Gjuha standarde shqipe, dialektet dhe letërsia

Profesoresha: Shefkije Islamaj

Ju e dini qe çdo gjuhë standarde, pa marrë parasysh sa është e gjatë historia e saj, në fillimin e saj është një dialekt a një e folme e caktuar. Krijimi i normës gjuhësore letrare nis nga strukturat e një dialekti. Por, që nga ai moment i krijimit të saj si gjuhë standarde, fillon ndarja e rrugëve të tyre, të dialekteve dhe të gjuhës standarde – që nga ai moment ato nisin të ndjekin zhvillime të veçanta. Struk­tura gramatikore e gjuhës standarde është e një dialekti të caktuar dhe e një kohe të caktuar, më saktë është strukturë gramatikore e ko­hës kur u krijua norma e asaj gjuhe. Natyrisht, si dhe sa do ta ndjekë gjuha standarde fjalën e gjallë, si dhe sa do të për­thithë brenda vetes veçoritë që janë fryt i zhvillimit gjuhësor të saj nga koha kur është normuar e deri në kohën kur përdoret, varet prej parimeve mbi të cilat nis norma e asaj gjuhe standarde.

Vështruar nga aspekti historik, normat standardo-gjuhësore kanë bazën e tyre territoriale, sociale dhe fun­ksionale. Edhe në procesin e formimit të normës gjuhësore të shqipes ka qenë e domosdoshme mbështetja në një dia­lekt të një territori. Studiuesit shqiptarë të standardizimit të gju­hës shqipe e të kodifikimit të normës së saj ndër ta më të njohurit Xhuvani, Çabej, Domi, Demiraj, Kostallari e të tjerë, kanë shquar dhe shquajnë posaçërisht rolin e madh që ka pasur në këtë përcaktim territorial gjuhësor tradita shkrimore, më saktë korpusi letrar i krijuar në këtë dialekt – në toskërishten, përgjatë më shumë se një shekulli. Natyrisht edhe roli i faktorëve jashtëgjuhësorë ka qenë i ndjeshëm. Pse pikërisht toskërishtja? Nuk është diçka e re, por është diçka që është thënë dhe dëshmuar shkencërisht nga stu­diuesit më të ditur të shqipes se toskërishtja ishte dialekt më i për­pu­nuar, më i standardizuar dhe më i njësuar sesa gegërishtja, në të vërtetë siç thotë studiuesja Kristina Jor­gaqi toskërishtja letrare “u shfaq si një variant përfaqësues i të folmeve toske, d.m.th. e unifikuar e homogjene në raport me gegërishten e fragmentarizuar e të ndarë në të folme të shumta; si një variant më i hapur e më dinamik, që kish përfshirë tashmë në gjirin e saj edhe elemente të gegërishtes; si një variant me strukturë më të thjeshtë fonetike e gramatikore etj.”[1], si i tillë me gjasa më të mëdha për t’u vendosur si bazë e gjuhës standarde.

Në procesin e formimit të normës gjuhësore sta­ndarde të çdo gjuhe më së shpeshti është theksuar rëndësia e madhe dhe roli që ka pasur letërsia artistike, pra korpusi letrar, në përcaktimin e bazës letrare të gjuhës. Ndikim të madh në identifikimin a në përcaktimin e normës sta­ndardo-gjuhë­sore të gjuhës shqipe, posaçërisht kanë pasur shkrimtarët e mëdhenj, veprat e të cilëve janë konsideruar burim bazë, gjedhe ku janë mbështetur fort edhe gjuhëtarët shqiptarë. Ka mjaft shembuj jashtë nesh që provojnë se kur një varietet ka pasur histori të pasur letrare, histori që e kanë shënuar autorët e mëdhenj, atëherë kjo është bërë një arsye e fortë që pikërisht ai varietet të bëhet standard. Gjuha e shkruar dhe letërsia e jo gjuha e folur shënojnë fillimet e standardizimit të gjuhëve. Me kohë, natyrshëm ndryshoi rrethi i bartësve të zhvillimit të normës gjuhësore të standardit – ai zhvendoset edhe në tekste profesionale, në tekste shkencore e teknike, në tekste publicistike e informative, kurse tekstet artistike si burime bazë gjatë kodifikimit dhe studimit të normës gjuhësore humbin rolin e madh që kanë pasur në proceset standardizuese nëpër kohë.

