Nga Bedri Islami

Me 20 shtator, në pragun e 20 vjetorit të rënies së Herojve të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe Xheva Krasniqi Lladrovci, të cilët janë njëkohësisht edhe nderi i kombit, në Drenas, njerën nga dy zonat e Drenicës, u ngritën statujat e tyre, së bashku, ashtu si kishin qenë që në ditën e njohjes së tyre deri në ditën e rënies, 2 shtator 1998.

Jam përjetësisht i nderuar që Komisioni i Posaçëm i Përurimit më besoi të mbaj fjalën e rastit, për të evokuar kujtimet dhe rrugën jetësore e luftarake të Heronjve.

Si është traditë dhe mirëseardhje unë përshëndeta të ftuarit, presidentë dhe ish presidentë, të Kosovës dhe të shtetit shqiptar londinez, kryeministrin dhe ish kryeministra, kryetarin e kuvendit dhe ish kryetarë kuvendesh të Kosovës dhe Shqipërisë, etj.

Megjithëse ndër të ftuarit e nderit ishte edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, miku im i shquar, Ali Ahmeti, nuk e përmenda emrin e tij.

Pas ceremonisë, një mik i përbashkët, duke menduar se kisha harruar, më tha se nuk e kisha përshëndetur edhe Abazin ( Ali Ahmetin).

– Unë, i thashë, nuk mund të përshëndes tjetrin, edhe në qoftë ky Ali Ahmeti, kur ai vjen në shtëpinë e tij. Sepse Ali Ahmeti në Drenicë, sidomos në Drenas, veçanërisht në Shkabaj, Gllanasellë, ku ka lindur Fehmi Lladrovci, nuk është mik, nuk është i ftuar, nuk është personalitet politik. Ai është aty bir, vëlla, mixhë…

Nëse do e bëja këtë do e largoja Ali Ahmetin nga vendlindja e tij e dytë. Për Aliun, Gllanasella e dikurshme, Shkabaj e sotme, është njëlloj si Zajazi, ku ka lindur dhe ku ka varret e të parëve.

Në jetën e tij gjatë përgatitjes së luftës çlirimtare, Ali Ahmeti më shumë ka qëndruar këtu, në këtë zonë, ka bujtur në këto njerëz, se sa në fshatin e tij, ku, edhe po të donte, nuk shkonte dot.

Prej këtu, pra, nga vendlindja e tij e dytë, ai ka nisur një rrugë pa kthim drejt luftës çlirimtare.

Ali Ahmeti ka qenë miku dhe vëllai i Fehmi Lladrovcit dhe vëllait nuk i thuhet mirësevjen kur ai shkon tek vatra e vëllait të tij.

Ai, Aliu, dhe, bashkë me të, Shaban Shala, një burrë i shquar i kësaj treve, kanë qenë vëllezër dhe shkuar vëllazërisë, ata kanë formuar së bashku grupet e djemve të lëvizjes çlirimtare, u kanë prirë atyre dhe janë bërë shembull që duhet ndjekur.

Ali Ahmeti ka emrin e tij në Drenicë, sidomos në këtë trevë drenicake, sepse përmes tij janë bërë lidhjet e djemve drenicakë me udhëheqjen politike dhe ka mbështetur gjithnjë rolin udhëheqës në drejtimin ushtarak e luftarak të këtyre djemve.

Aliu ka qenë njeriu më i afërt, jo vetëm i Fehmiut dhe Xhevës, jo vetëm i bacës Tush dhe familjes Krasniqi, por edhe i Adem Jasharit, mik për kokë i Iliaz Kodrës, Sami Lushtakut, Selim Krasniqit; dhe të gjithë këto familje drenicake i kanë thënë vëlla, ndërsa prindërit e tyre e kanë thirrur bir.

Atëherë, si mund të bëj gabimin që Njeriut, i cili është më drenicak se gjithë të ftuarit sëbashku, që është vëlla me Xhevën dhe Fehmiun, që ka qenë shpirti kryengritës i kësaj treve, t’i them ”mirë se erdhe”.

Njeriun e mbajnë rrënjët e tij. Ali Ahmeti, gjatë gjithë jetës, ka ngritur punë të mëdha, sepse një pjesë e rrënjëve të tij janë pikërisht këtu, në këtë trevë, ku u ngritën Statujat e mëdha të motrës së tij dhe të vëllait të tij.

Në Drenicë dhe në Zajas unë Ali Ahmetit i them ”mirë se të gjeta” dhe nuk i them kurrë ”mirë se ke ardhur”.

Unë nuk e largoj birin nga nëna, nuk e dalloj vëllain nga vëllai, nuk i bjerr lidhjet e mëdha që u krijuan në një kohë të lavdishme dhe që koha nuk mund ta zhbëjë.

Ali Ahmeti është një drenicak nga Zajazi.

Ali Ahmeti është një ndër burrat më të shquar të kombit shqiptar. Atij nuk i thuhet mirësevjen në të gjitha trevat, por, “mirë se të gjeta”, sepse jeta e tij dhe aktiviteti i tij është shtrirë në të gjithë viset ku frymon shqip.


18 tetor 2018