Dëshmia e një ish-komunisti, e vërteta për kampin e Tepelenës
Kohët e fundit e sidomos në fillim të muajt prill është hapur një debat i madh për Kampin e të Internuarve në Tepelenë. Kanë marë pjesë profesorë, historianë, poetë, shkrimtarë e gazetarë, ata që kanë vuajtur dënimin, si dhe ata që e kanë parë me sy. Shumica kanë qenë nga ata persona që e kanë me të degjuar dhe në unison, ç’thotë njeri, thotë dhe tjetri dhe nuk bazohen aspak në fakte.
Jam banor autokton nga Kalaja e Tepelenës. Babai im Reshat Shehu, nga familjet e pasura të qytetit, me tokë, në fushë për rreth gazermave të kampit te internimit, me dhjetra kokë bageti, dhe me mulli bloje etj. që i punonim me të tjerë, të gjitha, këto 29 ha tokë.
Brenda vijes së verdhë i mori e Reforma dhe ne s’kemi marrë asgjë !
Babai para çlirimit të vendit, ish kryetar komuneje, në Sevaster, Prongji dhe së funfdi në vitin 1942 në Labovën e Zhapës. I lidhur me LANÇ-in babai ishte delegat në Kongresin e Përmetit. Pas çlirimit ishte shef i seksionit të Financës në Gjirokastër dhe Tepelenë. Në dhjetor 1949, mbasi kisha mbaruar dy vjet të shkollës teknike, dega elektrike do të bëhesh elektrifikimi i qyteit, në atë kohë une isha 17 vjeç (jam lindur në 25.9. 1932). Per të më ndihmuar në vendosjen e shtyllave elektrike në qytet, Dega e Brendshme më dha të punoja dy të internuar, Vejsel Cervoi, nga Durrësi me profesion elektricist dhe Fahri Jasinin, një shofer nga Konispoli. Të dy njerez shumë të mirë dhe të edukuar, rreth moshes 30 vjeç. Vejseli ish i internuar, se një vëlla i tij në moshën 16 vjeç me shokë me një varkë ishte arratisur nga deti. Kurse për Fahriun nuk e mbaj mend arsyen. Me te dy krijova një shoqeri të madhe dhe një afinitet, sidomos me Vejselin që më ndihmonte në profesion. U njohën dhe me familjen time, që nëna shpesh iu jepte mjell, vezë, vaj e tjera për të gatuar në kamp. Në atë kohë, edhe unë ishja me rrogë dhe i ndihmoja.
Në çdo mëngjes, të dy këta dhe punëtorë të tjerë, vinin në vargan në fronte pune të ndryshme dhe në fund nxënësit e shkollës. Të gjithë i shoqëronte një polic. Dhe më pas polici do t’i mblidhte. Vejseli dhe Fahriu shpesh qëndronin në centralin elektrik, që në atë kohe ishte te rrapi, busti i Selam Musait, në hyrje të Tepelenes nga rruga e Vlorës, ata prisnin kur të veja unë ose centralisti Mehdi Hamiti në orën 8.oo.
Është folur dhe shkruar se fëmijët e kampit nuk venin në shkollë në Tepelenë, kjo s’është e vërtet, sa filloi kampi, filloi dhe shkolla. Bashkëngjitur ju dergojmë një fotografi, kur të internuarat dhe një vajzë (me shigjetë, 14 vjeçe më vonë do të bëhej bashkëshortja ime).
Nga qyteti i Tepelenës kanë mbaruar klasën e 7-të në vitin 1952, vajzat e internuara janë Mirakaj, Markagjonaj, Merlikaj etj, që emrat, nuk i di. Në klasat më të ulta kam pasur tre vëllezërit e mi Fizioni Isakun, Maksin, unë (inxhiniera) motrën Burbuqe Çela, me një vëlla në klasë ka qenë dhe Kurt Kola, po për këtë s’jam i sigurt. Le të publikohet kjo foto me këto vajza!? Në shkollë në atë kohë, mësues ka qenë një djalë i mikut të babait tonë Tomor Dosti, që i njifte të internuarat dhe mundet të pyetet. Më vonë dhe Tomor Dosti u burgos.
Në të gjitha gazetat dhe në debat flitet pa përgjegjesi, çfarë shkruan njëri i kopjon tjetri. Flitet në përgjithësi, çdo gjë është me të degjuar, prandaj dhe janë të deformuara. Janë të rrallë ata që e kanë hequr në kuriz ose që e kanë parë me sy.