Historia e gjuhës sonë standarde nuk është e gjatë, kap më pak se gjysmë shekulli, por mjaftueshëm që të sjellim përfundimin se ajo që u tha më lart përligj edhe rrugën e zhvillimit të saj. Pra, historia e gjuhës standarde shqipe është relativisht e shkurtër, kurse proceset sta­ndardizuese të gju­hës shqipe kanë moshë shumë më të madhe dhe kanë një histori të pasur përpjekjesh të zell­tarëve të mëdhenj të gjuhës shqipe, më shumë se një she­kull. Në gjuhën standarde shqi­pe krahas trajtave drejt­shkrimore e gramatikore të normuara në Kongresin e Drejt­­shkrimit (1972) janë përfshirë edhe elemente të shumta e të rëndësishme të gegërishtes, të cilat janë futur edhe në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe. Ele­mente të gegërishtes do të vazhdojnë të përfshihen pareshtur në fjalorët e gjuhës, jo vetëm në ata të gjuhës standarde, po edhe në fjalorët e gjuhës shqipe në përgjithësi, që do të hartohen e që po na mungojnë sot.

Si gegërishtja ashtu edhe toskërishtja para normimit të gjuhës standarde kanë njohur zhvillime të dukshme të shprehjes gjuhësore, zhvillime që karakterizojnë përgjithë­sisht çdo dialekt kudo tjetër, para normimit të gjuhëve standarde, prandaj mund të flitet për traditën letrare gege, për traditën letrare toske, por edhe për traditën letrare ar­bëreshe, edhe pse kjo e fundit pa status të përcaktuar qartë dialektor. Këto tradita të pasura shkri­more janë pasuri e për­bashkët, shumë e çmueshme, e kulturës shqiptare në për­gjithësi.

Pavarësisht dallimeve midis gjuhës standarde dhe dia­lekteve, midis këtyre dy realizimeve gjuhësore, ekzis­tojnë edhe më tej shumë veçori të përbashkëta gjuhësore. Ndi­ki­met e ndërsjella midis tyre janë shumë të dukshme dhe shumë të gjalla në të gjitha rrafshet gjuhësore. Gjuha sta­ndarde pareshtur pranon nga dialektet, nga të folmet, jo vetëm pasuri leksikore dhe elemente prozodike, por edhe elemente të tjera karakteristike vetëm për të folmet a ligjë­rimet e ndryshme shoqërore-gjuhësore. Këto ndikime mund t’i quajmë pasurim i saj, në vërtetë pasurim e larmi e shpre­hjes gjuhësore. [2]

Në kohën tonë dialektet vazhdojnë të kenë ende fushë të gjerë përdorimi. Në gjithë arealin gjeografik të shqipes, ku më shumë e ku më pak, mund të vërejmë se ata që flasin në gjuhën standarde shpesh e ngjyrosin, që­llim­shëm a paqë­llimshëm, shprehjen e tyre gjuhësore me veçori ligjërimore lokale. Kështu format letrare fitojnë shënjues lokalë ligjë­ri­morë dhe anasjelltas. Dhe kjo është e kuptueshme për shumë arsye, për të cilat nuk është vendi këtu të flasim.

Dialektet

Për dallim nga gjuha standarde, idiomat organike, dia­lektet, nëndialektet e të folmet, zhvillohen brenda një bash­kë­sie konkrete dhe në kultura konkrete etnike për të plo­të­suar nevojat komunikuese dhe shprehëse. Si dialektet, nën­dialektet, të folmet lokale, ashtu edhe gjuha standarde, “kanë inventar të përcaktuar qartë të substancës së vet dhe kanë strukturë, po ashtu, të përcaktuar qartë.”[3]

