Hakif Bajrami: Ato që nuk dini për Enver Hoxhën

Dy fjalë si hyrje

Në këtë 110 vjetor të lindjes së ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë Enver Hoxha, ka një dilemë, më shumë të pashprehur se sa të deklaruar. A duhet kujtuar Enveri? Nga shumë lexues të DITA-s, na kërkohej që të shkruanim, me doemos. Mirëpo, si? Në një kohë që Enveri dhe epoka e tij është anatemuar skajshmërisht, të flasësh ndonjë fjalë të mirë për atë kohë duket ende si një herezi. Sidomos nga politika. Ndaj dhe kanë ndodhur paradokse të çuditshme: flitet për luftën antifashiste nacionalçlirimtare, por nuk përmendet komandanti i saj. Enverit i përmenden burgjet dhe dhuna gjate viteve të sundimit të tij. Por ata që bënë luftën, ata që derdhën djersë pa kursim për ngritjen e Shqipërisë, madje dhe historianë e studiues seriozë janë më racionalë, mendojnë dhe argumentojnë ndryshe. Janë më objektivë në gjykimet e tyre…

Njëri nga këta është padyshim Hakif Bajrami, një historian i njohur nga Kosova, i cili në këtë 110-vjetor të Enverit solli në DITA këtë shkrim ekskluziv për ish-udhëheqësin komunist, me fakte dhe dëshmi të panjohura për figurën komplekse të tij, pa u tutur se mund të dalin disa e ta anatemojnë.

Duke e falënderuar Profesorin dhe për bashkëpunimin e herëpashershëm me gazetën tonë, dhe sidomos për këtë shkrim të guximshëm që po botojmë, pa i ndryshuar asnjë presje, jo vetëm qëndrimeve dhe analizës së tij, madje edhe duke lejuar edhe ndonjë gabim ortografik.

Përgatiti për botim Xhevdet Shehu Enver Hoxha dhe shqiptarët në majë të thikës, të dhunuar ideologjikisht nga Lindja dhe Perëndimi

Dr. Hakif Bajrami

Në një fond arkivor më 1974, pata hasë në një karikaturë. Aty ishte vizatuar një gomar. Karikaturisti ia kishte vënë emrin “ALBANIA”. Shqipërinë e shkretë nga e majta e kishin plagosur me shigjetë ruse mu në kokë; gjermanët në qafë, ndërsa austriakët në kurriz. Në anën e djathtë Gomarin “Albania” e kishin plagosur rëndë me shigjetë: anglezët në sy, francezët në mushkri, Italianët në veshkë duke ia thyer dy këmbët e pasme. Si të jetojë i shkreti gomar me këto plagë në trup?

Përgjigjen nuk është vështirë ta japim por është më vështirë ta përjetojmë dhe të kthehemi në historinë tone tragjike, edhe pse luftën çlirimtare kurrë nuk e kemi ndalur, por prapë jemi ndrydhur dhe nënçmuar sikur të ishim “belaja” e Evropës. Nuk është fjala këtu te feja, as te ideologjitë, as te fakti se jemi vendas e të tjerët me përjashtim të Grekëve janë ardhacakë, por është fjala te një filozofi që nuk ka emër, nuk ka mbiemër, nuk ka “përgjigje”, sepse askush sot nuk pyet pse ky popull është persekutuar kaq keq duke e copëtuar në gjashtë shtete?!! Dhe kush ndalet sot e ta sjellë në mendjen se çka ka ndodhur me muhaxhirët shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit. Jo, mjerimi i refugjatëve që sot po i ushqen peshkaqenët në Mesdhe, është ashtu si fati i shqiptarëve më 1876-1886, me 350 000 të mbetur pa kulm mbi kokë, me 28500 vrarë në mënyrë masive…

E mbi këto vrasje Serbia, Mali I Zi dhe Greqia kanë thurur heroizma dhe lavde. Gjashtë Fuqitë e Mëdha për këtë tragjedi ka thurur oda e lavdata se: “ma në fund e shporrëm osmanlinë nga Evropa” e ne nuk ishim fare osmanlinj, sepse në të kaluarën nuk mbeti vit pa u ngritur në kryengritje kolektive e lokale.)


Në Luftën Nacionalçlirimtare: 1939-1944 në Shqipërinë Bregdetare, u vranë 26.594 armiq, 20. 800 u zunë robër, dhjetëra mijë të tjerë u plagosen. Shqipërisë i kushtoi shumë shtrenjtë fitorja. 28 000 bij e bija të saj në lulen e rinisë bënë jetën fli. Për çdo kilometër katror një dëshmor; 12, 600 u plagosen, ndërsa 10 000 të tjerë u internuan në kampe përqendrimi”.(E Hoxha, Rreziku… për Shqipërinë, Tiranë 1982, f. 340). Të shënojmë këtu se Qeveria sovjetike e pranoi Qeverinë e Tiranës më 10 XI 1945. Ndërsa më 2 XII 1945 i kishte shpallë zgjedhjet parlamentare.

Lidhur me këtë deri më 18 maj 1946, jugosllavët dhe sovjetikët do të kanë mjaftë hapësirë prapa shpinës së KANÇ-së, kur Londra kishte lajmëruar në Beograd se misioni britanik nisej për në Shqipëri.

Misioni i ambasadorit britanik do të ndalohet me të kuptuar se më 15 maj 1946 anijet britanike ‘Superb” e “Orion” ishin fundosur afër Sarandës. Këtë fundosje, sipas dokumenteve sekrete jugosllave, titistët e kishin bërë aq tragjike, edhe pse nuk mund të thuhet se nuk ishte, sa që kishin propozuar që hakmarrjes t’i bashkohen me një njësi desante kah deti për t’u stacionuar në Durrës. Ky plan rankoviqisto-titist ishte koduar me shifrën “Durrësi 1”, me dallim që një vit më vonë zbarkimi i Divizionit Kupresjaninit do quhet “Korça 2”. Lidhur me këtë intrigat dhe inskenimet nuk do të pushojnë nga UDB dhe KGB në asnjë etapë, here hapur e herë heshtur. Prapë më duhet të them se me intrigat UDB+CIA ishte zbuluar se ku gjendet ari shqiptar në Gjermaninë e rrënuar.


Enver Hoxha do të hidhërohet pa masë ndaj titistëve, kur Qamil Luzha ia dërgoi Raportin e Komitetit Demokratik Shqiptar, të përpiluar nga Prof, Ibrahim Kelmendi (Preshevar) ku prezantoheshin statistikat e krimeve nga Ushtria dhe komuniste-çetnikët e rehabilituar (21 Xi 1944 nga Kryesia e AVNOJ-it) të Titos deri më 1947).

Në Raport, profesor, Ibrahim Kelmendi i shpreh ngushëllime Qamil Luzhës për vrasjen mizore të vëllait, Asim Luzhës nga komunistët e Millovan Gjillasit dhe A. Rankoviqit.

Ja ai raport, të cilin pastaj e botoi edhe “Kosova e Lirë” si dhe Hamdi Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit, në Kairo.

Ja faktet: “Prej mizorive serbo-çetnike gjatë viteve 1945-1947 nëpër Kosovë janë likuiduar: në Gjilan dhe rrethinë 7954 veta, në Drenicë 4820 veta, ku do të prezantohet se Shaban Polluzha u kthye nga Podujeva për ta bërë vdekjen HEROIKISHT në Drenicë, pasi që S. Gjakoviqi, Krsta Filipoviqi, Sergja dhe Pera Brajeviq i kishin maskaruar 24 shqiptarë dhe i kishin “varrosur” nën akullin e Lumit Drenica, pastaj në Tivar 4200 veta, në Tetovë 4100 veta, në Bihor të Sanxhakut 3820 veta (varianti i më parmë 9237 veta), në Prishtinë 3675 veta, në Pejë 3540 veta, në Mitrovicë dhe rrethinë 1970 veta, në Llap 1670 veta, në Sanxhak 1410 veta, në Shkup dhe rrethinë1450 veta, në Ferizaj 1260 veta, në Gostivar 750 veta, në Plavë-Gusi 710 veta, në Rahovec 750 veta, në Rozhajë 715 veta, në Kumanovë 780 veta, në Preshevë 690 veta, në Dragash 500 veta, në Kërçovë 490 veta, në Ulqin dhe rrethinë 515 veta, në Suharekë 420 veta, në Dubrovnik 120 veta, në Trogir –Trieshtë 85 veta, në Deçan 70 veta, në Vërshac 15 veta, në luftimet Sarajevë-Zagreb-Maribor likuidohen pas shpine 65 udhëheqës shqiptar”. (Arkiva e K.D. Sh. Krimet 93/94, K. 25/45/47).

