Fati i keq i bibliotekës së Androkli Kostallarit

Nga Sefer Pasha

Në Bibliotekën Kombëtare tek po kërkoja nëpër skedar më ra në dorë libri i Rexhep Qoses: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e botuar në Prishtinë gati 50 vjet më parë. Kur e hapa kapakun e librit, e që u bë shkas për karin ese, ishte një autograf i Rexhep Qoses, ku ai i shkruante lirshëm Androkli Kostallarit: “Profesor Androkli Kostallarit, me dashuri dhe mirënjohje për miqtë e autorit”. Prishtinë: 22.5 .1974. Qosja”.

E them sinqerisht që u çudita, por aty për aty e mblodha veten. Libri “Vdekja më vjen prej syve të tillë” me dedikimin përkatës do ta kishte një arsye që kishte përfunduar në arkivin e Bibliotekës Kombëtare. Unë në një farë mënyre kisha mote që hulumtoja për visaret që la pas gjuhëtari me emër. Ndryshe nga jeta e profesorit biblioteka e tij kishte patur shumë peripeci e një fund të humnershëm.

Gjatë gjithë jetës shkencëtari i apasionuar pas gjuhës shqipe kishte adhurim sistemimin dhe pasurimin e bibliotekës personale. E gjithë shtëpia ku banonte Kostallari me të shoqen dhe dy fëmijët ishte kthyer në një pyll me libra. Ato fillonin qysh në hyrje të banesës, në dhomat e përshtatura për bibliotekë nga mjeshtërit e drurit sipas gustos së shkencëtarit, që vet e kishte projektuar bibliotekën.

E bija, Irini Kostallari, thotë se ka qenë puna më e mundimshme e atit të saj. Biblioteka i ngjante një “rrapi” e vazhdon rrëfimin Irini. Libra në “zgavër”, nëpër degët e “rrapit” e gjer në majë, në “tavan”. Një “gjethe” e librave të bibliotekës po të kishte lëvizur Kostallari e dallonte që pa hequr këpucët. Ishte i mahnitshëm. Unë jam ashtu si një bari në fshatin e lindjes në Leusë të Përmetit, që në një tufë me 500 krerë delesh bariu e dallon delen e humbur dhe pa i numëruar vetëm me një të parë syri u thoshte ai familjarëve të tij.

Njërin kënd të bibliotekës profesor Kostallari e kishte arkitekturuar sipas pamjes së fshatit Leusë mbi qytetin e Përmetit. Në qoshe të këndit kishte përshtatur odën, ku kishte lindur, pastaj libër pas libri, rrugicat me lisa, yrtet, vreshtat, koriet e më lart shpatin e malit të Nemërçkës. Biblioteka e shtëpisë ishte strehëza ku ai gjente qetësi e harronte “dramat” e punës, të cilat nuk ju ndan gjithë jetën. Aty ku mbaronte shpati i “Nemërçkës” dhe ishin vendosur si piktura shtëpitë e Leusës, Androkli Kostallari kishte vendosur në një korrnizë të gdhendur me dru arre thënien e Borgesit: – “Fakti që të kem në dispozicionin tim 800. 000 libra dhe errësirën, është një shenjë e një ironie të shkëlqyer të zotit”. Dhe në krah të kësaj thënieje Kostallari kishte qëndisur dhe këto vargje gjithashtu po nga Borgesi: /Një legjendë greke flet për një mbret të përvuajtur/ /Që vdiq nga uria, e nga etja mes kopshteve plot burime.

Kushdo që futej në bibliotekë mahnitej. Aty gjeje dhe “laboratorin” krijues të profesorit i perceptueshëm vetëm për të e miqtë me të ngushtë. Pareshtshmërisht për epërinë e mendjes së tij ai me vitalitet kishte krijuar “galaksinë”, ku parrëfyeshmërisht e përsosmërisht përputheshin shijet e gjuhëtarit.

