Hafiz Abdullah Zëmblaku misionar dhe mësues i shquar


HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU MISIONAR DHE MËSUES I SHQUAR



Nga Hysen KOBELLARI,
Hyrje
H. Abdullah Zëmblaku

Jo rastësisht, por pas një pune hulumtuese disavjeçare nëpër biblioteka, mjedise familjare, dhe, më në fund, në arkivën shekullore të Xhamisë " Iljaz Bej Mirahori" të Korçës, arrita të nxjerr mjaft shënime për jetën dhe veprën e H.A.Zëmblakut. Kjo figurë shumë e dashur për njerëzit, kudo ku flitet e lexohet shqip e veçanërisht për besimtarët muslimanë, qëndron denjësisht përkrah mikut të tij të shquar, savantit Hafiz Ali Korça, të cilin e quante vëlla shpirtëror.

Por ndërsa për H.A.Korçën është shkruar diçka; emrin e tij e mban me krenari një medrese në Kavajë, madje është botuar edhe një monografi për jetën dhe veprën e tij, për H.A. Zëmblakun pak është folur e shkruar. Të gjithë e njohin "Mevludin" e tij të famshëm, i cili këndohet në raste festash ose përkujtimesh; njohim mjaft vjersha dhe libra bestare në gjuhën shqipe, të vlefshëm edhe sot, pas gati një shekull nga koha kur janë shkruar e botuar. Hafiz Zëmblaku ishte njeri i ditur, shembull i durimit, model i këmbënguljes në punën për përhapjen e fesë së vërtetë dhe arsimit në shqip, në propogandimin e dashurisë për atdheun, diturinë e shkencën, për të vërtetën, paqen dhe mirësinë ...

Hafiz Abdullah Zëmblaku e quan veten me krenari "Shërbëtor i Kombit Shqiptar”dhe "Misionar dhe mësues i Fesë Islame". Këto cilësime qëllimlarta ai u përpoq t'i përmbushte me punë të palodhur gjatë gjithë jetës së tij të frytshme, duke shkruar e botuar mbi 30 libra, duke i rënë kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të atdheut, për të predikuar falas besimin e vërtetë, diturinë, atdhetarinë, paqen, të vërtetën dhe progresin. Është ndër të parët hartues dhe organizatorë të botimit të librave në gjuhën shqipe me përmbajtje fetare. Librat shkruheshin gegërisht dhe toskërisht dhe shpërndaheshin falas gjatë veprimtarive që organizonte shpesh H.A.Zëmblaku në veri ose në jug të vendit. Në librat e tij gjenden lista të gjata e të hollësishme për dhënësit e ndihmës përkatëse për këto botime nga besimtarë zemërbardhë e dashamirës.

Duke zotëruar disa gjuhë me mundësi të mëdha shprehëse si arabisht, turqisht, persisht, etj. ai formoi një kulturë të plotë jo vetëm fetare por edhe letrare e shkencore.

Bashkëpunoi me revista dhe gazeta të kohës, si me revistat " Zani i Naltë ", " Kultura Islame ", " Njeriu ", etj., ku botoi shkrime të ndryshme. Përktheu vepra fetare, filozofike e mistike, disa prej të cilave mundi t'i shtypte.

Është ndër bejtexhinjtë e fundit, të cilët poeti ynë kombëtar Naim Frashëri i ka vlerësuar, duke thënë për Hasan Zyko Kamberin se është " Mbreti i Vjershëtorëve " [1]

Po përse vallë për Sheh Hafiz Abdullah Zëmblakun kanë heshtur kaq padrejtësisht jo vetëm studiuesit dhe holumtuesit, por edhe klerikët dhe drejtuesit e institucioneve fetare dje dhe sot?!

Mbase kjo ka ndodhur ndoshta nga që Sheh Abdullahu i përkiste një tarikati të veçantë. Siç thotë për veten në librin "Bilbili Paq", përmbledhje vjershash më të mira, viti 1940 "

Misionar Islam dhe Mësues i Fesë Islame për shpirt (shëtitës), dhe Halifat i Tarikatit Nakshi dhe Hajati dhe Autor i librave fetare shqipe, Sheh Hafiz Abdullah Sëmlaku (Fatih), dalë nga medrese e naltë Darulhilafe dhe nga Shkolla e Naltë Darulfununi Sherijje (Universitete) e Stambollit." Si duket nga këto tarikate sot ka pak ose aspak njohës, përkrahës e ndjekës ...

