E keqja dhe etjet (orekset) njerëzore


Faqe 28
faqe
- 29 -

Faqe 30
All-llah xh.sh. e krijoi diellin për t’a ndiçuar dhe për t’a ngrohur tokën. Ai i jep gjallëri bimëve, kafshëve dhe njeriut, dhe të gjithëve atyre që kanë nevojë. Kështu, ai e kryen detyrën e vet në univers. Me anën e dritës marrin frymë bimët, prej tyre del oksigjeni dhe kështu bëhet e mundshme jeta në tokë. Me anën e dritës, kafshët, gjithashtu, e kryejnë detyrën e tyre. Drita i jep gjallëri edhe njeriut. Ajo e nxit atë për punë, dhe kështu ai e ndërton dhe e rregullon planetin tokë. Prej tij (diellit), njeriu arrin të ngrohet, aq sa ka nevojë për jetën e tij. Por, ka pasur njerëz, që e kanë adhuruar atë, sepse dielli është një krijesë që i sjell të mira të mëdha njerëzimit. Për këtë arsye, dikush e shndërroi në sherr të vetvetes, sepse ai u bë shkak, që dikush prej njerëzve t’a mohojë All-llahun xh.sh. (dhe t’a adhurojë diellin)!

Dielli nuk i urdhëroi njerëzit, që t’a besonin. Kurrë ndonjëherë, ai nuk ka kërkuar që të adhurohet, po ashtu, kurrë ndonjëherë, nuk ka dërguar misionarë, që të kërkojnë prej njerëzimit që t’a adhuronin atë. Ai nuk ka dërguar as program, me qëllim që t’i tregonte njerëzimit mënyrën e adhurimit. Ai kurrë, nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Ai, vetë, është i nënshtruar dhe është falënderues, pasi vetë preciziteti dhe lëvizja, që ai bën në univers, e dëshmon këtë. Pra, njeriu, vetë i shkaktoi vetes bela.

Kështu është edhe me gurët. Prej tyre ka shumë të mira, por fatkeqësisht, një pjesë e madhe e njerëzimit, i shndërroi ata, në objekte të adhuruara, duke gdhendur me ta puta apo idhuj! Gjërat që gjenden në tokë (univers), nuk janë krijuar që t’i ndihmojnë shkatërrimit, por ato janë krijesa që synojnë të mirën. Secila krijesë e kryen detyrën e vet për mrekulli, në mënyrë të përsosur, por e keqja dhe shkatërrimi erdhi nga njeriu. Gjithashtu, edhe mohimi i Zotit, erdhi prej njeriut.

Duke u bazuar në këto sa thamë më sipër, ne, duhet patjetër t’a kuptojmë thelbin e jetës së kësaj bote, dhe jo t’a marrim atë mbi bazat e shthurjes, që vjen, apo shkaktohet prej njeriut. Kush i vendosi këto rregulla? Pa dyshim, është ai, i cili po shkakton shthurje në tokë dhe ai, i cili dëshiron të përfitojë vetëm për veten e vet. Eshtë ai, i cili synon pushtetin për një periudhë kohore, dhe dëshiron të bëhet zot i saj. Pra, ai, i cili e përdor thikën për të vrarë, ka për qëllim që të arrijë të përvetësojë një pasuri, që nuk i takon atij. Ai, i cili i thërret të tjerët të besojnë diellin, ka për qëllim që të bëhet falltori më i madh, dhe me këtë marifet, të marrë të mirat e të tjerëve, pa punuar. Ai, i cili i fton njerëzit që të adhurojnë putat, ka për qëllim që të bëhet vetë “zot”, që t’i frikësohen të tjerët dhe, njëkohësisht, synon që masa t’i afrohet atij, sepse ai është “shërbëtori i Hyjnisë”. Ndërsa, ai, i cili e fton njerëzimin në gjëra të kota, së pari hulumton që të përfitojë nga të mirat e kësaj bote, pastaj përpiqet t’i shërbejë të kotës. Këto dobi ndoshta do t’a ngrenë atë, dhe ai do të mund të radhitet në një rresht me bosët e pasur, apo me pushtetarët politikanë, pra ai do të hyjë në radhët VIP-ave të kësaj bote (por në botën tjetër, ai do të jetë prej më të dëshpëruarve).

Ndërsa ai, i cili e thërret njerëzimin të besojë All-llahun xh.sh., ai investon nga buxheti tij për këtë thirrje, dhe nuk përfiton materialisht asgjë prej saj. Investimi në emër të All-llahut, këtë thirrës e bën të kënaqur dhe të priviligjuar, që i është dhënë mundësia të investojë edhe materialisht. Paguan prej pasurisë së vet, dhe është i lumtur. Ai është njeri që e ngarkon veten me mundime dhe e obligon veten me adhurim. Qëllimi i tij i vetëm është që All-llahu xh.sh. t’ia pranojë mundin dhe t’ia shënojë atë si vepër të mirë.

