Dorëshkrim[1]
shkruar nga Aristotel Mici.

Presidenti Washington dhe Revolucioni Amerikan




Hartë e krijuar nga dora e George Washington-it, për një sheshë në Ohio River, Ohio, 1754

George Washington, Presidenti i parë i Amërikës, lindi më 22 shkurt të vitit 1732 në Mount Vernon, ne Virginia. Prindërit e tij qenë latifondistë të pasur që zotëronin plantacione të gjëra tokash. Kur ishte njëmbëdhjetë vjeç i vdiq i ati . Atëherë ai u mbështet për ecurinë e tij mësimore dhe educative tek i vëllai i madh (nga babai), Laurenci, i cili ishte një oficer i kulturuar.

George Washingtoni e kishte figurë ideale të vëllanë dhe e imitonte atë; ndiqte këshillat dhe mësimet e tij. Ai ishte krenar për të. Washingtoni e kishte shpresë të vëllanë, po ai nuk ishte mirë me shëndet se vuante nga tuberkulosi. Kur Laurenci do të shkonte në ishullin Barbados (zona e Karaibeve) për kurim klimatik, me 1751, Wahingtoni e shoqëroi atë, duke shpresuar ashtu se klima e ngrohtë do t`ia përmirësonte shëndetin. Po nuk qe fat. Laurenci vdiq një vit më vonë, me 1752…… Mbas kësaj ngjarjeje të hidhur mbështetja kryesore e djaloshit të ri, do të bëhej e ëma., Mary Washington, që ishte një grua autoritare dhe serioze. Kur Washingtoni deshte të shkonte në shkollën e Marinës, ajo nuk ia aprovoi atë dëshirë. Dhe më vonë, kur i biri, ëndërronte për të vajtur për studime në Angli, ajo përsëri u bë pengesë, duke i kujtuar fermën që duhej të administronte. Sidoqoftë ai e bëri një shkollë. George Washingtoni ndoqi një një kurs special në kolegjin shumë të njohur për atë kohë “William and Mary”, që ndodhej në Williamsburg të Virginias.. Atje, në atë kolegj ai u diplomua si topograf dhe kontrollor tokash. Ndër kohë, qysh në rininë e parë, Washingtoni po dallohej edhe për aftësitë ushtarake. Në moshën njëzet e një vjeçare ai fitoi gradën e majorit. Në praktikën e përditshme Washingtoni po dukej gjithnjë e më shumë si një ushtarak i talentuar. Guvernmatori i Wirginias, i cili i kishte parë prirjet e tij , të shkathta prej oficeri, e thirri dhe i tha se do ta bënte komandant të ushtrisë për gjithë Virginian. George Washington e pranoi atë detyrë. Ishte viti 1755. Atëherë ai ishte vetëm 23 vjeç.

Më 1758 Washingtoni njihet me një vejushe të re, Marta Kustis. Ajo ishte 25 vjece dhe kishte dy fëmijë. Washingtoni ra në dashuri dhe u martua me të.

Në atë kohë , në mes të shekullit XVIII, Anglia kishte 13 koloni në Amerikën e Veriut. Njerëzit që jetonin nëper koloni quheshin kolonistë. Ata përgjithesisht ishin me origjinë angleze, irlandeze, holandeze, por kishte edhe nga nacionalitete të tjera.

Qeveritarët anglezë i detyronin kolonistët të paguanin taksa të ndryshme. Ndërkohë kolonistët nuk kishin përfaqësitë e tyre në qeverisjen e vendit. Kjo ishte një padrejtësi që kolonistët nuk po e duronin dot më. Mbreti i Anglisë, George i Tretë, nuk po i merrte parasysh kërkesat e kolonistëve. Ai qe i vendosur që kolonistët t`i bindeshin dhe të paguanin taksa vazhdimisht pa kundershtim. Populli i të 13 Kolonive Britanike po zjente atëherë nga shpirti i revoltës kundër sundimit shfrytëzues të Anglisë. Gjithë banorët e kolonive po përqafonin gjithnjë e më shumë sloganin: “No taxation without representatives”, që do të thoshte “jo taksa pa përfaqesuesit tanë”.

