Gravuristi Jost Amman, skënderbeiada e artit

Moikom Zeqo

Kam shkruar shpesh për ikonografinë skënderbejane, që nis, që në të gjallë të Heroit Shqiptar.

I pari që ka përmendur emrin e artistit të madh me origjinë zvicerane Jost Ammanit, që ka punuar cikël gravurash për Skënderbeun ka qenë prof. Aleks Buda.

Në vitin 2006 u botua në Prishtinë libri album „SKËNDERBEU“ përgatitur nga publicisti i njohur, miku im Skënder Blakaj.

Ky libër album është një sintezë të dhënash që nga Barleti e deri në ditët tona për figurën kalorsiake dhe prometeike të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në të, më tërhoqi vëmendjen një studim i Albulena Blakaj për piktorin Jost Amman, autori i famshëm i gravurave për Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Duke e përgëzuar studiuesen e re dhe të talentuar Albulena Blakaj për informacionin e freskët dhe të rëndësishëm për artistin Jost Amman, po artikuloj më poshtë, disa ide ravizuese, si dhe ide lakonike për ikonografinë skënderbejane.


Jost Amman ka lindur më 13 qershor 1539 në Zyrih të Zvicrës. I ati qe njeri i ditur, profesor i latinishtes, greqishtes së vjetër, logjikës dhe retorikës etj.

Në 1560 u shpërngul në Nyrenberg të Bovarisë (Gjermani), ku jetoi deri sa vdiq në 17 mars 1591.


Jost Amman ka jetuar dhe punuar në Zyrih, në Bazel, pastaj ka studiuar në Francë, por epiqendra e tij mbetet Nyrenbergu, qytet gjerman, nga më të mëdhenjtë e botës.

Këtu bashkëpunoi me artistin Virgil Solis (dmth në latinisht Dielli), bëri piktura në qelq për familjet e shquara, pastaj tërhoqi vëmendjen e tipografëve të Nyrenbergut dhe të Frankfurtit, duke u shndruar në disenjatorin kryesor të drugdhendjeve dhe të gravurave në dru.


Gjatë jetës Amman bëri iluminimin grafik të Biblës, „Historisë së Romës“, të Tit Livit, „Lufta hebraike“, e Flavit, si dhe ka ilustruar me shkathtësi libra gjahu, me skena betejash, libra kulinarie, libra të gardërobave për femrat e shekullit XVI.


Amman bëri edhe portrete të personaliteteve të mëdha të kohës së vet, të Martin Luterit dhe Hans Sachs.

Shumë portrete të mbretërve të Francës, dizenjo të heraldikës europiane.

Ammani ka bërë edhe gravurën kronikore „Hyrja e Maksimilianit II në Nyrenberg në 1570“.


Jost Amman është konsideruar si „një nga artistët më të frytshëm të të gjitha kohërave“.

Ai, mund të mbiquhet edhe si artisti që ka krijuar veprat e ikonografisë skënderbejane më me cilësi dhe profesionalizëm grafik.


Jost Amman ka krijuar në substancë gravurat për Skënderbeun në botimet në gjermanisht të kryeveprës së Barletit në vitin 1577 dhe 1578.

Josti përdor inicialet e tij në gravurë, për identifikimin vetiak.

Do të ishte një mrekulli të mblidhej dhe të botohej veçmas tërë koleksioni i Jost Ammanit për Arbërinë dhe Skënderbeun.


Duke i parë disa gravura tipologjike të Ammanit, mund të them diçka të prekshme. Jost Amman është mjeshtër i gravurës të stilit gotik, që ka modeluar me harlisjen e detajeve edhe stilin barok protestant dhe europian.

Amman ka qenë mik dhe pjesëtar i një urdhri artistësh me Albert Dyrrerin e papërsëritshëm.