Kam respekt për moshën dhe vuajtjet ndaj Vasil Kokalit, po në artikullin e datës 14 prill 2018 në gazetën Telegraf, janë dhënë tregime jo të sakta.
Kampi nuk ngrihej rrëzë kalas, po më në perendim, në afërsi të urës së lumit Bënçës. Siç shikohet është ndikuar nga disa skica të Lekë Prevazit, të pasakta që dhe si “skica të fusin tmerin, kur i shikon”. Gazermat dhe ambjentet per rreth jane ngritur ne trojet e Shehajve, në pronat e Luto Bektashit, Kaso Bonaj etj.
Të gjitha gazetat, dhe disa gazetarë që siç thotë njeri thonë të gjithë, gratë ngarkoheshin me dru zjarri dhe driza nga 7- 12 km larg kampit! Po pse kaq larg ? Kur atëherë Pallçia Majkoshi, Veliqoti kanë qenë mbushur me dru e driza? Thuhet se drutë përdoreshin nga Drejtoria e burgut dhe të tjerat nga banorët e qytetit. Kjo e fundit s’është fare e vërtetë!? Qytetarët i blinin nga fshatarët tradicionalisht, dru ngarkuar në kuaj, si në çdo qytet.
Nuk e di si ka mundësi që një skuader me vajza të mitura ngarkoheshin dy herë në ditë me driza kur ato shkonin në shkollë, dhe pse duhet të merreshin drizat aq larg në Dragot? Ç’duheshin kaq shumë driza ?
Kampi i të internuarve, nuk ka një shifër të saktë. S’ka arkivë Ministria e Punëve të Brendshme?(Bunkart -2 ) Thuhet se kanë qenë 1600 , Telegraf thotë 2000 dhe gazeta Panorama 3200 dhe 3600.
Ajo që s’e kam degjuar as në përralla ishte “kazani i mbushur me krimba… per ta ngrenë !?… Më e besuar është ngrënia e mishit të Ngordhur…!” që thuhet në gazeta dhe këtë nuk e kontrollonte kush.
Zhdukja e varreve nga Drejtoria e Kampit!
Edhe këtu z.Kokali mund të jetë ndonjë lapsus nga ana juaj. Ju thoni se në vitin 1952 jeni larguar për në Çorovodë. Thoni se gjatë dimrit të vitit 1954, (kohë kur kampi ishte prishur dhe kishte ardhur Rep.Usht.N.84) Për kufomat e të internuarve që i merrte lumi i Bënçës dhe i çon në Vjosë !? Cila ishte arsyeja që të vdekurit Z. Kokali, diktatutra i zhvarrosi 3 herë ? Pse eshtrat i kishte kaq inat ? … Diktatura s’kishte frikë nga të gjallet… kur të donte i vriste! Aty, poshtë kampit familjet Shehu, Laze Manaj, Kaso Bono kanë pasur Moçalet që ë mbillnin me zarzavate deri në vitet 1955!
Që ka kufoma të humbura edhe unë bindem … Se familjarët s’kërkojnë kot ! Po ku? Ne tepelenasit që kemi respektuar eshtrat e “kalit te vdekur” s’mund të silleshim shtazërisht me NJERËZIT…Besojeni këtë, ajo që më çudit është pse unë po e dëgjoj tani. Ku kam qenë?
Është folur shumë për distancimin e komunistëve nga krimet. Unë kam qenë komunist, distancohem nga krimet. Kam punuar në Rrugen Kukës-Peshkopi vullnetar, në shumicën e ndërtimit të Hekurudhave të vendit, po vullnetar. Kam punuar dhe pak kohë në digat e Hidrocentralit të Fierzës me Ndërmarrjen Gjeofizike, me specialistët kinezë…
Po ç’krim kam kryer unë?
Dhe të dy femijët e mi kur kanë qenë studentë kanë punuar vullnetarë në dy hekurudha. (Ju lutem hapni dosjen time).
Thuhet se kur keni qëne në fshatin Luzat, Z. Kokali, për të punuar, për të prerë shtylla për elektrikun?(Kur për Tepelenën mjaftonin vetëm 10 copë) një fshatar theri një dhi dhe ati i erdhi keq për juve, që banonit në një kasolle, në temperaturën e fshatit -minus10 gradë ju dha zorrët e dhisë të pa lara për t’i ngrënë! E pabesueshme se fshati Luzat dallohet në Tepelenë për mikëpritje dhe humanizëm.!?