Ndërkohë, pas Paqes së Parisit të vitit 1763, në banorët e kolonive qe zgjuar edhe ndjenja e kombëtarisë. Kolonistët kishin filluar ta quanin veten jo “englezë”, po “englezo-amerikanë, ose vetëm amerikanë. Ishte koha kur qenë krijuar organizatat patriotike si “The sons of Liberty” dhe “Daughter of Liberty”, kur po dalloheshin mendimtarë e aktivistë të shquar si George Washingtoni, Patrik Henry, Samuel Adams, John Adams, Thomas Jefferson e të tjerë. Në këtë kohë Patrik Henry do të deklaronte trimërisht në sallën e përfaqësuesve të Virxhinias: “Give me liberty, or give me the death” (më jepni vdekje , ose liri), e thënë shkurt shqip, “Liri a vdekje”

Nga dita në ditë atmosfera revolucionare po bëhej gjithnjë e më shpërthyese në të gjitha kolonitë Britanike të Amerikës së Veriut. Shenja e parë e rëndësishme e stuhisë revolucionare ishte Masakra e Bostonit më 5 Mars,1770. Këtë ditë mijëra bostonianë dolën në revoltë popullore kundër sundueve anglezë. Ata ecnin duke hedhur parulla protestuese. Ushtarët britanikë, të pazotë për ta frenuar turmën e revoltuar, hapën zjarr mbi popull. Nga të shtënat u vranë pesë protestues dhe u plagosën me dhjetra të tjerë Kjo ngjarje e përgjakshme bëri bujë dhe jehona e saj u ndje në të gjitha kolonitë. Masakra e Bostonit u bë preludi i Revoilucionit Amerikan.

Me këte raast duhet të kujtojmë se ushtarët që qëlluan me armë zjarri mbi demonstruesit, si edhe ata që dhanë urdhërin, u akuzuan dhe dolën para gjyqit. Qeveria nuk ndërhyri te gjyqësori për këtë cështje; dhe e treta gjë, që mbahet mend, është se avokati mbrojtës për të pandehurit, do të ishte John Adams, një nga ideatorët e Revolucionit Amerikan, i cili do të zgjidhej pas Washintonit, Presisenti i Dytë i Amerikës.

Tre vjet më vonë, më 16 Dhjetor, 1973, një grup patriotësh, të maskuar me veshje si indianë u futën në anijet e ngarkuara me pako të medha çaji, të cilat i hodhën në det në gjirin e Bostonit . Për këtë aksion patriotik antiqeveritar, juristi John Adams, do të shprehej: “This is the most magnificent movement of all”. (Kjo është më madhështore se të gjitha lëvizjet).

Pastaj, pas dy vjetësh, në Prill 1775, shpërtheu beteja e Lexingtonit, që u bë fillimi i pandalshëm i revolucionit Amerikan që po ndizej në të gjitha kolonitë Britanike.

Atëherë, në këto rrethana revolte dhe proteste masive, u mblodh në fshehtësi dhe në mënyrë shumë sekrete Kongresi Kontinental Amerikan, që filloi më 5 shtator 1774. Ky kongrese qysh në mbledhjen e tij të parë diskutoi për çështjen e pavarësisë së kolonive, por ende nuk vendosi të shpallte menjë- herë luftë për independencë. Megjithatë, kjo luftë dukej se ishte e pashmangëshme. Kolonistët tashmë e dinin se nuk kishin ç` prisnin më nga Anglia.

Në mbledhjen e tij të dytë, më 15 Qershor 1775, Kongresi Amerikan duke shqyrtuar për organizimin dhe drejtimin e një ushtrie që të përballonte luftën me Mbretërinë e Anglisë vendosi që të zgjidhte edhe komandantin e përgjithshëm të kësaj ushtrie. Kongresi aprovoi propozimin e juristit të njohur, John Adams, i cili sugjeroi që George Washingtoni të emërohej komandant i përgjithshëm i ushtrisë Amerikane. Do të ishte ky komandanti i famshëm, që si një strateg i talentuar njihte artin ushtarak, do të udhehiqte ushtrinë e Revolucionit Amerikan në tërë ato beteja fitimtare.

Pas gati një vit luftimesh, që nga koha kur George Washingtoni mori detyrën e kryekomandantit, Kongresi Amerikan më 4 Korrik 1776, do të shpallte Deklaratën e Pavarësisë. Ky lajm i shumëpritur u bë publik në sheshin para godinës shtetërore të Filadelfias më datën 8 korrik.. . Atë ditë Korriku një kambanë e madhe buçiti .( the Big Bell rang). Ajo kambanë, që peshon 943 kilogram ,e ka gjuhëzen e saj prej me shumë se 22 kilogram. Me buçitjet e saj kambana mblodhi në shesh mijëra e mijëra njerëz për të dëgjuar fjalët e Deklaratës së Pavarësisë. Ideatori dhe hartuesi kryesor i kësaj Deklaratre ishte Thomas Xhefersoni, i cili u quajt “Ati i Deklarates se Pavaresise”

Firmetari i pare i kesaj deklarate qe presidenti i Kongresit Kontinental, John Hancock, i cili e shkroi emrin e vet me shkronja të zmadhuara, duke thënë: “I guess King George will be able to read that” (Unë e marr me mend se mbreti do të arrijë ta lexoj kete.)

