Nga Moikom Zeqo

Duke e shfletuar me ngulm dhe emocion librin më të ri, me poezi, të Bedri Zenel Islamit, ndjeva jehonë të brendshme, tejet të çuditshme, shpirtërore, ndërsa kujtova motive dhe detaje nga njohja jonë e përbashkët në vite.

Bedriu ka qenë përherë poet. Dhe unë kam qenë përherë i sigurtë për këtë, edhe sikur ai të mos shkruante dhe të botonte asnjëherë në jetë, qoftë edhe një poezi.

Bedriu është padyshim një personalitet i kohës, një shqiptar i mrekullueshëm, me një vetëdije të epërme dhe që karakterizohet nga një vizion i madh.

Njeri i letrave, autor librash historikë dhe publicist i klasit të parë, me një guxim të paepur, Bedriu, ka qenë një figurë kryesore e organizimit kombëtar në vitet ’90 të shekullit të XX në aksionin e jashtëzakonshëm konceptual dhe real për Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, dhe ky është një fakt i pamohueshëm dhe i rrallë, që lidhet edhe me Luftën epokale të UÇK, si dhe të forcave të NATO-s në vitin 1999, një ngjarje kjo e pashembullt që ndodh njëherë në dymijë vjet, që çoi në ekzistencën e dy shteteve shqiptare, të të njëjtit komb. Pikërisht ky vizion i skalitur i Bedriut, i bashkëkombësve dhe bashkëpunëtorëve të tij ka një poetikë të pazakontë, se është vizioni i një ëndrre shekujsh.

Tërë krijimtaria e Bedriut nuk është gjë tjetër veçse jetësimi dhe sendërtimi i i kësaj ëndrre.

Ndaj motivet e ëndrrës janë kudo dhe në poezi.

Poezitë e Bedriut janë gjithashtu intimizimi, apo shpirtëzimi i historikes dhe jetësores.

Nuk ka se si të mos ndodhte ndryshe, Bedriu është një qënie unike dhe e shumëfishtë, ku jeta dhe veprimtaria vetjake është njëkohësisht sinkretike me substancën e kohës.

Ftillëzimi i personalitetit të Bedriut ka ngjizje që në origjinë me heronjtë e Antifashizmit shqiptar, mëma e tij është motra e Heroit të Popullit, Naim Gjylbegut, ndërsa i jati është Zeneli, gjithashtu një figurë e shquar e këtij Antifashizmi, po me një fat tragjik. Është pikërisht fëmija Zenel, për të cilin, ka shkruar një skicë epigramatike të jashtëzakonshme Migjeni, kur ishte mësues në Pukë, në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, me një intelekt të veçantë, me një etje të pafund për një ëndërr të së ardhmes për Shqipërinë.

Si Gavroshi hygoian edhe Zeneli migjenian janë Fëmijë Parathënës të një poetike onirike shoqërore.

Këtu buron edhe sekreti i poezive të Bedriut!


Bedriu është poet lirik. Ai jo rastësisht ka lindur në qytetin e Shkodrës, ku jetoi edhe Dreri i Plagosur i Lirikës, Frederik Rreshpja, të cilit i kushton një poezi të denjë.

Për Bedriun kanë ndjeshmëri lulet e blirit të vjetër ne shtëpinë e ëndrrave, ndërsa portokalli lëkund kokrrat siç luhaten në katedrale llampadarët, kutimet që pjalmojnë, dimrat e ftohtë që panë si e sillnin duart tona pranverën…rrënojat e ditëve që mblidhen, si mblidhen dallgët në det…ujrat drithëruese të vjeshtës si ëndrra të bardha…që lëvizin mes erës dhe cikasin në zhurmën e viteve që ikën…perënditë që tundin detet dhe nga shekujt nxjerrin ërërat e çmendura, kohën që hapet si rrathët mbi lumin ku hidhet një gurë…këngët në fillimin e gjërave dhe korijet me lisa që digjeshn nga vjeshta në muzg…nganjëherë i pëlqen të flasë me ata që nuk janë më…

Për Bedriun Itaka e ka emrin Shkodër.

Aty është nënëzoja e tij, Drita.

Ai shkruan Ciklet e Rrugës duke parakuptuar përherë mbritjen e madhe të kuptimeve të Jetës.

Ai flet për Vajtojcat e Kosovës, për një pikturë të famëshme të Gjelosh Gjokajt, duke krijuar një simbolikë të strukturuar të vetëdijës kombëtare. Dy vargje të tij thonë:

Vizioni dhe Ëndrra

Përplasen shkëmbinjve!


Dhe për nënë zonjën:

Sa kohë ti do të jesh


Do të besojnë iluzione dhe mjellma të bardha

Do të jem fjalë agimi, tokë e premtuar

Pema ku mblidhen zogjtë në stuhinë e borës,


mëngjesi i madh i harruar…

Dhimbja është kudo, madje universale, dhimbja është një numër rekuiemesh për heronjtë e vrarë të martirizuar të Lirisë, që qenë edhe shokët e afërt të Bedriut.

Bedriu i kushton poezi edhe miqve të tij poetë, që nuk jetojnë më si Jorgo Bllaci dhe Hysni Milloshi.


Por mozaiku i poezive në këtë libër e ka edhe një cikël skicash, ku do të përmendja “Takim me një budist”, “Qershitë e Hallës sime” dhe sidomos “Për datëlindjen” nga urimi i mbesës, Kledit.

Kështu libri i Bedriut plotësohet në substancë dhe në formë.

Poezia e tij është moderne dhe komunikuese.

Thelbi i kësaj poezie është Dashuria Testamentale!

E uroj me gjithë shpirt Bedriun, mikun tim, të veçantë, dhe të nderuar, për suksesin e këtij libri.


22 Korrik 2018