Një sqarim për lexuesin: fshati Prongji është një fshat i thellë i Gjirokastres dhe jo i Tepelenës. Nga ky fshat ka qenë Xhafer Pogaçja, që kohët e fundit e kam dëgjuar edhe si përdhunues, ish-drejtor. Unë nuk e njof, por po të ketë berë këtë krim le të përgjigjet vet. Po një gjë duhet ditur. Se diktatura për tre gjëra të përjashtonte nga Partia, të dënonte ose dhe të pushkatonte. 1. Për Tradhti. 2. Për imoralitet dhe 3. Për vjedhje. Eshtë folur dhe shkruar në shtyp se në kamp punohej jo 8 orë po 16. Po ku punohesh në Tepelenë? Ku kishte fronte pune veçse për dru a driza! S’kishte hekurudhë, hidrocentrale, rrugë, fabrika, kantiere ndërtimi… Ku? Në ato vite është folur shumë edhe për 500 gr bukë misri që merte i internuari në ditë. Kur racioni i qytetarit, të shtepiakëve ishte më i vogël! Kur në arkivin e çdo bashkie mund të jenë më të sakta.
Është dhënë mundësia të shkruajmë dhe të flasëm çdo gjë të dëgjuar, dhe jo të parë dhe të jetuar vetë. Zoti Prof. Sam Repishti njeri inderuar thotë: Se e ndjera Nanë më pat tregu per tmeret në kete kamp. Ndër të tjera tregon se motra e tij 14 vjeçe tërhiqte karrocën nëpër rrugët e Tepelenës ngarkuar me ushqime të Kampit? Dhe ne, e njerëzia do ta shifnim atë vajzë pa dhimbje? Kur në atë kohë Tepelena ishte shumë, shumë e vogël! Zoti Profesor, atëherë Tepelena s’kishte rrugë, po të shtruara me gurë e plloça, nuk ecje dot në këmbë, nuk kishte as karrocë as dhe vend për të marrë ushqime. Këtë ndodhi se kam parë, as e kam dëgjuar. Se së paku do ma thoshte Vejseli a do ta kisha parë vetë!?
Z.Prof. Repishti si ka mundësi të quani ju një… “Tragjike e mendjes së mbyllur” Prof. Pëllumb Xhufin? Njeriun me kompetent në fushën e historisë, kur ka botuar qindra artikuj brenda e jashtë vendit, shumë libra të kesaj natyre, pa përmendur botimin me 1500 faqe të një libri vitin e kaluar, pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.!?
Kurse unë, mbas mbarimit të shkollës kam punuar (si gjë e rrallë) 16 vjet rresht Kryetar Dege dhe funksione të tjera, në Presidiumin e Kuvendit Popullor, kam qenë komunist. Për figurën time mund të hapet dosja (dhe dosjet e vëllezërve që kanë qenë kuadro). Komunistët nuk duhet të futen në një “thes” të gjithë, ashtu se dhe të internuarit, të Ballit Kombëtar etj, që bënë krime ose jo dhe që disa u bashkuan me pushtuesit. Nuk duhet harruar asnjëherë Lufta Nacionalclirimtare e popullit tonë. Mijëra dëshmorët të vrarë dhe mijra partizanë e çliruan vendin tonë dhe e renditen në krahun e fitimtarëve kundër nazi-fashizmit.
Në këtë material, u përpoqa të shkruaj ç’farë kam parë e jo ç’kam dëgjuar, me vërtetësi, aspak nuk i kam dhënë ngjyra politike, po si tepelenas gjatë qendrimit të Kampit në këtë qytet.
Si tepelenas, përsa thashë jam në krah të Prof. Pellumb Xhufit dhe të kryebashkiakut të Tepelenës Termet Peçit. Ne e dënojmë hapjen e këtij kampi dhe kthimin e tij në muze, si gjithë tepelenasit dhe shqiptarët e tjerë. Por s’ka si të jemi pro, për ta quajtur Kampin e internimit Golgotha e Tepelenes ose më keq, Aushvici Shqiptar.