Dialektet e gjuhës shqipe kanë mundësitë e tyre shprehëse, që shfaqen në të gjitha rrafshet gjuhësore dhe këto mundësi janë të pasosura, sepse gjuha nuk është ajo që njohim, siç do të thoshte Sapiri, po ajo që mund të bëhet. Në raport me gjuhën standarde ato kanë edhe kufijtë e tyre në këtë rrafsh, që shprehen sidomos në fushën e komunikimit. Dialektet i vijnë në ndihmë standardit në çdo rast, prandaj thuhet aq shpesh se ato janë gurrë e pa­shtershme për pasu­ri­min e gjuhës së përbashkët. Mundë­sitë shprehëse dialektore të shqipes, pos në ligjërimin e folur, aktualizohen sidomos në letërsi e publicistikë. Ato vazhdojnë të mbeten të rë­n­dë­sishme për letërsinë dhe publicistikën edhe sot pas dyzet e sa vjetësh nga koha kur u kodifikua norma gjuhësore e shqipes. E kuptueshme, letërsia dhe publicistika janë fusha krijuese që nuk për­jashtojnë asnjë shtresë gjuhësore për arsye të natyrës dhe prejardhjes së tyre, prandaj as prurjet që vijnë nga burimet gjuhësore që kanë përcaktuesin gjuhësor terri­torial – nga dialektet e të folmet.

Me të drejtë gjuhëtarët bëjnë përdallimin midis dialekteve, nëndialekteve, të folmeve dhe varianteve letrare që dëshmohen me traditë shkrimi siç janë gegërishtja letrare dhe toskërishtja letrare, më konkretisht elbasanishtja, shko­dranishtja, arbërishtja dhe kosovarishtja – kjo e fundit me traditë dukshëm më modeste në krahasim me variantet e tjera të përmendura, që përbëjnë trashë­giminë tonë kultu­ro­re. Variantet letrare nuk janë dialekte edhe pse ndërtohen mbi dialektet, ato janë variante shkri­mi të kultivuara, të përpunuara, të zhvilluara përmes llojeve e zhanreve të ndry­shme letrare. Për dallim nga variantet letrare, dialektet kanë bazë ligjërimin e folur. Lëvrimi i këtyre varianteve letrare sot është i rrudhur shumë, dhe kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh vetëm ndër shqiptarët. Gjuha standarde gjithkund dhe çdo herë tkurr a zvogëlon hapësirën e varianteve gjuhësore letrare.

Sot në hapësirën shqiptare shkruhet në gjuhën standarde dhe në dialekte: arbërishten e gegërishten veriore.

Në gjuhën standarde shqipe është zhvilluar dhe po zhvillohet një letërsi shumë e pasur në gjithë arealin shqip­folës, po përkthehet një letërsi shumë e pasur botërore, dhe jo vetëm letërsi po edhe literaturë e të gjitha fushave të jetës e të mendimit njerëzor. Përvijohet shpesh mendimi se me këto procese po humbin dialektet që do të thotë po humb lar­mia gjuhësore, por unë mendoj se me këto procese larmitë gjuhësore shqipe po bashkohen e po e pasurojnë gjuhën e përbashkët, gjuhën standarde, dhe kjo e fundit po bëhet faktori më bashkues jo vetëm në rrafshin gjuhësor dhe letrar, pra në letërsi, por edhe në rrafshin simbolik kombëtar.

Në historinë tonë letrare shqipe shkrimtarët e më­dhenj si De Rada, Naimi, Fishta, krahas shkrimtarëve të tjerët të shquar, kanë krijuar korpusin e çmueshëm të letërsisë shqi­pe, duke dëshmuar kështu sidomos mundësitë gjuhësore, shprehëse e estetike të tre krahëve të shqipes: të gegërishtes, të toskërishtes dhe të arbërishtes, duke dësh­muar kështu mundësitë krijuese të shqipes në fazat e ndryshme të zhvi­llimit të saj dhe në areale të ndryshme gjeografike të gjuhës shqipe. Shkrimtarët që krijuan në një kohë kur shqipja përfaqësonte një zhvillim modest gjuhësor, që ishte në pajtim me zhvillimet e përgjithshme, me zhvillimet historike-shoqërore, pra edhe kulturore shqiptare, arritën, falë talentit të tyre dhe aftësisë njohëse, përvojës letrare e jetësore, të kapërcejnë kufizimet e ndry­shme, sidomos gjuhësore, dhe të na sjellin vlera që edhe sot e gjithë ditën të çmohen si të tilla. Jo dialektet, jo gegërishtja a toskërishtja, në këtë mes edhe arbërishtja, s’i kanë bërë veprat e tyre të frymëzuara, të njo­hura, të çmu­ara dhe jetëgjata, po i kanë bërë vlerat artistike, krahas vlerave gjuhësore, gjuhës së pasur artistike, mesa­zheve, tematikave e përbërësve të tjerë që përbëjnë një vepër të mirëfilltë letrare, duke e pasuruar tipologjinë e poezisë dhe të prozës shqipe në përgjithësi.