E gjithë biblioteka qe veshur si të thuash me një kostum klasik me ngjyrat e malit të Nemërçkës e kjo të binte në sy që në shikim të parë. Kur futeshe brenda në bibliotekë ndjeje një lloj pakuptueshmërie, e cila e shndërronte atë në një objekt misterioz. Shkencëtari si të qe misionar e konceptonte bibliotekën si simbol të fitores mbi zhgënjimin. Në mes të librave nuk mungonte as Bibla e Kurani, por aty ngjizej identiteti kombëtar. Kryepari Kostallari jo se e shenjtëronte bibliotekën, por sepse aty zhbironte brumin e kahershëm të 41. 000 fjalëve që u botuan në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” qysh në vitin 1980. Në mes të librave diellzonin prurjet gjuhësore, të cilat i preku një për një me shqisat së bashku me redaktorët e Fjalorit si Xhevat Lloshi, Jani Thomai e Miço Samara. Jo vetëm në artin e përdorimit të alkimisë së fjalëve, por dhe si kryetar i komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 profesor Kostallari zbatoi një shumësi detyrash duke u ndeshur dhe me logjikën tribale të gjuhëtarëve mediokër, të cilët nuk ishin dakord me procesin e njehësimit përfundimtar të normës letrare në të gjitha rrafshet. Në Kongres supermjeshtri Kostallari shpalosi detajet me hapërim e qashtërsi thellësisht ndjesore e hyjnore duke mbajtur qëndrime të idhëta me polemizuesit, të cilët asokohe ishin kundër gjuhës së kulluar.

Edhe më tutje Kostallari mbante parasysh thënien e Çurçillit që thoshte: “Suksesi nuk është absolut, dështimi nuk është fatal. Kurajoja për të vazhduar është ajo që ka rëndësi”.



Në bibliotekën hijerëndë arkitekti Kostallari nuk kishte harruar dhe një qoshe që ai e quante “Moska”. Aty gjuhëtari kishte sistemuar autorët rus në origjinal, të cilët i lexonte bashkëshortja e tij Evgjenia me origjinë nga Rusia të cilën e kishte dashuruar, që kur ishte student në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Si të gjithë ata që i patën gratë ruse edhe Androkli Kostallari u përplas me “krisje” e intriga nga Sigurimi i Shtetit. Por profesori ishte kockë e fortë. Qe i ditur, i vendosur e krenar si çukat e Nemërçkës mbi Leusë, ku kishte lindur, e ku matanë Vjosës, ballë për ballë “ja bënte me sy” Frashëri, vendlindja e vëllezërve të mëdhenj. Dijetari Androkli Kostallari nuk u prek nga kjo “kleçkë” në biografi. Pikërisht tek këndi “Moska”, Evgjenia, lexonte literaturë ruse dhe të përkthyer në gjuhë të tjera. E ndërsa profesori punonte në studion e veçantë, që ai metaforikisht e quante “zgavër” e shoqja lexonte Pushkinin, Gogolin, Pasternakun, Shollohovin, Majakovskin, Lermontovin, Eseninin dhe shumë të tjerë. Çuditërisht gjarpërinjtë nga jashtë nuk u futën dot në bibliotekë për të vëzhguar se ç’fshihej aty. Siç duket shqiponjat e Nemërçkës dinin të bënin mirë roje.

E bija e gjuhëtarit, Irini Kostallari, mësuese në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë, edhe kur flet me kolegët, me nxënësit, me miqtë e të atit i duket sikur është në labirinthet e bibliotekës. E mban mend mirë kur babai, Androkli Kostallari, në krye të komisionit për hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” punoi me aq dhimbje e pasion. Netë pa gjumë, udhëtime të largëta, mungesa në familje, kthimet si të kishte qenë në luftë, me t’u futur në korridor përfundonte në dush se kutërbonte nga djersa e siç e thoshte me humor e shoqja “binte era cjap”. Por në shtëpi përsëri nuk ishte i qetë. Kridhej në bibliotekë, nxirrte “trastën” e zbrazte fjalët, që i kishte qëmtuar nëpër atdhe. 1. 500 emra lulesh kishte Leusa në shpatin e Nemërçkës. Me t’u kthyer në shtëpi nuk vinin vetëm punonjësit e Institutit të Gjuhësisë, por dhe bashkëpunëtorët shkencorë, studentët, malësorët, kosovarët, shqiptarët nga Maqedonia, bjeshkëtarët, mbledhës të bimëve medicinale, ish të burgosur, xhambazë kuajsh, gjeologë, poet, studiues, përkthyes, mjekë, detarë, arkeologë, ministra e ambasadorë.

