri Godo.

Hyrja në politikë

Në vitin 1991, nën frymën e re të pluripartizmit në Shqipëri, Sabri Godo angazhohet në jetën politike të vendit me krijimin e Partisë Republikane. Në këtë parti, ku për vite me radhë ka qenë kryetari i saj, megjithëse dha dorëheqjen nga posti ekzekutues, vazhdon të aderojë edhe sot. Gjatë kësaj kohe ka qenë deputet pranë Parlamentit Shqiptar në dy legjislatura dhe, siç shprehet vetë ai: “Kam kryer punët që më kanë dhënë të bëj”. Por çuditërisht nuk konkurron më për deputet edhe pse flitej se, nëse kandidonte, kishte gjasa të fitonte pa balotazh. Kështu mbetet ndër të rrallët politikanë në Shqipërinë e tranzicionit postkomunist, që njeh pandërprerje institucionin e dorëheqjes.

“Dhashë dorëheqje, pasi e cilësoj si të ezauruar qenien time në krye të Partisë Republikane apo në sallën e Ligjvënësve. Kur e sheh se me një vend ato që kishe për t’i thënë i the, është më mirë të mos vonohesh më në skenë. Pastaj unë asnjëherë nuk e pata marrë si një drejtim të jetës time politikën. Kur hyra në fillim, mendova se do të ishte çështje muajsh sa të bëhej ndërrimi i regjimit dhe të vendosej një sistem demokratik në Shqipëri. Por politika e ka këtë të keqe, që mund të hysh me vullnetin tënd të lirë, pastaj nuk varet më prej teje, se kur del dhe gjithmonë të krijohen detyrime morale ndaj të tjerëve e ndaj asaj që ke marrë përsipër të bësh. Dhe ndjen se po të dalësh krejt papritur në llogarinë tënde, pret me besë ata njerëz që kanë besuar tek ty ose që kanë besuar në forcën politike, duke u nisur më shumë nga konsideratat personale. Kjo më ka ndodhur edhe herë të tjera në jetë, që të hyj në një gjë e pastaj të mos mund të dal. Tani angazhimin politik të drejtpërdrejtë e kam të kufizuar”, thotë Godo.

Por është aktiv edhe në media. Herë pas here është i thirrur në studio debatesh televizive, ku kërkohet opinioni i tij. Kamerat televizive të terrenit nuk të lënë të qetë as kur e kërkon me ngulm këtë qetësi. E mbase më rrallë në faqet e gazetave. Megjithatë ai thotë se nuk kërkon të penetrojë me portretin dhe fjalën e tij në rrjetet televizive.

“Nuk është se afrohem vet unë, me përjashtim të ndonjë rasti, kur dua të shpreh opinionin tim nëpërmjet shkrimeve në gazeta, për ndonjë çështje të bujshme që shqetëson shoqërinë ose politikën shqiptare. Po në rastet e tjera është fare korrekte të them se kam qenë i kërkuar nga media. Madje, në më të shumtat e rasteve, duke qenë se më duket sikur përsëris vetveten, i kam eliminuar emisionet televizive, por dhe intervistat, për aq sa kam mundur. Por, në qoftë se dikush e kërkon në mënyrë të përsëritur praninë time në median ku punon, nuk mund të mbahem si një njeri mendjemadh, i cili refuzon të komunikojë me të tjerët. Këtu, që megjithëse jam i kufizuar, prapëseprapë në njëfarë mënyre jam i pranishëm”.

Intervista

Është e vështirë ta ndjekësh në një ditë të vetme axhendën e ngjeshur të Sabri Godos. Madje për të lëne takim me të nuk është fort e lehtë, megjithëse për gazetarët ai ka një respekt të veçantë. Emblematike është një cigare e tymosur mes buzëve, por dhe atë ia shohim disi më rrallë, ndërsa sinjali i butë i celularit e kërkon vazhdimisht.

Si është një ditë e jetës suaj tashmë?

Unë kam punë tërë kohën. Ndonjëherë punët janë të tilla, saqë kur kthehem në darkë, nuk di se me çfarë u mora gjatë ditës. Kam obligime të ndryshme shoqërore. Vazhdoj të kem marrëdhënie me trupin diplomatik, megjithëse jo me ritmin e mëparshëm. Kemi krijuar një klub të quajtur “Klubi 2002″ me disa intelektualë, që kanë një afërsi të mendimeve të lira me njëri-tjetrin dhe që mblidhen një herë në javë, ku mund të diskutojmë për tema nga më të ndryshmet. Ai nuk është kurrsesi një klub politik dhe nuk ka për t’u bërë i tillë. Kam qenë i impenjuar për të ripunuar librin “Ali Pashë Tepelena” në botimin e tij të tretë, i cili do të mund të dalë në qarkullim nga muaji shtator. Dhe pas këtij është përgatitur ribotimi i romanit tjetër historik “Skënderbeu”, por nuk e di në do të mund ta rishikoj edhe atë në gjerësinë që kam parë Ali Pashanë, pasi ky i fundit ka një ripunim mbi 80-të për qind.

