Sekreti i së bukurës në univers


Faqe 4
faqe
- 5 -

Faqe 6
Nga pikëpamja logjike, mbase radhitja nuk është e qartë. Si të ngarkohet njeriu për hapjen e një pusi, e pastaj për mbylljen e tij? Qëllimi i kësaj është në të angazhuarit e njeriut, që ai të jetë vazhdimisht në punë, të marrë shprehi pune, e jo të presë shpërblim pa punuar. Nëse kjo nuk do të kuptohej kështu, atëherë shoqëria do të përbëhej nga njerëz të papunë, të cilët do të bëheshin pengues, apo shkatërrues të së bukurës në univers. Pas kësaj, pakënaqësia, shthurja dhe shpërbërja do të përgjithësoheshin.

Kështu është edhe me të bukurën në univers. I Lartësuari All-llah, e ka ndaluar ngrënien e pasurisë së paligjshme. Ai, i Lartësuari ka thënë:

" و لا تأكلوا أموالكم بينكم بالباطل و تدلوا بها الي الحكام لتأكلوا فريقا من أمول الناس بالأثم وأنتم تعلمون "

“ Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit me të padrejtë! Pastaj me të, t’i korruptoni gjykatësit, (kështu) t’a hani një pjesë të pasurisë së njerëzve me tradhëti, ndërsa ju e dini (se çfarë mëkati jeni duke bërë). ” [1]

Nëse ti ushqehesh duke shpenzuar pasurinë e paligjshme, me këtë veprim, ti më ke penguar mua, që unë të ushqehem prej fitimit të punës, që kam bërë me duart e mia. Kështu, ti do të bëheshe shkaktar, që unë të mos t’i shijoj frytet e punës sime, sepse ti do të merrje rezultatin e lodhjes dhe djersës sime, të punës që unë kam bërë, etj. Ti merr ajkën e prodhimit tim. Kur të katandisem në një gjendje të tillë, atëherë unë do t’a pyes veten: pse duhet që unë të punoj? Veprimi yt, do të kuptohej sikur je ti ai, që i ke vendosur rregullat e së bukurës në univers. Nëse, secili njeri do të merrte frytet e punës së vet, sigurisht që do të ishte më i kujdesshëm në punë, dhe në këtë mënyrë do të kishim përparim akoma më të madh në jetë.

Nga kjo kuptojmë, se i Lartësuari e krijoi të bukurën në univers, por njeriu dhe sjelljet e tij, e shthurën këtë bukuri dhe e mira po humbet, sepse vendin e saj e ka zënë e shëmtuara dhe mjerimi.

Gjithashtu, i Lartësuari All-llah, ua ka siguruar krijesave furnizimin, dhe secilin prej tyre e ka dalluar me një dhunti, që nuk e posedon tjetri. Ishte vullneti All-llahut xh.sh., që kjo të sendërtohej sipas një sistemi inxhinjerik. Dikujt i ka dhënë dhunti në mjeksi, dikujt në ndërtimtari, me fjalë të tjera, secili prej nesh ka një dhunti që nuk e posedon tjetri, sepse atij që i është dhënë ai profesion, e bën atë më mirë dhe më saktë se të tjerët.

Këtë e vërtetojmë me thënien e All-llahut xh.sh., i Cili, në Kur’anin Kerim, thotë:

" انظر كيف فضلنا بعضكم علي بعض "

“Shikoni se si u kemi veçuar njëri nga tjetri (në këtë botë)...” [2]

All-llahu xh.sh., nuk thotë se dikush është veçuar më shumë nga të tjerët. Gjithashtu, Ai nuk thotë se njëri është më i priviligjuar se tjetri. Pse? Sepse, secili prej nesh, ka një veçori, që e dallon prej tjetrit. Kështu, dikush prej nesh, mbase, është një inxhinjer i shkathët, por ky njeri ka kërkesa për nevojat e tij të përditshme, në ushqim, veshmbathje e të tjera. Pra, ky njeri, është i veçuar dhe i dalluar vetëm në një segment të jetës së tij, ndërkohë që ka nevojë për të tjerët, të cilët janë të dalluar në specializime të tjera.

Tjetri, mbase, është një mjek i dalluar. Ai ka disa veçori specifike të tij në mjekësi, por ky ka nevojë për inxhinjerin, që t’ia ndërtojë shtëpinë për të banuar. Gjithashtu, ka nevojë që dikush tjetër t’a veshë, e dikush tjetër prej bujqve, t’a ushqejë, etj.

