Frang Bardhi për Skënderbeun
Moikom Zeqo
Një personalitet i madh i shekullit të XVII Frang Bardhi boton më 1636 në shtypshkronjën e Mark Gjinamit në Venedik librin e tij Apologjia e Skënderbeut.
Frang Bardhi, nxënës i Kolegjit “Propoganda Fide”, episkop i Sadës dhe i Sardës si dhe administrator i Pulatasve dhe popullsive të tjera të Arbërisë e shkroi librin e tij për të mbrojtur historinë dhe figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut nga fallsifikimet që ishin bërë në shekullin e XVII në mënyrë të veçantë nga një i quajtur Jan Tomku, bashkëkohës i Bardhit, që pretendonte se zbriste nga familja princërore dhe mbretërore e Margnavëvet apo e Margnaviçëve, i cili në një libër prej 55 faqesh kish marrë përsipër të provonte se Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk ishte biri i Gjon Kastriotit, por i një të quajturi Joanis Marknaviç, biri i mbretit të Serbisë Vukashinit (1366-1371) i cili nga ana e tij ishte biri i princit Marko Margnava dhe babë i Mbretthit legjendar Marko Krajleviçit.
Ndërmarrja e tij e “kobëshme” siç e quan Bardhi kish për qëllim t’i rrëmbente kombit shqiptar yllin e tij të ndritur të historisë dhe për të krijuar një Hero sllav të shekullit të XV, duke krijuar njëkohësisht edhe linjën e gjenealogjive fantaziste dhe përrallore, dukuri kjo e përhapur në shekullin e XVII.Bardhi e quan Tomkun “gënjeshtar dhe përrallaxhi”, pastaj me një stil të një shkathtësie të pashoqe me format e ironisë thumbonjëse, përvëlusëse si dhe të apostrofimit, e mbron shqiptarësinë e heroit Skënberbe.
Vepra e Frang Bardhit e ka një elozh përkushtues ndaj Senatit të madhërishëm të Venedikut si dhe Dukës dhe Princit të ndritur Francist Ericit.
Duket që Frang Bardhi e shkruan librin jo vetëm për të mbrojtur të vërtetat historike por edhe për të treguar se shqiptarët nuk mund ta harrojnë Skënderbeun dhe se sulmet ndaj Skënderbeut kanë të bëjnë në thelb me mohimin e shqiptarëve në histori.
Frang Bardhi nuk lë pa përmendur edhe shumë nga paraardhësit e familjes së tij të cilët kanë qënë të shquar. Frang Bardhi e hap librin me një parafjalë të quajtur “Lexuesve seriozë”.
Ai thotë: “Të shkruash Apologji ka qënë gjithmonë një punë sa e vështirë dhe e lodhëshme, por aq e mbarsur me rreziqe dhe gati do të thoja e urryer nga çdo anë, që për të mos zënë në gojë shumë gjëra të tjera të papëlqyera, të cilat vinin nga studime dhe punë të bëra nën dritën e kandilit.
Por, kur na detyron hapur nevoja, ky zekth i pamëshirshëm i vdekëtarëve që t’u versulemi sa më rreptë herët a vonë, armiqëve me penë në dorë, atëherë ne nuk do të ndalemi përpara për t’ia arritur qëllimit të dëshiruar, duke pasur parasysh pikën e mbërritjes sonë, dhe duke mos përfillur çdo farë pagjumësie dhe djerse, sipas fjalës së përmendur të poetit: “puna mposht çdo gjë”. Pastaj, kur shikoja se princi i pathyeshëm e trim mbi trima i epirotëve, apo i Arbërorëve, Skënderbeu, i mohohej kombit të tij epirotas dhe se atij i visheshin gjëra që s’i përkisnin, unë po ta lë ty o lexuesi im i dashur, ta gjykosh se çfarë arësye të rënda më kanë shtyrë mua ta shtrëngoj mirë penën në dorë. Prandaj, në rast se përpjekjet e mija do të dalin pa gjë, dhe krejt të padobishme ato nuk duhen çmuar sigurisht në asnjë mënyrë si të pavënd, sepse unë nuk do ta kisha mundur kurrësesi ta shtyp dëshirën për të shkrojtur, veçse po të doja ta tradhëtoja me turp vehten time dhe atdheun tim”.