Sheh Zëmblaku është ndoshta bejtexhiu i fundit, i cili u përpoq të kuptonte rrezikun e hyrjes pa doganë të fjalëve turke, arabe, persiane në gjuhën shqipe, të pakuptimta për popullin e thjeshtë, rrezikun e përzjerjes së gjuhëve deri në përçudnim. [2]

Hytbet e mbajtura nga H.A.Zëmblaku janë model i shkëlqyer i zbërthimit të Kuranit Famëlartë dhe Haditheve të Pejgamberit (a.s.), shembull arsyetimi dhe gërshetimi me problemet e kohës dhe gjendjen faktike të jetës tek ne.

Edhe sot e kujtojnë Hafizin e shquar për zërin melodioz dhe të ngrohtë, për fjalët e zgjedhura nga burimi shqiptar, për diturinë e pasosur që buronte nga natyra e fesë së vërtetë dhe e kërkimeve të tij të mundimshme, për disiplinën e natyrshme që buronte nga karakteri i tij shembullor ... Hafizi ka agjëruar shumë, ka kryer vepra bamirëse dhe ka qenë shembull në jetën familjare dhe shoqërore.

Disa nga Hytbet e tij kryesore janë botuar nëpër libra të veçantë dhe mund të lexohen edhe sot me ëndje e kërshëri.

Hafiz Abdullah Zëmblaku ishte edhe një mësues i shquar i gjuhës shqipe. Ka ngritur me qindra kurse kundër analfabetizmit nëpër qytete e fshatra të ndryshëm të vendit, në një kohë kur pjesa dërrmuese e popullsisë nuk dinin shkrim e këndim dhe jetonte në kushte varfërie e paditurie.

Kurset i organizonte falas, duke siguruar shpesh herë për pjesmarrësit edhe libra, fletore e lapsa për punë mësimore. Në këto kurse mësohej shqip, por fitohej edhe një kulturë fillestare fetare, si edhe elementë të shkencave të kohës.

Për të gjitha këto cilësi dhe të tjera, që janë të njohura nga bashkëkohësit e H.A.Zëmblakut, mendoj se kjo figurë shembullore duhet vlerësuar ashtu siç e meriton.


PAK FJALË PËR PARAARDHËSIT

Hafiz Abdullah Zëmblaku u lind dhe u rrit në një familje me tradita të lashta atdhetare dhe fetare islame. Gjyshi dhe babai i tij kanë qenë intelektualë të njohur dhe kanë studiuar nëpër shkolla të famshme të kohës së tyre.

Ndërkohë ata nuk e kanë ndarë diturinë e fituar nga dashuria për vatanin dhe gjuhën shqipe, gjuhën e nënës. Nëna e tij quhej Aishe Mulla Hysein Babani dhe rridhte nga një familje me ndjenja fetare dhe atdhetare. Gjyshi i H.A.Zëmblakut quhej Sheh Hasan Sëmlaku dhe kishte kryer shkollë fetare.

Babai i Hafizit quhej Salih Hulusi dhe ka shërbyer për 30 vjet si mësues shkolle fillore, quajtur ndryshe Ruzhdie, në disa qytete të Shqipërisë si në Bilisht, Durrës, Ersekë, Krujë, etj. Po ashtu ai ka dhënë mësim edhe jashtë vendit si në Prilep, Allosojë, Ankorë, etj.

Në gjuhët turke, arabe e persiane ai kishte arritur një nivel të lartë përvetësimi dhe lexonte nga origjinali vepra të karakterit fetar, filozofik, shkencor dhe letrar. Këtë nivel e trashëgoi edhe Abdullahu i vogël, duke ndenjur vazhdimisht pranë të atit dhe duke marrë mësimet e para dhe kulturën fillestare.

I ati i Hafizit vdiq në vitin 1936 në moshën 77 vjeçare, në qetësi dhe paqe, kur i biri, Abdullahu ishte në kulmin e punës së vet fisnike ...