Jost Amman e ka përjetësuar vetveten në një vetëportret. Është i veshur me një kostum karakteristik të shekullit XVI, ka një mjekër jo shumë të gjatë, mban jakë të modës spanjolle, mbi kokë mban një kapele tip berete të madhe.

Fytyra e tij është inteligjente, sytë shikojnë me një mençuri të pazakontë.

Portret i spikatshëm i një humanisti, i një rilindësi europian, ithtar i protestanizmit luterian, që tronditi hapësirat dhe kohërat. Një gravurë e rrallë e Amanit lidhet me episodin e dyluftimit të Skënderbeut me një sfidues, ku heroi shqiptar tregohet i zhveshur me dorën e djathtë me shpatë të ngritur lart, kurse në krahun e majtë mban mburojën.

Ngjan më shumë si një shëmbëlltyrë e Akilit se sa një heroi i mesjetës.

Në një tjetër gravurë tregohet ardhja e Skënderbeut para kështjellës së Krujës, ku heroi është i veshur si një kalorës gjerman.


Mua më ka interesuar për shumë arsye gravura që paraqet qytetin e Durrësit, të quajtur Epidamn në motshmëri.

Epidamni ravizohet mbi një kodër, që edhe sot topografikisht quhet Mali i Durrësit, mbi majë janë dy kulla të rrumbullakta të lidhura me mur të lartë, kjo njësi kështjellore përbën akropolin e qytetit, gjë që është tepër e saktë, poshtë është kështjella e mureve rrethuese, ajo që të habit është se në anën jugore të qytetit është një urë e vogël (ura e dajlanit) ku bëhej deri në shekullin XX lidhja e kënetës, ose liqenthit me detin, kjo saktësi është e çuditshme për mua se Jost Ammani vetëm e ka përfytyruar Durrësin, nuk ka mundur ta shohë.


Gravura të tjera informojnë lindjen e Skënderbeut, madje edhe shtatzëninë e nënës së tij (gravurë tepër shprehëse) për bëmat e habitshme të kryetrimit, për fitoret dhe disfatat (beteja e Beratit) madje edhe gravura për bashkëluftëtarët e Skënderbeut.


Po gravura më e rëndësishme e Jost Ammanit është ndërfutur në botimin e vitit 1578 të Frankfurtit të përkthimit gjermanisht të Barletit, pastaj është përfshirë si vëllim në botimin „Chronicorum Turcicorum“ fl 64 dhe 104 v.

Gravura tregon një betejë të osmanëve para qytetit kështjellar të Krujës, brenda Krujës duken arkitektura antike, tempuj me kolonada, ndërtesa monumentale me harqe dhe stil gotik, muret me kontraforte, porta e madhe e hyrjes, në pjesën kulmore të kompozimit gravuror mbi një tjetër kullë të rrumbullakët ngrihet pak i anuar në shtizë një flamur i madh me shqiponjën dykrenare, flamuri heraldik i Skënderbeut.

Kjo hollësi buron nga teksti barletian, që ka fiksuar përshkrimin e heraldikës kastriotase, të flamurit të identitetit dhe të betejave fitimtare.

Me të drejtë botuesi dhe studiuesi Skënder Blakaj, miku im, në faqen 315 të librit album „Skënderbeu“ e ka skajëzuar këtë motiv, duke u shprehur se „shihet se piktori i ka gjetur zgjidhje interesante fjalisë së famshme të Barletit se Skënderbeu mbante flamuj të kuq, të qëndisur me shqiponja të zeza dykrenare.

Grafikisht flamuri në këtë gravurë nuk është i kuq, kjo edhe për specifikën e gravurës bardhë e zi, por ndoshta edhe për faktin se në hartën portolane të vitit 1457, kur ishte gjallë vetë Skënderbeu, ka qenë ravizuar flamuri shqiptar me fushë të artë dhe shqiponjë dykrenore e kuqe, jo e zezë.