Këto fakte e kthyen Enverin për 180 shkallë kundër Titos dhe “miqësisë” tij me thikë pas shpine, por për çështje të Informbyrosë, ku PKSh nuk ishte anëtare fare.

Enver Hoxhën do ta kthej në kritikues të revizionizmit dhe social-imperializmit jugosllav edhe fakti që e mësoi nga një korrespodencë me pseudonim “Asime Gjakova nga Stambolli”, e cila ia prezantonte Shtabin e Rankoviqit për shpërnguljen e shqiptarëve në Vilajetin Mysh të Anatolisë në bazë të Marrëveshjes Xhentelmne Tito-Kyprili 1953, Split.

Ja emrat e Shtabit: Aleksander Rankoviq, kryetar i KEF-it, Kerste Cervekovsi, Svetislalv Stefanoviq, Millna Bartosh, Leo Grishkoviq, Vojkan Llukiq, Marko Vuçkoviq, Pavle Iviçeviq. Ky shtab deri më 1966 do t’i deportojë së pari në Maqedoni e pastaj prej këndej në Turqi 415000 shqiptarë, boshnjakë dhe turq. Mu për këtë në Tiranë më 1956 do të shpërthejnë kundërshtimet, prej kah Panjot Plaku një vit më vonë do të transferohet në Jugosllavi, prej kah do të kërkojë mbështetjen e Nikita Hrushovit e kompanisë. Dokumente sekrete ende nuk janë botuar, e ato janë edhe në Tiranë e Beograd!!!

Enver Hoxha për sjelljet e tij ndaj kundërshtarëve ideologjik në rrethanat që janë sot, nuk mund të arsyetohen, por në rrethanat e Luftës së Ftoftë, ku për çdo ditë ka pasur diversione për ta vrarë dhe për ta ndarë Shqipërinë, për ta shfarosur popullin Shqiptar në Jugosllavi, (sepse ai në Çamëri ishte shfarosë), e që të paktën me propagandë civilizuese është angazhuar të mësojë bota, kjo nuk mund t’i mohohet.

E di që sot është vështirë ta valorizosh një politikë totalitare, por shkenca tani është në pozitë që ta thotë të vërtetën. Në këtë drejtim edhe unë kam të meta në vlerësime nga viti 1873 e deri më 1983. Por më vonë çdo gjë e kemi pasur të njohur, vetëm që “aeroplani i havarisur” është dashur të zbres në tokë, pa pasoja të mëdha shoqërore dhe politike.


Shqipëria ishte më 1939, kur u okupua ishte një vend agrar. Në saje të rreshtimit patriotik me kohë do të shpërthej kryengritja, e cila nga viti 1941, me program do të drejtohet për çlirimin e vendit nga okupatori. Ajo kryengritje nuk ka mundur të realizohet me sukses pa e krijuar forcën e armatosur për një luftë të drejtë, duke u lidhur në çdo etapë me popullin. Historia e këtij ngadhënjimi shënohet në dokumentet e PKSH-PPSH e zhvilluar nëpër tri etapa: Etapa antiimperialiste, ku në fillim luftohet pushteti okupues fashist dhe ai nazist, për të vijuar me një luftë të pandërprerë për të filluar Etapa e dytë, për ndërtimin e bazës ekonomike, duke shkatërruar pronën çifligare dhe tregun kapitalist. Etapa e tretë e ndërtimit shoqërisë plotë socialiste, ku PKSH-PPSh peshonte në Frontin Demokratik.

E vërteta është se nuk ka pengesë dhe gjykim apo dënim që iu ka shqiptuar individit apo grupit, në këtë sistem e që nuk e ka pasur shenjën e PKJ-ës, (UDB-së), KGB dhe CIA, por të gjitha janë me dokumente “Made in Jugosllavia”.


Pse ndodhte kjo tragjedi? Jugosllavia gjithmonë ishte nën presion nga shqiptarët që i mbante nën robëri. Ajo masë (mbi gjysma e kombit) që në disa raste e nxinte vendin e dytë për kah ushtarët në Jugosllavi, konsiderohej si bombë me sahat. Prandaj për ta fashitur atë peshë politike, komplotet kurdiseshin në Shqipëri, për ta diciplinuar Shqiptarësinë Brenda e ku ndihma nga KGB-ja nuk ka munguar sidomos nga viti 1955 kur Hrushqovi e vizitoi Beogradin dhe i akordoi planet për shkatërrimin e komunizmit. Por ai komunizëm ekstrem do të shkatërrohet vetëm atëherë kur Shqiptarët nën robërinë jugosllave refuzuan pushtetin dhe kur nga burgu do të dalin patriotët që kishin qenë recidivist e së bashku me ta edhe Adem Demaçi, për ta filluar Epokën e tij, Epokën e luftës së armatosur për çlirimin definitive të Republikës Kosovës, së cilës ia dolën krah ma në fund e përkrahën edhe forcat e NATO-s.

Lidhur me këtë duhet konstatuar se ndërtimi i Republikës Kosovës ka filluar nga viti 1945 dhe është zhvilluar nëpër etapa të vështira politike. Por, fitorja nuk ka mundur të sigurohet pa krisë lufta në mes sllavëve, pa u shkatërruar hapësira unike jugosllave, për çka Enver Hoxha në çdo kohë ka qenë kritik i saj dhe e ka emërtuar si shtet burg i popujve.


U lakmova gjermanëve


Më 3 shtator 2018 hyra në një hotel, në “Gërmi” ku shkruante se është përgatitur për një koktej ku gjermanët do ta festonin bashkimin. U lakmova, dhe pa emocione më shkuan lotët. Ç’faj kemi bërë ne shqiptarët që nuk guxojmë ta përmendim bashkimin as në Perëndim e në Lindje jo se JO. U ktheva në shtëpi dhe mendova se Enver Hoxha është drejtuesi me kohë ma të gjatë i Shqipërisë Bregdetare, dhe sa herë që e ka përmend Shqipërinë Kontinentale ka qenë i anatemuar në Lindje dhe Perëndim. Pra jo për shkak të ideologjisë, por për shkak se kombi i tij duhej të mbetet i ndarë copa-copa, e për këtë plagë kombëtare nuk pushoi kurrë pa folur e akuzuar nga çdo pozitë dhe hapësirë, ata që e kurdisën dhe e realizuan copëtimin. Pra, tjetër çështje është çka, si dhe pse ka sunduar me një totalitarizëm që është pjesëtuar në dy hapësira. Në të parën, Enverit, mund t’i përshkruhen mjaft suksese dhe gabime, të cilat duhet objektivizohen (jo të arsyetohen), të ngjizura me rrethanat e Luftës së Ftoftë. Në të dytën (Shqipërinë Kontinentale-tokë shqiptare mijëra-vjeçare, Çamëria e shkretuar me gjenocid nga greku, por me dalje solide në det.

Jo, jo Enver Hoxha, pak ka kritikuar dhe pak ka akuzuar!


