Dhjata e Vjetër
< FJALËT E URTA >
Kapitulli 22
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31


1 Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.

2 I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.

3 Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.

4 Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.

5 Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.

6 Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.

7 I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.

8 Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.

9 Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.

10 Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.

11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.

12 Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.

13 Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës".

14 Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.

15 Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.

16 Ai që shtyp të varfërin për t'u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.

17 Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.

18 sepse për ty do të jetë e këndshme t'i ruash në intimitetin tënd dhe t'i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.

19 Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.

20 A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,

21 në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t'u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?

22 Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,

23 sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t'u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.

24 Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,

25 që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.

26 Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.

27 Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?

28 Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.

29 A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.