Dedë Gjon Luli malësori fisnik, shqiptari i madh

Dedë Gjon Luli malësori fisnik, shqiptari i madh

Në galerinë e burrave shqiptarë, që udhëhoqën popullin tonë në luftën për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar një vend nderi zë dhe trimi i urtë i Hotit Dedë Gjon Luli. Jetën e tij 75-vjeçare ai e kaloi me armë në dorë në shërbim të atdheut. Qysh i ri u dallua në luftërat për mbrojtjen e vendlindjes nga synimet aneksioniste të qarqeve shoviniste të Malit të Zi dhe vendimeve të padrejta thellësisht antishqiptare të Kongresit të Berlinit.

Figurës së Ded Gjon Lulit, që student kur mbrojta temën e diplomës kushtuar Kryengritjes së udhëhequr prej tij, tash 55 vjet, i jam kthyer sa e sa here jo vetëm në përvjetorë por dhe në veprimtari dhe në shtypin shkencor në Shkodër, Tiranë, Prishtinë e Shkup e sidomos në Tuz e deri në Nju Jork. Gjithë here jam përpjekur, sa kam mundur, të ndalem në momente dhe aspekte të pa vëna re dhe të pa vëna në pah sa duhet të ndihmesës së tij të spikatur atdhetare.

Midis veprimtarive të shumta do të veçoja ato që ka organizuar Shoqata “Illiricum”e Tuzit drejtuar nga kryetarët e saj të palodhur Fran Camaj dhe Nikollë Berishaj dhe Shoqatat “Ded Gjo’ Luli” dhe “Malesia” në SHBA. Mbetet i paharruar Simpoziumi që organizoi, më 1986, Fondacioni “Dedë Gjo Luli” me kryetar atdhetarin bujar Palokë Vulaj me bashkëpunëtorët e tij të shumtë Prel Senishtaj, Dedë Dedvukaj e sa të tjerë. Do ta quaja pa e tepruar veprimtari të karakterit ndërkombëtar edhe pse organizatorët e tij me modesti nuk e quajtën të tillë. Në të morën pjesë nga Tirana Prof. Shaban Demiraj, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Jup Kastrati, Prof. Kahreman Ulqini, Dr. Pal Doçi; midis tyre pata nderin të isha dhe unë. Nga Kosova merrnin pjesë Prof. Rexhep Qosja, akademik dhe Prof. dr. Engjell Sedaj; studiues nga Mali i Zi dhe nga ShBA, si Profesoresha e Universitetit Brown Marjerie Senechal dhe Prof. Anton Fistani e tj. U pritëm në Akademinë Shkencave të SHBA-së në Washington, nga sekretari i përgjithshëm i saj. Në Boston vizituam Kishën e Shën Gjergjit të Nolit të Madh, u pritëm nga atdhetari i mirënjohur Antoni Athanas, i cili shtroi dhe një drekë.

Me një fjalë organizatorët e Simpoziumit me Palok Vulajn në krye dëshmuan aftësi të lavdërueshme organizative. Ata nuk e patën të lehtë dhe për çudi u ndeshën me sulme të pabaza sikur ata paskëshin ftuar nga Tirana njerëz të padenjë për të folur për Dedë Gjo’ Lulin.

Në veprimtaritë për Dedën u dalluan midis shumë të tjerëve në Tuz Gjergj Nik Prelaj, autori i një monografie kushtuar Kryengritjes së Malësisë mbështetur dhe në burime malazeze; e plot të tjerë; në përkujtimet e Kryengritjes së Malësisë dhe të Dede Gjon Lulit në ShBA midis sa e sa të tjerëve binte në sy Dr. Marjan Berishaj.

Vlerësimi i figurës së Dedës në të kaluarën e afërt nuk ka qenë i lehtë. Duheshin kapërcyer pikëpamjet, se ai ka qenë njeriu i Austro-Hungarisë apo i klerit katolik. Në kundërshtim me këto zëra, ai qe ndër patriotët e parë dhe të rrallë, që u dekorua ndër të parët dhe të rrallët me Urdhërin për Merita Patriotike të kl. I, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Pikëpyetje kësisoji, siç më pat pohuar drejtori i muzeut të qytetit të Shkodrës Pjetër Hasi, nuk arritën të venin në dyshim më pas dhe propozimin e ri të organeve shtetërore dhe partiake të rrethit për dekorimin e tij me dekoratën më të lartë atë të “Heroit të Popullit”. Edhe në këtë rast ai qe sërishmi ndër të parët dhe të rrallët midis atdhetarëve të brezit të tij që u nderua me titullin më të lartë të Republikës. Gjithsesi në kundërshtim me ndonjë pikëpamje jo të saktë që qarkullon edhe sot, sikur Deda nuk është vlerësuar sa duhet në të kaluarën e afërt, rezulton se midis atdhetarëve të brezit dhe të shkallës së tij ai ka marrë që herët vlerësimet më të larta nga autoritetet e kohës së kaluar.

