Figura të kulturës me origjine ilire

Moikom Zeqo

KUINT ENI

Në historinë e mendimit filozofik, qysh në kohët e lashta përmenden edhe disa figura të shquara, disa edhe filozofe, me origjinë ilire.

Ata në veprat e tyre filozofike, kanë shprehur pikëpamjet e epokës kur ata jetuan.

Këta filozofë, sipas traditës së kohës, veprat e tyre i kanë shkruar në greqisht dhe latinisht, që ishin dy gjuhët e kulturës dhe të shkencës në antikitet.

Kuint Eni ka jetuar në vitet 239-169, p.e.s.

Eni ka lindur në Rudia të Kalabrisë.

Në këtë krahinë jetonin prej shekujsh ilirët e quajtur mesapë. Eni nuk e fsheh, përkundrazi, e shpall me krenari në një vjershë të tij faktin se ai është një ilir mesap.

Nuk është e rastit që Eni shkruan me simpati për ilirët, i lavdëron ata për heroizmin që tregojnë në luftëra dhe e adhuron Pirron e madh të cilin e quan Burri.

Origjina ilire e Enit bëhet e qartë edhe nga fakti se në veprat e tij ai ka përdorur fjalë ilire, të cilat shpjegohen dhe interpretohen vetëm me shqipen, duke shërbyer kështu si dëshmi me vlera të çmuara linguistike që vërtetojnë vazhdimësinë ilire shqiptare.

Para së gjithash Kuint Eni ishte një poet i madh.

Ai përmendet në historinë e artit botëror si i pari që krijoi hekzametrin latin, i cili u bë një formë e detyrueshme e eposit romak.

Bashkëkohësit e quajtën Enin një “Homer i dytë”.


Eni u vuri rëndësi të madhe lidhjes së filozofisë me artin poetik.

Ai kritikoi paraardhësit e tij për format trashanike dhe pakujdesinë që tregonin në përpunimin stilistik duke u shprehur se “asnjëri prej tyre s’e kish parë as në ëndërr filozofinë”.

Eni ka qenë një filozof i përmendur i kohës së vet.

Në tragjeditë dhe dramat që ka shkruar Kuint Eni ka imituar Euripidin dhe që është quajtur për këtë “filozof i skenës”.

Ai u jepte rëndësi mendimeve të lira dhe në frymën e epikurizmit mohonte ndërhyrjet e perëndive në jetën e njerëzve, duke hedhur poshtë gënjeshtrat dhe profecitë mistike.

Eni ka qenë një filozof iluminist i cili ka shkruar një sërë veprash didaktike për popullarizimin e filozofisë materialiste naive greke.

Filozofi më i dashur për Enin ka qenë Evemeri i cili ka jetuar në shekullin IV.para erës së re.

Evemeri ka shkruar një tregim fantastik mbi një ishull të imagjinuar të quajtur Panheia.

Ai ka qenë kështu një utopist i lashtë me një botëkuptim materialist naiv.

Evemeri ka mbrojtur teorinë racionaliste mbi origjinën e perëndive, duke hedhur poshtë pikëpamjet mbi origjinën e tyre mbinatyrore.

Sipas tij perënditë s’janë gjë tjetër veçse heronj, njerëz të vërtetë të cilët janë hyjnizuar për punët e tyre të mëdha e për virtytet e larta.

Kjo doktrinë e Evemerit ishte në thelb ateiste dhe këtë ateizëm e përkrahu në veprat e tij Kuint Eni.


Në tregimin e tij utopist Evemeri përshkruan një shoqëri të ardhshme në të cilën njerëzit do të jetonin në një bashkësi, ku krejt toka do të ishte pronë e shtetit dhe ku i gjithë prodhimi e shpërndarja do t’i kalonte kontrollit shoqëror.

Këto pikëpamje do t’i propagandonte edhe Kuint Eni. Kështu, Eni në kohën e tij ngriti zërin kundër rrënimit katastrofik të fshatrave romake.

Eni ka bërë pjesë në grupin politik të Skipionëve, grupim i cili në vitet 60 të shekullit të dytë p.e.s. kishe një influencë të madhe në jetën politike të Romës dhe ngulte këmbë për ndihmat që duhet t’u jepeshin fshatarëve romakë, për të mënjanuar kontradiktat shoqërore brenda shtetit romak.