Mundet që Jost Ammani të ketë patur parasysh këtë dukuri të heraldikës, që vërtetohet edhe nga afresket e zbuluara në absidën e kishës së Kepit të Rodonit, ku ka qenë Rezidenca Kështjellore e vetë Skënderbeut.


Tepër interesante është rafigurimi i shqiponjës dykrenore te flamuri i gravurës, krahët e shqiponjës kanë një tendencë të ngritur lart, dhe jo të ulur poshtë, që e ka shqiponja heraldike e Vulës, kurse mbi dy kokat e shqiponjës duken kurora mbretërore. Këto kurora janë shtesa të mëvonshme.


Dihet se në shekullin e Jost Ammanit ka jetuar dhe shqiptari i jashtëzakonshëm Konstantin Arianiti, i cili spikati edhe si komandant i gardës së Papës së Romës, si ambasador i disa mbretërve europianë, si dhe ka jetuar në oborrin perandorak të Maksimilianit II.

Një portret grafik, pak grotesk i Maksimilianit II, ndodhet në dorëshkrimin në pergamen të Librit të Skënderbeut, që ruhet në Bibliotekën e Vajmarit.

Ka mundësi që ky dorëshkrim të ketë qenë i poseduar nga Konstantin Arianiti, i lidhur ngushtë me familjen e pasardhësve të Skënderbeut.

Dihet se pasardhësit e Skënderbeut i shtuan shqiponjës dykrenare kurorat mbretërore.


Skënder Blakaj në shkrimin e tij me të drejtë zë në gojë, vë në spikamë disa gabime në vepra dhe në shkrime për Skënderbeun.

Për një gravurë e quajtur gabimisht „Skënderbeu dhe Huniadi“ e shekullit 17 është në të vërtetë me titull „Skënderbeu dhe Karli i Madh“ dhe i takon origjinarisht shekullit 16.

Gravura „Skënderbeu dhe Karli i Madh“ ka një stil simultant në kohë dhe në hapësirë, si p.sh. në ikonat bizantine.

Përfytyrohet, bëhet një kapërcim në kohë dhe në hapësirë, krijohet një takim imagjinar i Karlit të Madh të shekullit të 9 me Gjergj Kastriot Skënderbeun e shekullit të 15.


Lorenc Ignacio Thjulen ka botuar në vitin 1832 librin „Dialogë në Botën e të Vdekurve“.

Dialogu i parë është midis Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Karlit të Madh.

Libri ka 48 dialogë.

Thjuleni ka lindur në Suedi (1746-1833).

U botua së pari në Bolonja.


Po i rikthehem emri të nderuar të Jost Ammanit.

Ky artist gjerman dhe europian është nga më të përkushtuarit për temën shqiptare, më saktë për Skënderbeidën e shekullit të 15.

A nuk do të ishte diçka tejet e dobishme dhe shëmbëlltyrë frymëzuese mbledhja e tërë gravurave të Jost Ammanit dhe të botoheshin në një album të veçantë?


A nuk është e mundshme që të përkujtohet artisti i madh Jost Amman në Shqipëri, madje t’i vihej emri i tij ndonjë shkolle apo rruge, ose të konceptohej ndonjë pllakë, e reliev përkujtimor?


Në vitin 2005, në 600 vjetorin e lindjes së Skënderbeut, unë organizova Konferencën ndërkombëtare, të vetmen, në Vjenë të Austrisë dhe në Europë për Skënderbeun, si dhe mblodha qindra gravura me qëllim të botoja një album me siglën e Muzeut Historik Kombëtar, kur papritur përjetova absurdin e largimit tim krejtësisht politik nga detyra e Drejtorit të Muzeut Historik Kombetar.


Kështu më mbeti pa u botuar ky album grafikash të mrekullueshme, si dhe një dorëshkrim i librit tim me hulumtime për artin dhe heraldikën e Skënderbeut, me zbulime origjinale dhe një konceptim, sui generis.


23 Maj 2018