Pa pretenduar të japim të plotë portretin atdhetar të tij, po ndalemi vetëm në disa momente rreth të cilave është bërë ndonjë përpjekje për të vënë sadopak në diskutim meritat e tij, për të zbehur madhështinë e Dedës të madh edhe pse trupvogël.



Kryengritja atje midis maleve dhe luginave të Malësisë mori përmasa të paimagjinueshme luftarake jo vetëm të rrafshit kombëtar, por dhe në rrafsh ballkanik, osman e, madje, dhe mesdhetar. Nën udhëheqjen e Dedë Gjo’ Lulit kryengritësit përballuan për muaj me radhë forcat dhjetëramijëshe xhonturke, të komanduara nga Shefqet Turguti. Hapsirat e ngushta malore të Hotit e Grudës dhe Kelmendit e Shalës u bënë të pakalaueshme për pashajn. Një përballje kjo e pakrahasueshme me luftërat që zhvilloi Perandoria Osmane në këtë kohë në Jemen, në Tripoli dhe në Ballkan. Mjafton të kujtojmë që në vilajetin e Shkodrës pas sulmit serbomalazias përballle forcave të tyre qëndronin po ato forca që Stambolli dërgoi kundër malsorëve. Kryengritësit i detyruan atoritetet ushtarake të ulen në bisedime me krerët e e tyre. Fitorja më e madhe e kryengritësve ishte përqafimi i programit kombëtar të Rilindjes prej tyre, pa iu përulur presioneve dhe mashtrimeve.

Malësia e Mbishkodrës nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit përballoi për muaj me radhë forcat dhjetramijëshe xhonturke, të komanduara nga gjenerali famëkeq Shefqet Turgut pasha të pajisur me armatimet më moderne të kohës përfshijë dhe topat malorë të firmës së mirënjohur Krup. Kryengritësit në jug të vendit morën kurajë dhe dolën në mbështetje të 12 pikave të Greçës, 23 qershor 1911 në Qafë Sinjë, te Manastir i Cepos e në Berat.

Kryengritja e vitit 1911 doli qysh më 30 mars, me kërkesa të karakterit kombëtar mbarëshqiptar në “Qyshket (kërkesat) e malsorëve” të botuara në gazetat “Corriere d’Italia” dhe “Sabah” në emër të Muharrem Bushatit, Isa Boletinit, Dedë Gjo’ Lulit, Mehemet Shpendit, Sokol Bacit, Abdulla Agajt e të Preng Kolës.

Pas arritjes së Ismail Qemalit pranë kryengritësve, në Podgoricë, programi i Rilindjes u shndërrua në flamurin e luftës së tyre në Kuvendin e Greçës. Në Memorandumin e miratuar nga pjesëmarrësit e tij parashtrohet sinteza e mendimit politik shqiptar më të përparuar të Rilindjes. Ai ishte produkt i mendjeve më të ndritura të kombit tonë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. U skicua nga Pashko Vasë Shkodrani, që në mars të 1878-ës. Ideatori dhe organizatori kryesor i Lidhjes së Prizrenit, në Kuvendin themelues të saj, më 15 qersor të atij viti, arriti që delegatët e tij pa asnjë kundërshtim ta miratonin dhe e vunë në themel të programit të organizatës mbarëshqiptare të sapoformuar. Miratimi i tij nga të gjitha viset shqiptare përfundoi më 1 nëntor 1878 në Kuvendin I të Dibrës në të cilin morën pjesë edhe përfaqësuesit e Toskërisë të kryesuar nga Abdyl Frashëri.

E ndriçuar nga majat e mendimit rilindas si dhe të veprimit revolucionar atdhetar mbarëshqiptar, Malësia e Madhe më 1911 krahas Kosovës më u rreshtua në radhët e para të revolucionit kombëtar mbarëshqiptar në prag të Shpalljes së Pavarësisë.

Sigurisht që Memorandumi i Greçës mban vulën e rrethanave të brendshme dhe të jashtme, në të cilat u hartua dhe u parashtrua në prag të Pavarësisë.



Dedë Gjon Luli, i lidhur ngushtë me atdhetarë si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Mark Kakarriqi, Risto Siliqi, Nikolla Ivanaj, Sali Hidi nga Elbasani e të tjerë dhe veçanërisht me Ismail Qemalin, i qëndroi besnik pa u lëkundur deri në fund të jetës së tij luftës për krijimin dhe mbrojtjen e shtetit kombëtar shqiptar.