Nëpër bibliotekë nuk flitej për ndonjë “kryengritje”, as për “puçe”. Flitej vetëm për lumin e fjalëve të gjuhës shqipe. Të gjithë ata që vinin aty nuk binin shishe me raki, as ndonjë kec nga Leusa, ku ai kishte fisin e tij, por aty zbrazeshin “xhepat” e “hejbet” me fjalë. Ishte punë e mundimshme. Të gjitha fjalët e zgjedhura duhet të ishin shqip. Gjer ndaj të gdhiri i sistemonin fjalët së bashku me idhullin e tij, Eqrem Çabejn. Mes kësaj stuhie u botua “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, që po u reziston “kafshimeve” të një kohe me gjuhëtarë të trazuar. Profesor Androkli Kostallari ka botuar mbi 3000 faqe, që përfshijnë studime në fushën e Leksikologjisë, Leksikograsfisë, Simantikës, Fjalëformimit dhe në mënyrë të veçantë të kompozitave.



Gjuhëtari Androkli Kostallari e kishte makth bibliotekën. Pikërisht për këtë arsye ai e la apartamentin dhe organet e pushtetit vendor të kohës i dhanë një kat në një shtëpi (vilë) afër Bllokut. E bija, Irini, thotë se paçka se i ati e konceptoi bibliotekën si një “rrap”, ai, donte që “rrapi” të kishte hapësirë si livadhet mbi Leusë. Nëse do të kishte ndonjë “grindje” me bashkëshorten shkak do të bëhej ndonjë libër i bibliotekës. Për të shmangur “grindjet” profesori çdo ditë e raciononte kohën dhe me leckë në dorë pastronte çdo “gjethe” të librave. Një gram pluhur e nervozonte Kostallarin, i cili kishte mjaft halle në punë. Dhe sikur të paguhej si pastrues zyrash pastronte në mënyrë të paqtë fotot me miqtë të varura në degët e “rrapit”. Ishin me qindra foto si ato me Eqrem Çabejn, Stefanaq Pollon, Shaban Demiraj, Rexhep Qosen, Aleksandër Xhuvanin, Selman Riza, Dritero Agollin, Ismail Kadarenë, Dhimitër Shuteriqin, Aleks Budën, Mahir Domi e shumë të tjerë. Para se të flinte kontrollonte sobën, qirinjtë, prizat e gjithçka tjetër që mund të bëhej shkak për ndonjë shkëndijë elektrike apo për zjarr. Në një kasafortë të vogël çeliku kyçte shkrepëset, çakmakët, fenerët, e kandilin me vajguri që e kishte kujtim nga gjyshja në Leusë.

Na ka gjetur belaja me “Lomonosovin” thoshte e shoqja, Evgjenia, e cila e priste në shtratin bashkëshortor (tërë jetën ajo i thërriste Kostallarit “Lomonosov”). Dhe çuditërisht Kostallari që nuk lëshonte pe nofkën “Lomonosov” nuk e kundërshtonte brenda familjes.



Megjithëse jeta e gjuhëtarit i ngjan një stuhie që kurrë nuk pati një çast të qetë, ai i futur nën hijen e “rrapit” me libra, sikur merrte një sy gjumë. Shkencëtari Kostallari, i cili kishte parashikuar se sa mund të rronte biblioteka marramendëse me mijëra libra për të cilën kishte punuar dhe e kishte ndërtuar që kur qe kthyer nga Univerisiteti “Lomonosov” i Moskës nuk e kishte imagjinuar se qysh në gjallje të tij ai do të mbetej pa kulm mbi kokë dhe pikërisht për fatin e bibliotekës do të ikte nga kjo botë para kohe.