Për Frang Bardhin kanë shumë rëndësi në histori dy gjëra: e vërteta dhe metoda. Në konceptin e të shkruarit Frang Bardhi të kujton arsyetimin e Dekartin për metodën pa të cilën nuk mund të bëhet një arsyetim i drejtë, nuk mund të arrihet tek e vërteta.
Nga kjo pikëpamje pjesë të veçanta të librit të Frang Bardhit të kujtojnë zhanrin e një traktati teorik.
Ai e ka sensin shkencor dhe bashkëkohësinë e një mendimi modern për kohën.
Ndonëse librin e ka shkruajtur brenda një periudhe shumë të shkurtër për gati 15 ditësh, kuptohet dhe duket qartë që Frang Bardhi e njeh subjektin shumë mirë dhe shumë kohë më përpara dhe se ka një informacion kryesor dhe i njeh burimet historike që lidhen me Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Nga ana tjetër Frang Bardhi del si njohës edhe i historisë rajonale të popujve të tjerë të Gadishullit dhe konkretisht e shtjellon polemikën e tij duke përdorur vetë argumentet e kundërshtarëve ose në rastin konkret të Jan Tomkut i cili e ngriti këtë katrahurë dhe përshtjellim në mënyrën më të çuditshme dhe pragmatiste të përvehtësimit të figurës së Gjergj Kastriotit.
Përplasja e të dhënave të kundërta është në fakt një zhveshje e lëvozhgave të legjendës për të dalë në dritë thelbi dhe substanca e historisë së vërtetë.
Asnjëherë nuk qe dokumentuar një polemikë e tillë e nivelit kaq të lartë si dhe një artikulim profesionist me të gjitha elementët e strukturat që një historian serioz operon në subjektin që shkruan.
Akoma dhe sot nuk kemi një shëmbëlltyrë të tillë për traditën e historiografisë shqiptare të stilit dhe të konceptimit për të bërë në mënyrën sa më lakonike dhe më argumentuese mbrojtjen e së vërtetës nga e pavërteta.
Padyshim që Frang Bardhi e ka këtë vetëdije të së vërtetës. Ai mbështetet shumë tek vepra e Marin Barletit të cilën e citon vazhdimisht dhe mund të quhet një pasues i Barletit dhe njëkohësisht edhe studiues i veçantë dhe i mprehtë i veprës Barletiane.
Por ai përmend edhe dëshmitë e autorëve të tjerë të shquar të cilët ai i kishte konsultuar.
Interesant është se ai i drejtohet një Gjergj Bartoldi, një kryeofiqar prej Prage i cili ka shkruar një vepërzë për Skënderbeun dhe që në fillim përmënd të jatin e Skënderbeut Gjon Kastriotin që e mbiquan si trashëgimtar të origjinës të fisit bujar dhe mbretëror të Mbretit të Epirit, Pirros. Bardhi citon dhe Joan Tarkognatin, pjesën e dytë të librit të XVII të “Historisë së Botës”, ku e quan gjithmonë babain e Skënderbeut me origjinë Epirote ose Arbërore.
Për më tepër Frang Bardhi i cili i ka lexuar dhe i njeh mirë Kujtimet e Papa Piut të II-të, jep letrat e shkëmbyera midis Gjin Kastriotit dhe Princit të Tarantos Joan Antonit.
“Por le të dëgjojmë së treti, në ju pëlqen, dëshminë e shënuar të vet Skënderbeut, i cili, në përgjigjen që i bën princit të Tarantos Joan Antonit, i shkruan kështu për origjinën e fisit të vet, sipas kujtimevet të Piut II: “Pastaj ti e përbuz fisin tonë dhe arbërorët i quan gati bagëti. Sipas zakonit tënd, ti flet me përbuzje dhe duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë. Të parët tanë kanë qënë epirotas, nga të cilët ka zbritur ai Pirroja me nam, sulmin e të cilit me vështirësi mundën ta durojnë romakët dhe i cili Taranton e shumë vënde të tjera të Italisë i pushtoi me armë”. – Kështu flet ai. Por, mbasi kundërshtari do të mund të na përgjigjej ndoshta me një farë mënyre se Gjergj Kastrioti s’ka prekur këtu origjinën e veçantë të tij, por atë të fisit të tij, lexonjësi le të vërejë me vëmëndje se Skënderbeu nuk ka shkrojtur: “origjinën e fisit tim” ose “të parët e fisit tim, kanë qënë epirotas:, por, përkundrazi: “duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë”.