Në pjesën e parë Deklarata konfirmonte se njerëzit janë të barabartë para ligjit. Në pjesën e dytë flitet për qendrimin kritik ndaj mbretit të Anglisë, George i Tretë, i cili pat abuzuar me pushtetin dhe se kolonistët kishin të drejtë të rebeloheshin ndaj regjimit të tij. Dhe, në pjesën e tretë të këtij dokumenti historik deklarohej se kolonitë Britanike shpalleshin tani e përgjithëmonë “The United States of America” (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)

I mbështetur në parimet e Deklaratës së Pvarësisë, George Washingtoni do të udhëhiqte me trimëri e zgjuaresinë e një strategu të vërtetë ushtrinë revolutionare të Amerikës në sa e sa beteja të përgjakshme, duke nisur që nga beteja famëshme e Saratogës, te Long Island, Princeton, Trenton e deri te beteja e Yorktownit, më 19 Tetor 1781. Këtë ditë gjenerali anglez Lord Cornwellis me gjithë ushtrinë e tij prej 7,200 trupash iu dorëzua Komandës së Gjeneral Washingtonit. Dy ditë pas kësaj ngjarjeje banda e ushtrisë britanike do të këndonte këngën:

“The World turned upside down” qe do te thote se bota u kthye përmbys.

Me këtë betejë do të mbyllej epopeja heroike e popullit Amerikan për pavarësi.

Kështu në Amerikë u krijua një shtet i ri, dhe një komb i ri.

Ky shtet i ri do të njihej botërish , mbas shtatë vjet luftimesh, prej të gjitha vendeve, më datën 3 shtator, 1783, në bazë të vendimeve të Traktatit të Paqes, që u mbajt në Paris midis Mbretërisë së Anglisë dhe Sh.B.A-së.

Revolucioni Amerikan doli vërtetë fitimtar, por vendi nuk po qeverisej ende nga një kushtetutë e kompletuar. Në të vërtetë të trembëdhjetë Shtetet e Amerikës qenë marrëvesh që të administroheshin nga një dokument i titulluar “Artikuj të Konfederatës” (The Articles of Confederation), që ishin esencialisht vazhdimi i orientimeve të Kongresit të Dytë Kontinental.

Koha po kërkonte që Amerika të udhëhiqej nga një kushtetutë më e studjuar. Revolucionarët amerikanë progresivë e dinin që fitorja kundër anglezeve ishte vetëm fillimi. Ruajtja e fitores dhe forcimi i pushtetit qendror ishin shumë të rëndësishme. Lidhur me këtë problem midis ligjvënësve amerikanë lindi një debat i ashpër. Ishin krijuar dy grupe. Ata që kërkonin forcimin e pushtetit qendror, pra, qevrinë e gjithë kombit, quheshin Federalistë. Midis tyre ishin Washingtoni, Hamilton, Medison,Xheims Willson.

Aleksandër Hamilton, që kishte punuar për një kohë të gjatë si sekretar personal i Washingtonit, e shprehte hapur mospëlqimin e tij për “Artikujt e Konfederatës” “Kombi, shkruante ai, është si një i sëmurë, dhe që të shërohet do një ilaç të fortë dhe ky ilaç qartësonte ai, është një qeverisje e fortë nacionale”. Kurse ata që nuk donin një qveri të fortë nacionale, por një qeveri të fortë të shteteve të veçanta, u quajtën Antifederalistë. Këta të fundit nuk e donin një qeveri qendrore federative të fortë, sepse, sipas tyre, një qeveri e tillë fuqiplotë do të zëvendësonte tiraninë britanike me një tjetër qeveri të fuqishme. Midis opzitarëve antifederalistë, që nuk donin ratifikimin e kushtetutës ishte edhe revolucionari ardent i orëve të para të Revolucionit Amerikan, Patrik Henry, që arsyetonte se kështu me një qeveri qendrore të fortë “presidenti bëhet një zyrtar shumë i lartë, i cili fare lehtesisht kthehet në mbret”. Pra, midis 13 Shteteve të Bashkuara të Amerikës egzistonte një konfuzion politik përsa i përkiste administrimit shtetëror.