Me të filluar proceset “demokratike” vilës ku Kostallari jetonte me gjithë familjen dhe me thesarin e tij bibliotekën i doli pronari. Profesori që gjithë jetën ishte përplasur për gjuhën shqipe nuk ishte i zoti të bënte asgjë. Kudo që trokiti i dhanë shtymën me të dyja duart. Nuk kishte kujt t’ia hapte zemrën. Edhe kolegët që kishte lënë në Institutin e Gjuhësisë ishin në dramë e kishin në dorë vetëm “hapësat e kashtës”. Të shoqen Evgjeninë nuk donte që ta shqetësonte. Atë e kishin thinjur telashet para kohe. Meqenëse ishte bijë nga Moska studiuesen e kimisë së tokës dikur e kishin çuar punëtore në Uzinën “Enver”. E ndiqte Sigurimi i Shtetit. Ajo nuk përfundoi në burg se Kostallari ishte për shkencën e kohës një “Nemërçkë” me vete. Prandaj ai nuk i thoshte gjë Evgjenisë për telashin e hapur me pronarin e pamëshirshëm. Dhe po e vuante në vetmi “varenë” e pronarit që i rrinte mbi kokë. E kuptonte se po mbetej pa banesë. Gruan, Evgjeninë, vajzën Irinin, dhe djalin Adrianin po i linte në qiell të hapur.

Por vuajtjen më të madhe e kishte me bibliotekën. Ku do t’i sistemonte mijëra libra? Dhe mendohej e mendohej në vetmi.

Thonë që vajti dhe në Leusë të Përmetit ku kishte lindur. Por oda e vjetër e babait Hari Kostallarit ishte rrënuar. Nuk gjeti asnjë strehë tjetër për ta sistemuar bibliotekën. U kthye në Tiranë i tronditur. Në një fletore të thjeshtë miqtë e gjuhëtarit kanë gjetur të përkthyera dhe këto vargje të Dante Aligierit:

Lindur nuk jeni të rroni si kafshë

Po për të ndjekur virtyt e dituri.

Dhe krejt papritur Androkli Kostallari pëson infarkt të miokardit dhe ndahet nga jeta. Askush nuk e priste vdekjen e tij. Në jetë nuk kishte pirë as duhan dhe as alkool.

“Im shoq vdiq nga marazi i bibliotekës”, do të thoshte ato ditë të gjëmës bashkëshortja e tij.

Evgjenia, e cila rrojti dhe disa vjet pas të shoqit, ka rrëfyer me dhimbje tek mikeshat e ngushta se në çastet më tragjike kur po jepte shpirt ia la amanet që t’ia shpëtonte bibliotekën. Por këtë amanet moskovitja nuk ia plotësoi dot. Ajo nuk mundi të sigurojë banesë as për vete e fëmijët dhe as për bibliotekën sa një mal.

Pas vdekjes së saj ngjarjet në familjen Kostallari rrodhën keq e më keq.

Evgjenia vdiq. I biri Adriani iku në Amerikë dhe mbeti në vetmi të skëterrshme e bija e vetme e Kostallarëve, Irini. Pronari i vilës i fitoi të drejtat. Ai do të futej në pronën e tij. I dha ultimatum Irinit që të delte sa më parë ndryshe bibliotekën me gjithë libra do ta digjte në oborr që të ngroheshin banorët e Tiranës së Re. Në këto rrethana e bija e profesor Kostallarit pa krah për një javë rresht mbushte thasët me libra dhe i çonte kioskë më kioskë dhe librari më librari në të katër anët e Tiranës. Irini e traumatizuar librat i shpërndante pa inventar e pa marrë ndonjë dokument nga librarët e nga kioskaxhinjtë. Ajo në makth tmerrohej kur pa asnjë mbrojtje e gjithë biblioteka do të digjej në oborrin e vilës. Nëse do të ndodhte kjo, më thotë në bisedë e sipër, vetë do të hidhej në mes të flakëve e do të bëhej shkrumb e hi bashkë me librat.