Ky tjetri, mbase është rrobaqepës i mirë. Por, ai ka nevojë për mjekun dhe për barërat, ka nevojë për inxhinjerin që t’ia ndërtojë vendbanimin, gjithashtu, edhe për bujkun që t’ia sigurojë ushqimin, etj.

Pra, secili prej nesh është i dalluar në një fushë, sepse posedon disa veçori, që tjetri nuk i ka. Kështu është edhe me pastruesin, i cili pastron rrugët, ose ai që bart materialin ndërtimor, qoftë me krahë apo me vinç, për të ndërtuar një godinë. Pra, secili prej nesh, ka nevojë për tjetrin, sepse sikur t’i linim mbeturinat (në rrugë pa u mbledhur), do të përhapeshin sëmundje të shumta dhe, padyshim, toka do të mbushej e tëra me plehëra. Ai njeri është i veçuar prej nesh, sepse është pastrues. Kështu është edhe me ata që punojnë nëpër kanalizimet e ujërave të zeza. Ata janë të veçuar nga të tjerët, në këtë fushë. Sikur këta persona t’i linin punët e tyre, ujërat e zeza do të vërshonin rrugëve, dhe kështu të jetuarit në tokë do të bëhej i pamundur.

Por, mjerë ti, o njeri, që e përbuz punën e tjetrit, e thua se je mbi atë, pasi ai punon në kanalizime, ndërsa ti je mjek, apo ai tjetri, që është inxhinjer, dhe e sheh veten më të dalluar se tjetri. Ti ke nevojë për atë, dhe jo vetëm nevojë, por ke nevojë të madhe për të. Shoqëria nuk mund të jetojë ndryshe, pa nevojën e njëri-tjetrit, ne të gjithë e plotësojmë njëri tjetrin, prej zejtarit më të vogël, deri tek ai më i madhi.

Për të jetuar dhe për të përparuar një shoqëri, duhet të ketë lidhje midis vete. Kjo lidhje është rezultat i furnizimit që bëri All-llahu i Lartësuar, që secili t’a prezantojë punën e vet para njerëzve të tjerë. Ai do të jetë i kënaqur, se me të ka siguruar furnizimin e vet dhe të fëmijëve të tij. Njeriu endet, duke kërkuar punë, për t’u furnizuar. Kjo sjellje është e domosdoshme, sepse aty qëndron themeli i së bukurës në këtë univers. Sikur të gjithë ne të ishim mjekë ose inxhinjerë, atëherë kush do të na ofronte bukën e mëngjesit? Kush do t’i pastronte rrugët? Kush do të punonte nëpër kanalizime, etj?

Një shoqëri, që nuk bazohet në mbështetjen e njerëzve tek njëri-tjetri, nuk mund të ekzistojë, dhe si rrjedhim do të shkatërrohej brenda pak kohe, sepse jeta e tyre do të ishte e pamundshme. Pra, është vullneti i All-llahut xh.sh., që secili prej nesh të ketë veçoritë e veta, dhe kështu të përmbushim zbrazëtirat e njëri tjetrit, për të bërë të mundur vazhdimin e jetës.

Kjo, ishte një hyrje e domosdoshme mbi të bukurën në univers. All-llahu i Lartësuar e krijoi universin mbi binarët e së bukurës, ashtu sikurse e krijoi edhe të mirën mbi këto binarë. Ndërsa e keqja, ishte rezultat i përzgjedhjes së keqe të njeriut, pasi All-llahu xh.sh. i kishte mundësuar atij që të zgjidhte ndërmjet tyre. All-llahu, atij (njeriut) i mundësoi lirinë për të vepruar, apo për të mosvepruar. Kështu, me pretendime të tilla, njeriu po e shkatërron botën, duke propaganduar, gjoja, se është duke e sendërtuar shoqërinë. Citojmë thënien e All-llahut xh.sh., prej Kur’anit Kerim:

" واذا قيل لهم لا تفسد في الأرض قالوا انما نحن مصلحون ألا انهم المفسدون و لكن لا يشعرون "

Kur atyre ju thuhet, mos bëni çrregullime në tokë, ata thonë: ne jemi reformistë (po mbajmë rendin dhe paqen). A nuk janë ata, që po bëjnë çrregullime!? Por, ata, nuk po e ndiejnë.” [3]

All-llahu xh.xh. e krijoi universin mbi themele të shëndosha, dhe e caktoi atë, për një jetë të mirë dhe të harmonishme për secilën krijesë. Sikur njeriu të ndiqte mësimet e All-llahut të Lartësuar, qoftë në përbërje, qoftë në veprim, në specifika, apo në shkaqe, atëherë, në univers, nuk do të ishte prezent as e keqja, e as mjerimi. Çdo gjë, që vendosi i Lartësuari, ka të bëjë me rregullat e së bukurës. Ato (rregullat) janë shumë të përpikta, dhe i mundësojnë secilit që t’a kryejë detyrën e vet. Ato nuk kanë nevojë për diturinë e njeriut, i cili vazhdimisht mundohet që t’i ndryshojë apo t’i zëvendësojë gjërat.