Që këto të gjitha të duken më qartë dhe që të evitojmë çdo konfuzion, e gjeta të udhës të parashtroj këtu vetë letrën në fjalë, të nxjerrë nga “Kujtimet” e lartpërmendura të Piut II, meqë veçanërisht këto letra përmbajnë shumë gjëra të shkruarëa me aftësi dhe shije të veçantë. Ja përmbajtja e tyre:
“Joan Antoni, princ i Tarantos, i dërgon përshëndetje Gjergj Arbërorit.
Ty, që fati i luftës të pat bërë të përmendur, të kishte hije që armiqtë, të cilët dikur pate caktuar t’i dbosh për të mirën e fesë së krishterë, t’i ndiqnje gjer në çfarosje dhe jo, si i ngacmove pakëzë dhe le fushën e betejës, ta sillje luftën në Itali kundër të krishterëvet. (Në buzë të letrës shënohet): Princi i Tarantos, mbasi kishte dëgjuar shpesh qarjet e të mvarturvet të tij, të cilët ua mbathnin përpara arbërorëvet, thuhet se ka shkruar kështu). Ç’ke ti me mua? Çfarë faji kam bërë unë ndonjëherë kundër teje? Çfarë grindje kemi pasur ndonjëherë midis nesh? Ti i ke çveshur fushat e mia, kundër të mvarturvet të mi ti je sjellur si i xhindosur dhe luftës ia fillove para se ta shpallësh. Ti thua se je një luftëtar grushtfortë e kryetrim për fenë e krishterë, por ja që tani po ndjek ata që me plot të drejtë quhen të parët e të krishterëvet. Kundër frëngjëvet e ktheve shpatën, të cilëvet u përket mbretëria e Siqelisë. Ke shpresuar ndoshta se do të luftosh kundër turqvet të shburrëruar apo kundër grekëvet të paaftë për luftë, që je mësuar t’i vësh në ikje e t’u biesh mbas shpine. Të tjerë burra do të gjesh këtu. Sadoqë tmerohen, kur të shikojnë, por asnjeri nuk do t’i largohet fytyrës sate; madje ushtari ynë do të të egërsojë ty, por gjaku italjan nuk do t’i trembet fytyrës arbërore. Ne e njohim fisin tuaj, arbërorët i konsiderojmë gati si bagëti. Është turp të kesh armik një fis kaq të ulët dhe ti nuk do t’i kishe mundur të qëndroje në atdheun tënd. I je shmangur sulmit të turqvet dhe, meqë s’ishe në gjendje të mbroje atdheun tënd, mendove të sulmosh atdheun e tjetrit. Je i gabuar, veçse në kërkon për atdhe të kesh varrin.
Qofsh shëndoshë.
Kësaj letre i është bërë kjo përgjigje:
“Gjergji, zot i Arbërisë, i dërgon përshëndetje Joan Antonit, princit të Tarantos
Pasi ia arriti armëpushimit me armikun e fesë, nuk desha që miku im të gabohej për ndihmën time. Alfonsi shpesh herë, kur isha në rrezik, më pat dërguar ndihmë kundër turqvet; unë do të isha mosmirënjohës, në rast se nuk do t’ia shpërbleja të birit. Unë e mbaj mënd mirë se ai ka qënë mbreti yt; përse i biri nuk ia zënka vëndin babës për ty? Babën e ke adhuruar e të birin kërkon ta rrëzosh? Kush ta dha këtë fuqi? Mos vallë thonë se të përket ty apo pontifikut të Romës të caktojë mbretërit e Siqelisë? Unë kam ardhur që të ndihmoj kundër pabesisë sate dhe kundër tradhëtive të panumura të parësisë së tij Ferdinandin, birin e mbretit në fjalë, sepse ky është mbreti i proklamuar nga Selia apostolike. Do të japësh llogari për besën e dhunuar, do ta paguash e nuk do t’i shkelësh betë vazhdimisht pa u ndëshkuar. Ky është për mua shkaku i luftës me ty. Në këtë rast nuk jam më pak i denjë se sa kur sulmoj turqit, sepse ti s’je më i mirë se turqit e ka nga ata që ty të quajnë se s’hyn në asnjë sekt. Ti më vë mua përballë frëngjtë dhe emrat e galëvet, që paskan bërë luftra të