Memorandumi i Greçës doli nga një kryengritje, e cila u zhvillua, përsa i përket shtrirjes së saj në një trevë relativisht të ngushtë, fjala është vetëm për anët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Shalës e rrethinat tyre. Megjithatë, ai pati karakter kombëtar mbarëshqiptar. Kjo u mishërua jo vetëm në 12 pikat e tij, por dhe në vendosmërinë e malësorëve kryengritës për t’i qëndruar besnik deri në mundësitë e tyre të fundit. Në të shprehen në mënyrë të plotë dhe të qartë interesat politike të mbarë kombit jo vetëm ato të momentit por dhe ato prespektive.

Ky program, megjithëse nuk u mbështet nga lufta e armatosur e shqiptarëve në viset e tjera, u bë flamur i një kryengritjeje që i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane, jo vetëm të ulen në tryezën e bisedimeve me kryengritësit malësorë, por edhe të bëjnë lëshime jo të vogla, të cilat i hapnin rrugën realizimit të autonomisë. Gjithë kjo ishte, në radhë të parë, meritë e udhëheqësit të saj urtak, plakut Dedë Gjo Luli.

Në Memorandumin e Greçës nuk u kërkua, një herë për një herë, çka përflitet jo pak nga autorë ballkanas, pavarësia. Për arsye, tashmë, të ditura dhe të arsyetuara, ajo u diktua që në Kongresin e Berlinit nga fuqitë evropiane të interesuar për ruajtjen e statu quo-së në Ballkan. Jo vetëm malësorët e veriut të udhëhequr nga Deda i madh, por dhe rilindësit tanë më të shquar që nga Lidhja e Prizrenit e deri në tetor-nëntor të 1912-ës me realize e kishin të qartë se nuk mund të kërkonin shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por vetëm autonominë politike-territoriale e administrative të saj.

Prandaj, karakteri kombëtar i dokumentit madhor të dalë nga Kuvendi i Greçës nuk mund të mohohet dhe as të vihet në dyshim kurrsesi. Niveli i kërkesave të tij nuk flet, siç pretendojnë autorë të huaj, kryesisht ballkanas, për kufizime politike të hartuesve të tij apo për mungesë konsekuence të mijëra kryengritësve që luftuan me vetëmohim dhe vendosmëri të pashoq për ta vënë atë në jetë. Përkundrazi, gjithë përmbajtja e tij flet për qëndrime thellësisht realiste nga ana e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në të gjitha nivelet dhe në të gjitha trevat shqiptare.

Zhvillimi i kryengritjes së vitit 1911, të udhëhequr nga Deda, përmasat e saj, përpjesëtimet e veprimeve luftarake dhe sidomos kërkesat kombëtare që u parashtruan dhe u mbrojtën me vendosmëri deri në fund, hedhin poshtë pa mëdyshje çdo përpjekje që vërehet për zhvleftësimin e luftës së malësorëve në rrafshin politik. Ecuria e luftës së kryengritësve sikurse gjithë zhvillimi i Kryengritjeve të Mëdha të Viteve 1910-1912, hedh poshtë teorizimet mjaft autorëve të huaj. Format dhe intensiteti i shprehjes së kësaj ndërgjegjeje në kohë dhe në hapësirë nuk qenë dhe nuk mund të ishin kurdo dhe kudo të njëjtë.



Veçoritë, që shfaqnin trevat shqiptare në format dhe ritmet e luftës së tyre për liri, në përputhje me kushtet dhe rrethanat, nuk mund të shërbejnë si bazë për klasifikimin, vlerësimin apo zhvlerësimin e shkallës së pjekurisë së kërkesave politike të kryengritësve, sipas rajonizimeve gjeografike, krahinore apo dhe ndërkrahinore qofshin.

Në gjurmë të këtyre autorëve, të cilët përpiqen të spekulojnë mbi veçoritë që ekzistojnë në mënyrën më të natyrshme në truallin shqiptar, për minimizimin dhe reduktimin e elementit të ndërgjegjshëm në pamundësi për ta mohuar apo injoruar atë tërësisht, në lëvizjen çlirimtare antiosmane në Veri të trojeve tona, ka ecur edhe ndonjë autor i yni. Nën parullat e “bashkim vllaznimit” ai fajësonte malësorët e Veriut që të drejtat e parashtruara për të gjithë shqiptarët nuk i paskëshin kërkuar dhe për pakicat sllave e greke fqinje që jetonin brenda katër vilajeteve perëndimore osmane me shumicë shqiptare.