Historia e hidhur krijon edhe iluzione


Tradhtitë ndaj kombit shqiptar të ushtruara nga Gjashtë Fuqitë Evropiane (1878,1913, 1919, më 1946 edhe shumë fuqi tjera ngadhënjyese mbi Nazifashizmin) për 75 vjet nuk kanë pasur shpresë, nëse nuk reagojnë civilizueshëm, me greva, demonstrata e luftë të drejtë, se për ndryshe do ta pësonin fatin e Sanxhakut Nishit (1877/8), që me gjenocid u shfarosen 714 lokalitete dhe 6 qytete me shumicë absolute dhe relative shqiptare, dhe, për këtë sot është bërë temë tabu të flitet në Evropë. Nuk duhet harruar këtu as Çamërinë e shfarosur nga neofashistet grek. E Evropa duhet ta dijë por nuk do ta dijë se shqiptarët i kanë bërë 54 kryengritje kundër Turqisë, por në fund (1912/3) janë dënuar e copëtuar sikur të ishin kriminelët e kohës së Luftës Dytë Botërore.


Mjaft arkiva evropiane, aziatike dhe amerikane i kam hulumtuar. Të gjitha dokumentet relevante të rreshtojnë që në përpjekjet e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë Etnike, sidomos më 1919, është dashur si rreshtim të shfaqet ideologjia socialdemokrate (majtiste), sepse fuqia e të djathtëve na kishte prerë trupin copa-copa nga viti 1856 e deri më 1913.

Në këtë drejtim rreshtimi majtist, ma i rëndësishmi tani për tani mbetet. Ali Kelmendi dhe lidhjet e tij të para me Kominternin (1919…). Këtij rreshtimi do t’i bashkohen në vijim edhe ca intelektualë dhe punëtorë patriotë shqiptarë, gjithnjë për ta siguruar “shpresën se me metoda revolucionare do të arrijnë bashkimin dhe lirinë e ëndërruar dhe të paguar me vargojë gjaku, ku nuk kanë marrë pjesë vetëm soldateskat e fqinjëve por edhe tradhtia e Stambollit dhe grupet e mobilizuara kryqëzatë oficerësh nga Evropa(1912). Analizoni sa oficerë të Gjashtë Fuqive Evropiane ishin rreshtuar për ta luftuar deri në vdekje luftën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), sa në Luftën Ballkanike (1912- nja 614 oficerë të lartë evropian, kundër shqiptarëve me nga një martinë dhe me nga 10 -20 plumba e fqinjët sa topa i fituan vetëm nga Vjena, Berlini, Peterburgu e Parisi, shifrat dihen.

Jo, jo Enver Hoxha pak ka kritikuar, por iu kanë frikësuar, sepse ishte intelektual që as nuk shitej e as nuk blihej me asgjë, si paraardhësit e tij. Në Perëndim kishte fituar një kulture solide franceze e ku frekuentonte edhe Sejfullah Maleshova etj.


Kur e analizojmë të majtën politike Evropiane, sikur nuk duhet heshtur se tërë Evropa vlonte në damar për republikanizëm dhe kushtetutshmëri e liri për çdo kënd, gjithnjë për ta shpëtuar popullin në rend të parë nga monarkitë dhe fashizmi ekskluziv urrejtës (1945).

Nuk ka qenë në fillim majtizmi (socialdemokracia) dhe komunizmi i urrejtur në fazat e para të jetës, sepse po të urrehej nuk do ta dekoronte Londra Stalinin me “Shpatën e artë” dhe në grade “generalisimus”. Shtrohet pyetja pse Perëndimi bashkëpunonte me te, e ne shqiptarët e paskemi pasur të ndaluar.

E vërtetë është se duke e marrë pushtetin totalitarizmi ekstrem Leninist dhe Stalinist edhe në Tiranë, prej të cilit (totalitarizëm) do të pësojnë me mija njerëz, vetëm pse mendojnë ndryshe (djathtas, apo social demokratë), dëshmohet lehtë se tirania e totalitarizmit po mbulohej me një parullë, që ishte joshëse: “Diktaturë e proletariatit”. Askush nuk mendonte në fillim se diktatura është diktaturë, pra nuk mund të bëhet dhuna, dashuri. Në këtë vale të “vetëtimave të kuqe”, që vranin dhe kthjellnin, do të ndeshen dy forca kundërshtare totalitare: fashizmi dhe komunizmi. Duke e luftuar njërën dhe tjetrën ideologji me paradigmë “demokratike”, në vendet tjera përpos Gjermanisë, Italisë dhe BRSS, të tjerat do të mbesin të zhveshura pjesërisht nga mundësia të futën në “vallen e re”, për rindarje të botës dhe për stabilizim në te.


Lidhur me këtë, nga viti 1878, në Evropë, populli liridashës nëse donte të rreshtohej drejtë në fitore, i kishte TRI kushte nga Gjashtë Fuqitë e mëdha:

Të ishe anti islam,

Të ishte anti -turk (1908) dhe

Të ishte pro Vaselenës, sipas Paqes së Krimesë 1856.


Në mes dy Luftërave Botërore, filozofia e rreshtimit ndryshoi, edhe pse ishte matematikor: 1+1+1. E përkthyer ai rreshtim duhej të ishte: Anti gjerman; Anti Komintern; Pro Vatikanit, sepse fjalën kryesore e mori Franca, si djep i “kulturës së revolucioneve” racionale dhe SHBA si bërthama e evolucionit empirik. Kuptohet kulturën revolucionare e përvetësuan disa intelektualë shqiptarë, pasi që klasë punëtore të “civilizuar” nuk kishin. Për këtë primat do të fillojë përgatitja dhe zbatimi i planeve totalitare në Moskë dhe Perëndim në stilin: “o ne, o ata” e që u zbërthye në Luftën e Dytë Botërore.


Enver Hoxha përballë Koçi Xoxes

Triumfalizmi nuk ka ilaç pas çdo lufte cilado qoftë ajo

Gabimi fillestar i fituesve të Luftës Dytë Botërore Antifashiste Nacionalçlirimtare, pushon në faktin se totalitarizmi, carizmi, mbretëria, fashizmi i përngjan totalitarizmit komunist ekskluziv, majtist në shumë mese me shumë përgjegjësi kolektive dhe idividuale, kryesisht e bazuar në “dheun” ideologjik. Në këtë shkrim, filozofik politik dhe historik juridik, nuk kemi për qëllim ta shfajësojmë apo akuzojmë pa fakte arkivore askënd, e që ato dokumente janë të përthekuara, të hulumtuara anë e kënd botës. Por, Enver Hoxha me përjashtim të të gjithë majtistëve fitimtarë më 1946, ma i ndrydhuri do të mbetet në histori, sepse mbi gjysma e trojeve të kombit i mbeti në duar të atyre që e kishin lëshuar si premtim se gabimet e Fuqive imperialiste (1918-1941), do të përmirësojmë si ato të Berlinit 1878, Londrës 1913, Versajës 1919. Kështu i rënduar nga premtimet dhe idealizmi fatamorganë, plus lakmia për të qenë burri i parë që bashkon dhe “sundon” e sundohet, nga jo egoja e tij, do të hasë në pengesën e parë në Paris më 1946, duke menduar menjëherë se është në iluzione, se asgjë nuk do të përmirësohet.