I Lartësuari, dëshiroi të na tregojë se standartet janë të ndryshme. Ai, për këtë, thotë:

" و لا يحسبن الذين يبخلون بما ءاتاهم الله من فضله هو خيرا لهم بل هو شر لهم "
“Le të mos mendojnë kopracët, se janë duke bërë mirë me atë pasuri, që jua ka dhënë All-llahu, jo, ajo për ta është e keqe...”[1]

Investimi i pasurisë në këtë jetë, duhet të kuptohet kështu: detyra e shejtanit është, që sa më shumë t’i bindë njerëzit, që mos të investojnë në emër të All-llahut, duke i frikësuar ata me varfëri. Në lidhje me këtë, i Dërguari All-llahut, Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:

“Pasuria nuk pakësohet nga sadakaja”.

Pra, sadaka nuk e pakëson pasurinë, përkundrazi e siguron, dhe e bën më të begatë. Kur kemi pranë vetes begatinë (e dhënë nga All-llahu si shpërblim për dhënien e sadakasë, nga ana jonë), ajo vetvetiu jep më shumë se sa kemi menduar. Ose mund të japë më shumë të mira, se sa jep normalisht pasuria.

Dhënia është begati (bereqet), dhe këtë All-llahu ua mundëson besimtarëve të Tij. Kemi raste kur risku është i pakët, por me atë pak që kemi, i mbulojmë të gjitha nevojat tona. Ushqimi, i cili është i përgatitur për dy persona, është i mjaftueshëm për t’u ushqyer edhe pesë persona, madje edhe të ngopen. Por risku iu duket njerëzve i paktë, ngase sytë e tyre nuk ngopen. Ata nuk munden të paramendojnë, e as nuk e mundojnë veten të kuptojnë më shumë, se sa e kanë potencialin e tyre energjik të të kuptuarit. Qëllon që të shohësh një njeri, i cili kalon jetë të lumtur, të qetë dhe nuk mërzitet për asgjë. Duket qartë se ai e ka shpirtin e qetë, sepse është gjithmonë i lidhur fuqimisht me All-llahun. Këtë person, All-llahu xh.sh., e mbron nga hidhërimet e jetës. Nëse p.sh., dikush prej të afërmve të tij sëmuret, atij do t’i mjaftojë që t’i japë vetëm një kokër aspirinë dhe një gotë çaj, dhe ai ka për t’u shëruar. Ndërsa ai, i cili nuk ka dhënë sadaka, kur t’i sëmuret fëmija, dëshpërohet tepër, sepse edhe pse ka sjellë shumë mjekë dhe ka dhënë shumë para, mund të ndodhë që fëmija i tij të mos shërohet.

Njeriut i rritet risku i bereqetit, kur ai njeri, brenda mundësive që ka, kryen vepra bamirësie, të cilat bëhen shkak, që All-llahu t’i japë atij edhe më shumë pasuri. Nganjëherë, All-llahu e pasuron njeriun, kur ia largon atij shpenzimet që duhej të kryente. Shohim p.sh. se si djali i tij, korr suksese të njëpasnjëshme në shkollë, pa marrë mësime shtesë, ndërkohë që fëmijët e tjerë për të arritur deri tek sukseset e tij, iu duhet që prindërit e tyre të shpenzojë qindra funta (ose euro) për mësime shtesë, dhe prapë se prapë nuk e arrijnë suksesin e tij, madje mund të ndodhë që edhe të mos kalojnë, apo të mos dalin tek më të mirët. Sheh se fëmijëve të tij nuk iu ndodh asnjë e keqe, dhe askush prej tyre nuk i afrohet bixhozit, as drogave, ose gjëra të kësaj natyre, që e shkatërrojnë trupin dhe pasurinë.

Sheh se si gruaja dhe fëmijët e këtij burri, edhe pse blejnë roba të lira dhe të thjeshta, gëzohen dhe ndihen të lumtur me to (pa u ndjerë aspak inferiorë, që teshat e tyre nuk u përkasin firmave të njohura).

Ndërsa, të tjerët, të cilët nuk janë të kujdesshëm ndaj pasurisë së tyre, nuk janë të lumtur dhe kanë një jetë të dëshpëruar. Do të shohësh se si, kur burri i blen një fustan shumë të shtrenjtë gruas së tij, ajo ia hedh fytyrës, mrrolet dhe shpreh pakënaqësinë e saj (sepse e dëshiron fustanin të jetë akoma më luksoz dhe i shtrenjtë). Ai, prej kësaj pasurie, nuk merr asgjë, përveç dëshpërimit dhe pakënaqësisë në këtë jetë.

Ne duhet t’a dimë se begati nuk është vetëm kur të dhurohet pasuri e shumtë, sepse ajo në të njëjtën kohë mund të të kthehet bumerang dhe të bëhet shkatërruese e jetës. Por pasuria, sado e vogël qoftë ajo, nëse e ka bekimin e All-llahut, është e mjaftueshme dhe e frytshme për jetën e secilit prej nesh. Kjo pasuri i mbulon nevojat tona, dhe sjell lumturi e të më mira të mëdha në jetën tonë.

Njeriu që ka para, e që nuk investon për t’a qarkulluar paranë, e as nuk jep sadaka prej saj, mendon se është duke i bërë vetes mirë, por në realitet ai është duke e dëmtuar vetveten. Me këtë mentalitet, ai i nuk afrohet All-llahu, madje edhe pse e di, se ajo pasuri nuk do t’i mbetet atij, sepse atë do ta lërë mbi tokë kur të vdesë.

Referencat
  1. Kur’an, 3 / 180

Faqe 28
faqe
- 29 -

Faqe 30