Mosbesimi – kupola e të gjitha të këqijave në botë


Faqe 29
faqe
- 30 -

Faqe 31
Kulmi i të këqijave të mëdha në këtë jetë është mosbesimi. Nuk ka të keqe më të madhe se kjo. Nuk ka përgjegjësi tjetër, pas mosbesimit. Për shkak se, ky mohues, ka bërë mëkat aq të madh, saqë e ka detyruar All-llahun t’a përzerë nga Mëshira e Tij.

Për këtë arsye, i Lartëmadhëruari, thotë:

" ان الله لا يغفر أن يشرك به و يغفر ما دون ذلك لمن يشاء "
“Vërtet, All-llahu nuk e fal atë (njeri) që Atij i ka bërë shok, ndërsa i fal të gjithë të tjerët, që Ai dëshiron...”[1]

Ai, i cili i ka bërë shok All-llahut, ose e ka mohuar Atë, edhe sikur t’i jepej e tërë pasuria e botës, ajo do të ishte e dëmshme për të. Sado që ai të marrë dhe të rrëmbejë prej kësaj bote, të mirat e saj janë të vogla dhe të përkohshme. Po ashtu, sado të ketë pasuri, mirëqenie dhe pushtet, ai, një ditë, do të ndahet prej tyre.

Për këtë shkak, i Lartësuari, thotë:

" ان شر الدواب عند الله الذين كفروا فهم لا يؤمنون "
“Prej krijesave më të këqija tek All-llahu janë ata, të cilët e kanë përgënjeshtruar (mohuar All-llahun) sepse ata nuk besuan.”[2]

Ne e dimë se kafshët nuk logjikojnë[3] , ato, pra, nuk mendojnë. Ato nuk mund t’i parashikojnë gjërat, prandaj jetojnë në mënyrë instiktive. Instikti i ka reagimet shumë të sakta. Kur ndonjë kafshe i ofron ushqim, dhe përpiqesh që t’a mashtrosh, ajo do të refuzojë, për shkak se kundërpërgjigjet me anë të instiktit, të cilin e ka shumë të saktë. Instikti i mjafton kafshës, vetëm sa për nevojat e veta.

Për sa u përket kafshëve, gjithashtu, shohim se ato nuk kanë marrëdhënie shoqëruese me kafshët e tjera dhe se ato kujdesen për ruajtjen e llojit të vet. Kur kafsha femër mbarësohet, ajo nuk lejon që kafsha mashkull t’i afrohet përsëri. Por, ata që e kanë mohuar All-llahun, ata janë cilësuar si më të këqij, se kafsha.

Ata janë më të këqij se kafsha, për arsye se kafshët nuk logjikojnë. Ato (kafshët) i kanë detyrat e tyre në këtë botë, dhe edhe pse nuk logjikojnë, ato, megjithatë, i kryejnë detyrat e tyre me përpikëri. Ato bartin pesha të rënda, i japin ato (të mira dhe begati) për të cilat janë krijuar dhe kryejnë gjithçka ju kërkohet (që është brenda natyrës dhe mundësisë së tyre).

Ndërsa njeriu, të cilit All-llahu i ka dhënë lirinë e zgjedhjes, edhe pse e ka mbushur stomakun dhe është i ngopur, mendja e vet i thotë se: duhet t’a provosh edhe këtë ëmbëlsirë, ose shijoje edhe këtë lloj ushqimi tjetër. Ai nuk i kushton aspak kujdes faktit se All-llahu i ka urdhëruar njerëzit, që të përmbahen prej të tepruarit në ngrënie, por, përkundrazi, ha tepër dhe e rëndon stomakun aq shumë, saqë nuk mund të lëvizë dot nga vendi. Ndërsa seksin e shndërron në prostitucion, dhe nuk interesohet fare për ruajtjen e dinjitetit dhe të vazhdimësisë së llojit të vet.