Përmbajtja e kërkesave kombëtare të kryengritësve të Malësisë së Mbishkodrës të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, hedhin poshtë katërçipërisht pretendimet e këtyre autorëve, sikur shqiptarët, deri në luftërat ballkanike, as që kishin dhe as nuk manifestuan qoftë edhe në mënyrë spontane një ndërgjegje kombëtare shqiptare. Përkundrejt pretendimeve të këtij lloji, vlen të kujtohet programi autonomist për të cilin luftuan shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, dhe të theksohet qëndrimi i vendosur i kryengritësve malësorë dhe i udhëheqësit të tyre plak, në mbështetje të kërkesave të Memorandumit të Greçës, pa folur për Kryengritjen e Përgjithshme të një viti më pas të nisur e të udhëhequr nga Hasan Prishtina.

Ishte pikërisht Dedë Gjo’ Luli i cili i deklaroi ministrit osman në Mal të Zi, Sadedin beut qartë dhe prerë, se kërkesat e Librit të Kuq i donin jo vetëm për vete por për të “tanë Shqypninë”. Këtë na e dëshmon dom Luigj Bumçi pjesëmarrës në këtë takim, nipi i ideologut të madh të Rilindjes Pashko Vasë Shkodranit, i cili më 1919, në krye të Mërgatës Shqiptare në Konferencën e Paqes të Parisit do të përpiqet të hedhë poshtë planet për cenimin e sovranitetit të shtetit shqiptar dhe cenimin e tërësisë së tij territoriale të shtetit shqiptar të përgjysmuar me vendimet e Konferencë së Londrës.

Propaganda e huaj aso kohe dhe “shkenca” historike ballkanike sot mohojnë që atëherë dhe në vijëmsi qëndrimin e vendosur të malësorëve të udhëhequr nga Deda. Synimi i tyre mbetet të përligjin fatin tragjik të këtyre trevave deri në Çamëri, vatra shumë të rëndësishme të luftërave të rëndësishme për liri dhe pavarësi, popullsia e të cilave për ironi të historisë, nuk e gëzoi shpalljen e Pavarësisë për shkak të njohjes së saj të cunguar tragjikisht nga vendimet e Konferencës së Londrës përfshijë dhe vendlindjen e Dedë Gjon Lulit.

Lufta konsekuente e Dedë Gjon Lulit dhe e malësorëve të tij trima dhe atdhedashës për realizimin e autonomisë territoriale administrative të Shqipërisë pavarësisht se kryengritja e filluar prej tyre nuk arriti të shndërrohej në kryengritje të përgjithshme hedh poshtë pretendimin tjetër të historiografisë së huaj, se malësorët ishin nën ndikimin e qeverive të Vjenës dhe të Romës dhe institucioneve klerikale të varur prej tyre. Po të kihen parasysh përpjekjet e Portës së Lartë për t’i detyruar kryengritësit katolikë që të hiqnin dorë nga Memorandumi i Greçës, me ndihmën e Vjenës që ndërhyri pranë Vatikanit dhe arkipeshkvit të Shkodrës, besohet se kushdo do të bindet se sa të paqëndrueshme janë pohime si ato që përmendëm më sipër. Dhe gjithë kjo për meritë, në radhë të parë, të urtakut Dedë Gjo Lulit, të atdhetarëve dhe atyre klerikëve si dom Luigj Bumçi që qëndruan pranë krerëve të Kryengritjes.

Autorë të atillë në se arrijnë të bëjnë ndonjë dallim dhe të vërejnë e të vënë në pah ndonjë shkëndi pozitive në këto lëvizje, këtë e bëjnë, siç dihet, vetëm në rrafsh gjeografik, duke dalluar lëvizjen në Jug të Shqipërisë nga ajo në Veri të saj. Duke spekuluar me veçoritë e zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga një trevë në tjetrën dhe madje, duke i fryrë dhe deformuar ndryshimet, autorët serbë duan të përligjin me këtë, veç të tjerash, politikën serbomadhe afro dyshekullore ndaj shqiptarëve.