Irinin e ngushëllonte fakti që së paku librat do të shpëtonin “kokën” e do të ishin në familjet e tiranasve. Çdo libër kishte vulën me shënimin “Biblioteka Androkli Kostallari”. Ky ishte fundi aq i trishtuar për ëndrrën e profesorit, që të linte pas një thesar aq të vyer. Irini që është në prag të pensionit jeton fillikat në një hyrje me qira. Vitet e fundit po lufton për të mbledhur sa të mundet nga librat e shpërndara rrëmujthi miku i ngushtë i Androkli Kostallarit, pedagogu Kujtim Kapllani. Nuk e dimë sesa do t’ia dalë.

E bija e Androkli Kostallarit, Irini, e gjendur nën presionin e “barbarit”, që do t’ia përvëlonte bibliotekën, hoqi mënjanë e mundi të shpëtojë shumë dosje të atit të qepura me penj të trashë. Irini as sot nuk e di se ç’fshehin ato dosje brenda kapakëve të tyre. Por ajo gjithashtu nuk di të thotë se bashkë me librat që shpërndau nxitimithi çfarë tjetër përcolli tek librarët.

I kujtohet fare mirë se tok me librat futi në thasët që ngritën “hamenjtë” fletore me kapak të trashë, disa dëngje të kopsitura me letra, blloqe me shënime me shkrim dore, dhe disa qeska, të cilat qysh në gjallje, i ati, Kostallari thoshte se ato ishin plotë me punime për gjuhën shqipe si gjuhë indoevropiane.

Por kur Irini kishte hapur një qese rastësisht kishte parë aty gur të shndritshëm, dhemb kafshësh, këpurdha të thara, fotografi me veshje kombëtare e plot sende të tjera. Edhe “qeset” misterioze, të cilat s’kishte ku t’i mbante ajo ua fali librarëve. Sot askush nuk di se ku përfunduan ato. Po çfarë kanë dosjet dhe ç’gjëra me vlerë mundet të kenë përfunduar në kazanët e plehrave, ose i kanë nëpër banesa shitësit, libraritë e të cilëve kanë falimentuar.

Gjithsesi profesor Androkli Kostallari fliste në familje për shumë punë që kishte nëpër duar e që gjenin strehë në “zgavrën” e bibliotekës në formë “rrapi”. Shumë vepra me okë nuk dihet se ku janë. Bëhet fjalë për një bllok me fjalët e reja, të cilat nuk qenë futur në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”.