VITET E PARA TË JETËS DHE ARSIMIMIT

Hafiz Abdullah Zëmblaku u lind në qytetin e Bilishtit në vitin 1891. Menjëherë familja u vendos në fshatin Zëmblak, rrëzë fushë - kodrës, në të djathtë të rrugës Korçë - Bilisht, me pamje nga hyrja e fushës së Devollit. Ishte fëmijë i urtë e shumë i zgjuar. Kishte dëshirë të meditonte gjatë dhe të dëgjonte me ëndje të atin kur falej dhe këndonte sure nga Kurani i Shenjtë. I pëlqente të thurte vargje e të bënte vjersha të shkurtra sipas modeleve të librave që i lexonin prindërit dhe të bejteve që qarkullonin në atë kohë, disa prej të cilave kishin thekse satire dhe ironie, ku fshikulloheshin vese të njerëzve dhe të zakoneve shoqërore e familjare të kohës ...

Mësimet e para fillore dhe të mesme të asaj kohe ( e mesmja quhej qytetëse), Abdullai i vogël i mori prej babës së vet Sali Hulusiut në kushtet e shtëpisë. Mësoi përveç gjuhës shqipe edhe bazat e turqishtes, arabishtes e persishtes.

Pastaj i vazhdoi studimet teologjike në Medresenë e Prilepit, atje ku ka shërbyer edhe i ati, si mësues Ruzhdie.

Në vitin 1910, në moshën 19 vjeçare i mbaroi këto studime dhe u njoh gjithashtu edhe me gjuhët sllave. Sakaq u nis për të konkuruar në Universitete të Stambollit të Turqisë, kryeqendër e Perandorisë Osmane të asaj kohe, qendër e madhe diturie, qeverisjeje, qytetërimi, ku gëlonin virtute dhe vese të çfardollojshme.

Dëshironte të vijonte studimet e larta filozofike dhe fetare dhe u pranua në Degën Ilahijat të Universitetit. Medreseja e naltë ku ai kreu studimet quhej Darulhilafe dhe shkolla e lartë e Stambollit quhej Darulfununi Sherijje ( Universitete ) ( marrë nga shënimi në Mevludi Paq, viti 1940 ).

Sapo përfundoi studimet e larta dhe u diplomua shkëlqyeshëm, për shkak të fillimit të Luftës së Parë të Përbotshme, u mobilizua nën armë nga shteti Osman ( Otoman ). Pasi shërbeu për disa kohë si oficer rezervist, u lirua dhe u kthye në atdhe.


MISIONAR I PËRKUSHTUAR DHE MËSUES I PALODHUR

Ishte koha kur vendi kishte nevojë për njerëz të mësuar e të përkushtuar dhe djaloshi i devotshëm dhe i përgatitur më së miri duhej t'i shërbente popullit të tij.

Për disa vjet Hafiz Abdullahu punoi si imam hatib në fshatin Zëmblak. Aty i hyri punës për të zgjeruar njohuritë e tij fetare, shkencore e kulturore, duke lexuar pa u lodhur literaturë të vjetër dhe bashkëkohore, nga botimet që gjendeshin pranë familjes dhe në libraritë e Korçës, Tiranës, madje porositi literaturë edhe jashtë vendit.

Në vitin 1921, me propozim të Ministrisë së Arsimit u emërua mësues në fshatin Kuç dhe Belorta të Korçës. Këto fshatra ndodhen 5-6 km larg fshatit Zëmblak, përgjatë rrugës nacionale Korçë - Kapshticë, në të djathtë të saj.

Në këtë detyrë fisnike punoi vetëm tre vjet, pastaj dha dorëheqjen, për t'u përkushtuar tërësisht në veprimtari fetare dhe për të praktikuar arsim të lirë.

Tashmë H.Abdullahu e ndjente veten të përgatitur për të nisur punën intensive në lëmin e përkthimeve dhe botimit të librave fetare dhe shkencore në gjuhën amtare, për të cilat kishte mungesa të mëdha dhe kërkesa të vazhdueshme anembanë vendit, madje edhe në diasporë. Hafizi angazhohej vetëm 6 muaj në detyrën e tij si imam në fshatin Zëmblak, ndërsa gjysmën tjetër të vitit linte një zëvendës të përgatitur nga vetë ai dhe shëtiste në të gjithë vendin.

Ai i binte kryq e tërthor atdheut, nga jugu në veri dhe në Shqipërinë e Mesme, duke dhënë mësime, duke shpërndarë literaturë e duke ndihmuar e inspektuar të gjitha shkollat fetare islame të vendit. Për këtë ai kishte edhe autorizimin e Komunitetit Musliman Shqiptar dhe të Ministrisë së Arsimit. ( Shënimet në ballinën e prapme të librit "Bilbili Besëtar" , viti 1936 ).