Në të vërtetë, lëvizja jonë atdhetare e kësaj periudhe, siç e provon lufta që ka bërë dhe Dedë Gjon Luli me trimat e tij, në saj të programit që ata përqafuan, ka qenë e njësuar dhe mbarëshqiptare. Autoritetet shtetërore dhe sidomos ato ushtarake osmane e kishin të qartë karakterin e vërtetë politik të kësaj kryengritjeje, të luftës së Dedë Gjon Lulit me shokë. Vetë komandanti i ekspeditës xhonturke, Shefqet Turgut pasha detyrohej të pranonte pas disa muajsh luftimesh me malësorët, se kryengritja e vitit 1911 në Malësinë e Mbishkodrës, ishte një kryengritje “thjeshtë shqiptare mbi baza kombëtare”. Pohime të këtij lloji që vijnë nga burime kësisoj, nga kundërshtari, i interesuar thellësisht që ngjarjet në vilajetin e Shkodrës të mos merrnin një rrugë të tillë, kanë peshë jo të zakonshme dhe marrin një rëndësi të veçantë lidhur me karakterizimin realist të dukurive historike në fjalë.


Dedë Gjon Luli përballë shovinistëve

Duke pasur parasysh sa u tha më sipër rreth pretendimeve të autorëve të huaj, për sa i takon karakterit të kësaj kryengritjeje, nuk mund të mos çuditë fakti, që ka edhe ndonjë autor shqiptar, i cili, dashur pa dashur, bie në po këto pozita duke i bërë jehonë tezës mbi, kinse, inferioritetin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Veri të vendit në rrafsh politik në krahasim me atë që u zhvillua në Jug të tij. Ai do të shkruante: “Jugu e ushqente Lëvizjen Kombëtare Shqiptare me mendimin politik kombëtar, ndërsa Veriu e fuqizonte të parin me kryengritje të armatosura të parreshtura. Ishte, pra, ky një bashkërendim veprimesh me kokë dhe me çark” (?!).

Shkrirja e lëvizjes së armatosur të masave popullore me luftën politike të ndërgjegjshme të qarqeve politike atdhetare intelektuale brenda dhe jashtë vendit, ashtu sikurse në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shënonte një sukses shumë të rëndësishëm për lëvizjen tonë kombëtare edhe në prag të shpalljes së Pavarësisë. Kjo ishte një dëshmi shumë e qartë dhe shprehëse e shkallës së lartë në të cilën kishte arritur ndërgjegjja kombëtare e masave të thjeshta malësore, të menduara si forca të prapambetura, pre e patriarkalizmit, prapmbetjes dhe e ndikimit absolut të forcave reaksionare të vendit dhe të huaja. Nga këto pozita, Dedë Gjo Luli, i deklaronte përfaqësuesit të Perandorisë Osmane në Cetinë në kohën, kur ky po përpiqej t’i bindte malësorët, që të hiqnin dorë nga kërkesat kombëtare dhe të kënaqeshin me plotësimin e disa kërkesave të karakterit lokal që iu paraqitën atyre nga misioni i meshtarve shqiptar, të cilëve u printe argjipeshkvi Serreqi, veç të tjerash, se të drejtat që kërkonin në “Librin e Kuq”, i donin, siç u tha, jo vetëm për vete, por për të “tanë Shqypninë”.

Deda me vetëdijen e tij të lartë bëhej interpret autentik i të gjithë baskëluftëtarëve të tij të cilët poshtë “Librit të Kuq”, Menorandumit të Greçës të shkruar shqip dhe frengjisht nga Luigj Gurakuqi, kishin vënë vulat e tyre metalike (myhyret): Sokol Baci (Grudë), Dedë Gjon Luli (Hot), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preci (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukël), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mehilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin). Siç shihet, midis tyre, ka mjaft nga ata që mbanin emra e mbiemra myslimanë, pa farë droje apo kompleksi, se mos cënonin identitetin fetar dhe aq më pak identitetin e tyre kombëtar.

I angazhuar qysh në vitet e lavdishme të Lidhjes së Prizrenit, në luftën për mbrojtjen e trojeve amtare nga ambiciet shoviniste të knjazit të Malit të Zi, Dedë Gjo Luli me malësorët e tij u ndeshën jo vetëm me forcat malazeze, por dhe me vendimet antishqiptare të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit dhe pas 35 vjetësh dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto vendime përgjysmuan trojet amtare përfshijë vendlindjen e Dedës. Më se gjysma e shqiptarëve që nuk e gëzuan pavarësinë nuk u pajtuan asnjëherë me këto vendime krejtësisht të padrejta.

Qëndrimi i Dedë Gjo Lulit, përballë këtyre vendimeve, ka mbetur proverbial. Prej tyre po kujtojmë vetëm përgjigjen, që plaku ynë i dha më 1913 admiralit anglez Sesil Burnej, kur ky i komunikoi se Hoti dhe Gruda kishin marrë fund për Shqipërinë: “Ti zotni ke hyqëm me shitë kopshtin tand, se atë temin as nuk e shes, as nuk e fali”, duke përfunduar, pa iu dridhur qerpiku,: “A ka tagër (të drejtë) dhe forcë Europa me më ndalë që ta derdhi gjakun tem?”.