Mungojnë gjithashtu shprehjet e mbledhura në odat e Përmetit, urimet që kanë për “zot” diellin, llojet e zanave dhe të vitave dhe mullinjtë ku ato bluanin miell, sa fjalë ka përdorur Naim Frashëri në të gjithë veprën e tij, si e quante Naim Frashëri malin e Sharrit, Naim Frashëri është ngjitur në malin e Tomorrit dhe pikërisht aty është ngjizur “Qerbelaja, fjalët që nuk duhet të ishin në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, ku vetë Androkli Kostallari ishte kryeredaktor, një shënim për kthimin në Valbonë të Tropojës për një fjalë të dëgjuar tek Shtegu i Shtatë furkave, gjuha që flasin goranët e Shishtavecit, rezistenca e këngës polifonike të Lazaratit nga mësymja e këngëve greke, përse e kundërshtoi ndonjë gjuhëtar nën zë Kongresin e Drejtshkrimit, ngjyrimet silistike e ngarkesat emocionale për parimet themelore mbi të cilat u ndërtua “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, normat e sotme leksikore, gramatikore, e drejtshkrimore të gjuhës letrare kombëtare, një lutjesore e vjetër e gjetur në kishën e Leusës, 100 fjalët që përdornin sharrëtarët e grykës së Vjosës, Laver Bariu dhe fjalori i melodive, Dervishi i Luzhës dhe imazhi i tij ndryshe, simbologjia e emrit të Ismail Qemalit, kënga e qyqes i lëvizte njerëzit nga vendi, fjalët arratisen e arrakaten si hajnat, trajtat e ashpra të togëfjalëshave të tribalëve, fjalorët e haneve, fjalëformimet e sotme të gjuhës shqipe, prejardhja e të gjitha fjalëve që përdoren në Leusë, fjalët e kërthinjta të tiranasve, fjalët e rrejshme, gjethe mendimesh për këngën: – /Të dish si të dish pa gdhirë të vish/ /malit të mos vish/ /fushës të mos vish/ /të dish si të dish pa gdhirë të vish/, e të tjera punë, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar. Shkrimtaria shkencore e Kostallarit e ngjizur në kuptueshmëri edhe kur u nëm nga mediokrit në një mbledhje të Akademisë së Shkencave, kur nuk ndihej mirë me shëndet, i kujton një kundërshtari thënien e Borgesit: “Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë”.



Prej kohësh ndjek gjurmët se si u bë “mal” i shkencës shqiptare të gjuhës shqipe Androkli Kostallari. Qysh kur lindi në Leusë të Përmetit e gjersa vdiq nuk qarkullonte ndonjë çudi për lindjen e këtij njeriu si një “gjeni”. Jo. Ai u bë ai që është në shkencë nëpërmjet punës. Atje në “zgavrën” e bibliotekës profesori arriti majat. Flinte shumë pak orë gjumë. Shpesh Evgjenia e gjente duke dremitur mbi tavolinën e punës. “Jastëk” ishin fjalorët dhe albumet që kishte botuar.

Gjithë jetën qe i pakënaqur me vetveten. Lëvizte nëpër bibliotekë si një “ciklon”, të cilin e pengonin çukat mbi Leusë. Edhe kur hante bukë, në zyrë në Institut, në takimet shkencore, jashtë shtetit e në shëtitje ai punonte. Ndalonte në mes të bulevardit dhe hidhte ne bllok diçka që i kujtohej. Evgjenia, Irini, dhe Adriani ia njihnin “huqet” dhe nuk guxonin t’i thoshin ndonjë gjë.

Edhe pushimet në plazh shndërroheshin në “beteja” për familjen. I shtrirë në rërë me librat përpara profesorin e çonin kur vinte vakti i drekës. Shpesh i “arrestuar” nga personazhet e librave ai harronte që dielli ia bënte copë – copë lëkurën.

Shqetësohej që bibliotekën nuk e merrte dot në “shpinë”. Kështu u përpoq gjersa fati për dreq ia bëri bibliotekën fije – fije. Dhe nuk e dimë nëse miku i tij Kujtim Kapllani do t’i mbledhë ca degë të “rrapit”, ku dikur ishte biblioteka. Paçka se ç’ndodhi me librat, veprat që shkroi Androkli Kostallari janë monumente të pavdekshme. Librat e tij lexohen brenda dhe jashtë vendit.



Në rrugën që të çon për në fshatin Surrel, ku banon dhe Edi Rama, në krahun e djathtë një shkollë 9 vjeçare mban emrin “Androkli Kostallari”. Sa herë që shkoj poshtë e lart, instiktivisht sytë i hedh nga shkolla që mban emrin e gjuhëtarit të dëgjuar. Me të bijën e vetme, Irinin takohem shpesh. Irini megjithëse është në mes të katër udhëve lufton që t’i grumbullojë librat e shpërndara nëpër Tiranë si zogjtë e korbit.