mbëdha për të mirën e fesë? Nuk dua të diskutoj për çështje të vjetra, të cilat ndoshta kanë qenë shumë më të vogla se sa flitet për to. Një gjë është e qartë për kohën tonë, se shpesh flota e Aragonasvet ka përshkuar detin Egje, ka shkretuarë bregdetin e krahinavet turke, ka marrë shumë plaçkë nga dora e armikut. Dikur turku ua pat frikën Aragonosvet dhe Troja, mu në grykë të armiqvet, po mbrohet gjer më sot me armë të Aragonasvet. Ç’më kujton gjërat e vjetra e lë mënjanë të rejat? Ndryshojnë zakonet e familjevet dhe bujqit bëhen mbretër e mbretërit bujq dhe as që zgjat më tepër fisnikëria nga virtuti. Unë s’e kam harruar se ti ke qenë dikur armiku më i tërbuar i galëvet, sepse me ndihmën tënde Alfonsi i nxori ata jashtë. Tani nuk e di se çfarë burrëri e re ka dalë në dritë, ndoshta ndonjë yll i ri kaaguar ndërmjet galëvet, që ti e adhuron! – Pastaj ti na përbuzke fisin tonë dhe arbërorët na i quake bagëti: sipas zakonit tënd, ti flet me përbuzje, por duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë. Të parët tanë kanë qënë epirotas; nga ata ka dalë ai Pirroja me emër, sulmin, e të cilit mezi mundën ta durojnë romakët dhe i cili pushtoi me armë Taranton e shumë vënde të tjera të Italisë. S’ke se si vë përballë epirotëvet, burra kryetrima, tarantinët, këtë farë të qullosur njerëzisëh, të lindur vetëm për të zënë cironka. Në thënç se Arbëria është pjesë e Maqedonisë, atëhere të parët tanë i njeh shumë më fisnikë, sepse ata nën Aleksandrin u futën gjer në Indi, duke i nënështruar gjithë fiset, që u dilnin përpara, me lehtësinë më të madhe. Prej atyre kanë lindur këta njerëz, që ti i quan bagëti. Në jemi ne bagëti, atëhere pse ju, njerëz, ua mbathni përpara bagëtive? Se bagëtia s’bëhen dot njerëz. Shpesh herë në këto ditët e para është provuar në kanë qënë arbërorët apo apuljanët bagëti të trasha dhe unë s’kam takuar gjer tani ndonjë nga ushtarët e tu, që të ketë mundur të durojë fytyrën time. Se sa mirë janë armatosur shpinat e tyre, këtë e di për bukuri, por gjer tani s’kam mundur të më zërë syri ndonjë parzmore dhe as që ia kam njohur fytyrën ndonjerit, përveç atyre që kam shtënë në pranga. Unë s’kërkoj atdheun tënd, kur më mjafton imi. Por unë përpiqem që ti, i cili shpesh herë e ke nxjerrë jashtë pronavet parësinë fqinje, të mos mundesh të hedhësh jashtë mbretin e të sulmosh mbretërinë, siç të është mbushur mëndja me të padrejtë. Në qoftëse unë në këtë punë do të vritem e do të varrosem, siç më uron ti, atëhere duroje lavdinë që do të kem nga Zoti, drejtonjësi i gjithësisë, për veprën e shkëlqyer që unë mendova dhe ndërmora me gjithë fuqitë e mia, qoftë edhe sikur të mos përkryhet.
Mbeç shëndoshë.
Këto letra që janë nxjerrë nga “Kujtimet” e Papa Piut të II-të janë për Frang Bardhin dëshmi e pashlyeshme e ndajnë përfundimisht shqiptarësinë reale të Skënderbeut nga mistifikimi dhe fallsifikimi i pakuptimtë dhe ahistorikë. Interesante është që në rrafshin studimor të bëhet krahasimi midis letrave origjinale të Skënderbeut si dhe të Princit të Torantos Joan Antonit që janë marrë nga Papa Piu i II-të dhe gjatë Shkrimit të Kujtimeve të tij edhe janë modifikuar dhe stilizuar ndryshe, por duke ruajtur thelbin e asaj që kishte ngjarë apo të përplasjes së ideve të veprave të të dyve.