Kështu, në hapin e parë Enver Hoxha, do të “mësohet” se ruajtja e Shqipërisë (pushtetit) arrihet me forcë solide duke pasur përkrahës përbrenda dhe aleatë përjashta shtetit. Po, në Paris Enver Hoxha do të mësojë se ky personalitet në atë qendër të masonerisë, ishte diçka i veçantë. Ndërsa, lufta dhe populli i tij ishin të një tretmani që nuk bëhej askujt aq egërsisht, sepse kombi i tij ishte po ai i anatemuari më 1878, 1913, 1919. Kuptohet se aty për aty do t’i kujtohet se çka i kishin thënë përfaqësuesit e ShBA dhe Britanisë në Tiranë në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 1945: “ Shtypi duhet të jetë i lirë, të lejohet oponenca politike, ekonomia e tregut garantohet nëse doni të jemi miq’. Ky është çmimi. Natyrisht, në bazë të dokumenteve greku kishte marrë pozitë agresive dhe nxirrte zjarr nga goja në atë aeropag të përsëritur në Paris më 1946. Jugosllavët kishin nxënë pusi dhe e “mbronin të shkretën Shqipëri”, me të vetmin fakt që mos të nxirret çështja e Kosovës sikurse me 1913 dhe 1919. E ata që vrisnin e kthjellnin ua kishin kujtuar delegatëve të Enverit, Konventën e Lonzanës (1923-Turqi-Greqi për këmbim të popullsisë), kurse titistët rrinin me Konventën Turqi-Jugosllavi 1938 në xhep, dhe mbi të e mbanin një “facoletë të kuqe”, për ta përdorur tri vite më vonë. Maskimi i jugosllavëve në Paris ishte shumë profitbil për nja tri vjet, dhe më 1949 doli tymi “kasollës” përbrenda, duke kurdisur arratisje masive të shqiptarëve nga Shqipëria Bregdetare në atë Kontinetale, dukuri kjo që mbulohej me ‘facoletën e kuqe’ dhe me thikë në gjoks për të gjithë emigrantët, po nuk u bënë agjentë të Dushan Mugoshës, i cli here afër Triestës e herë në Kretë i intervistonte që të kthehen në Tiranë në stilin “Ahmet Zogolli ‘24”.


Enver Hoxhës deri sa ishte në Paris (1946), jugosllavët pas shpine ia kurdisën një “teneqexhi”, për t’u vëllazëruar me farkatarin, Tito, për kah profesionet dhe ideologjia e diktatura e proletariatit. Prandaj me çdo mjet e forcuan Koçi Xoxën, sepse frankofoni (Hoxha) dukej tepër intelektual, madje “aristokrat”, që synon të instalojë ideologji bekatashiane, që do të thoshte se të gjithë shqiptarët duhet të “vlojnë” nga dituria, si Naimi e Samiu, dhe etja për shkollë e Hasan Prishtinës, aftësia për ta nxjerr diturinë e hollë nga oda kombëtare si At Fishta. Madje ata bastardë (Koçi Xoxe që frekuentonte në Kosovë me Gjoka Pajkoviqin sikur të ishin bineq të Sijamit-hb) do ta përkujtojnë një detal nga arkivi i Millan Stojadiniviqit në vitin 1937, se në Beograd i kemi pesë studentë shqiptarë, dhe do ta kemi shumë vështirë të i amortizojmë intelektualisht, pra mbetej vetëm shembulli i “atentatit Sarajevës 1914” ndaj Hoxhës dhe shkollat që ishin hapur duheshin të mbyllën. Ja kështu ia mendonin sundimin jugosllavët “vëllait” ideologjik publik të Tiranës, për tri vite (deri më 1948).

Nuk do të vonojë dhe më 1947 Enver Hoxha, do të këmbej letra me Leo Fraindllingun (autorin e publikimit ‘Golgota shqiptare”, Vjenë 1913).Të gjitha letrat e Enverit, do t’i klasifikohen dhe ruhen me kujdes si fotokopje në Beograd. Po, nuk dihet(!!!) kah i ishin plasuar informatat Enverit, për mizoritë ndaj shqiptarëve në Bihor (1942/3) që janë gjenocid më i rendë i serbianëve mbi shqiptarë, se sa ai që ka ndodhur, në Srebrenicë (1995 në besë të OKB). Si na ka treguar personalisht, informatën ia kishte plasuar Enver Hoxhës Qamil Luxha përmes Zekeria Rexhës, kuptohet në besë të shqiptarit. Por, Enveri nuk do të ndalet vetëm me çështjen e Bihorit, por do ta lëvizë duke treguar tragjedinë në Tetovë më 1945, tragjedinë në Drenicë, dhe rrjedhimisht në Tivar, Dubrovnik dhe Trogir (1945). Akuza eksterritoriale e mbështjellë me ideologji është shprehur në librin: Titistët,Tiranë 1982, për çka nuk e di pse nuk është zhveshë çdo gjë. Dhe nuk është zhveshë për faktin se nëse lexohet libri me kujdes prej analizës filozofike historike, del se Enveri kishte aty edhe nja dy-tre ndihmës “ortografikë”.


Ideologjinë “armiqësore” në Ballkan e importuan në masën ma të egër rusët dhe bullgarët, të cilën jugosllavët e kishin të konvertuar me kohë në “ërrfi” antishqiptare duke vendosur edhe Diktaturë ushtarake më 8 shkurt 1945 pa asnjë arsye politike e ushtarake, ku pastaj një shqiptar duhej të dënohej i shoqëruar me të gjithë; të gjithë duhej dënuar të izoluar nga njëshi.

Kështu sërish lindi “partia e lumturisë”, koloniale duke krijuar kampe të përqendrimit të cilat u nominuan si kooperativa “bujqësore”, ku vajza e shqiptarit duhej të martohej me djalin e serbit kolonist për të u “trashë” miqësia në mes popujve, ndërsa djali i shqiptarit duhej të martohej me vajzën e sllavit kolonist, për të u krijuar kombi integral homogjen jugosllavë. Kështu filloi edhe epoka e likuidimit të kundërshtarëve ideologjikë dhe personal, motiv dhe praktikë kjo e njohur nga Revolucioni Francez 1789, edhe në Jugosllavi, por edhe në Shqipëri. Kështu nga Pretenca e Bedri Spahiut del hapur se Anton Arapi dhe Bahri Omari nuk ishte dashur të pushkatohen, por direktiva erdhi nga “Farkatari’ Titoja, te “teneqexhia”, Xoxe dhe faji kuptohet do t’i mbetet historikisht Enverit.

Enver Hoxha posa erdhi në pushtet kur edhe aprovohet Kushtetuta (1946), nga pozita politike aspiron nivelizimin social të tërë godinës shoqërore me një kolektivizim Bolshevik, të cilin e “njihte” nga librat e “blerta” të Leninit, pa e njohur fare rusishten. Me këtë fakt, shkaktoi armiqësi brenda shoqërisë e cila në mënyrë perfide sponsorizohet nga jashtë, me qëllimin ekstrem që Shqipëri mos të ketë fare: (Çerçilli, Ndarja e Ballkanit si prona ndikimi në një pako të cigares ku Shqipëria nuk figuron fare, kuptohet në prani të Stalinit dhe Ruzveltit). Si duket tek të mëdhenjtë nuk janë kuptuar diskonvergjencat sociale me atrofinë nacionale ballkanike.

Po kush ishin shqiptarët për Çerchillin. Kështu socialja në rrafshin politik “filantropik”, e akuzon Enver Hoxhën për shumë padrejtësi fillestare, të cilat janë transferuar në armiqësi të kolektivitetit “kuq” me vuajtjen që ndrydhin botën që po transplantohej në muskujt e Luftës së Ftoftë.

Në këto rrethana, nëse nacionalja “insuficiente”, nuk ka shprehur retorikë për valorizim të ideologjisë (lexo: Enver Hoxha, Rreziku anglo amerikan për Shqipërinë…), atëherë duhet të nxirret një rrënjë katrore psikologjike se Enveri Hoxha ka jetuar me frikë të “hijeve afër tij”. Këtu shihet se çdo oponentit politik i qorrohet të pamunit dhe tërë realiteti shoqëror, kalon në atë fabulën e Ezopit: “Nëna dhe djali“-Nuk është tragjedi të të kam lindur të verbër, por është tragjedi që po rren dhe po kërcënon”!. Kjo e vërtetë u lakuriqua në shoqërinë shqiptare më egërsisht se kurrë më 1949-1954, kur fiktivisht Tiranës iu kurdisën tri fronte lufte:

1 arratisja e kundërshtarëve ideologjik në Jugosllavi dhe në Greqi;

2 Kurdisja e një qeverie kuislinge në Prizren dhe në Shkup, me kryetar dhe ministri komplete-“Zogolli II”;

Me një qeveri në Nju Jork, që nuk dihej se kur dhe si do të kthehej pasi që Mid-hati ishte në “dializë” të CIA-s (lexo dokumente e deklasifikuara 2017).

