Ftesa pas 100 viteve për shqiptarët në Versajë

Sylë Ukshini

Si rezultat i luftërave ballkanike dhe i vendimeve të Konferencës së Londrës, Kosova mbeti nën kontrollin e administratës represive të shtetit serb dhe atij malazias, që ndaj shqiptarëve aplikuan politika shkombëtarizuese. Komisioni hetimor Ndërkombëtar, i themeluar më 1914, raportoi se në Kosovë po zhvillohej një politikë e spastrimit të vërtetë etnik: “Shtëpitë dhe fshatrat të tëra ishin bërë hi, popullata e pafajshme dhe e paarmatosur ishte masakruar…këto ishin masat që ishin zbatuar dhe ende po zbatohen nga ushtria serbe dhe malazeze, me qëllim të transformimit të plotë të karakterit etnik të rajoneve të banuar ekskluzivisht nga shqiptarët”. Në këto rrethana shpresa e vetme e shqiptarëve ishte Austro-Hungaria, e cila jo vetëm se kishte mbështetur themelimin e shtetit shqiptar, por ishte kundërshtarja më e madhe e Serbisë, të cilën e luftonte, që të mos shndërrohej në fuqi ballkanike dhe të mos fitonte dalje në Adriatik. Shqiptarët e Kosovës, besonin se pushtimi serb i Kosovës, ishte i përkohshëm. Por rrjedha e Luftës së Parë Botërore, shpërbërja e Perandorisë Austro-Hungareze, shënoi mbarimin e rendit botëror që ishte vendosur në Kongresin e Vjenës me 1815.

Atëbotë, ekzistonin ide krejtësisht të ndryshme, se si do të organizohej Ballkani pas luftës. Nëse do të kishin fituar Fuqitë e Treshes, sigurisht mbretëria e Jugosllavisë nuk do të ishte krijuar, dhe ekzistencës së Serbisë dhe të Malit të Zi, do t’i kishte ardhur fundi, prej një zgjerimi të mëtejshëm të Austro-Hungarisë drejt Juglindjes dhe ekspansionit perëndimor të Bullgarisë. Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova natyrisht, se do të kishin pozicion tjetër, megjithëse asnjë nga shtetet evropiane nuk e kishte në agjendës zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ministri austro-hungarez i Punëve të Jashtme, Burian, ishte i mendimit që pjesa më e madhe e Kosovës, t’i bashkohej shtetit shqiptar të pavarur. Nuk u zbatua as kjo politikë. Kosova dhe Shqipëria, mbetën të pabashkuara, kështu që shqiptarëve u duheshin leje të veçanta, për të kaluar kufirin nga njëra anë në tjetrën. Përpos që mbeti e ndarë nga Shqipëria, Kosova e pushtuar nga austro-hungarezët u nda edhe nga zona e pushtuar bullgare. Kjo ndarje territoriale dhe administrative, qe shkaku i disa zënkave serioze politike ndërmjet të Bullgarisë dhe Austro-Hungarisë. Por, duhet pranuar se kushtet e jetesës nën zonat e kontrolluar nga forcat bullgare, ishin më të rënda se në zonën austriake. Kështu, që në këto rrethana shqiptarët e Kosovës, të cilët fillimisht e kishin mirëpritur ardhjen e trupave bullgare, gradualisht filluan rezistencën kundër tyre. Një rezistencë më të vogël, pati edhe në zonën austro-hungareze, që drejtohej nga Azem Bejta, i cili bashkëpunonte me serbët vendas.

Ai në fillim, të vitit 1918 hyri në bisedime për ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta kundër trupave gjermane dhe austro-hungareze, me udhëheqësin e organizatës kryesore të çetnikëve, Kosta Peçanci. Ndërkohë që në Shqipëri, Esat Pasha vazhdonte të bënte lojën e Serbisë. Në verën e vitit 1918 ishte më se e qartë se forcat austro-hungareze në Ballkan po shpartalloheshin, ndërkohë që nga Selaniku po marshonin forcat serbe, franceze dhe italiane. Ndërmjet armëpushimit dhe Konferencës së Paqes, ishte krijuar Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, në kuadër të së cilës mbeti gjysma e territoreve dhe e popullsisë shqiptare. Në fakt, në Konferencën e Paqes në Paris Shqipëria dhe shqiptarët u anashkaluan nga Fuqitë e Mëdha. Për më tepër, shqiptarët nuk ishin pjesë e Konferencës së Paqes. Për Shqipërinë dhe Kosovën, nuk ishte rezervuar asnjë ulëse. Ata ishin të braktisur me plotë kuptimin e fjalës. Fati i problemit shqiptar, në fund të Luftës së madhe zbulon kontradiktat brenda sistemit shtetëror evropian, çka e bënte të pamundur krijimin e rendit botëror të qëndrueshëm. Në këtë rrethanë, Beogradi përfitoi duke çimentuar sundimin në Kosovë dhe duke bërë agresion të vazhdueshëm ndaj shtetit të pa konsoliduar shqiptar. Në Kosovë, u rikthye represionit i regjimit serbo-malazez, që përmes plaçkitjes së pronave, kolonizimit dhe dëbimit masiv synonte sllavizmin e këtij territori kompakt shqiptar. Politika konstante represive serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe qëndrimin armiqësor ndaj shqiptarëve në përgjithësi, solli luftën e Kosovës me 1998-1999, e cila kulmoi me krime, vrasje dhe dëbime masive të civilëve shqiptarë. Lufta e Madhe e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe sulmet ajrore 78 ditore të NATO-s, të cilat i dhanë goditjen vendimtare regjimit të Millosheviçit dhe intencës për zhbërjen etnike të Kosovës, hapi shtegun për bërjen e pavarësisë së Kosovës. Ata që përjetuan fitoren e madhe kundër agresionit serb, në qershor të vitit 1999, mund të thonë me të vërtetë, atë që poeti gjerman Johan Ëolfgang Gete e kishte vënë re në luftën e Valmit (1792): “Nga ky vend dhe nga kjo kohë fillon një epokë e re në historinë botërore dhe ju të gjithë mund të thoni se ishit të pranishëm në lindjen e saj”.