Raportet gjuhë standarde – dialekt

Për marrëdhëniet e gjuhës standarde shqipe me dy dialektet e saj gegërishten dhe toskërishten, mund të flitet nga shumë aspekte. Mund të flitet në rend të parë për bashkëmarrëdhëniet dhe ndërndikimet. Ndikimin e madh të gjuhës standarde mbi dialektet, përkatësisht mbi të folmet lokale, duhet ta lidhim me ndikimin që vjen nga arsimimi, mjetet e informimit publik, nga prestigji i gjuhës standarde në hapësira të caktuara të përshtrirjes dhe të përdorimit të saj. Mund të flitet, po kështu, edhe për ndi­kimin e këtyre të fundit jo vetëm në tërheqjen e deri­dikushme të dialekteve po sidomos në “shfytyrimin” e tyre. Gjuha standarde ndikon në idiomat organike gjithsesi më shumë se idiomat organike në gjuhën standarde dhe kjo është e vetëkuptueshme. Duhet ta pranojmë se një situatë mjaft e ndërlikuar na paraqitet si­domos në mjediset ku gjuha standarde ende nuk ka krijuar dëshirueshëm vendin e vet, përkatësisht ku zotërimi i gjuhës standarde mbetet ende një ideal dhe ku e folmja vendore tashmë nën trysninë e medieve të sipërpërmendura, ka marrë veçori të të folmeve dukshëm të përziera.

Në këto mjedise ende nuk e gjejmë standardin gju­hë­sor për të cilin kemi përfytyrimin dhe të cilin duhet ta mësojmë në shkolla, nga mësuesit e nga librat, stan­dardin që duhet ta dëgjojmë nga folësit e mjeteve pamore të infor­mimit ose standardin që duhet ta dëgjojmë nga personalitetet e njohura shoqërore. Duhet të jemi të ndër­gjegjshëm se ka mjaft probleme, që lidhen jo vetëm me zbatimin e normës gjuhësore, me njohjen e normës drejt­shkrimore, të normës leksikore, sidomos me çështjen e përdorimit të madh të fjalëve të huaja, me normën shqip­timore, me rregullsinë sintaksore, por edhe me normën stilistike. Në këtë situatë si gjuha standarde ashtu edhe dialektet, përkatësisht të folmet, bëjnë përpjekje të ruajnë veçoritë e tyre, të ruajnë qëndrue­shmërinë e tyre, ekzis­tencë e tyre, në të vërtetë të mbi­jetojnë.

Dialekti dhe letërsia

Të dyja dialektet e shqipes, gegërishtja dhe toskë­rishtja, dhe të gjitha idiomat e tyre, janë thesar i popullit shqiptar, pasuri e tij kulturore ashtu siç është pasuri edhe letërsia, që krijohet a që mund të krijohet në idiomat e tyre. Nuk ka pengesë pastërtie a, ta quajmë, purizmi, që do të mund të ndalonte depërtimin a ndikimin e ndërsjellë dialekt – gjuhë standarde dhe anasjelltas. Dialektet, ashtu si edhe gjuha e letërsisë, janë hapësira të lirisë gjuhësore, hapësira, t’i quajmë kushtimisht, të “manipulimeve” gju­hë­sore, të lojës kuptimore e simbolike, hapësira të rrënimit të të gjitha normave gjuhësore, hapësira të ndër­teks­tualitetit dhe hapë­sira ndërgjuhësore.

E thamë më lart se në historinë e gjuhës shqipe janë pikërisht shkrimtarët ata që kanë bërë përpjekje më të mëdha dhe që kanë derdhur mund pareshtur për të ndër­tuar një gjuhë të pranueshme dhe të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, një gjuhë në të cilën do të përdornin talentin e tyre letrar-artistik, një gjuhë artistike që do të kuptohej e përjetohej kuptimisht e estetikisht prej të gjithë shqiptarëve kudo gjendeshin ata. Dhe këtë e dëshmon mirë historia jonë kulturore përgjatë gjysmës së dytë të shekullit 19 dhe në vijim gjatë gjithë shekullit 20. Idenë e bashkimit gjuhësor e letrar të shqiptarëve e nis Kristoforidhi, jo vetëm simbo­likisht, po edhe përmbajtjesisht me Gjahun e malësorëve [4], që është tregim që shënon fillimin e prozës artistike të shqipes, dhe vazhdon me ngulmimin në këtë rrugë të autorëve të tjerë të rëndësishëm të Rilindjes sonë e më pas në shekullin 20: De Rada, Naimi, Samiu, Çajupi, Mjeda, Konica, Noli, Asdreni, Ndoc Nikaj, Fishta e autorë të tjerë, për një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Dëshmitë për këtë janë të pakundërshtueshme, janë dëshmi që nuk rrëzohen.