Nuk shkruaj si politikan, as si i majtë e as i djathtë duke mbrojtur pazaret ideologjike të ditës për kohën atëhershme.

Lidhur me librat suficitar për interesa të kombit, nuk mund të alternohen si deficit ndaj kërkesave bie fjala pse shteti njëqindëvjeçar shqiptar sot, nuk ka Enciklopedi kombëtare. Ky realitet e ka ndrydhë realitetin duke i dhuruar përparësi ideologjisë, e cila ka përjashtuar futjen në enciklopedi, e cila nuk do të ishte selektive në asnjë rrethanë, prandaj shumë konstatime këtu duken se janë “rrufe pre qiellit”. Jo, shumë çka kam mësuar në “Leksiogarfski Zavod” ( Enti leksikografik të Zagrebit), ku tuboheshin kokat e ditura dhe flitej hapur e shkencërisht, jo pra për hatër por me fakte arkivore që janë ruajtur me kujdes.

Këtu edhe fillon gjakimi i fajeve që duhet të objektivizohen, për çdo regjim të kaluar në histori. Në këtë drejtim pushteti dhe ideologjia janë transferuar në konkavitet në të gjitha shoqëritë komuniste, diku më tepër e diku më perfidshëm, duke kërkuar prej armiqve jo mendim të njëjtë e “ideologji ma të kuqe se gjaku i Leninit e Stalinit”. Madje në Zagreb është folur e shkruar për krimet e njërit dhe tjetrit me fakte, por botimi sikur mbeti në gjysmë të rrugës, sepse Jugosllavia për fat të Shqiptarëve shkoi në varr pa kthim. Kërkesa që të botohet çdo gjë, i ishte bërë M. Kërlezhës nga PKJ(LKJ?), por shkrimtari i madh kroat kishte thënë: “Enciklopedia është çështje shkencore rreth 98% e ata 2% është a na jepni para, e a na besojnë”. Punën do ta keni të kryer perfekt, por nuk do të ju pëlqejë në prezantim”.


Në rastin e Shqipërisë së kuqe, dihet publikisht se populli i ka kënduar Partisë dhe Enverit për 50 vjet. Këndim nga respekti, nga interesi dhe nga frika, pa alternativë sikurse ngjanë edhe sot për shumë pushtetar. Lidhur me këtë, kur na kritikojnë nga jashtë, se “shqiptarët komunistë kanë qenë stalinistë”, shtrohet pyetja, po të ndihmohej vendi i Shqiponjave vetëm 10% nga ndihmat që i ka marrë Greqia apo Jugosllavia, ajo do të ishte sot një Zvicër e Ballkanit. Ose, pse Britania kishte të drejtë t’ia dhurojë Stalinit shpatën e artë dhe gradën generalisimus, e Shqipëria e cila më 1949/50 që ishte buzë invazionit jugosllav, apo ndarjes së saj me Greqinë (1953) të mos kërkoi ndihmë nga ata që ishin në pozitë të japin. Këtu shtrohet pyetja e mbylljes së vendit të Shqiponjave nga Brenda dhe nga jashtë. Në këtë rrafsh fatamorganë ka ekzistuar filozofia epistimologjike e “lodhjes së kundërshtarëve”, por moslejimin e lëvizjes së lirë brenda, e cila politikë nuk e arsyeton asnjë racionalizëm totalitar ‘shkencor’ filozofik.

Semantika e të gjitha kritikave të figurës së Enver Hoxhës mund të plasohet sot në moton se asgjë “nuk ishte meritore”. Madje, kjo “kritikë” ka shkuar aq larg sa që ia ka kaluar propagandës titiste dhe UDB-ës kriminale, në çdo aspekt. Erozioni i atij sistemi sikur përpiqet të bëjë dallime se në” sistemin e farkëtarit (Titos) “ka qenë më mire”, ndërsa sikur paska qenë më mire të fitonte në Tiranë teneqexhia, Koçi Xoxe e jo intelektuali Enver, dhe atje dhe këtu do të bëhej më mire, sepse në të dy anët do të kishim terror të njëjtë titist, e ai që ishte enverist, ia ndiejmë peshën më tmerrshëm sepse është “ i yni, made in Albania”, kujtesë për kritikë që sa ishte gjallë ishin sekretar partie e çka jo, e pas vitit 1991 filluan me fraza demokratike, por më 1997 u pa aftësia e tyre, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. U provua të shkatërrohet Shqipëria, në mënyrë që Kosova të vdesë klinikisht përmes “korridoreve përplasëse të Milloshit dhe Gligorivit”.

Tani kur i kemi shkapërderdhur disa pyetje, shtrohet dilema: a ishte Enveri lojtar ma i madh në vitet 1949-1968, që Perëndimi kurrë nuk ia shtriu dorën si ia shtriu Titos. Këtu disi pushon faji i Enverit, sepse për çdo sulm eventual të UDB-ës, KOS-it,LKJ-ës, CIA, KGB etj. e kuptonte skenarin dhe sulmin, së pakut nja 30 ditë më pare se sa që ishte planifikuar dhe informuar nga Hesi.

Shkojmë edhe më tej. A ka pasur Enveri edhe bashkëmendimtarë të tipit Çe Gevara, që ishin informatë shtesë dhe shumë afër kufirit. Përgjigja është kur të dihen 51 përpjekje për atentate në Tiranë, e që nga dokumentet del, PO. Lidhur me këtë, ende nuk është shpjeguar se pse nga inati Enveri e pranoi dhe mbetën dokumente, se i ka “fundosur anijet britanike” (1946) e që nuk ishte e vërtetë fare. Ose si u shpëtua Shqipëria dhe nga kush më 1954/5, duke u pranuar në Paktin e Varshavës dhe në OKB. E vetëm në këto rrethana Enveri mund të ishte avokat i tërë kombit, edhe pse këtë pozitë e ka degraduar shumë rendë duke e kthyer në ideologji eklatante komuniste dhe kritikë të “guximshme” diplomatike, pa matur shumë fjalën dhe kohën. Po e them këtë, që e di se në IST RIVER, të dy blloqet ia kanë pasur frikën diplomacisë Tiranës, që shpërfillte çdo diplomaci majtas e djathtas. Lexoni faktet e mos flisni llafe llotarie: “fitoi, nuk fitoi”.


Shqiptarët në frigorifer të ideologjisë sioniste sllavo-komuniste

Shqipëria ishte në kohën e Luftës së Ftoftë, një faktor i bunkerëve që sot janë një relikt i “piramidave faraonike”, por me që janë të kohës së Luftës së Ftoftë, jo për t’ i arsyetuar krijuesit, po e prezantoj një bisedë që e kisha me një francez në Paris më 1976, kur më pyeti për “Bunkerët e Enver Hoxhës”. Dhe, pa menduar fare se francezi, për ndryshe intelektual mund të ishte provokator jugosllav, ose armik i “të kuqëve” i katapultuar për hetime ndaj shqiptarëve kudo, i thash pa frikë e në qetësi: Sa para i keni harxhuar, Ju francezët, për prodhimin, garazhimin dhe mirëmbajtjen e bombave atomike, hidrogjenike dhe termonukleare? U step. Por kërcënueshëm shpërtheu. Mund ta shkatërrojmë Evropën për 20 minuta. Ia plotësova përgjigjën:

Edhe Rusinë? U përgjigj, “E vërtetë”.

E kuptova se nuk ishte projugosllav, ku e kisha hallin dhe frikën. Po i thash Jugosllavia (Kosova) prej kah vij unë, kurrë nuk pushon sa bunkerë nëntokësorë i ka dhe sa kanë kushtuar kur dihet se është futur në borxhe në ma se 85 miliardë dollarë, dhe ju keni miqësi me ta nga koha e Ali bungut?!!!

Mbeti francezi frankofon, për ta lëvizë kokën për disa minuta. Por u përqendrua te burgjet e Enverit në vijim dhe liritë qytetare. Prapë isha i detyruar t`ia kujtojë se sa gjermanë i keni dënuar nëpër zonat e kontrollit (okupimit) 1954. Të dhënat do t` prezantoj me këtë rast dhe këtu.