Kryeministri Mehdi Frashëri, mik i vjetër i Hafizit, i ka premtuar: "Hafiz Zëmblaku ligjërisht është i lirët të mësojë Fe dhe për këtë çështje do t'i them edhe Ministrit të Arsimit, që të mos pengohet nga arsimtarët. (Marrë nga libri "Bilbili shpirtnor ose Misionarët myslimanë)

Në punën e tij misionare, që nga viti 1936 merrte edhe vajzën e tij 8 vjeçare, Hedijen, e cila u bënte mësim vajzave, duke u mësuar atyre vjersha, këngë dhe ilahi. Disa herë iu bë ftesë për të kryer detyrën e Myftiut në Korçë dhe Kavajë, por ai e shtynte përgjigjen, duke refuzuar, për të qënë i lirë në veprimtaritë e tij të palodhura si përkthyes e botues, në shërbim të mbarëvajtjes së fesë islame dhe të arsimit shqip.

Si rezultat i një pune të madhe, këmbëngulëse e të gjatë në kohë me librin dhe botimet, H.A.Zëmblaku ia doli mbanë të përkthejë, hartojë, shkruajë dhe botojë mbi 30 libra origjinalë dhe të përshtatur, të cilët ishin shumë të kërkuar dhe që u ribotuan disa herë, për të qarkulluar brenda e jashtë vendit.

Në punën e tij fisnike dhe të dobishme e ndihmoi shumë edhe miqësia që pati me të palodhurin dijetar dhe misionar, të paharruarin Hafiz Ali Korça, të cilin e quante vëlla në shpirt dhe besim; pati bashkëpunim edhe me intelektualë të tjerë të rajonit dhe të vendit, si edhe me dijetarë të huaj.

Hafiz Abdullah Zëmblaku ia doli të bëhej njëri nga intelektualët më të spikatur dhe më të përkushtuar të kulturës shqiptare, fesë islame dhe arsimit shqip, duke fituar një reputacion të madhe brenda e jashtë vendit. Ai ka kryer një punë të madhe fisnike si misionar fetar dhe përhapës i arsimit shqip edhe jashtë trojeve shtetërorë, kudo ku banonin shqipëtarë, si në Kosovë, Maqedoni, Çamëri, kudo ku flitej gjuha e lashtë shqipe.

Edhe pas çlirimit veprimtaritë fetare dhe arsimore i vazhdoi, me gjithë kushtet e vështira të kohës dhe pengesat e monizmit. Është dënuar dy herë me burg nga gjykatat komuniste për motive politike.


LISTA E LIBRAVE TË BOTUARA

Kam listuar 30 libra të botuara nga Hafiz Abdullah Zëmblaku, por punët e tij fetare, letrare e kulturore kanë përmasa më të gjera se kaq. Kanë mbetur shumë botime të tjera të pahasura deri tani nga ana ime dhe e bashkëpunëtorëve të mij, po edhe shumë dorëshkrime pranë familjes e gjetiu. Më poshtë po rendit titujt e librave të botuar, të cilat janë krijime origjinale, përkthime, përshtatje, etj.

1- Mevludi Sherif
2- Pesë Kasidetë e Imamllarëve
3- Hydbe me 50 këshilla fetare
4- Muhamedia ( Jeta e Pasosur )
5- Bilbili I - Abetare me disa jetëshkrime
6- Bilbili II - Enami Sherif në shqip
7- Bilbili III - Histori e Shenjtë
8- Bilbili IV - Hadithi Sherif ( Fjala Profetike )
9- Bilbili V - Sheriati Muhamedie
10- Bilbili VI - Ëndërrëfenjëse
11- Bilbili VII - Shqiponja besëtare
12- Bilbili VIII- Fëllëza kombëtare
13- Bilbili IX - Pëllumbi
14- Bilbili i ri i Prillit
15- Bilbili i ri i Hazreti Kuranit
16- Fletore Islame
17- Amaxhyz me gërma shqip
18- Tebereqe xhyzi
19- Bilbili i Hënës - ( Hydbe e re )
20- Bilbili Besëtar - ( I madh )
21- Bilbili shqiptar - Dheshkronjë e Shqipërisë
22- Bilbili besëtar - ( I vogël )
23- Bilbili shpirtnor
24- Bilbili i veriut ( Mevludi gegërisht )
25- Bilbili faqebardhë
26- Bilbili i Parajsës
27- Bilbili 10 Stërgu - Tesfiri 1001 qelim
28- Kurani i Shenjtë me gërma shqipe
29- Çelsi i Parajsit
30- Sahatnameja, Marifetnameja dhe vepra të mistikut Syherverdi,etj.