All-llahu njeriun e dalloi me mendje. Atij i mundësoi që t’i shohë dhe t’i shqyrtojë argumentet në univers, dhe të besojë se ky univers ka Krijuesin e vet. Por fatkeqësisht, në vend të kësaj, ai abuzon me këtë të mirë (mendjen) që All-llahu i ka dhuruar, dhe e mohon All-llahun xh.sh. Pra, ai bëhet ateist, dhe vazhdimisht largohet prej All-llahut të Lartëmadhëruar. Gjeneratë pas gjenerate, ky mëkat vazhdon të trashëgohet. Si duket, ai (njeriu) e ka shlyer veçorinë e tij më të rëndësishme (përdorimin e mendjes), që All-llahu ia ka dhuruar njeriut. Por jo vetëm kaq, por ai e përdor atë, për të vepruar kundër obligimit që ka, dhe me këtë e poshtërson vetveten në nivelin e një gjendjeje jonjerëzore, madje në një nivel më të ulët se atë të kafshës.

Për t’a përbyllur, në vija të përgjithshme, do të themi: Kuptimi i vërtetë i fjalës ‘hajr’ dhe ‘sherr’ në këtë botë dhe në ahiret, nga pikëpamja e fesë, është: vepër e mirë, është ajo e cila ka për qëllim kënaqësinë e All-llahut dhe për të cilën njeriu shpreson se do të shpërblehet në ahiret. Përveç kësaj, njeriu duhet t’a dijë, se çdo gjë që vjen prej All-llahut xh.sh. është hajr, dhe çdo gjë, që bëhet për hir të All-llahut, është e mirë – hajr.

Ndërsa, sherri, në universin tonë, ka ardhur prej sjelljeve të vetë njeriut. Ai me të, po e shkatërron universin dhe jetën e vet. Ai është duke i shkatërruar ligjet, në emër të së “mirës”, ndërsa e vërteta është se ai është duke e shkatërruar botën. All-llahu xh.sh. na ka mundësuar shumë gjëra të dobishme dhe begati të shumta, por ja që, ne jemi duke i shkatërruar ato dhe po ia kundërvëmë qenies sonë njerëzore. Njeriu është duke vuajtur nga zgjedhjet e gabuara të tij. Kjo botë është e bollshme dhe e mjaftueshme për të gjitha krijesat që ka krijuar All-llahu, që prej Ademit a.s., e deri në Ditën e Fundit. Por, fatkeqësisht, egoizmi është duke u bërë shkatërruesi i çdo sendi. Kjo ka bërë që disa njerëz t’i shkatërrojnë të mirat e Zotit, në vend se t’ua jepnin atyre, që kanë nevojë urgjente për to.

Kjo botë është rruga, nëpërmjet së cilës fitohet ahireti. Me të, ose shkohet në xhennet, ose në xhehennem (All-llahu na ruajtë prej tij). Kur njeriu në këtë botë, devijon nga detyra e vet, dhe vlerat i konsideron antivlera, ndërsa antivlerat vlera, atëherë këto cilësi trashëgohen duke sjellë çregullime, mjerim dhe shkatërrim të forcës mendore dhe të logjikës njerëzore, gjë që sjell hidhërimin e Zotit mbi të, dhe në fund, njeriu nuk do të fitojë asgjë prej kësaj bote.

E mira është në atë, që All-llahu e ka pëlqyer për ne. Njeriu nuk posedon dituri të gjerë, e as njohje të përgjithshme, që të bëhet gjykatës i ndodhive të veta, sepse ai nuk është në dijeni të së ardhmes së tij, në mënyrë që të dijë dhe të gjykojë rezultatin e ngjarjes së sotme.

Urrejtja ndaj disa gjërave, nuk duhet të bëjë që të ngutemi dhe të japim konkludimin përfundimtar se ato (ndodhi apo sende) janë të dëmshme për ne, për shkak se ne e urrejmë ato. Ato mund të kenë mirësi të shumta, të cilat janë të panjohura për ne. Dhe mund të ndodhë, që ne ta duam një send, por realiteti i tij, të jetë i hidhur dhe i keq për ne.

Nëse ne duam lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër, patjetër duhet të pëlqejmë atë, që All-llahu i Lartëmadhëruar ka caktuar për ne, sepse caktimi (kaderi) i All-llahut, gjithmonë, është i mirë. Ai, i cili pajtohet me të, është i udhëzuar në rrugën e drejtë.

  1. Kur’an, 4 / 48
  2. Kur’an, 8 / 55
  3. Kur’ani flet për dabetul erd (autori e ka fjalën për dabe- kafshët, por këtu, fjala ‘kafshë’ ka kuptimin e të gjitha gjallesave që lëvizin, me përjashtim të njeriut. Shënim i përkthyesit)

Faqe 29
faqe
- 30 -

Faqe 31