Në një atmosferë të tillë plot me debate dhe kundërshtime të ndërsjellta, në verën e vitit 1787 mblidhet në Philaadelphia Konventa Konstitucionale. Delegati brilant i kësaj konvente do të ishte Xhejmes Medison.. Ai ishte më i riu , por më i përgatituri, më i kulturuari, më profesionali për gjithë çëeshtjet konstitucionale. Ai do të ishte hartuesi kryesor i kushtetutës së re Amerikane, prandaj do të quhej nga të gjithë si “Ati i. Kushtetutës”.

Megjithë mesazhet dhe informacionet juridike që jepte me shumë mençuri Medisoni, mosmarrëveshjet nuk qenë sheshuar. Më në fund, delegati i Konectikut Roger Sherman propozoi kompromisin e tij të famshëm, që gjeti konsensus nga shumica. Në bazë të ketij kompromisi gjithë shtetet do të përfaqësoheshin në kongrese në mënyrë të barabartë, duke pasur në Senat nga dy senatorë secili, kurse popujt e shteteve do të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre për në dhomën e përfaqesuesve të popullit sipas sasisë së banorëve në menyrë proporcionale.

Si përfundim, pas shumë debatesh dhe polemikash Kushtetuta qe hartuar dhe më 17 Shtator të vitit 1787 ishte gati për t`u firmosur nga delegatët e pranishëm të shteteve. Shteti i Delawer-it e firmosi i pari Kushtetutën e re., më 7 Dhjetor 1787. Të fundit e firmosën delegatët e shtetit Rhode Island, në Majin e vitit 1790.

* * *

Ishte e qartë për të gjithë se figura qendrore në Amerikë si gjatë Revolucionit dhe në vitet pas tij qe ajo e Xhorxh Washingtonit. Ai e kishte fituar dashurinë e popullit me trimërinë, zgjuarësinë dhe modestinë e tij. Pse e themi edhe me modestinë e tij? Së pari këtë anë të figurës së tij e tregojne biografet: kur Kongresi Kontinental Amerikan e propozoi Washingtonin si komandant të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, ai me modesti u deklaroi të pranishëmve: “Unë nuk e ndjej veten të zot për detyrën e komandantit”. Po Kongresi ishte i vendosur që atë funksion do t`ia besonte vetëm atij. Atëherë, me sinqeritetin e tij Washingtoni iu drejtua përsëri Kongresit, duke pohuar se po e pranonte detyrën e komandantit të pergjithshëm , po nuk pranonte të paguhej për atë shërbim në ushtrinë e revolucionit.

Washingtoni kishte fituar admirimin e gjithë popullit amerikan. Një gjeneral, bashkëluftëtar i kohës së tij, ka shkruar në kujtimet e e veta se “Xhorxh Washingtoni ishte i pari në luftë, i pari në kohë paqeje, i pari edhe në zemrat e bashkëqytetarëve”. Mirëpo siç thonë biografët, pas mbarimit të luftimeve Wahingtoni e ndjente veten të lodhur dhe nuk kishte synime për të marrë përsipër detyra të larta shteterore. Diku në biografinë e tij shkruhet se kur ikën ushtarët e fundit angleze nga Amerika dhe vendi qe çliruar përfundimisht nga sundimi i mbretit të Anglisë, Wahingtoni u tha bashkëluftëtarëve në një mbledhje të posaçme: “Ju e shikoni se si më janë bërë gri flokët nga thinjat në luftime. Shikimi më është dobësuar. Tani unë jam duke e zbritur kodrën, jam 52 vjeç. Tani unë dua të shkoj në shtëpinë time”. Deshte të clodhej. Dhe vërtetë ai vajti në shtepinë e tij, në Mount Vernon, në fermën e vetë, ku e priste familja. Po nuk kishin kaluar dhe aq shumë ditë që kur Washingtoni, pat mbrrijtur atje, kur i vjen pa pritur një letër nga shokët e tij prej Filadelfias.

“Lexoma, ti Martha,” i tha së shoqes.

“Shokët e tu janë mbledhur për të bërë ligjet në një kuvend, po ata të kërkojnë ty që të jesh në krye - foli Martha duke lexuar letrën me kujdes.

“Unë kam nevojë të rri këtu në fermë”, tha ai sapo dëgjoi ato fjalë të Marthës.