Në fushën ideologjike ata përkrahnin ato doktrina filozofike që ishin kundër egoizmit dhe që predikonin harmoninë shoqërore dhe mirëkuptimin midis njerëzve.

Veçse kjo prirje përparimtare ngrihej mbi platformën e një humanizmi abstrakt, mbiklasor që në fund të fundit synonte të ruante bazat e shoqërisë skllavopronare romake.


Për pikëpamjet e tij materialiste Kuint Eni është adhuruar prej poetit dhe filozofit të shquar materialist romak, Tit Lukrecit (99-55 p.e.s.) i cili propagandoi dhe zhvilloi më tej materializmin atomistik të Epikurit.

Në veprën e tij të shquar “De rerum natura” (Mbi natyrën e sendeve) Lukreci ka shkruar për Kuint Enin këto vargje:


“Ai që në Malin e Muzave i pari,

që mblodhi dafina të pamortshme”.

Duke shkruar për Enin Lukreci thotë se atij vetë “hija e Homerit i paska folur për natyrën”.

Natyra është në qendër të botëkuptimit materialist të Lukrecit.

Sipas Lukrecit bota s’është gjë tjetër veç se materie e përjetshme e përbërë prej grimcash të vogla prej atomeve, që janë në lëvizje të pandërprerë.

Lukrecin e ka çmuar lart dhe ka shkruar për të K. Marksi.

Fakti që një nga filozofët më të shquar materialistë të antikitetit siç qe Lukreci çmonte shumë filozofin me origjinë ilire Kuint Eni, flet për merita të mëdha të këtij të fundit në fushën e filozofisë e për karakterin përparimtar të pikëpamjeve të tij.


MARK PAKUVI – SHKRIMTAR DHE PIKTOR ANTIK ME ORIGJINË ILIRE

Mark Pakuvi, është i nipi i Kuint Enit, poet i madh me origjinë nga fisi ilir i mesapëve në Rudiae të Kalabrisë.

Eni jetoi në vitet 238-169 para erës sonë dhe është i pari poet që bëri një epos në latinisht dhe u quajt “Homeri i dytë”.

Ai mburret për origjinën e tij mesape, d.m.th., ilire, dhe ka shkruar vargje ku ngre lart vetitë luftarake të ilirëve liridashës, si dhe figurën e Pirros së Epirit të cilin e mbiquan Burrus, fjalë kjo që shpjegohet në gjuhën shqipe burrë, d.m.th. trim.

Eni përdor një numër fjalësh ilire që derivojnë deri në fjalët e sotme shqipe.

Ai ka qenë një tragjedian i përmendur e shkroi shumë tragjedi me motive klasike e mitologjike.

Në filozofi ai mbronte pikëpamje materialiste të përparuara për kohën, madje mohonte origjinën hyjnore të perëndive etj.

E hapëm këtë parantezë për Enin, për të kuptuar dhe folur më qartë e saktë për nipin e tij Pakuvin, i cili mësoi shumë nga stili dhe filozofia e dajës së tij të famshëm.

Mark Pakuvi u lind në vitin 220 para erës sonë. Eni ishte ai që e solli Pakuvin në Romë dhe e futi në shoqërinë letrare e artistike të kohës.

Mark Pakuvi mori pjesë në grupëzimin politik të Skipionëve, që përfaqësonte drejtimin më përparimtar në politikën e Republikës Romake dhe përkrahte doktrinat filozofike greke materialiste.

Pakuvi përmendet si shkrimtar dhe piktor.

Ai shkroi shumë tragjedi dhe poezi.

Prej tij dihen 12 tituj tragjedish dhe ruhen afro 300 fragmente si dhe 400 vargje poezie.

Në fushën e skenës ai shkroi në gjurmët e tragjedianëve të mëdhenj klasikë grekë.

Katër tragjeditë të Pakuvit, “Krisma”, “Hermonia”, “Niptra”, e “Teukri”, janë bërë duke u mbështetur te Sofokliu, ndërsa te tragjedia “Antiopa” e ndonjë tjetër gjejmë imitime të veprave të Euripidit dhe të Eskilit.

Po më shumë nga të gjithë te Pakuvi ndjehet ndikimi i Euripidit, i quajtur edhe “filozofi i skenës”.

Po duhet theksuar se Pakuvi nuk është thjesht imitues i klasikëve.