Shkrimtarët janë a quhen të mëdhenj pse kanë krijuar vepra të mëdha letrare, vepra që kanë kapërcyer kufij lokalë, regjionalë, kombëtarë e kontinentalë, falë talentit të tyre, pra jo pse kanë shkruar në dialekt, në jostandard ose në stan­dard. Procesi krijues është i kushtëzuar nga përbërës sub­jektivë dhe objektivë. Vepra artistike është rezultat i aftësive të lindura dhe të fituara të shkrimtarit: i aftësisë së vrojtimit, i analizës dhe i sintezës; është rezultat i aftësisë për formësimin artistik të përjetimeve dhe të përvojës; rezultat i ndjeshmërisë së tij për vlerat artistike, për të bukurën, për artin, rezultat i invencionit, i imagjinatës, i ndjenjës dhe i mendimit. Domethënë, veprat e mëdha letrare nuk janë të tilla, pra të mëdha, pse shkruhen në standard a pse shkruhen në dialekt. Mund të thuhet madje se shfrytëzimi skajshëm parimor dhe korrekt i gjuhës standarde shumë vepra do të mund t’i varfëronte si krijime gjuhësore e artistike. As përdorimi i dialektit, as gjallësia e tij, nuk ia sigurojnë jetën artistike një vepre letrare, pra as të shkruarit në standard e as të shkruarit në dialekt nuk ia sigurojnë madhështinë e as vlerën artistike një vepre letra­re. Vetëm lidhja e veçantë e gjuhës, pra edhe e dialektit, me artin, lidhja e gjuhës me tematikën e me përbërës të tjerë të saj, me ndërtimin e veprës, në rastet më të mira, mund të thonë realizim i madh. Nuk dihet saktësisht në ç’masë sot shkruhet nga shkrimtarët e rinj në variantet letrare dialektore. Ndoshta dihet pak më mirë për krijim­tarinë që zhvillohet në arbërishten, pak a shumë edhe në gegërishten veriore dhe atë verilindore e fare pak për krijimet në toskërishten dhe nuk e di nëse këto krijime përfshihen në antologjitë e pakta që hartohen sot për mbarë poezinë shqipe. Shkurt, shkrimtarët janë të lirë të zgjedhin çka do të shkruajnë e si do të shkruajnë.

Letërsia në cilindo dialekt a idiomë është shprehje autentike e botës a e mikrobotës që i përket atij areali gjeo­grafik, sepse, dihet, dialektet, nëndialektet dhe të folmet, janë rrjedhoja të ndarjeve e të largesës gjeografike të folësve të një bashkësie gjuhësore. Çdo idiomë gju­hë­sore, është një gjë e ditur kjo, sado e vogël qoftë, përmban në vete një botë të veçantë, unike, me të cilën mbahet ajo, me të të cilën riprodhon kujtesën e vet, trashëgiminë e vet gojore, letërsinë e vet, prandaj thuhet se bota krijon gjuhën dhe gjuha krijon botën. Humbja e cilësdo idiomë, thonë sot sociolinguistët, do të thotë zvogëlim i larmisë kulturore, varfërim i saj. Nëse bota do të varfërohej me zhdukjen e çfarëdo specie të saj të gjallë, edhe më shumë do të varfërohej me humbjen e ci­lësdo idiomë sepse me humbjen e saj zhduket edhe ajo botë, edhe ajo jetë që ka ekzistuar me të natyrisht sipas mënyrës së saj. Mund të thuhet, prandaj, se për një një bashkësi gjuhësore ka rëndësi të madhe si gjuha standarde ashtu edhe dialektet.