Enver Hoxha ishte udhëheqësi me pushtet dhe funksionin më të gjatë në historinë shqiptare. Enver Hoxha sipas dokumenteve që i ka krijuar PKSh-PPSh është më meritori për çdo gjë në Shqipëri, në veçanti dhe në trojet shqiptare në përgjithësi. Sipas këtij parimi ai është edhe përgjegjës për çdo gjë që mund të kritikohet, kuptohet me fakte. E ndërtuar kështu, historia e këtij personaliteti deri në kult, nuk mund të cilësohet ndryshe vetëm se një drejtues shteti dhe politike që ka sunduar në emër të Diktaturës së Proletariatit, e që pas vitit 1991, zyrtarisht dhe “shkencërisht”, po cilësohet si diktator, që ka sunduar pa asnjë konkurrencë legale.


Enveri, komunist apo nacionalist?

Tani shtrohet pyetja a ishte Enveri “Stalinist”, pasi që Leninizmi disi nuk “dhunohej” në shumë ish vende komuniste.

Në lidhje me këtë, në bazë të informatave që kanë liferuar ambasadorët e RSFJ nga Tirana, e që kohë pas kohe ajo ambasadë ishte në “pension”, por që thjerëzat konkave të Eduard Kardelit dhe Vladimir Bakariqit ishin aktive, pa ndërprerë, është për t’iu besuar figurativisht, se Enver Hoxha ishte një politikan i guximshëm dhe atdhetar nacionalist që kurrë çështjen e Kosovës nuk e ka venë në plan të dytë. Po mbrojtja e vendit, por edhe substanca popullore e viseve shqiptare që ishin jashtë pushtetit tij, si janë trajtuar. Së këndejmi të njëjtat analiza e cilësojnë se Enveri nuk ishte Stalinist kurrë, por iu imponua Stalini sepse duhej të mbrohej nga “vetvetja” (të brendshmit) dhe nga jashtë, nga i tërë establishmenti i Paktit të Varshavës në rend të parë.

Lidhur me këtë, shkrimet top “sekret” të Eduard Kardelit, janë një analizë e “rruazave të kuqe”, ku thuhet se “Enveri më tepër ka droje nga Pakti i Varshavës se sa nga NATO”. Pse, sepse në shkallë perfide Nikita Hrushovi nuk e ka promovuar, por Leonid Brezhnjevi e ka bërë publik qëndrimin se BRSS: “ka të drejtë në sovranitet të kufizuar”, ndaj çdo anëtari të Paktit Varshavës, dhe aty ku rrezikohen interesat e tij. Mu për këtë dhe jo vetëm për këtë, Enveri do t’i thotë Paktit të Varashvës më 1960: ADIO, de fakto, pas pesë vjet përvoje të hidhur në të, dhe de jure më 1968, në vitin revolucionar evropian. Enver Hoxha ka pasur autoritet në Kosovë, sepse nuk e nënshkroi kurrë Marrëveshjen e Helsinkit në vitin 1975, të cilën e prishën me të drejtë: BRSS, Jugosllavia, Çekosllovakia, Gjermania etj.

Kur të objektivizohet një etapë historike duhet të shtrohet pyetja: a mund të mbrohet çdo sukses dhe dështim i atij sistemi, dhe a mund të përjashtohen drejtuesit e atij sistemi ideologjik, kuptohet socialist-komunist (si premtim utopi) me nocionin se në kushtetutë figuron dhe obligon koncepti, DEMOKRACI.

Pra edhe komunistët edhe kapitalistët nga viti 1945 mbështeteshin në nocionin atraktiv shoqëror politik, demokraci. Por, kur të zbërthehen këto rrethana shoqërore politike, në kapitalizëm 90% së pakut janë të varfër, ndërsa afër 10% super të pasur. E vërteta, sot në shumë sisteme nuk figuron fjala kapitalizëm. Kjo shprehje disi është rralluar në nocionin konceptual demokraci, e cila virtualisht ka peshojë që ta zvogëlojë 90% te të varfërve, bie fjala në 70%. Krejt e kundërta, në socializëm koncepti fonetik i ekonomisë tregut, ku dirigjojnë dhe sundojnë komunistët, nuk ka mendim të lirë, fjalë të lirë, veprim të lirë, pra as treg të lirë-pra nuk ka liri në kuptimin klasik të fjalës, por hapur duhet të thuhet se në masë ka sociale dhe “humanizëm” më tepër, sepse ka burokraci despotike, shumë më tepër.

Por, menjëherë shtrohet pyetja ku mund të jetojë njeriu në këtë hapësirë socialiste, me “vakum të ajrit lirë”, që mungon sepse është i ndaluar? Dhe, nëse krahasohet sot shoqëria shqiptare me atë të kohës së socializmit, rezultati është paksa në favor të demokracisë, por kur menjëherë t` i shtohet këtij realiteti se sa kemi humbur popull, që zor se do të “shqiptarizohet” nja 80% e tij që është shpërngulur nga vendet tona dihet se çka bënë sot droga dhe mafioziteti i oligarkëve, despotëve dha sadistëve privat me punëtor pa sigurim social dhe pa sigurim shëndetësor e pensional, atëherë nuk është larg sidomos të vjetrit që kanë bërë jetë “mini normale” të shprehin njëfarë nostalgjie ndaj socializmit.

E vërteta po punove me nderë dhe shëndetshëm në çdo shoqëri mund të prosperohet. Mendo se sa intelektualë kulmues sot janë prodhim i atij sistemi. Kuptohet se ajo nostalgji do të vdes me vdekjen e tyre, sepse andej nuk ka kthim ma kurrë, sepse ai sistem për rrethanat evropiane ka shkuar në arkiv. Dhe për të dhe mbi te mund të thuren akuza të shumta, por edhe lëvdata solide.

Burgjet e shqiptarëve në Jugosllavi shans ëndrrash për Shqipërinë Etnike

Enver Hoxha për shqiptarët jashtë Shqipërisë Bregdetare është një paragjykim realist i respektit, me përjashtim të titistëve që vet kanë jetuar mirë dhe nuk janë hetuar kurrë nga ndonjë prokuror ideologjik, e ku të tjerët janë burgosur mbi 782 587 vjet vuajtje e mjerim, me 750 000 dosje udbeske. Po, vetëm Kampi i Goli Otokut, është më i egër dhe më mizor se sa e tërë Shqipëria të kthehej në burg, kur dihet se i ka pasur 19 burgje dhe kampe (raporti: Odile Danielit); në Bullgari ishin 86 burgje dhe kampe (Gulagëve bullgar me 187. 000 persona); në Jugosllavi 1945-1966 vlerësohet se ishin në burgje mbi 250 000 persona, prej tyre nga 49% ishin shqiptarë. Vetëm Hungaria dhe Rumunia ishin në këtë rangim shtete më represive. Por kur të merret për bazë ndonjë shtet “demokratik”, bie fjala sa ishte Franca në luftë aktive koloniale në Algjeri, situate nuk ka qenë fare ma e mirë, përkundrazi ishte shumë më trishtuese. Dhe kur t`i shtohet këtij realiteti Spanja dhe Italia (1946-1970) se si është pozita e të pastrehëve në vendet jashtë trojeve shqiptare, ne mund të kemi disi më shumë dëshirë për rreze dielli, mbi udhëheqësit tanë që na sundojnë dhe prapa ngecim, jo pa fajin tonë.

Fakti i dytë, shqiptarët jashtë Shqipërisë Bregdetare të janë ma të kënaqur me socializëm në RSFJ se sa në Mbretërinë SKS-Jugosllave është kulmor, sepse po të fitonte dinastia, shkollim shqip nuk do të kishte fare e dihet se kah shpe arsimimi dhe kush sot e ka nxjerr Kosovën nga humnera. E ka nxjerr pra shkolla e Kosovës, Universiteti i Prishtinës dhe emancipimi informativ i popullit, duke u bërë fuqi prodhuese intelektuale.