Ai përdor modelet e tyre me shumë lirshmëri dhe krijimi i tij origjinal duket kudo në veprimtarinë teatrale.

Pakuvi shkroi deri në moshë të thyer 80-vjeçare, kur u shfaq me bujë në Romë njëra nga tragjeditë e tij.

Pas këtij suksesi të fundit ai shkoi në Taranto, ku jetoi edhe 10 vjet të tjera derisa vdiq, në vitin 130 para erës sonë.

Bashkëkohësit çmuan talentin e Pakuvit edhe si piktor i shquar.

Fragmente të pikturave të tij kanë qenë ekspozuar në tempullin e Herkulit në Foro Boario.

Tematika e pikturave ka qenë e larmishme, ndër të cilat mund të përmendim atë të fitores në Pidna me subjekt historik.

Pakuvi ka pikturuar figura historike të Romës, personazhe të ngjarjeve të njohura, miqtë e tij mecenatë, ashtu siç ishte zakoni.

Tempullin e Herkulit, Mark Pakuvi do ta ketë pikturuar pas vitit 196 para erës sonë, pra në moshën 24-vjeçare.

Sot këto piktura nuk janë ruajtur dhe s’dimë hollësi për stilin artistik të tyre, mënyrën kompozicionale e koloritin e përdorur.

VIB SEKUESTRI NGA DURRËSI

DHE FJALORI I TIJ GJEOGRAFIK I SHEKULLIT V

Sipas shumë dijetarëve Vib Sekuestri ka qenë me origjinë nga Durrësi dhe ka jetuar në fundin e shekullit IV dhe në fillimin e shekullit V.

Ai përmendet në histori si dijetar i kohës, i cili ka shkruar latinisht një fjalor të vogël gjeografik.

Ky fjalor ka rëndësi të veçantë, sepse jep të dhëna të rëndësishme për trevën gjeografike ilire, sidomos nga Shkodra e deri në Vlorë.

Hapësirën, relievin, lumenjtë, malet, liqenet midis këtyre dy skajeve Vib Sekuestri i njeh mirë dhe me kompetencë.

Kjo shpjegohet nga fakti se ai e njihte mirë këtë zonë, sepse ishte vetë nga kryeqendra, Durrësi.

Fjalorin e tij gjeografik Vib Sekuestri ia kushton djalit të tij, Virgilianit, për ta pasur ky i fundit si tekst ndihmës për studimet e tij shkollore.

Ky fakt ka rëndësi për traditat shkollore në trevat tona e për shkencën e gjeografisë fizike qysh nga shekulli V i erës sonë. Durrësi, si një qytet i madh e i spikatur, ka pasur padyshim shkollat dhe arsimin e tij të kohës.

Ky fjalor gjeografik dëshmon qartë për nivelin pedagogjik e shkencor të shekullit të tij.

Për herën e parë fjalori u botua në vitin 1500 në Torino e u ribotua po latinisht në Haiebron të Gjermanisë më 1788.

Vib Sekuestri në veprën e tij është mbështetur në dy lloj burimesh: në veprat e dijetarëve antikë, pa harruar edhe shkrimtarët, si Virgjili, Lukiani, Ovidi, etj. dhe në njohjen vetjake të mjediseve gjeografike.

Sidomos ky burim i fundit ia rrit vlerat autentike fjalorit.

Në fjalorin e tij gjeografik autori rendit emrat toponimikë e hidrominikë të maleve, të lumenjve, të ultësirave të Ilirisë së Jugut; përmend emrat e lumenjve kryesorë, si Drini dhe Vjosa, si dhe emrat e qendrave të tjera të banuara.

Është me interes të theksohet se në pjesën Paludes (d.m.th. Këneta) Vib Sekuestri nuk përmend asnjë emër lagune në trevat e Ilirisë Jugore.

Kjo do të thotë se në bregdetin iliro-shqiptar në shekullin V dhe vetëkuptohet në Myzeqenë e sotme, nuk ka pasur këneta, të cilat me sa duket janë formuar më vonë.

Toponimia gjeografike e përdorur në vëllimin e Vib Sekuestrit paraqet interes të madh shkencor linguistik e historik për lidhjen e vazhdimësinë e saj me toponiminë gjeografike të sotme.

Vib Sekuestri është figura e një dijetari të njohur durrsak të shekullit V.


30 Korrik 2018