Saktësisht letrat origjinale kanë ndryshime me letrat e botuara nga Papa Piu i II. Duke qenë edhe Papa Piu i II-të një nga Humanistët evropian të kohës ai mendon se i lejohet stilizimi në funksion të qëllimit apo të strukturimit të subjektit ndoshta edhe duke e zbukuruar, apo përforcuar dhe rregulluar fjalët.
Për fatin e mirë letrat origjinale ruhen dhe ato letra janë ndoshta nga letrat më autentike dhe nga dokumentat më të pazëvendësueshme që hedhin dritë jo vetëm për historinë e Gjergj Kastriot Skënderbeut gjatë ekspeditës së tij në Itali për të ndihmuar Mbretin Aragonas të Napolit por dhe konceptet që kish Gjergj Kastrioti në aspektin e historisë, të origjinës së arbërorëve, pra dhe të origjinës identifikuese të vetë Heroit.
Frang Bardhi jo vetëm argumenton shqiptarësinë e Heroit por ai merret dhe me një çështje që lidhet edhe me origjinën e familjes së Kasatriotëve.
Ai shënon: “Unë do të shtoj dhe disa gjëra nga mëndja ime, të cilat ndihmojnë tepër për të ndriçuar punën e familjes së Kastriotëve. Duhet të dimë që është një pjesë e vogël e Epirit apo e Arbërisë, që sot në kohën tonë quhet zakonisht nga Epirotët dhe bashkëvëndasit tanë si “As” (është fjala për Hasin). Pranë këtij vendi janë vendosur dhe ndodhen banorët e Pultit dhe Dukagjinasit, popullsi të Arbërisë. Përmes këtyre popullsive dhe përmes maleve shumë të larta rrëshqet lumi i shënuar dhe shumë i shpejtë Drin. Në këtë pjesë të Epirit ndërmjet vendeve malore të kësaj krahine ngrihet një fshat i vogël i quajtur prej hasianëve Kastrat. Ky fshat, bashkë sigurisht me shumë fshatra, bashtinë, kështjella dhe qytete të tjerë, që ndodhen në vendet më të ashpëra të maleve iu sjell dëme jo të pakta mësymjeve dhe sulmeve të turqve. Për shkak të pozitës shumë të fortë të maleve dhe këmbënguljes së banorëve, ky fshat bashkë me vendet që zumë në gojë nuk e duron zgjedhën turke…
Të drejtën dhe pushtetin mbi këtë fshat e pretendon për vehten e saj një familje e përmendur dhe shumë e vjetër ndërmjet bashkëvëndasve tanë i quajtur Kastrati. Prej kësaj familje kanë dalë shumë burra të nderuar për mënçurinë dhe trimërinë e tyre ushtarake…
Unë për shumë arësye guxoj të pohoj se në të vërtetë nga ky vend e nga kjo familje kanë dalë ata që quhen zakonisht Kastriotë. Së pari, sepse me këtë mendim është në pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit tonë, gjë që unë e kam pasur shumë parasysh… Është nevoja të merret parasysh se, që nga koha e Skënderbeut e gjer tani nuk ka kaluar aq kohë sa të jetë shlyer e të jetë harruar çdo kujtim i tij dhe i njerëzve të tij nga bashkëkohësit tonë.
Sepse këta e kanë zakon, që të këndojnë gjithmonë nëpër gostitë e tyre, ashtu siç bënin të vjetërit për origjinën dhe veprat e paharruara të burrave të tyre të shkëlqyer.
Dhe është aq e pabesueshme sa dhe qesharake të besosh se, sikurse gabojnë fare lehtë pak njerëz në çështje shumë të vjetra të lashtësisë, po ashtu gabon një popull i tërë i një krahine, që të mos them i një mbretërie shumë të gjerë.”
Frang Bardhi si njeri mirë i informuar është ndër të parët studiues, për të mos thënë i pari shqiptar që flet për rëndësinë e pazakontë të Analeve të Raguzës, për shkak të kujdesit të veçantë që raguzianët kishin për shqyrtimin e çështjeve të Orientit.
Në Analet e Raguzës ka të dhëna për origjinën e shumë familjeve që kanë patur rëndësi dhe kanë rregjistruar të dhëna edhe për njerëz që kanë penetruar gjer në Indi, por dhe në krahina të Etiopisë, që kanë vizituar vendet e lindjes por edhe Arabinë, Egjyptin dhe vende të tjera të largëta të cilët kanë bërë tregëti me anijet e ngarkuara plot me mallra dhe në kontakt me Republikën e Raguzës kanë qënë edhe pjesë e qarkullimit të informacionit.