Pa bërë komente dhe analiza të veçanta dhe të thelluara për ndonjë vepër të H.A.Zëmblakut, mund të them se ato janë frut i një pune të palodhur dhe e një kulture të gjerë e të gjithanshme të shkruesit, frut i njohjes së thelluar të kulturës së shkruar të vendeve të tilla si Turqia, Irani, etj. Po ashtu ato tregojnë për një njohje të mirë të kulturës, gjuhës dhe zakoneve të popullit të vet, si dhe për një lidhje të ngushtë të veprimtarive fetaro-arsimore me gjendjen konkrete dhe hallet e mëdha të njerëzve të kohës ...


HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU DHE SHKODRA

Nuk është e rrastit që H.A.Zëmblaku i ka shkruar një pjesë të veprave të tij edhe në dialektin gegnisht. Ai ka punuar shumë edhe në veri të Shqipërisë duke kryer shërbime, siç thotë ai vetë " ... për Hatër të Zotit, jo për hatër të rrogës. "

Shkodra është vendi ku ka punuar më shumë Hafizi, sidomos në periudhën pas mbarimit të shkollave. " Mësimi shqip plotësohet për pak ditë dhe drita e besimit rrënjoset përjetë. "

Në vitet '30 të shekullit të 19-të Shkodra kishte 45 xhami, ndërsa shkodranët çmoheshin përgjithësisht si njerëz fetarë e kombëtarë. Në 10 xhamitë kryesore, si në Rus, Guras, Mbret, etj., Hafiz Abdullahu organizonte në verë shkolla të mësim - besimit. Fëmijët dhe të rinjtë, vajza e djem, mësonin një javë, ku mblidheshin në shoqëri, merrnin libra e fletore falas dhe mësonin faljet sipas rregullave përkatëse.

" Shkodra fetare - Meka e Shqipërisë ; Shkodra e madhe - Stambolli i Shqipërisë ", shkruan për këtë qytet me gëzim e krenari H.A.Zëmblaku. Duke përshkruar misionin e tij fetar të vitit 1936 në të gjithë Shqipërinë, thekson padijen dhe nivelin e ulët përgatitor të klerit musliman në bazë. "

Në botë ca njerëz turpërohen nga robi, ca nga Zoti, po ca presin vetëm rrogat. " " Në Vlorë ka xhami, po si kafazi pa bilbil - s'ka xhemmat ... Peshku, kur qelbet nga koka, zë qelbet edhe nga bishti", shkruan midis të tjerash Hafizi me theks kritik në librat e tij.

Le të përmendim se për qëndrimin e tij tepër kritik edhe ndaj punëve të qeverisë, H.A.Zëmblaku është internuar pas viteve '30 të shekullit XX- të për një muaj në qytetin e Krujës.

Në një vjershë të tij ai shkroi " Ti, moj Nëna Mbetëreshe, këto komune pse i deshe ?!... ", duke kritikuar me theks satirik disa reforma të regjimit.Interesante janë mendimet e H.Zëmblakut për të dy dialektet kryesore në vendin tonë. Ai shkruante : " Për me shkurtim gradon Gegnishtja, për me hollësi na duket Toskërishtja, e cila rreh çeka në majë të kokës. Gegnishtja më tepër tingëllon në hundë, përmenet i ndjeri Hafiz Ali Korça, në gjuhën tonë, po të mos përdoren fjalë të huaja, të dy palë dialektet, që janë motra, do të ruhen dhe do të njihen përgjithësisht... " ( Jepet një fjalor i vogël f.83 Bilbili i nëntë - Pëllumbi ).


VITET E FUNDIT TË JETËS

H.A.Zëmblaku nuk është marrë shumë me politikë, por edhe indiferent nuk ka qëndruar ndaj saj. Ai agjëronte gjithë vitin dhe bënte ibadet ( falej ) vazhdimisht.

Por edhe mbështeste e përkrahte forcat politike të asaj kohe që e urrenin vërtet pushtuesin. Miqtë e tij nga Zëmblaku ishin rreshtuar nëpër aradhat atdhetare të traditës, të cilët nuk kishin lidhje me idetë bolshevike. Hafizi shpirtërisht i përkrahu ata.