Në krah të saj është dhe miku i Kostallarit, Kujtim Kapllani. Edhe unë bëj të njëjtën gjë. Në një nga blloqet e gjuhëtarit kam gjetur dhe këtë proverb, të cilin siç shkruante profesori e kishte marrë në Leusë. Proverbi ishte “Paske punuar për lum o djal!”. Nën këmbët e Leusës mërmërin Vjosa plakë. Me proverbin përpara syve mendohem e them se ky proverb nuk i shkon veprimtarisë së Kostallarit edhe sikur të ishte shkruar për “gjëmën” e bibliotekës.

Vepra e tij shumëdimensionale është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Emri i gjuhëtarit Androkli Kostallarit do të kujtohet gjatë. “Harrimet” e bashkëkombasve janë të përkoshme. Ai e mori statusin e legjendës qysh në gjallje. Nuk e shpjegoj dot sesi demonët dhe të mallkuarit ia shkërmoqën bibliotekën, gjënë e tij më të vyer, të cilën ai e shpirtëzoi.

“Paja” e gjuhëtarit autentik janë librat e tij të qarta si loti në kuptimin floberian. Qysh në kulmin e brishtësisë së tij me zjarrin e egër të pasioneve profesori ngërtheu çështje nevralgjike të gjuhësisë. Me një krenari të pafre pabesueshmërisht ai shkroi një shumësi veprash vezuviane, të cilat për kohën ishin shumë të diskutueshme. Që së larti mëkoi e bekoi unanimisht me stafin e gjuhëtarëve shumëngjyrat e shqipes me muzat sipërore.

Si magjistar i gjuhës shqipe profesor Kostallari bëri pjesë të kësaj aureole gjer në rrafshet më të epërme edhe njerëzit e thjeshtë, që dhuruan fjalët e shprehjet nga të katër anët e Shqipërisë. Sfidanti i mundimshëm nuk u ngujua në “zgavrën” e bibliotekës që e donte aq shumë. Si karakter narrativ që ishte nuk u mor në Institutin e Gjuhësisë me punë të zgjyrta, por me ato rrënjëthella. Edhe pse nuk i mungonin zëzëllimat mjeshtërisht me kolegët nxorën vepra shumëvëllimëshe. E në këtë kah me spikamë ai do të mbetet në oazin e gjuhës shqipe ngulmërisht simbol e yll natyral i Leusës në shpatin e Nemërçkës.

Për shkak të talentit dhe të qenurit thellësisht i thjeshtë, paçka se gruan e pati ruse, Androkli Kostallari, as u dënua dhe as u syrgjynos. Edhe pse “grafia” iu bë shumë herë gjuhëtarit me gruan moskovite, ai, qe bërë i paprekshëm. Megjithëse e ndjeu qysh në gjallje shkërmoqjen e bibliotekës personale profesori mesveti la pa kurrfarë çmimi ani çfarë veprash, që sot askush nuk mund t’ua bëjë antropologjinë në shumëkuptueshmëri.

Ata që kanë punuar me të thonë se paçka se ishte manjat i miteve shqiptare profesori si ligjimor këtejza e pastajëza si gjuhëtar biblik e si substrat i rrallë mujti e ngrehi në dritë të qashtër fjalët e pathëna e si vetje e dinjitetshme, pa drojë me muzën skrupuloze të mjeshtrit të epshëm ridizenjoi e bëri autopsinë e gjuhës shqipe tejet të brishtë.

Nuk u mund nga etimilogjirat e fjalëve që vareshin në zgrip të humnerës. Si gjuhëtar i komunikimit mes ofkëllimave plazmoi e ftillëzoi me stil novator “dhunat” e fjalëve. Për gjuhëtarin Kostallari siç del dhe nga shënimet që ka lënë në sirtarët e bibliotekës nuk kishte botë iluzioni skajshmërisht të potershme. Përkundrazi në hullinë e modernitetit falë dhe stafit të mrekullueshëm u krijua shtrati për gjuhën e thjeshtë të bjeshkatarit dhe atë të kancelarive europiane. Varshmëria tek rrënjët tona profesori impenjativ e ktheu në dialektikë të jetës.