Ne Tepelenasit jemi të pafajshëm, për të mbajtur një akuzë të tillë në krahët tona. Varrezat e kampit kanë qenë në anë të gazermave në pjesën perëndimore, dhe jo në zall të lumit të Bënçës, aty kishim kanalin nga furnizohesh mulliri me ujë dhe më vonë hidrocentrali që u ndërtua po në mullinjtë e Shehajve. Më poshtë siç thashë ishin moçalet, kopshtet dhe arat e qytetarëve. Populli i Tepelenes dhe i fshatrave të tij e ka treguar në shekuj trimërinë, besnikërinë, ndershmërinë, kulturën, atdhedashurinë. Këto kanë qenë tiparet dalluese të tij. Boll është hedhur baltë mbi tepelenasit. Në disa raste na kanë quajtur njerëz “të egër”. Fransua PUKVILI i dëguar i posaçëm i Bonapartit, konsull pranë Ali Pashës, në 1820, që sa ish gjallë Pashai i jepte Pukvilit një qese me flori çdo muaj. Kur Pashait iu pre koka Ai shkroi në Paris një libër famëkeq për shqiptarët duke e quajtur kombin shqiptar: Vend Barbar!” Që “s’kam fare simpati për kete racë…” E që e quante Tepelenën… si një LUGUBER… e Sarajet e Pashait si një burg vdekjeje… Racë të eger…etj e tj. Ky libër voluminoz prej 680 faqesh që nuk u pranua të përkthehej në kohën e Mbretit Zog, u përkthye para 10 vjetesh nga një perkthyes i talentuar që nuk jeton më…
EDIT Durham e ushqyer nga theniet F. Pukvilit tha se: “Do të gjeja një vend të egër, me njerëz të egër “! Pas 3 ditë qëndrimi në Shehaj në shtëpinë tonë, në Kalanë e Tepelenës tha: “…Gjeta një vend, me male të eger po njerëz me ZEMËR TË MADHE…” ( Në vitin 1909 ).
Po kështu i drejtohem Drejtorit të ISKPK Poetit Agron Tufa. (Më kanë pëlqyer poezitë e tija, të pa politizuara). Me respekt për ata që shkruajnë dhe thonë të vërtetat për vuajtjet e tyre dhe që s’kaloni në ekstremizma. Cili eshtë ai shqiptar që ka vrarë me qellim fëmijt ? …Edhe eshtrat të hidhen në lumë!? Është e pabesueshme. Ulkonja nuk e preferon të bente këtë veprim antishtazor… !? Jam plotësisht dakord për hapjen e dosjeve. Kush ka dhënë Urdhër për veprime të tilla të dënohet dhe të publikohet në shtyp, si kriminel. Vetëm s’jam dakord kur thoni: “Tepelena në mënyrë simbolike mund të quhet: “Aushvitzi ynë”.
Në Kampin e Tepelenës nuk kam parë, as nuk kam dëgjuar të pushkatohej ndonjë i internuar, burrë, apo grua. Vdekje të natyrshme ka patur, po si kanë vdekur me tortura ose pa tortura edhe këtë nuk e di!
Varrezat kanë qënë jo në Moçale ose në zall të lumit, po siç e thashë më lart, në krahun perëndimor të Gazermave. Me leje të kapterit të shoqërimit e si elektricist jam futur në kamp, sigurisht që kushtet ishin të keqija… E po Konvikt si i Shkolles tënde nuk është… Më tha Kapteri!…
Kur vdiq nëna e nje punetori nga Kampi që kishim në central, po me leje të kapterit shkova në varrim, ku me kujdesin e nënës time i përballova një pjesë të ushqimeve.
Për kampin e Turanit s’kam asnjë dijeni. Nuk e kam parë.
Në fotografinë që po ju dërgoj, me sa njoh unë janë të paktë ata që kanë dalë me bashkëshorten time, që ende janë dhe sot, po dhe të internuarit që nuk i njoh. Në këtë foto janë Luan Hajnaj, Kalo Shehu, Estref Shehu, Idriz Gjoka.
Vëllezërit e mi si Fizioni, Isaku Burbuqia, Maksi, mbajmë mend mirë Kampin dhe të internuarit në klasë, po dhe shokët e tjerë si Gjon Agaraj, Gylani Koçi, Sulo N. Gërbi, Avni Meçe, Valentina Leskaj, Natasha Beluli, Petrit Koçiaj, djemtë e Patriotit Gole Mërtiri,( Leonidha dhe Kristua), Bashkim Qeli, Krenar Progonati, studiusi Lavdosh Dimrraj, Muharrem Bushi, Bajram e Fatos Shehu, Hasan Musta, Qendro Ciko, Qendro Qendro, Hasije Shehu, e shumë e shumë të tjerë, kanë njohuri për kampin e Tepelenës. Pa përmendur atje njerëz të majtë e të djathtë si dhe autoritetet qendrore në rreth, bashki e institucione të tjera.
Jam plotësisht dakort me artikullin e Mero Bazes botuar në gazetën DITA datë 18 gusht 2018. Vetëm do ngatërrohen lexuesit: “Një Kamp në Tepelenë” dhe jo “Kamp i Tepelenës”…
Dragua Shehu
Ish banor në Tepelenë nga viti 1949 deri në vitin 1956
Tiranë, më 19. 08. 2018