Faik Konica, si shpresë dhe ngushëllim
Nga Albin Kurti
143 vjet më parë lindi një prej mendjeve më të mprehta shqiptare, Faik Konica, rilindasi, diplomati, botuesi, kritiku, polemisti, i cili la gjurmë të forta në kulturën e në historinë moderne të shqiptarëve. Fatkeqësisht sot, në kohën e popullarizimit të citimeve të dekontekstualizuara në rrjete sociale, Konica shpesh paraqitet si një cinik i pashërueshëm, shpesh madje si një snob kozmopolit, apo si një elitist antipopullor, i lodhur prej projektit kombëtar shqiptar. Por nuk ishte ashtu. Aktiviteti i tij i gjatë, i palodhshëm, vetësakrifikues, tregon ndryshe. Kështu ai shkruante në gazetën e tij “Albania” në 1897 se: “Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare”.
Më pas vazhdonte po aty: “Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse në ndonjë rast moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin”. Ai ka qenë kritik i madh i injorancës në politikë, dhe shkruante se: “shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori dhe kapadaillëk”. A nuk jemi përballur edhe ne me kapadainj të tillë, ende sot? Megjithatë ai nuk e përbuzte kulturën e popullit të vet, por e adhuronte atë, e shkruante: “Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin”, apo “Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe e brishtë”.
Ai, i cili sot mbahet si idhull i atyre që nuk e durojnë më vendin e kombin e vet shkruante: “Ah malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur…” Dhe shkruante për flamurin: “Flamuri përmbledh gjithë kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja”. Megjithatë, Konica nuk ishte romantik: “Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë”, shpallte ai nga gazeta “Albania”. Dhe, këmbëngulte se: “Një popull që s’duron padrejtësi, që s’u jep besim sharlatanëve, që ngul këmbë për pastërti në hesapet dhe për prova zotësie në zyrtarët, ai popull qeveriset mirë, qoftë me mbret qoftë me president”.
Servilët gazetarë, që lëvdonin pushtetarët e shanin kritikët, Konica i quante “laro të pendës” dhe për ta thoshte se “Ka ca qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur”. Pushtetarëve që përpiqeshin të justifikonin brutalitetin policor ai u thoshte “Xhelat je se të pëlqen të jesh”. E për tradhtarët thoshte se “Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit”. E qeveritarët e këqij i paralajmëronte për domosdoshmërinë e një lëvizjeje popullore: “Një lëvizje popullore dihet ku dhe kur nis, por nuk dihet ku dhe kur do të mbarojë. Në të gjitha këto, mbetet një shpresë e një ngushëllim: shpresa që populli, po nguli këmbë, më në fund do t’i fitojë të gjitha; ngushëllimi që kriminelët e guvernës sodomiste, shpejt a vonë do ta marrin shpërblimin që meritojnë”. Sot e kujtojmë Konicën me nder e respekt të madh, të cilin sigurisht më shumë ia bëjmë duke e lexuar e duke mësuar prej tij.