Asgjë nuk e arsyeton kapitalizmin sot, nga pozita e eksploatuesit ekstrem e lërë më dje, madje nga pozita e shfrytëzuesit kolonial në të dy etapat. Por, as socializmin nuk e largon nga faji i pozitës së të “fortit në fron”,sepse çdo individ në realitet kishte “sovranitet të kufizuar” , koncept ky që duke u forcuar BRSS u bë filozofi kolektive, që çdo anëtar i asaj familje të desovarnizohet, plus gara se në viset e nxehta afrikane nuk bëhej piknik, por luftë koloniale për t` i shfrytëzuar.

Enver Hoxha ka metastazuar politikisht me Jugosllavinë, kundër Jugosllavisë social imperialiste, me Rusinë, kundër Rusisë revizioniste; me Kinën, kundër Kinës antileniniste. Ky ndryshim ka ngjarë në evolucion, jo nga frika, por nga nevoja e diktatit të rrethanave shoqërore globale, kuptohet pa ndonjë racionalizëm ekstrem. Dhe nëse sistemi totalitar në Shqipëri, matet me atë në Jugosllavi, vetëvrasja e atyre që provojnë ta shfajësojnë titizmin është më tragjike se sa rankoviqizmi më ekstrem i viteve 1951-1964.

Veprat e Enver Hoxhës: Me Stalinin; Shënime për Kinën; Rreziku anglo amerikan për Shqipërinë; Hrushovianët; Titistët 1982, e shprehin një emërues të përbashkët, edhe pse rrahin tema të ndryshme. Në çdo libër autori shpalosë plagë, pa menduar kurrë se sa plagë i ka shkaktuar brenda kufijve që i pushtetonte. Në libra Enver Hoxha shprehte një siguri se kemi të bëjmë me një shoqëri harmonike, që nuk është imune nga ndikimet e huaja. Shikuar nga studimi që i kam bërë historisë Shqipërisë pas vitit 1944, intimisht më së shumti më është dhimbsur Sejfullah Maleshova (Lame Kodra), i cili në Programin e tij kishte qëndrim origjinal e jo taktik ndaj viseve jashtë Shqipërisë Bregdetare.

Zhgënjime kur shpërthenin aferat politike në Shqipëri

Vala e parë e burgjeve dhe “kampeve të hijeve”, sikur fillon me Lulën që u ekzekutua (1943), Sadik Premtja, (i cili do të arratisej në Francë ku edhe vdiq në vitin 1991). Më 1949 procesi kundër Koçi Xoxit etj. ishte jo me pak tronditje, për të vazhduar më 1956 me Liri Gegën, gjeneral Dali Ndreun, Petro Bulin, drejtë dënimit të Koço Tashkos, Teme Sejkos( 1961) e deri te dënimi i Beqir Ballukut, Ministër i mbrojtjes, Petrit Dumes (shef i Shtabit të Përgjithshëm, më 1975, për të kulmuar me Mehmet Shehun më 1981. Të gjithë këta e kishin (me përjashtim të M. Shehut) në njërën dorë draprin e në tjetrën çekanin jugosllav (UDB-ës dhe KOS-sipas E. Kardelit, jo sipas meje sepse nuk jam burim, por mund të citoj).

Enver Hoxha në fushën e shkencës dhe kulturës, arsimit dhe edukimit mund të lavdohet deri në kulm, për dallim se çka ngjan dhe çka botohet nga viti 1991 e deri më 2018 në Shqipëri. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Shqiptarët sikur janë “liruar nga prangat” dhe pa kriter e pa ligje plagiatojnë dhe botojnë çka u vjen në dorë. Madje janë botuar edhe dy vëllime të librit të Hitlerit. Po, nuk mendoj se duhet zbatohet censura, por duhet të mendojmë fare mirë çka po i prezantojnë rinisë, nga abetarja e deri te veprat lavduese dhe krejt akuzuese për Enver Hoxhën, duke e cilësuar “tradhtar” dhe sundimin e tij “tradhti”, pa pyetur se çka kemi bërë vet dhe si janë sjellë politikë-bërësit ndaj popullit nga viti 1991 e tutje, me fajde, me kuadro analfabetë dhe me ambicie idiotike.

Në bazë të dokumenteve shtetërore, dihet se Shqipëria ka pasur Kushtetutë gjithmonë nga viti 1946. Prandaj, Enveri, pa një studim ekipor, nuk mund të quhet as ‘diktator’, edhe pse ka elemente të ekskluzivitetit ideologjik diktatorial, sepse diktaturën ia ndalon Kushtetuta. Por, shtrohet pyetja çka ka ngjarë me shumë personalitete bie fjala në Gjermani: në Zonën e kujdestarisë amerikane ku me “Kushtetuta” janë burgosur 95000 veta; në zonën Ruse 67000, në zonën Angleze 64000, në zonën Franceze 19000 persona më 1945-1955. Pa të drejtë pune në profesion janë dënuar në zonën britanike 320 000, në zonën franceze 70 000, në zonën amerikane 83 000 në zonën ruse 150 000 persona. A nuk ishte kjo shkelje elementare e të drejtave të njeriut për jetë, punë dhe liri?.

Dënimet e bashkëpunëtorëve të okupatorit në Shqipëri

Enver Hoxha kishte jetuar në rini në një pasuri e madhe, franceze, prandaj i vetëdijshëm se në vendin e tij është në “pushtet” varfëria, sikur donte t` ua kthente dinjitetin dhe të varfërve dhe atyre që u ishin bërë padrejtësi. Prandaj me një rrëzim donte ta evitonte sëmundjen e rendë të shekujve. Donte të krijojë një matrimonium (kunorë) duke provuar që me një force depërtuese të krijojë një plenaria fide (fe të plotë), ku i pasuri do të jetë njeriu punonjës dhe aktiv, duke krijuar rrethana të barazimit kolektiv. Kështu duke krijuar prona kolektive, të cilat nuk do të japing rezultate, por në të cilat do të jetohet, prosperohet dhe gabohet një kohë të gjatë, Enveri dhe partia do ta krijojnë masën kritike që të gjithë duhej “të mendonin, të jetonin dhe të posedonin njësoj. Teori tipike kabinetike marksiste-leniniste, e cila nuk gjeti aplikacion në Evropë, por që për jetësimin e asaj teorie pësuan me mija e miliona persona anë e kënd botës. Kjo nuk do të thotë se bota demokratike është më “humane” por do të provohet është më prosperuese. Mbi këtë teori PKSH-PPSH do ta ushtrojë Diktaturën e Proletariatit dhe në fund ajo diktaturë do të rrëzohet sikurse Bastila.

Sipas parimeve të fitimtarëve edhe në Shqipëri më 1945 e tutje do të dënohen personalitete të cilëve “me koka të ftohura’ do të duhej t` u falej jeta, por duke i gjykuar dhe nivelizuar fajet e tyre me fakte konkrete. E Lidhur me këtë kur lexohet me kujdes “Pretenca historike në Gjyqin Special për krimet e luftës”, Tiranë “Bashkimi” 1948, e përfaqësuar nga Gjeneral-major Bedri Spahiu del se indipendenca e vendit e lypte drejtësinë. Ajo fajësi për krime lufte me një anë dhe për ta kënaqur filozofinë e indipendencës do t’ i privojë nga liria: Koço Kotën duke i nxjerr faje nga viti 1914; Xhavit Leskovikun , Bahri Omarin (që të dy si gabim fillestar për marrëveshjen e Selanikut;Kolë Tromara sepse kishte marrë rroga nga Kral Petri, duke e përlyer sidomos Hasan Prishtinën, për ta shpëtuar kokën, Fejzi Alizoti, i cili qysh më 1913 kishte qenë pro politikës imperiale të Romës, “se kishte qenë komisar fashist në Kosovë dhe atje mashtron popullin se e ka fituar lirinë, duka ia përmendur edhe Kartën e Atlantikut, që ishte një kauzë se “Kosova duhej të mbetej me Jugosllavi”, Terenc Toçi i cili në Konferencën e Milanos më 1942 ku kishte shprehur se Italinë e ka konsideruar shpëtimtare nga viti 1913. Regjimi i ri Komunist do të ngritë akuza edhe për nja 52 personalitete. Të gjithë këta do të konsiderohen dhe dënohen për faje të “faktuara” nga prokuroi. Këta emra do të “mbesin në hije” me Pretencën në Gjyqin e Lartë kundër Koçi Xoxës, të përfaqësuar nga Bedri Spahiu, si “trockist i Titos”.(Shiko: Broshurë e botuar në Tiranë më 1949 dhe e distribuar në disa biblioteka të Kosovës. Të shënojmë këtu se Koçi Xoxe shënohet në dokumente jugosllave se ishte agjent sekret i tyre qysh nga viti 1947. Ky njeri kishte zhvilluar disa bisedime në Tiranë më 1948, sidomos me përfaqësuesit e Ministrisë Punëve të Brendshme, të cilët i rekrutonte A. Rankoviqi.