E keqja nuk bën pjesë në krijim, e as nuk është pjesë e rregullave të vendosura të krijimit, por është rezultat i ndërhyrjes së njeriut në të, dhe mund t’a shkatërrojë atë (krijimin). Qëllimi i krijimit të universit është të shpikurit (e gjërave të dobishme), të cilat i kryejnë funksionet e tyre, ashtu si ka dëshiruar All-llahu i Lartësuar. Të gjitha këto, veprojnë në harmoni dhe në qetësinë më të madhe të mundshme. Këto qëndrojnë shumë larg shpikjes së gjërave të dëmshme, që shkaktojnë vuajtje dhe mjerim, dhe që përhapin sëmundje dhe ngatërresa në univers.

Njeriu me largimin e tij prej programit të All-llahut, u përball me sëmundje dhe ngatërresa në shoqëri. U përball me mjerimin dhe keqbërjen. Për këtë arsye, i Lartësuari, iu dërgoi atyre të dërguar (pejgamberë), të pajisur me programe, për t’a rikthyer universin në harmoninë dhe bukurinë e vet.

Gjatë leximit të Kur’anit, hasim thënien:

" و ننزل من القران ما هو شفاء و رحمة للمؤمنين "

“ Ndërsa Ne, ju kemi shpallur Kur’anin për të qenë shërues dhe mëshirues për besimtarët...”[4]

Nga ky ajet, kuptojmë se qëllimi i zbritjes së Kur’anit, qenka të shëruarit prej sëmundjeve kritike, që rrjedhin prej ekstremizmave të ndryshme. Këto sëmundje vijnë si rezultat i largimit nga programi i All-llahut. Ata, që do ta ndjekin programin e All-llahut, konsiderohen të shëruar dhe të pastruar nga sëmundjet që vuanin. Këtyre (kësaj shoqërie) do t’ju zbresë mëshira e All-llahut. Këto sëmundje nuk pastrohen tërësisht, por ato shuhen (përkohësisht), dhe ato nuk kthehen për t’i shqetësuar njerëzit përsëri (për aq kohë sa ata ndjekin me përpikmëri programin e All-llahut).

All-llahu i Lartëmadhëruar e ngriti këtë univers mbi bazat e ligjeve dhe rregullave, që bëjnë që e bukura të jetë cilësia e universit, por njeriut duke iu dhënë liria e veprimit, ndërhyri në bukurinë e universit dhe po e shkatërron atë. Duke abuzuar me lirinë e dhënë, ai zgjodhi gjëra që nuk janë në pëlqim me vullnetin e All-llahut xh.sh., në univers. Prej këtu, filloi e keqja dhe prej këtu filloi shkatërrimi.

Habitem kur dëgjoj propagandimet e disa njerëzve, të cilët thërrasin për “transformime” të universit. Ata e dinë fare mirë se janë shkatërruesit e tij, por kur vetë ata e pësojnë, dhe vuajnë dhe ndiejnë dhembjet e keqbërjes së tyre, atëherë ata kthehen përsëri në programin e All-llahut dhe në rregullat e së bukurës në univers. Por, fatkeqësisht, këta nuk kthehen tek këto rregulla në bazë të imanit të tyre, por kthehen pa dëshirë – me zor, (pasi e kuptojnë dhe binden) se jeta nuk mund të vazhdojë, pa këto ligje dhe pa këto rregulla.

Ne, për fat të keq, vijmë prej shoqërive jobesimtare. Prej atyre, që po shthurin jetën tonë, për shkak se e kanë lënë programin e All-llahut, që është i vetmi rregullator i problemeve tona. Por, këto shoqëri, kanë filluar të kthehen, kundër vullnetit të tyre, në programin e Krijuesit, sepse është vërtetuar përfundimisht, se nuk ka kuptim vazhdimi i jetës pa programin qiellor. Këta të kthyer, e bëjnë këtë kthesë, qoftë nga besimi tyre, qoftë nga domosdoshmëria, sepse nuk mund t’i evitojnë stërlodhjet e tyre të jetës, jashtë këtij programi qiellor.

  1. Kur’an, 2 / 188
  2. Kur’an, 17 / 21
  3. Kur’an, 2 / 11-12
  4. Kur’an, 17 / 82

Faqe 4
faqe
- 5 -

Faqe 6