Letërsia dialektore në raport me letërsinë e krijuar në gjuhën standarde përjetohet sot, jo rrallë, si letërsi kra­hinore a regjionale, si letërsi e vendlindjes e mbrujtur me ndjenja që lidhen me gjendje të caktuara nga e kaluara, me gjuhën e vendlindjes, me kujtimet. Pavarësisht pse “dialek­tore”, ajo është pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë letrare, është pjesë e korpusit të letërsisë kombëtare. E kuptueshme. Gjuha standarde nuk do të thotë se duhet ta ketë të drejtën e pa­për­jashtueshme edhe në letërsi sikur në gjuhën e administratës shtetërore, në gjuhën e shkollës e në librat shkollorë e shken­corë, në gjuhën e mjeteve publike. Është diçka tjetër nëse autorëve që shkruajnë në dialekt, kjo letërsi do t’u sigurojë a jo lexueshmërinë e synuar a të dëshiruar në gjithë hapësirën kombëtare, sepse letërsia dialektore kufizon në hapësirë dhe në kohë.

Është zgjedhja e autorëve nëse duan të lexohen vetëm prej bashkëidiomësve a bashkëdialektësve të tyre apo prej të gjithë bashkëkombësve të tyre dhe nëse duan a s’duan të lexohen edhe në kohën që do të vijë. Çdo shkrimtar sikundër edhe çdo njeri ka dritaren e vet nga e shikon botën. Sa më e madhe të jetë kjo dritare shikimi është më i kthjellët, më dritëgjerë e më dritëgjatë.

Por, siç janë të vetëdijshëm se me përdorimin e dia­lektit e sigurojnë vlerën artistike të veprave të tyre letrare njësoj siç sigurohet me përdorimin e gjuhës standarde, shkrim­tarët duhet të jenë të jenë të vetëdijshëm se gjuha dialektore e kufizon, e zvogëlon në kohë jetën dhe e rrudh në hapësirë përshtrirjen e veprave letrare.

Në këtë kontekst po shpreh mendimin tim se rruga më e mirë që duhet të ndiqet nga shkrimtarët dialektorë sot është kjo: nëse ai vendos të shkruajë në idiomën e vet të kufizuar është e dëshirueshme që lëndën e idiomës amtare ta bash­kojë me atë të gjuhës standarde dhe kështu ta kultivojë e ta pasurojë amën e vet gjuhësore. Një letërsi e krijuar kështu them se ngjesh e pasuron raportin gjuhë standarde – dialekt dhe, anasjelltas, dhe kjo do të thotë se pasuron gjuhën shqi­pe, e, rrjedhimisht, edhe vetë gjuhën standarde dhe vetë dialektet. Kështu shkrimtari përdor ligjërimin e tij jo si e përcakton standardi, po si e për­cakton sistemi e kjo do të thotë shmangiet e tij nga norma nuk janë shkelje e normës. Studiuesit e stilit pajtohen se stili funksional letrar-artistik i takon sistemit e jo sta­ndardit. Shkrimtari kështu, me ligjë­ri­min e tij, me rrëfimin e dialogët e çlirët të veprës së tij, jo vetëm ruan e gjallëron ndërtimet dhe format të cilat në gju­hën standarde dhe në stilet e saj funksionale janë çdo herë e më të rralla ose me përdorime të kufizuara, siç janë ndërti­met me paskajore, me pjesore, me urdhërore, me habitore e të tjera, si forma individualizuese dhe stilistike në gjuhën e tij, por kështu ndihmon ripërtëritjen e standardit. Ai jo vetëm ruan traditën gjuhësore, por rigjallëron e sjell të reja në rrafshin leksikor, morfologjik e sintaksor. Ta sjellim në kujtesë punën e madhe në këtë drejtim të shkrimtarëve Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Jakov Xoxa, Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Rexhep Qosja e shumë të tjerë. Shkrimtari edhe duke shmangur trajtat letrare në funksion individualizimi mund të jetë në shërbim të standardit, sepse shmangie nga standardi në një krijim artistik nuk do të thotë papërgjegjshmëri ndaj normës së gjuhës dhe ndaj standardit por përmbushje e përbërësve krijues të një vepre letrare artistike.