“Ndërsa vendi ka nevojë për ty” ia ktheu ajo duke buzëqeshur. Atëherë Washingtoni mori rrugën ende i paqetësuar, dhe shkoi në mbledhjen e Filadelfias, ku delegatët e zgjodhën President të Konventës Konstitucionale. Për meritat e tij të larta gjatë luftës si gjeneral i shkëlqyer si edhe për përkushtimin ndaj popullit,

Kongresi e zgjodhi Washingtonin në mënyrë unanime Presidentin e Parë të Sh.B.A-së më 30 Prill të vitit 1789. Washingtoni qe futur thellë në zemrën e popullit, qe bërë pjesë e ndërgjegjes së popullit dhe kombit të ri Amerikan. Ai u zgjodh president edhe për katër vjetet e legjislaturës se dytë. Po kur i propozuan Washingtonit edhe për radhën e tretë, ai jo vetëm nuk pranoi, po la edhe një porosi që asnjë president të mos zgjidhej më shumë se dy herë radhazi”. Kjo këshillë e tij u pranua dhe u bë ligj e normë morale në politikën amerikane. Ky është një shembull i shkëlqyer nga i cili mund të mesojnë gjithë presidentët e botës, gjithë kryetarët e qeverive dhe të partive politike. Një veprim i tillë poliotik dhe konstitucional shmang kultin e individit si edhe autoritarizmin e liderit, gjoja, “të pazëvendësueshëm”.

Xhorxh Washingtoni, që u shqua si një strateg i Revolucionit Amerikan dhe drejtues i sigurt i jetës së vendit, ishte edhe një diplomat largpamës. Biografët e tij shkruajnë se ai qe edhe një vizionar i mprehtë në arenën diplomatike. Filozofia e tij në fushën e politikës së jashtme ishte ajo e ekuilibrit të Amerikës. Në atë kohë ai kishte mendimin që te evitoheshin aleancat ushtarake dhe veprimet luftarake që nuk kishin të bënin me zhvillimin e vendit.. Gjithë energjitë dhe resurset e Amerikës duhet të përdoreshin për fuqizimin e Amerikës, për forcimin e ekonomisë së saj.

Në kohën e presidencës së Washingtonit lindi një mosmarreveshje lidhur me politikën e jashtme. Konkretisht, në një konflikt anglo-francez, Thomas Xhefersoni kërkonte që SHBA të mbështeste Francën e të merrte anën e saj, kurse Aleksandër Hamilton këmbengulte që Amerika të mbështeste Anglinë e të anonte nga Anglia. Në këto momente kritike dhe delikate për shtetin e ri Amerikan, u desh gjykimi largpamës i Presidentit Washington, që mbrojti idenë e neutralitetit të Amerikës në konfliktin midis dy fuqive të mëdha ndërluftuese të kohës në Europë, Francës dhe Anglisë. Siç tregon në librin e vet Marian Leighton, me zgjuarsinë e tij diplomatike, Presidenti Wahington orientoi situatën dhe politikën e jashtëme, duke theksuar se “Amerika nuik kish as miq e aleanca të përherëshme dhe as armiq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme.”

Presidenti i parë i Amerikës, George Wahington, vdiq më 14 dhjetor 1799, në Mount Vernon, në moshën 67 vjeç. Ai u nda fizikisht nga gjiri i shoqerisë Amerikane, por ngeli i gjallë e i nderuar në kujtesën e mbarë popullit, si simboli i unitetit amerikan. Mjafton të themi se kryeqyteti i SHBA-së, Wahington DC mban emrin e tij,. Ai është i vetmi president emrin e të cilit e mban një shtet në Amerikë.. Shumë rrugë, sheshe dhe institucione mbajnë gjithashtu emrin e tij. Për gjithë meritat e tij prej strategu , ligjvënësi dhe udhëheqësi me mendje të ndritur, Xhorxh Washingtoni u quajt me gjalljen e tij “Ati i vendit të vet”.

---

Bibliografi

David A. Adler, “George Washington Father of Our Country” NY, 1995
Dorothy and Thomas Hoobler, “George Washington and Presidents` Day”, NY, I990
Gordon Wood, “The American Revolution”, Modern Library “, NY, 2002.
James Davidson, “The American Nation”, Prenticed Hall, 1995
Lorraine C. Smith and Nancy Nici Mare, “Insights For Today”, Boston,
Marian Leighton, “ Georgge Washington”,Baronet boks, NY., 1997

Aristotel Mici


  1. Nxijerr nga : Revista Gazeta Kritika 16/09/2011 | 16:50:29 - nënamza Dorëshkrim - Internet; në internet