Analet e Raguzës flasin edhe për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili i dërgoi ndihmën e tij ushtarake Mbretit të Napolit duke udhëtuar me anijet e raguzianëve.
Për Frang Bardhin origjina arbërore e familjes së Kastriotëve është e padyshimtë.
Por edhe përtej rrafshit të dokumentave të shkruar për Frang Bardhin është një dëshmi e paçmuar edhe fakti se dashuria e pabesueshme e arbërorëve ndaj Skënderbeut është aq e madhe sa nuk do të kishte qënë kurrësesi e tillë dhe nuk do të kishte asnjë kuptim nëse Skënderbeu nuk do të kishte qënë i të të njëjtës origjinë etnike me ta.
Sepse arbërorët, shënon Bardhi “nuk luftojnë me qejf nën një prijës prej kombësie të huaj. Por e kanë dashur sa s’ka ku të vejë më dhe kjo duket sheshit se si ushtarët e tij (siç lexojmë nëpër historitë) shumë hidheshin në rreziqe më të mëdha, për ta mbrojtur vetë Skënderbenë. Dhe vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkombasit tanë flasin për të e këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë, siç thamë, dhe e quajnë Skënderbeun tonë për “Antonomasi” me emrin e shquar “Kulçedra e Arbënit”, dmth., Dragoi i Epirit (i Arbërisë)”. Veç të tjerave Frang Bardhi jep idenë se dëshmitë e shumë dijetarëve të rëndësishëm dhe të dëgjuar që kanë shkruajtur për Skënderbeun, përputhen plotësisht edhe me “mendimin e përgjithshëm të Kombit tonë, që e ka kthyer kujtesën për Heroin në vetëdijen e vetë.
Por kundërshtari në këtë polemikë Jan Tomku ironizohet nga Frang Bardhi si një njeri trillues që trillon gjithshka duke u marrë edhe me “gruan e Perandorit të turqve Selim” ndaj s’duhet të çuditemi së tepërmi shton Bardhi, me paturpësinë e tij, që të mos them me paqëndrueshmërinë dhe mëndjelehtësinë e këtij kundërshtari.
Megjithëse ka lindur diku në Dalmaci nga një familje e panjohur Tomku shpik gjeanologji të paqëna sikur është me origjinë nga familja e Marganiçëve. Ai është kaq larg nga kjo familje e Marganiçëve “sa fundi i tokës nga pika më e largët e qiellit”.
Frang Bardhi është dhe kritikues i ashpër i të gjithë gënjeshtarëve dhe trillarëve që shpikin gjeanologji sipas interesave pragmatiste për t’u hequr ndryshe nga ç’janë. Ai shkruan se Jan Tomku i shpik me aq lehtësi të parët e vet sikur familje të tjera e quanin vehten si pasardhës të bijëve të Afërditës së bashku me Eneun ose sikur ishin të prejardhur prej Zeusit etj.
Duke përfshirë dhe ngatërruar historinë me mitologjinë dhe ndërsjelltas.
Frang Bardhi është padyshim një dijetar dhe një nga personalitetet më të mëdha të kulturës në shekullin e XVII deri në ditët tona. Ai është me origjinë nga katunti i Nënshatit, prej të cilit kanë dalë katër peshkopë, Gjergj Suma, Tozo Bardhi, Nikoll Bardhi si dhe Gjergj Bardhi i cili qe kryepeshkop i Tivarit. Frang Bardhi është i gjakut dhe pasardhës i tyre. Familja dhe fara e Bardhëve është bujare në Shqipëri. Gjergji ka qënë ungji i Frangut dhe paraardhës i tij si peshkop i Zadrimës. Familja e Bardhëve krenohet dhe për burra të tjerë të dëgjuar, ndër të cilat përmendet dhe Preng dhe Pavël Bardhi. Këto të dhëna dalin në relacioni që vetë Frang Bardhi i ka dërguar Kongrekacionit të “Propogandës Fide”.