Shkrimtari është i lirë të zgjedhë se në ç’gjuhë do të shkruajë, do të shkruajë në standard a në jostandard, do të shkruajë në dialekt a të folme lokale, por në këtë liri të veten zgjedhja për të shkruar në gjuhën standarde i jep shumë përparësi. Dhe kur vepron kështu, ai i zgjeron kufijtë e lirisë, jo vetëm të krijim­tarisë së tij artistike, po edhe të krijimtarisë gjuhësore, edhe asaj dialektore, e në të njëjtën kohë kur zgjedh të shkruajë në gjuhën standarde ai i drejtohet lexuesve në çdo cep të at­dheut shpirtëror të shqiptarëve.

Para çdo shkrimtari qëndron detyra e domosdoshme: njohja e normës së gjuhës së sotme standarde, njohja e gjuhës në të cilën sot shkruajnë shkrimtarët tanë më të mirë, kurse kjo detyrë arrihet në rend të parë me leximin e veprave të shkrimtarëve të mirë dhe me përkujdesjen sistematike të shprehjes vetjake gjuhësore.

Stilistika dhe letërsia dialektore

Stilistika që merr në shqyrtim letërsinë që krijohet sot në dialektet, letërsinë që pak a shumë mbështetet në traditën shkrimore gege, toske, arbëreshe, si variante let­rare, që kanë historinë e tyre të gjatë në kulturën shqiptare, pra stilistika ta quajmë kushtimisht dialektore, ka status skajor, për të mos thënë se nuk ka një stilistikë të tillë në gjuhësinë shqiptare. Kjo që u tha nuk ka të bëjë dhe nuk mund të thuhet për studimet që u janë bërë veprave të traditës sonë dialektore, të cilat sot lexohen, rilexohen e vlerësohen nga studiuesit letrarë, gjuhësorë dhe stilistikë. Në këto studime stilisti e gjuhëtari nisen nga teoria e re­cep­timit për të vështruar pozicionet e ndryshme të prani­mit të mesazheve të kushtë­zuara nga shtresëzimi i idiomës në qarkun sinkronik dhe diakronik. Në këto vështrime çështjet e stilistikës, sidomos të stilistikës së tekstit, si dhe të stilistikës së idiomave or­ga­nike, zënë vend të për­fill­shëm. Në këtë kontekst po përmend një studim[5] të tillë, tërësor, për stilistikën gjuhësore të veprës së një autori të madh të traditës, të Gjergj Fishtës, në të cilin, pos të tjerash, është trajtuar numër i madh temash e çështjesh për gjuhën dhe stilin e tij, vështruar edhe në përballjen dialekt – gjuhë standarde, në të gjitha rrafshet gjuhësore, që është realizuar para pak vjetësh. Po përmend posaçërisht vësh­trimet për leksikun dialektor, me theks të veçantë për, ta themi, gegizmat e tij, për poetizimet me ngjyresa tipike gege, në përgjithësi, për shprehësinë dia­lektore dhe leksikore, frazeologjike dhe sintaksore, madje edhe për ato të konsideruara si klishe, shumë nga të cilat janë kara­kteristike për gjuhën popullore e për mbarë shqi­pen, pra jo vetëm për idiolektin e Fishtës e për idiomat veriore gege.

Në këto vitet e fundit nuk mungojnë as studime që marrin në vështrim stilistik, autorë që kanë shkruar e përfunduar veprën e tyre në dialekt siç janë Martin Camaj, Sami Repishti etj., duke spikatur veçanërisht stilistikën dia­lektore të tyre.

Kur flasim për gjuhën e letërsisë, pra edhe për letër­sinë dialektore, duhet të kemi parasysh gjithmonë stilistikën funksionale. Stili funksional letrar-artistik, në raport me stilet e tjera funksionale, mund të konsiderohet mbistil sepse shfrytëzon ose mund të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ka ose që lejon sistemi gjuhësor; ai nuk formësohet brenda sistemit si një nënsistem i saj po, thënë simbolikisht, shumë­funksionalitetin e gjuhës e paraqet si funksion të vetin. Me­ndoj se është e drejtë të thuhet se askund më mirë se në veprën letrare nuk ruhet, nuk zhvillohet e nuk krijohet gjuha, pra edhe gjuha standarde. Nga vepra letrare përmes gjuhës marrim, mësojmë dhe përvetësojmë kujtesën, kur na mungon ajo, dhe, natyrisht fuqinë krijuese të saj.