Përse një ripunim kaq tërësor. Keni gjetur elementë të rinj historikë?

Romani është botuar në vitin 1972. Është ribotuar në vitin 1992 dhe atëherë e rishkrova me dorë nga e para në fund, sepse m’u duk se kisha lënë shumë gjëra pa thënë. Tani që erdhi puna për ta botuar për herë të tretë, shoh se shumë gjëra që janë botuar atëherë nuk i përgjigjen edhe aq të vërtetës, sepse kam shkruar për një njeri me sy të mbyllur, për vende që nuk i njihja dhe s’kisha qenë ndonjëherë në Greqi apo Janinë për të njohur hapësirën, ku ka qeverisur Ali Pashai. Shkova dhe i pashë ato. Lexova dhe literaturë tjetër. Kështu mendimi im u filtrua më mirë dhe tani më duket se kam arritur të jem më afër të vërtetës nga ana historike, më afër Ali Pashës si figurë, dhe të saktësoj sidomos ngjarjet historike dhe vendet. Tani jam Iehtësuar nga ajo ngarkesë që kam pasur kundrejt kësaj figure që më ka munduar për afro 30 vjet me radhë.

E keni ndjerë ndonjëherë veten “Pasha” në letërsinë shqiptare?

Jo. Unë gjithmonë kam dyshuar në ato që bëj, madje mund të përgëzoj veten për këtë se edhe vlerësimet që më bëjnë të tjerët, të cilat askush nuk i refuzon, e ku unë nuk bëj përjashtim, por unë i njoh vetes një të mirë, që gjithmonë u bëj një zbritje për ato që më thonë, pasi njeriu mund të jetë i sinqertë, mundet për mirësjellje të të thotë një fjalë të mirë, dhe në qoftë se të gjitha ato që të thonë për aftësitë e tua i merr për të vërteta, vjen një moment që thua se, “unë i di të gjitha, s’kam më mësoj”. Por në të vërtetë, është pikërisht kjo që mund ta quaj si “pika e vdekjes”.

Cila është gjendja juaj ekonomike? A jeni i pasur?

Nuk jam i pasur. Por nuk mund të them as heq keq, fjala vjen për të pirë një kafe apo për të pasur gjërat e domosdoshme që duhen në jetë. Nuk kam ndonjë pasuri mënjanë. Jetojmë me ato që janë të ardhura të muajit, që për një familje burrë e grua siç jemi ne janë mëse të mjaftueshme. Madje po të jem i kujdesshëm në shpenzime, mund t’i jap të drejtë vetes të pushoj dy javë në ndonjë vend të bukur në Evropë. Mirëpo ne kemi shpenzime të shumta, pasi janë vajzat e nipat që hyjnë e dalin. Gati jetojmë së bashku, megjithëse secili është në shtëpinë e vet, kështu që ndonjëherë shpenzojmë më tepër nga sa janë të ardhurat mujore. Kjo është dhe gjendja ime e vërtetë. Por mund të mbaj dhe një makinë që e kam të domosdoshme e ndërkohë njeriu që punon me mua si shofer, më tepër e bën për dashamirësi, pasi, në të vërtetë, ka një pagë të vogël. Por deri këtu e përballoj. Por them se nuk do t’u lë pas trashëgimtarëve ndonjë gjë të madhe, përveç apartamenteve ku jetojnë aktualisht. Dikur kam jetuar shumë ngushtë, vetë i tetë në një dhomë e një kuzhinë, ndërsa tani kam një apartament me rreth 160 metra katrorë, ku ngandonjëherë më duhet të lëviz nëpër shtëpi për të gjetur se ku është gruaja. Domethënë ka hapësirë të mjafta edhe nuk më duhet.

A keni përftuar nga pasuria e Vrionasve ku jeni dhëndër?

E vërteta është se unë nuk kam marrë atë që ka si trashëgim gruaja ime. Kur i kam parë në gazetën zyrtare jam habitur. Është një pasuri e madhe. Mund të kemi marrë më e shumta nja 7-8 për qind të kësaj trashëgimie. Por unë vetë nuk jam impenjuar, nuk kam luftuar, duke u nisur dhe nga një lloj paragjykimi politik, sepse, meqenëse në Partinë Republikane, që nga krijimi kemi mbrojtur shumë të drejtën e pronës private në Shqipëri, unë e kam pasur gjithmonë kujdes veten se ç’thonë të tjerët për mua. Paragjykoja se ata që më dëgjonin të flisja apo shkruaja, do të thoshin: “Ky lufton se ka hall të marrë pronat e tij”. Por po të bëhet ndonjë ligj më i mbarë për pronat, tek i cili, në të vërtetë unë nuk shpresoj, mund të jetë më e lehtë të bëjmë ndonjë kompensim, i cili në fakt, më fort do të shkonte në dobi të nipave. Ndërsa më pëlqejnë dhe antikuaret, por nuk është se kam në shtëpi. Kemi vetëm disa mobilie që shpëtuan nga shtëpia e gruas, që janë të vjetra dhe që kanë një vlerë, por asgjë tjetër.