Tani, njëqind vjet, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, shteti i Kosovës paraqitet si një aktor i ri gjeopolitik në Evropën Juglindore, që promovon një diskurs të politikës rajonale, të konceptuar si fqinjësi konstruktive. Në të njëjtën kohë, edhe në procesin e shtet ndërtimit dhe të integrimit evropian të vendit tonë janë pikërisht përcaktuese aleatët dhe kundërshtarët e dikurshëm të Luftës së Parë Botore, të cilët për afro njëzet vjet me radhë, janë të angazhuara në Kosovë edhe përmes trupave të tyre ushtarake paqeruajtëse. Në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, trupat britanike, franceze dhe amerikane, qëndruan për rreth një gjysmë shekulli në Gjermani dhe, duke pasur parasysh kërcënimin sovjetik. Tani, trupat e këtyre vendeve dhe aleatëve të tyre, ruajnë paqen në Kosovë dhe në rajon për shkak të kërcënimit të mundshëm nga shteti serb, i cili brenda një dekade të shekullit të kaluar ishte përgjegjës për katër luftëra dhe krime të padëgjuara që nga Lufta e dytë Botërore. Ka të ngjarë që edhe në Ballkan prania ndërkombëtare të zgjasë për një gjysmë shekulli.

Në përvjetorin e 100-të, të armëpushimit të datës 11 nëntor 1918, që i dha fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore, Kosova dhe Shqipëria kanë ndryshuar në mënyrë shumë të favorshme pozitën e tyre rajonale dhe ndërkombëtare. Por, në përfundimin e kësaj lufte botërore, nuk është se ka ndryshuar politika serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Lufta e agresive kundër pavarësisë së saj shpërfaq orientimin serb për krijimin e Serbisë së Madhe. Në fakt, ky synim ishte njëri shkaqet e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, plumbat e pjesëtarit të organizatës terroriste “Dora e Zezë” vranë trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Franz Ferdinand. Në përvjetorin e 100-të të armëpushimit, të datës 11 nëntor 1918, që i dha fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore, Kosova dhe Shqipëria kanë një pozitë shumë të favorshme rajonale dhe ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, politika e jashtme dhe e sigurisë e të dy vendeve tona, operon përmes një politikë konstruktive rajonale dhe një dinamike të re gjeopolitike në një ambient ndërkombëtar dinamik.

Në këtë kuadër, edhe Kosova e Serbia, si dy shtete fqinje, po ashtu, kanë çfarë të mësojnë në këtë njëqind vjetor si nga luftërat dhe vuajtjet, ashtu edhe nga miqësia franko-gjermane, duke stabilizuar marrëdhëniet e tyre ndërshtetërore dhe duke krijuar një paqe të qëndrueshme në rajonale. Ashtu si Clemens von Metternich, që disiplinoi objektivat pa limit të Napoleonit, edhe BE dhe SHBA duhet të frenojë qasjes agresive të Serbisë ndaj rajonit. Veçanërisht ndaj shtetit të ri të Kosovës, të heq dorë nga pretendimet e saj territoriale. Në fund të fundit, edhe pas katër luftërave dhe shumë vuajtjeve dhe dhimbjeve të shkaktuara, kufijtë mbeten po ata që ishin dikur.

Për më tepër, njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Madhe, është varrosur Jugosllavia e Versajës, ndërsa shteti serb, në vend të Serbisë së Madhe, tani lumturinë e vet duhet ta gjejë brenda kufijve aktual. Për këtë mbase mesazhi më domethënës ishte prania e udhëheqësve ballkanikë, para së gjithash i presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai Shqipërisë, Ilir Meta, në ceremoninë qendrore për shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris. Në këtë mënyrë, në Paris Kosova dhe Shqipëria për herë të parë u kthyen aty ku mungonin 100 vjet më parë, tani ato kishin karriget e tyre e tyre, të cilat dikur ishin të zaptuara nga pushtuesit e tyre. Duke pasur parasysh pozicionin që kishin para një shekulli shqiptarët, kur Shqipëria ishte e sfilitur nga brenda dhe e pushtuar nga jashtë, ndërsa, Kosova as që ekzistonte në hartën politike evropiane, pjesëmarrja e Kosovës në këtë ceremoni të liderëve të botës është ngjarje madhore për afirmimin e shtetit të Kosovës. Ceremonia e Parisit dhe prania e shqiptarëve aty tregon harmoninë që ekziston brenda sistemit ndërkombëtar dhe mbi të gjitha faktin se Republika e Kosovës është bërë aktor me subjektiviteti ndërkombëtar, ndërsa Franca një vend mik që angazhohet në vazhdimësi për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit Kosovës.


/ Sylë Ukshini, I ngarkuari me punë i Kosovës në Shqipëri/ Shkruar posaçërisht për gazetën “Shekulli”. Titulli i origjinalit: “Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore II”