Si historian Frang Bardhi citon burimet historike bizantine si kronikanin e dëgjuar të bizantit Niqifor Gregoraj (1296-1360), Joan Kantakuzenin, Perandor i Bizantit (1341-1355) dhe pas vitit 1365 një shkrimtar veprash teologjike dhe historike, Laonik Kalkokondili, nga Athina (1430-1490), kronikan i shquar bizantin etj. Por citon edhe burimet europiane të kronikanëve dhe dijetarëve të nddryshëm. Frang Bardhi i referohet Joan Leonkavit (1533-1593) ka qënë linguist historian dhe jurist gjerman. Si nëpunës pranë ambasadës Imperiale në Stamboll mësoi turqishten, vizitoi Turqinë dhe ka shkruajtur vepra historike mbi Turqinë si psh. “Annales sultanorum othoma nidorum, historia e musulmanicae” në 18 libra etj., Nikolla Doglioni, shkrimtar italian i shekullit të XV, Paul Jovin (1483-1552), historian italian, historiograf kryesor i rilindjes italiane, Iosif Rozaçi (1530-1620), mjek dhe gjeograf italian, Volterranin (1434-1516), shkrimtar, historian, teolog dhe humanist italian i cili ka bërë dhe një biografi të shkurtër për Skënderbeun, Joan Boterin (1533-1617), gjithashtu humanist dhe gjeograf italian, Joan Lonicerin (1499-1569) humanist gjerman, autor veprash të ndryshme, Joan Baptista Pigna (1530-1575), kancelari i Alfonsit të Dytë dhe historian zyrtarë i tij, Anton Bonfini (1427-1502), historian humanist italian, të cilin mbreti humbarez Mattia Korvini më 1486 e thirri në oborrin e vet dhe e ngarkoi të shkruante historinë e Hungarisë (për këtë vepër Bonfinit iu dha titulli i Bujarit Hungarez),A.G. Busbekvi (1522-1595), diplomat, arkeolog, natyrist dhe shkrimtar, i lindur në Plandër të Francës, si diplomat ka qënë i dërguar shpesh në Stamboll, është i përmëndur për “letrat mbi Turqinë” (A.G.Busbekvi “Legationis turcicae epistolae IV”, Gjergj Bartoldi, shkrimtar dhe historian i shekullit të XVII, Joan Karol Saraçeni, shkrimtar italian i shekullit të XVI, Jakov Gordoni (1541-1620), dijetar skocez, i Urdhërit të Jezuitëve, Cezar Kampana (1540-1606), historian italian shumë i njohur, Papa Piu i II-të, Humanist dhe adhuronjësi i antikitetit, ka shkruar poezi, komedi, si dhe veprën “Commentari”, dmth., “Kujtimet” në 121 libra, një lloj autobiografie lidhur me ngjarjet e kohës së vet, Cabeliku (1436-1506), historian humanist italian, që emrin e vërtetë e ka patur Merkaanton Koçi, që ka shkruajtur veprat “Historia e Venedikut prej themelimit të Romës”, në 33 libra, si dhe “Rapsoditë e historive”, një farë historie universale në 92 libra, Francisk San Sovini (1521-1583), dijetar dhe historian italian, Lazar Soranxi, jetoi në shekujt XVI-XVII, që ka shkruajtur një vepër për Perandorinë Otomane, Bartolome Dionisi, shkrimtar italian, Petro Bendi, i lindur në Venedik në vitin 1470, filolog e humanist i dëgjuar i kohës së tij, ka shkruar një histori për Republikën e Venedikut, Tuberoni Dalmatas, historian i shekullit XVI, ka shkruar “Commentari” për historinë e periudhës 1490 gjer në 1522 në 11 libra, Joan Baptista Marini (1569-1625), poet italian, përfaqësues kryesor i “Marianizmit” dmth., i artit Barok në letërsi, Margarita Sarokki, (vdekur në Romë në 1618), në fillim dashnorja dhe më vonë armike më e egër e poetit Joan Baptista Marinit, e njohura e Galileo Galileut, poeteshë italiane që ka shkruar një poemë të madhe prej 23 këngësh të quajtur (“Scanderbeide”), Joan Jakov Rici, poet italian i shekullit XVI (me mbiemrin Rici njihen mjaft dijetar italian e sidomos piktorë), Joan Tarkognati (i lindur në fund të shekullit të XVI dhe i vdekur në 1566), historian italian i cili synonte të bënte histori universale të përbotëshme, etj.
23 tetor 2018