Më i shpeshti në bisedime, sipas dokumenteve jugosllave ishte Spasoje Gjakoviqi, i cli prej gojës së Koçi Xoxës do ta kuptojë se Enver Hoxha “ kishte themeluar Komitetin e çlirimit të Kosovës” të drejtuar nga oficerët e lartë: Shefqet Peçi, Tahir Kadareja dhe Gjin Marku. Koçi Xoxe e informon Spasoje Gjakoviqin se “Komiteti për çlirimin e Kosovës” i kishte rekrutuar nja 2000 kryengritës të Kosovës, të cilët do t’ i drejtonte Rifat Berisha dhe se më 1949 Kosova do t`i8 bashkohej Shqipërisë. Siç dihet më 1949 do të pasojnë burgime masive në Kosovë, e sidomos Rifat Spahija do të likuidohet në vijim përmes një lufte të vërtetë ushtarake, sepse po torturohej i tërë populli. Sipas dokumenteve jugosllave “Komiteti për çlirimin e Kosovës” ka vepruar deri më 1968, kur iu kanë bashkangjitur edhe dy gjeneralë që ishin edhe në luftën qytetare në Spanjë. Njeri nder ta ishte Gjeneral Veli Dedi. Në vitet nëntëdhjetë (shek. XX) një detyrë të tillë do ta fitojë edhe Gjeneral, Halil Katana etj.

Personalitete tjera politike dhe ushtarake që kanë punuar për sektorin KOSOVA, e që kanë marrë informata për pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi nuk janë në listat e dokumenteve jugosllave. Por figuron se “Sektori Kosova” nga Tirana ka venë lidhje me “Lidhjen Kosovare” në Stamboll, dhe se për çdo imtësi informohet Enver Hoxha. Një fakt duhet theksuar se “Lidhja Kosovare” nuk do të konvertohet në ideologji komuniste, por në rastin e kryengritjes të gjithë shqiptarët do të gjinden në një front dhe atë front do ta komandojë personalisht Enver Hoxha, ose ndihmësit e tij edhe për një kohë të gjatë.

Ky konstatim ishte nxjerr nga fakti se Enver Hoxha si bektashian nuk ishte kundër fesë, por dëshiron të krijonte një “Plenaria fides” (fe të plotë) për të gjithë shqiptarët, forca e depërtimit do të ishin mendje preftësia aftësia dhe zgjuarësia kolektive, duke u bërë pasuri e madhe për një jetë e shënurr madhështore).

Përfundimi pa konkluza sepse asgjë nuk është përfunduar pa u bashkuar shqiptarët

Si përfundim, më duhet të rrëfehem se uk kam simpati ndaj komunizmit, sepse na e ka pi gjakun me pambuk, neve që kemi qenë nën robërinë jugosllave. Por, të bisedosh qytetarët e rëndomtë në Shqipërinë bregdetare ata ankohen më shumë se ne, duke harruar se i kanë kënduar Partisë dhe Enverit pa pushim: nga frika, simpatia apo dashuria. Madje nuk është e pa vërtetë se edhe ne nuk i kemi pasur simpatitë tona ndaj komunizmit, sepse kur shikonim prapa, nuk kemi pasur kurrë mundësi solide, bile të shkollohemi në gjuhën kombëtare. Madje ndaj Enver Hoxhës kemi pasur simpati sepse nuk e kemi ndier peshën e atij pushteti, por edhe për flakjen e robërisë sonë askush nuk e ka diskutuar dhe nuk ka propozuar, që të dalim nga robëria, kur kurrë nuk kemi pushuar duke kërkuar barazi dhe liri me të tjerët që na robëronin. Vetëm kur u pa “nga Hëna” se as sllavët nuk mund të bashkëjetojnë në burgun e popujve që quhej Jugosllavi, vetëm atëherë u kuptuan plagët tona, të cilat ndër të parat i kuptoi Amerika dhe disa vende demokratike të BE-s dhe më gjerë, për çka shqiptarët e robëruar nën Serbinë (Jugosllavinë) u mbetën gjithmonë falënderues, e sidomos shtetit, Shqipërisë Bregdetare në të gjitha kohrat.Të paktën shqiptarët e robëruar kanë qenë gjithmonë me shpresë se pranvera do të vjen nga Tirana:Radio, Televizioni dhe librat që botoheshin atje.

Por, ku ka qenë plaga më e madhe shpjegohet me faktin, se pa u krijuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pa bërë luftë të armatosur të drejtë, çlirim nuk do të kishte, për Kosovën. E në Shqipëri populli ka zbritur nga “ati i kuq” në atë të “bardhë” pa luftë, jo pa disa probleme, pra pozita nuk ka qenë e njëjtë.

E vërtetë është se edhe Shqiptarët e robëruar në Jugosllavi kanë vuajtur nga ministrat e punëve të brendshme që ishin shumë të egër, (A. Rankoviqi sidomos), e kur të shikohet fati i të gjithë ministrave të punëve të brendshme në Shqipëri 1944-1991, atëherë del se kudo që ka “rrezatuar ngjyra e kuqe”, liria qytetare, mendimi, fjala dhe veprimi i lirë nuk ka qenë i atillë që e meritonte populli, sepse ideologjia ka qenë një “tebain –alkaloid”, helmues i opinionit. Historikisht, asnjë pushtet dhe ekzekutues i tij nuk mund të mbetet pa mëkate. Të mësojmë para nga historia dhe t’i evitojmë të metat e peshës fajeve të pushtetit edhe sot, sepse ende shoqëria njerëzore nuk ka krijuar shoqëri dhe shtet të përkryer.

Në Shqipëri në disa etapa thua se nuk ka pasur pushtet, sepse të gjithë ata që kanë sunduar pranë prijësit e kanë idealizuar atë deri në kult. Dhe gradualisht kultit iu ka rritur pazari, për ta sjellë Shqipërinë deri në despotizëm, sepse kurrë nuk është dhuruar LOGARIA nga lartë poshtë, nga maja në bazë.

Në Kosovë ata të majave me funksione e pa pushtet, publikisht kanë shitur krunde për bukë popullit, duke kritikuar Enverin, duke i thurur altruizëm profiter Titos dhe despotizmit tij duke ia mbuluar humnerat me 83 miliardë dollarë borxhe, ku Kosova për çdo vit ishte bërë ma e varfër se sa viset tjera, Madje ata titistë më 1988 përpiluan “Programin Jugosllav për Kosovën” që ishte një vale e re e kolonizimit dhe serbizimit, e ku kanë marrë pjesë të gjithë. Ajo pjesëmarrje për fat nuk ishte jetëgjatë, sepse plasi lufta në mes sllavëve për ta shkatërruar Jugosllavinë që vetë e kishin krijuar. Në shkatërrimin e Jugosllavisë, Enver Hoxha kurrë nuk ka pushuar duke shkruar dhe duke vepruar me kujdes nga çdo pozicion politik, ideologjik, ushtarak dhe diplomatik, për aq sa ishte fuqia.


Prishtinë, 6 tetor 2018