Shovinistët serbë në bashkëpunim me veglat e tyre, forcat esadiste, dhe krerë vendas mundën ta kapin në pabesi, Dedën bashkë me të birin e shoqëruesit e tij. Me anën e një letre të shkruar në emër të kapidan Marka Gjonit dërguar përmes Kolë Tomës së Velës Dedën e ftonin të merrte pjesë në një mbledhje të krerëve të Malësisë, që do të mbahej te kisha e Oroshit. Ndërkohë abati i Mirditës, Preng Doçi, sapo ishte nisur për në Shkodër, ndërsa kapidani, siç thuhet, ishte fshehur prej frikës së serbëve dhe të esadistëve.

Mirditasi Pal Doçi, autori i mirënjohur i disa botimeve shkencore, midis tyre dhe i biografisë më të parë e me sa dimë edhe të vetme, deri më tash, kushtuar Dedës, dëshmon për qëndrimin të paktën jo korrekt të derës së Gjonmarkajve. Këtij mendimi P. Doçi i mbahet dhe në botimin e tretë të saj në vitin 2003 dhe e mbështet, sipas shkrimtarit Sandër Gera, dhe Nora, e reja e Dedës, më 1962.

Dedën dhe grupin e tij, midis tyre dhe pesë mirditas i pushkatuan në Sheshëz të Mirditës më 24 shtator 1915.

Nuk është rastësi dhe ia vlen të nënvizohet fakti që Dedën nga Malsia e Madhe e ekzekutojnë ushtarët e krajl Pjetrit në Mirditë ndërsa Isa Boletinin nga Kosova e ekzekutojnë ushtarët e krajl Nikollës në Podgoricë, për t’i shlyer borxhin krajl Pjetrit. Një ndarje djallëzore e detyrave midis Beogradit dhe Cetinës.

Dedë Gjon Luli arriti të vihej në ballë të lëvizjes çlirimtare mbarëshqiptare që po ngrihej në Shqipëri në fillim të shekullit të kaluar në saj të atdhetarizmit, me një përfytyrim të saktë të raportit të kombësisë plurifetare shqiptare me institucionet klerikale që drejtoheshin nën një kontroll të rreptën ga politika shtetërore evropiane, ballkanike dhe osmane. Nga përvoja historike e Malsisë së Madhe, ku lindi, u rrit dhe u formua ai krah për krah Çun Mulës, Smajl Martinit, Mehmet Shpendit e plot të tjerëve, arrin në përfundime tejet të përparuara për kohën. Ai aty u rrit midis feve dhe përballë politikave që shfrytëzonin dhe shpërdoronin ndarjen fetare të shqiptarëve.

Popullsia e Malsisë së Madhe qe ndarë që heret në katolikë e ortodoksë, më pas në shumicë pravosllavë, e pranë tyre, për mendimin tim, besohet se nuk kanë munguar edhe ata bogomilë. Si rrjedhim, Kuçi shqiptar administrohej nga një vojvod katolik dhe një ortodoks pravosllav. Pas pushtimit osman pranë tyre u vendos natyrshëm dhe një i tillë i besimit islam. Shqiptarët e besimit ortodoks jo vetëm ata të Kuçit por dhe të Vasojeviçit, Drekaloviqit dhe të Palabardhajt (bjellopavliqët) përmes liturgjisë dhe shkollavet në saj të zbatimit të sistemit tejet tolerant të mileteve të zbatuar nga osmanët, gradualisht u sllavizuan. Ndarja fetare çoi në ndarje etnike, në shkëputjen e shqiptarëve ortodoksë nga vëllezërit katolikë dhe nga ata që u islamizuan deri në kunërvenjen luftarake midis tyre. Islamizimi nuk çoi në turqizimin e masës së madhe të besimtarëve që kaluan në fenë e re. Bashkëjetesa e trashëguar dhe e përforcuar nuk lejoi që kjo ndarje e re të shndërrohej më tej në përçarje fetare dhe etnike në shkallë mbarëshqiptare.

Në fillim të vitit 1897 në Malsi me përdhosjen e objekteve të kultit të të dy besimeve nis një fushatë për të shkaktuar grindje midis banorëve myslimanë dhe katolikë deri brenda në qytet të Shkodrës. Ato filluan me ngritje e heqje kryqesh në Rrjoll. Vijuan me thyrje kryqesh nëpër varreza e therrje derrash nëpër xhami. Prapa këtyre provokacioneve të rrezikshme qëndronin agjentura të huaja apo dhe klerikë fanatikë, rivalitetet midis tyre e deri midis urdhrave fetarë, françeskanë dhe jezuite. Rrethet katolike ekstremiste austriake përballë ndikimit në rritje të institucioneve homologe italiane ishin të interesuar të krijonin një situatë të tensionuar nga e cila ata të shfaqeshin mbojtësit e vetëm të katolicizmit në Shqipëri.