Gjendja juaj civile?

Kam gruan, dy vajza dhe katër nipa, ku secila prej vajzave ka nga dy djem. Do të doja të kisha një mbesë të vogël dhe kur e sjell në mendje se si do të ishin raportet e mia me atë mbesën e vogël imagjinare, them se do të vdisja për të. I dua shumë fëmijët. Nipat tashmë janë rritur dhe kërkojnë pavarësinë e tyre. Duan tërë kohën të jenë jashtë në punët që kanë. Por më pëlqen një gjë, pasi si gjysh gëzoj një autoritet më të madh nga ç’duhet dhe ata e ndjejnë hijen time të rëndë. Unë ju sillem në mënyrë shumë shoqërore, por prapëseprapë prindërit e nipave, kur duan të zgjidhin ndonjë gjë thonë: “Do t’i themi gjyshit”. Kështu vazhdojnë të më përdorin mua për të vendosur rregull me fëmijët e tyre.

Jeni shprehur, se doni më shume fshatin se qytetin. Megjithatë jetoni në qytet.

Mua më bezdis jeta e qytetit. Më pëlqen të jetoj në natyrë dhe kjo nuk erdhi për shkak të moshës ose të lodhjes në politikë. Gjithnjë edhe në moshën më të re më pëlqente malësia, po më pëlqente dhe deti. Kam pasur gjithmonë një prirje që e kam shfrytëzuar, kur kam mundur, që të jem gjithmonë sa më afër natyrës. Por nuk është se dua të vete të jetoj diku si një eremit, i shkëputur nga njerëzit. Nuk kam ndonjë arsye, pasi dhe nuk kam pasur dhe konflikte me shoqërinë përveç konflikteve të natyrës politike në të kaluarën.

Në moshën 74-vjeçare, cila triumfon tek ju biofilia apo nekrofilia?

Do t’i përgjigjem në mënyrë disi të tërthortë kësaj pyetjeje. E them me bindje këtë, se me kalimin e kohës jam bërë një njeri më i mirë dhe jam bërë më zemërgjerë ndaj gabimeve të të tjerëve, duke qenë i predispozuar t’i fal, mbase edhe kur nuk duhet të fal. Sepse them gjithnjë, se të gjesh të vërtetën është e vështirë. E vërteta ka disa shtresa dhe asnjëherë nuk mund të jesh i bindur se përse një njeri nuk e bëri një gjë dhe ti kërkon ta gjykosh atë rreptësisht. Por a e ndihmon atë duke e ndëshkuar apo duke e gjykuar? Ka raste kur inati më mban 24 orë me radhë dhe gjatë kësaj kohe duhet të mbaj veten në fre, sepse mund të bëja ndonjë gjë pa mend. Pastaj më ftohet gjaku dhe e ndjej se jam bërë gjithnjë e më tolerant. Ndërsa pasojat e moshës i ndjen kushdo. Unë nuk mund të them se kam pasur ndonjë sëmundje që mund të më vërë në gjendje invaliditeti, por tashmë nuk ec dot ashtu si më parë. Mua më ka pëlqyer tërë jetën të ec. Mbase dhe nga kjo që eci gjithmonë me makinë nga shtëpia për në punë, e jam bërë si ato patat që i vënë në majmëri. Ndryshimi biologjik vjen si pa u ndjerë dhe duhet të kesh aftësinë ta njohësh dhe ta pranosh. Ka njerëz që e kundërshtojnë atë dhe, sipas mendimit tim, bëjnë mirë. Për shembull, ka njerëz të moshës time që bëjnë vrap nga liqeni. Unë i respektoj ata, por vetë jam i paaftë të bëj gjëra të tilla, sepse në jetën time private asnjëherë nuk kam pasur orar apo rregull të përcaktuar, por kam jetuar sipas rrjedhës së ditës. Nuk mund të them, se kam vënë ndonjëherë veten në zap, të them se kjo është e mirë për mua, qoftë dhe nga pikëpamja ime, dhe të rreptë. Veçanërisht e di se më bën shumë dëm duhani, ndërsa vazhdoj ta pi.

Sa cigare pi në një ditë?

Kur punoj dhe kam ndonjë gjë që më nxit, nuk e vë re se sa cigare pi. Kur jam në kushte normale e kur gjithçka shkon vaj e sheqer me gruan nga mëngjesi në darkë, mund të pi rreth 15 cigare, mbase dhe disa më shumë ndonjëherë. Por kam një këshillim të rreptë të mjekëve, që duhet të lë duhanin. Tani kjo quhet dhe si mungesë vullneti, por unë nuk them se këto janë gjëra që tregojnë në fakt vullnetin e një njeriu. Vullnetin unë e çmoj tek përballimi në marrëdhënie me punën. Vullnet do të thotë të çosh deri në fund ato gjërat që kërkohen prej teje.


Leonard Veizi – gazeta DITA 14 qershor 2003