Dikur në bibliotekë në vetminë murgore gjuhëtari e socialpsikologu drejtshqiptoi e maksimalizoi bajagi kuptimisht zhgjëndrat e demonëve, të cilët kërkonin të “eksperimentonin” pa grimër një varg vetjesh të gjuhësisë në Shqipëri, Kosovë dhe në enklavat tipologjikisht të ngjashme. Androkli Kostallari qe një narrator i përkryer aq sa përmes rrëfimit në hajt herë nuk e ledhatonte diktatura e mëndafshtë në Shqipëri dhe as ustashët serbë, të cilët e kishin ngritur me dëshmitë lëndore gijotinën për gjuhën provinciale në Kosovë. Për udbashët gjuha serbe ishte gjuha eprore.

Pikërisht për këtë arsye gjuhëtarët e Beogradit kishin mundur të dezintoksifikonin ca shpirtëra të sëmurë në Prishtinë. Pa kod arbitrar Androkli Kostallari botonte studime e letërsi ungjillore të shpirtëzuar edhe në Kosovë, pa tollovira, me qashtërsi, pa shfronësuar e kthyer në lëndë gurëzimet që donin t’u bënin fjalëve ata, të cilët i mundonte deliri i fjalës e që vet gjuhëtari u bënte apologjinë.

Me instinkt dhe vetëdije gjuhëtari përthithi anët më të panyjëtuara të unicitetit kulturor të gjuhës shqipe. Për shumë e shumë mote lektroi gjuhën shqipe në mozaikun e diverstetit kulturor dhe maksimalizoi kahjet e kundërta me gjithfarë dokrrash. Si pakush ai mëtoi gjegjësisht rrjedhat e qelibarta të shqipes me një humanitet universal.

Çuditërisht e bija, Irini, kur ka shpërndarë bibliotekën për ta shpëtuar ç’të mundej, ajo ka gjetur në mes të një libri thënien e Xhon Kenedit: “mos pyetni se çfarë mund të bëj vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”. Është e habitshme sesi kjo thënie e të tjera të kësillojshme profesor Androkli Kostallari ka guxuar t’i ruajë në “xhepat” e bibliotekës.

Pra, brenda bibliotekës ka pasur engjëj dhe djaj. Gjuhëtari nuk e ka pasur patologjinë e drojës, jo se ishte ndonjë supergjuhëtar, por aq sa kishte bërë ai kishte fituar imunologji e kështu me shqisë e intuitë çante përpara pa pasur frikë se nga thënie si ajo e Kenedit mundet ta pësonte. Shikuar kështu pandalshmërisht e me aftësi proverbiale Kostallari përvijoi kuptimisht dhe të pamotivueshmet e të pashkoqitshmet.



Shkencëtari Androkli Kostallari nuk mbërriti dot në pikën finale. Ai vërtetë ishte tipi i një personaliteti konsistent, por ai nuk i kapi dot dukuritë surreale të një kohe të cilën ai nuk e kriptologjisi dot. Në këtë pikë çapoi i hapërdarë dhe bibliotekën ia mori Vjosa.

Puna shkencore mbeti. Andej pari llokmat e saj të dokumentuara janë në Bibliotekën Kombëtare dhe të përhapura skajshmërisht. Për papërcaktueshmërinë e të ardhmes dhe universin si bukuri ati im fliste shpesh në familje e mbyll bisedën e bija e tij e vetmuar, Irini Kostallari.

Autori i kësaj eseje nuk e mësoi dot se kush e çoi në Bibliotekën Kombëtare librin e Rexhep Qoses “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, ku me shkrim të imët dore profesori nga Kosova ia dhuronte mote të shkuara Androkli Kostallarit.

Por me siguri ndonjë dashamirës i librit, të cilit i ka rënë ky libër në dorë kur bibliotekës po i hiqeshin dërrasat. Gjetja e këtij libri dhe i të tjerave t’i shton shpresat se Biblioteka e Kostallarit do të ringrihet një ditë.