Për të mjanuar rrezikun e një përleshjeje fetare në Shkodër dhe rrethina në këtë gjendje tejet të ndezur, kontribut të veçantë dhanë Dedë Gjon Luli i Hotit katolik dhe Baca Kurti i Grudës mysliman. Ata krah për krah bashkatdhetarëve e Shkodrës, bënë të mundur arritjen e marrëveshjes midis elementëve të ndryshëm fetarë. Ata morrën vendimin për dënimin maksimal të zbatuesve të këtyre provokacioneve, katolikë dhe myslimanë.

Kronisti erudit e i palodhur i historisë dhe i traditave të qytetit të Shkodrës me rrethinat, Hamdi Bushati, na përcjell dëshmi interesante edhe për këtë aspekt të qëndrimeve të Dedës në favor të bashkimit kombëtar të bashkatdhetarëve. Ai u rreshtua në krah të Mustafa Agë Sykja-s, nismëtarit autoritar dhe energjik të përpjekjeve për kapërcimin e pasojave tejet të rrezikshme të provokacioneve të sipërpërmendura. Atyre që u çuditën se si Deda vuri myhyrin (vulë metalike me emrin e tij) në marrëveshjen historike dhe ndonjerit që nuk e miratonte qëndrimin e tij ai i përgjigjet prerë dhe me guxim: “Po të më thoshte Mustaf aga me u ba turk (mysliman) ndoshta do ta pranojshe propozimin e tij, jo ma me vu myhyr në mazbatë (teksti i marrëveshjes) për me u pajtue me vllaznit tonë”. Kështu shprehej Deda një katolik i devotshëm, i shquar së parit për shqiptarinë e tij.

Edhe më i prerë qe Deda kundër propagandës së klerikëve të huaj dhe s’bashku me ta edhe të ndonjë meshtari shqiptar në mbështetje të tezës së bashkimit të Malësive katolike me Malin e Zi të krishtenë kundër osmanëve. Kundër kësaj propagande doli pater Mark Gojani frati i Rrapshës i mbështetur nga Dedë Gjon Luli. Prandaj, pater Bazile përpiqej ta largonte M. Gojanin nga Hoti.

Prijsi i Hotit, më 27 shkurt 1904, i shkruan arqipeshkvit të Shkodrës austriakut Karl Poten: “Ngatrrestarëve u kanë pri frati i Trieshit dhe ai i Grudës me ta asht ba edhe P. Gjoni i Kastratit. Jazëk për meshtarë shqiptarë kundër vllaut të vet kësisoj me punue, ma mire me ndej kishat të mbylluna. Në qoftë ndokush meshtar gjakut e vllaznisë sonë, po e përbejë për mund e gjak të Skenderbegut që e ka derdh për Shqypni, të na dale zot te zotnia jote.”

Një propagandë e tillë, mjerisht, zuni vend për pak muaj, pa kaluar as dhjetë vjet, Mali i Zi më i pari nisi Luftën Ballkanike dhe iu turr Shkodrës. Bajraktarë të blerë nga krajli nxitën malësorët të rreshtohen përkrah forcave të tij e madje t’u prinin atyre deri para mureve të Rozafatit. Dom Nikoll Kaçorri do të ngrihej kundër kësaj propagande së cilës tani, do t’i printe vetë arkipeshkvi J. Serreqi.

Armiqtë e jashtëm dhe reaksioni vendas esadisto-bajraktar të bindur, që tek Dedë Gjo Luli e shumë e shumë atdhetarë të tjerë, kishin të bënin me kundërshtarë të papërkulur të synimeve të tyre armiqësore ndaj Shqipërisë, kapën me tradhëti dhe ekzekutuan me dhjetëra sish, duke filluar me Ç. Topullin e M. Qullin për të vazhduar me M.Shpendin e I.Boletinin, me G. Butkën e I. Klosin, Th.Gërmenjin e S. Nivicën e shumë të tjerë, deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Një fushatë masive përbën ajo që ndërmorën shovinistët serbë dhe malazezë në ndihmë të agjentit të tyre, Esad pashë Toptanit, për zhdukjen e “rebelëve”, atdhetarëve, si Ahmed Bejtaga, Qamil Haxhifeza, Haxhi Qamili, Osman Picari, Sadi Tatani, Bajram Xhani, Haxhi Qira, MaksutTroplini, Reshit Gjata, Nebi Bali, Muharrem Xhafa e dhjetra të tjerëve.