Për rrjedhojë ai u pa me sy jo të mirë nga regjimi i ri, që doli pas luftës. Megjithatë ai mbeti në sytë e populit ashtu siç ishte në të vërtetë. Veprimtaria e madhe atdhetare, librat e shumtë të shkruar e botuar dhe jeta e tij shembullore e kanë bërë figurën e tij të pavdekshme brez pas brezi dhe një nga figurat më të shquara të fesë islame dhe arsimit në trojet shqiptare.

Pas çlirimit të vendit, për shkak të qëndrimit të regjimit të ri monist ndaj fesë dhe klerikëve, përbuzës dhe denigrues përgjithësisht, Hafiz Zëmblaku, si edhe klerikë të tjerë të vendit, vuajtën dhe hoqën keq. Për motive politike dhe fetare Hafizi u dënua dy herë nga gjykata e atëhershme.

Ai nuk lejohej të qarkullonte lirshëm në të gjithë vendin si më parë, nuk i lejohej të botonte libra, si dikur. Kështu që veprimtaria e tij fetare, letrare e shkencore u përqëndrua brenda mureve të shtëpisë dhe në xhaminë e fshatit Zëmblak.

Ai shihte me keqardhje se si brezi i ri po e braktiste besimin fetar, po shthurej moralisht; njerëzit po vetëflijoheshin në arenën e madhe të luftës së klasave, vendi po izolohej gjithnjë e më shumë nga miqtë e dikurshëm dhe në moçalin ideologjik të kohës po lulëzonte ateizmi, literatura bolshevike dhe përndjekja e intelektualëve, për të cilën kishte shkruar dikur Hafiz Ali Korça.

Hafiz Abdullah Zëmblaku vdiq më 31 gusht 1960, i përcjellë me respekt dhe mallëngjim nga mijëra besimtarë, nga të afërm, shokë e miq, nga vendlindja dhe diaspora.


PËRFUNDIME

- Përpara se të jetë poet dhe shkrimtar, Hafiz Abdullah Zëmblaku ishte dhe mbetet misionar fetar dhe atdhetar i shquar, njeri i rrallë për nga veprimtaria, mirëvetitë që e karakterizonin dhe karakteri i tij i veçantë. Ai ia kushtoi gjithë jetën dhe pasurinë e vet çështjes së fesë, gjuhës shqipe, mbarëvajtjes së jetës shpirtërore të popullit të vet dhe përparimit të atdheut. Veprat, jeta dhe veprimtaria misionare - atdhetare e H.A.Zëmblakut duhet të studiohet dhe holumtohet më hollësisht dhe më me seriozitet e përkushtim nga studiuesit tanë të këtyre fushave.

Ato janë një shembull përkushtimi, durimi, kulture dhe devotshmërie që duhen çmuar, për të qenë shembull i brezave të sotëm dhe për ata që do të vijnë për të përjetësuar emrin dhe veprën e H.A.Zëmblakut duhen organizuar veprimtari përkujtimore - shkencore për nder të tij dhe veprës që la pas.

Nga organet përkatëse të emërtohen shkolla, rrugë e institucione të tjera të fshatit ku ai lindi, Qarkut të Korçës dhe kudo në Shqipëri.

- Të shikohet mundësia për të përzgjedhur krijimtari nga H.A.Zëmblaku dhe për ta botuar atë në një libër të veçantë. Një monografi e posaçme do të ishte e vlerësuar dhe e mirëpritur prej të gjithëve.

BURIMET

redakto
  1. Revista " Zani i Naltë ", Nr. 8, viti 1938, f.248
  2. Xh. Spahiu, Perla, 2005/1 f.1
- Gjithë literatura e botuar nga H.A.Zëmblaku, e cila ndodhet në Bibliotekën "Thimi Mitko" në Korçë
- Revista "Njeriu", nr.2(14), gusht 1943 f.16, shënimi
- "Bilbili i Prillit" , prill 1928
- Revista "Zani i Naltë" nr.8, viti 1938, f.248
- "Mevludi Paq" - Nuri Ahmedia, viti 1931, botim i dytë.
- "Bilbili Paq", viti 1940, Përmbledhje vjershash më të mira.
- "Bilbili Shpirtnor" viti 1936, f. 4, 7, etj.