Përfundim

Gjuha standarde shqipe u krijua mbi gjuhën e Naimit, Çajupit, Konicës, Nolit, Kutelit, Poradecit, Xo­xës, Shute­riqit, Kokonës, Bulkës, Andrea Varfit, e shumë të tjerëve, por brenda saj janë përfshirë elemente të shumta të dialektit gegë: pasuri leksikore e frazeologjike, pasuri dhe larmi ndër­timesh sintaksore, elemente morfologjike dhe gjedhe fjalë­formuese. Këtë e dëshmojnë mirë Fjalorët e gjuhës së sotme shqipe.

Dhe kjo përfshirje nga dialekti nuk e ka kufizuar aspak standardin. Hyrja e elementeve gjuhësore, e pasurisë leksikore, frazeologjike, sintaksore, më në fund edhe mor­fologjike nga të folmet dialektore në gjuhën standarde do të vazhdojë edhe më tej sepse ajo është e hapur ndaj prurjeve nga burimet e saj dhe e gatshme për risimtari të brendshme dhe të jashtme. Përfshirja a hyrja e këtyre prurjeve në gjuhën standarde u takon përdoruesve e lëv­ruesve të gjuhës, e ndër ta shumë të rëndësishëm konsi­de­rohen shkrimtarët. Fjalorët e ardhshëm, që do të hartohen bashkërisht Tiranë – Prish­tinë, do ta dëshmojnë më së miri këtë.

Pasurimin e gjuhës standarde dhe të letërsisë shqipe pa ndarjet krahinore po e bëjnë e po e zhvillojnë edhe sot posa­çërisht shkrimtarët e mirë, shkrimtarët që po arrijnë t’i lëvizin kufijtë e normësisë standardo-gjuhësore duke zgje­ruar edhe kufijtë e lirisë poetike. Zhvillim e pasurim i gjuhës nuk do të thotë vetëm të krijosh fjalë të reja a të gjallërosh fjalë dialektore a të vjetruara, por do të thotë t’u krijosh e t’u zbulosh vlera te reja atyre fjalëve, të krijosh e të zbulosh kuptime e përmbajtje të reja, të përbëra dhe të shumëfishta, pra do të thotë të pasurosh paraqitjet, duku­ritë, konceptet, botëkuptimet që na rrethojnë, duke zbuluar raporte të reja ndërmjet tyre, duke i veshur ato me fjalë e lidhje fjalësh dhe duke i jetësuar në lidhje të reja e të panjohura gjuhësore, gjithnjë duke pasur parasysh thënien e njohur të Sapirit se “Gjuhë ideale është ajo që me më pak mjete arrin rezultatet më të mira”, që do të thotë saktësi, qartësi, pasuri, pastërti.

Kritikëve të mirë të letërsisë u bie detyrë që të dinë të përdallojnë veprat e mira letrare nga veprat e dobëta, pavarësisht nëse janë shkruar në gjuhën standarde apo në dialekte a idioma të ngushta lokale.

[1] Kristina Jorgaqi, Përsëri mbi shqipen standarde, “Shekulli” 32, 4..2.2006, f. 18.

[2] Shih më gjerësisht për këto ndikime të ndërsjella gjuhë standarde – dia­lekte: Shefkije Islamaj, Ndërndikime apo: a mund t’i caktohen kufij hapësinorë gjuhës? “Epoka e re”, 13-14 prill 2016, Prishtinë, f.15.

[3] Dalibor Brozoviq, Standardni jezici, “Matica hrvatska”, Zagreb, 1970, f. 12.

[4] Studiuesi Xhevat Lloshi e thotë me të drejtë: “Kristoforidhi nuk ishte vetëm lëvrues i shqipes, por edhe bartës i një konceptimi të drejtë për të. Ai i njihte fare mirë dialektet e të folmet dhe i përpunoi trajtat e tyre për t’i çuar drejt njësimit, duke i paraprirë procesit që do të zhvillohej gjatë një shekulli më pas.”, në veprën e tij Kristoforidhi përmes dokumentimit, “Bota shqiptare”, Tiranë, 2005, f. 152.

[5] Shefkije Islamaj, Gjergj Fishta – gjuha dhe stili I, II, Instituti Alban­o­logjik, Prishtinë 2012.



Gazeta "Dita" 15 dhjetor 2017