Udhëheqësit më të vendosur të Kryengritjes antiesadiste pas largimit të princ Vidit nga Shqipëria, u akuzuan si “dumbabistë”, nga dumbabistët më të flaktë që nga vetë Esad pasha dhe krahu i djathtë i tij Faik Konica, si dhe Musa Qazimi e të tjerë, si dhe nga klerikë katolikë, të cilët përkundrejt V.Vidit protestant parapëlqenin princ Fuatin e Egjyptit. Vjena nuk e pati të vështirë t’ua shuante këtë dëshirë të thekur dumbabiste. Atyre nuk u mbeti tjetër veç t’u binin më fort se përpara daulleve të “dumbabismit” esadist për të akuzuar sit ë tillë kryengritësit antiesadistë të udhëhequr nga H. Qamili. Këto daulle të vjetra nuk kanë të pushuar dhe sot e kësaj dite, tashmë, të arrnuara me një disidence kallpe postdiktatoriale të autorëve të letërsisë socialiste, e cila nuk përfaqëson në thelb veçse mbeturinat e ringjallura të esadizmit faikian.

Dedë Gjo Luli është përfaqësuesi më i madh i një familjeje atdhetare, e cila u shua e tëra në luftërat për çlirim kombëtar. Si i tillë Dedë Gjo Luli, bën pjesë në atë plejadë udhëheqësish të shquar popullorë si Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Alush Taka, Muharrem Rushiti e të tjerë, të cilët dhanë një ndihmesë të pallogaritshme për shkrirjen e programit të Rilindjes Kombëtare me luftën e armatosur të masave dhjetra mijëshe të kryengritësve. Në sajë të këtij bashkëpunimi, lufta e paprerë e popullit tonë kundër sundimit të huaj shumëshekullor, mundi të kapërcente karakterin spontan dhe të fitonte një ndërgjegje dhe organizim në shkallë kombëtare si në kohën e Lidhjes.

Megjithse analfabet Deda me shokë arritën ta perceptonin e madje ta përvetësonin drejt programin e Rilindjes, të bënin një hop shumë të madh në formimin e tyre politik dhe me ndikimin e gjerë që gëzonin në popull, kontribuuan në mënyrë vendimtare që idetë programatike të Rilindjes, të depërtonin thellë në gjirin e masave kryengritëse. Një ndihmesë të veçantë në këtë drejtim dhanë edhe atdhetarë e revolucionarë intelektualë nga të gjitha viset shqiptare, të cilët u lidhën ngushtë me forcat kryengritëse, me masat popullore, u futën në gjirin e tyre, apo edhe luftuan krah për krah kryengritësve në vitet 1910-1912, si Ismail Qemali e Hasan Prishtina, Hil Mosi e Risto Siliqi, Sali Hoxha (Hidi) e Hasan Ballanca, Luigj Gurakuqi e Themistokli Gërmenji, Sali Nivica, Namik Delvina e Musa Demi e plot të tjerë.

Dedë Gjo Luli, i vënë përballë sulmesh të padrejta për të njollosur figurën e tij, mbetet ashtu sikurse e ka vlerësuar demokrati i madh Avni Rustemi: “Burrë i pa frikë dhe i panjollë i maleve tona”. Norën të renë e Dedës, para bustit të heroit, birit të Libohovës, lotët e tradhtuen burrneshën. Kur e pyetën se çfarë e lidhte me Avni Rustemin, ajo siç tregon Sandër Gera, u përgjigj; “Ky asht im bir, që ka marrë hakun e babë Dedës dhe të burrit.”

Me atdhetarizmin, aftësitë organizative e luftarake, autoritetin dhe mendjen e tij të madhe Deda, meritat e të cilit jo pak kush është përpjekur t’i përvetësojë, mbetet dhe sot e kësaj dite me jetën dhe veprën e tij, shembull për brezat e sotshëm dhe të ardhshëm jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, por dhe për intelektualët dhe politikanët. Edhe sot, pas 102 vjetësh të vrasjes së tij ai, siç ka thënë Plaku i Vlorës, Ismail Qemali për bashkëluftarin e tij të besës, Plakun e Hotit, Dedë Gjon Luli, mbetet “Pushkë e ngrehur për Shqipërinë”. Kjo thënie e marrë në kuptimin e saj më të gjerë, jo vetëm, në rrafsh luftarak, por dhe në atë politik kombëtar e jep jo vetëm figurshëm në mënyrë të plotë portretin e Heroi i Popullit, shqiptarit të madh.

Prof. Gazmend Shpuza