Bust në Prongji për atentatorin e Bimbashit

Prof. As. Bernard Zotaj

Atmosferë festive në fshatin Prongji, duke sfiduar vapën e verës se sivjetme ku me këngë e valle nga gjithë banorët dhe të ftuarit e shumtë që ishin mbledhur në qendër të fshatit në sheshin ku ishte vendosur busti. Kjo atmosferë u krijua pasi u bë inaugurimi i bustit prej bronxi të patriotit prongjiotas Bajram Ligu, që në histori njihet si Bajram Prongjia, atentatori i bimbashit turk në marsin e vitit 1908 në qytetin e Gjirokastrës. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni kryetarja e bashkisë së Gjirokastrës Znj.Zamira Rami, prefektët e qarqeve Fier e Gjirokastër, respektivisht Bakir Bala, që është edhe bir i këtij fshati dhe Astrit Alia; kryetari dhe sekretari i Komitetit të veteranëve të rrethit, Shkëlqim Guçe dhe Zabit Ahmeti, kryetari dhe sekretari i organizatës së dëshmorëve Hodo Liço e Tomorr Hoxha, përfaqësuesi i Ministrisë Mbrojtjes Kolonel Zaho Golemi, nënkryetari i shoqatës atdhetare kulturore “Labëria” Agim Çiraku, i cili ishte edhe sponsorizuesi i këtij aktiviteti dhe Robert Çelo si dhe kryetari shoqatës “Labëria” dega Tiranë, me anëtarin e kryesisë Bashkim Qeli.

Masat organizative ishin model. Ceremonia u çel me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe më pas moderatori ftoi Kryetaren e Bashkisë Znj. Zamira Rami dhe organizatorin e këtij aktiviteti historik, birin e Prongjisë, Xhevat Llurin për të zbuluar bustin e këtij patrioti që u duartrokit nga pjesëmarrësit. Në vazhdim e mori fjalën Kryetari i njësisë administrative Cepo, biri i fshatit Artan Çafaj, i cili u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë ditë të shënuar për fshatin Prongji. Ne brezi i sotëm ndjehemi krenarë për të parët tanë që na kanë lënë një trashëgimi të madhe historike dhe premtojmë se do të ndjekim gjurmët e tyre.

Në fjalën e tij Xhevat Lluri, solli në vëmendjen e të gjithëve figurën atdhetare e patriotike të Barjam Ligut dhe tërë aktivitetin e tij në shërbim të atdheut si luftëtar i Çetës patriotike të Çerçiz Topullit duke marrë pjesë në të gjitha aksionet e zhvilluara nga kjo çetë ku ka treguar zgjuarësi e trimëri që iu besua edhe aksioni madh për vrasjen e bimbashit turk në mars 1908, të cilin e realizuan me sukses së bashku me luftëtarin tjetër Hito Habilin, pasi më pare të tjerë nuk arritën ta realizonin që e gdhendi aktin e tij në memorien historike të kombit. Aktiviteti dhe veprimtaria e tij në shërbim të atdheut është e gjerë dhe e shtrirë në kohë. Në vitin 1913-1914 kur monarko-fashistët grekë kërkonin shpalljen e të ashtuquajturit Vorio-Epir për ta shkëputur nga qeveria e Ismail Qemalit ishte personi kryesor në Prongji, që i kundërshtoi e foli hapur dhe andartët grekë në shenjë hakmarrjeje e rrahën barbarisht duke i thyer edhe dy brinjë dhe e izoluan në kalanë e Kardhiqit ku kishin komandën. Atje e torturuan barbarisht se e dinin që kishte qenë luftëtar në çetën e Çerçiz Topullit dhe për ta turpëruar para njerzëve i prenë edhe veshin, por ai nuk u dorëzua dhe pleqësia e fshatit e liroi duke i paguar grekët me flori.

Veprimtaria e tij vazhdoj me pjesëmarrjen në luftën e Vlorës në 1920 dhe mbështeti revolucionin demokratik në vitin 1924 të udhëhequr nga Fan Noli. Në gjurmët e tij ecën edhe djemtë e tij Nebiu Muserreti dhe Dashua që iu bashkuan LANÇL deri në çlirimin e plotë të vendit. Ndërsa djali i vogël, Dashua, duke shërbyer si N /oficer në divizionin ushtarak të Delvinës vritet tradhtisht nga shërbëtorët e agjenturës greke dhe është shpallur dëshmor i atdheut. Këtë solemnitet historik e përshëndeti edhe përfaqësuesi i Shtabit të përgjithshëm Kolonel Zaho Golemi i cili e vlerësoi shumë organizimin e kësaj ceremonie për të nderuar e përkujtuar figura të tilla që kanë kontribuar për çështjen e lirisë e pavarësisë së Atdheut.

Bukurinë këtij aktiviteti ia ngritën më lart grupet polifonike të fshatit me këngën për Barjam Ligun grupi polifonik i lagjes Cfakë të qytetit që e gjallëruan më shumë këtë aktivitet.


6 Shtator 2018