Astronomi i Skënderbeut
Moikom Zeqo
Studimi monografik “Gjin Gazulli – astronom dhe diplomat i shekullit XV”,botim i Rilindjes , Prishtinë, 1984 ) shkruar nga studiuesi kosovar Jahja Drançolli ka në qendër të vëmendjes një nga figurat më të hershme e të njohura të humanistëve shqiptarë të shekullit XV.
Libri prej 154 faqesh është një përpjekje e suksesshme dhe më e plota deri tani për të ndriçuar biografinë dhe veprimtarinë e shumanshme të humanistit shqiptar Gj. Gazulli.
Ky studim është ndihmesë e rëndësishme për analizën e problematikës kulturore-shkencore, diplomatike të shekullit XV, që lidhet me historinë shqiptare e evropiane të kohës.
Monografia shoqërohet me një parathënie (faqe 5-8), ku parashtrohen qëllimi dhe tema e studimit, burimet e dokumentet e reja të shfrytëzuara nga autori.
Libri është i konceptuar në dy kapituj. Kapitulli I (f. 9-57) përqendrohet mbi një anë të personalitetit të Gj. Gazullit, atë të astronomit.
Në fillim J. Drançolli merret me emrin dhe origjinën shqiptare të Gazullorëve.
Duke u mbështetur në të dhënat e arkivave të Raguzës, Drançolli vë në dukje se në gjysmën e parë të shekullit XVI në regjistrin e parë të bujarisë raguziane, nga 152 familje 12 ishin shqiptarë.
Shumë shqiptarë spikatën e zunë shkallë të larta hierarkike kishtare, në jetën politike e kulturore të Raguzës. Kështu, që në shekullin XIV, dallohet piktori Gjon i Durrësit, më pas një piktor tjetër, Domeniku i Durrësit, Marin Biçikemi, (i cili në vitet 1492-1502 ka qenë drejtor i shkollës së retorikës në Raguzë).
Në këtë mjedis u rrit dhe Gjon Gazulli. Në dokumentet raguziane, pjesëtarët e familjes Gazulli ndeshen si Gazulus, Gasolo, Gasola, Gassolus si dhe Gazull.
Sipas “Regjistrimit të kadastrës dhe koncesioneve për rrethin e Shkodrës së viteve 1416-1417 “nga fshati i quajtur Kukoli, pranë Shkodrës, janë dhe disa persona me mbiemrin Gasoli (Gazulli).
Është meritë e K. Jireçekut që, për herë të parë, e lidhi toponimin Kukoli me mbiemrin Gasoli (Gazulli).
Pra, origjina e kësaj familjeje është Shqipëria Veriore. Gazullët ndeshen në Raguzë në vitet 1301-1336.
Përsa i përket kombësisë dhe përcaktimit të formës së saktë të emrit të humanistit tonë, rëndësi të veçantë ka dokumenti i protokollit të mbrojtjes së titullit doktor i shkencave në Universitetin e Padovës më datën 31 janar 1430 i Gj. Gazullit.
Në të thuhet: “magister Johannes quondam Gini de Albanai…” domethënë Gjoni, i të ndjerit Gjin Gazulli nga Shqipëria.
Pra, Gjin quhet i ati i dijetarit. Kombësia shqiptare jepet pa asnjë ekuivok, është e padyshimtë dhe e shprehur publikisht në një dokument.
Dhe në dokumente të tjera ai thirret me emrin Gjon « Joannes ».
Në shumicën e dokumenteve që njohim, ai quhet Gjon Gazulli dhe autori i monografisë nuk ka gati asnjë argument që të përcaktojë si formë përfundimtare e më të saktë formën Gjin. Prandaj, mendojmë se është më e pranueshme dhe s’ka asnjë arsye që emri i Gjonit të ndryshohet, sepse kjo s’do t’i përgjigjej të vërtetës.
Në sythin « Vepra e Gazullit ndër shekuj » jepen të dhëna biografike për Gjonin si dijetar e astronom.
I pari që e përmend Gjonin si dijetar është humanisti Serafin Maria Cerva (Serphinus Maria Cerva) (1686-1759).
Të dhëna për të kanë shënuar dhe A. Agich, historiani raguzian F. M. Apendini etj.
Për njohjen e veprimtarisë shkencore të Gazullit, autori është mbështetur sidomos në një letër të Këshillit të Rogatëve të Raguzës dërguar Matia Korvinit më datën 26.4.1459, ku Gjoni prezantohet si astronom i famshëm.
Në sythin « Raguza, qendër humaniste e anës Lindore të Adriatikut në shekullin XV » J. Drançolli argumenton faktin që qytetet e tilla të Adriatikut Lindor si Vlora, Durrësi, Kotorri, Raguza, Shebeniku, Zara etj., krijuan një zhvillim të tillë ekonomiko-shoqëror e kulturor që bëri të mundur krijimin e një « hapësire të përshtatshme për përparimin e humanizmit e të Rilindjes ». Raguza krijoi një traditë humanistësh në rrafsh artistik e shkencor, arsimor e bibliotekar.
Në fondin e librave të përdorura e të ruajtura në Raguzë janë veprat e Ptolemeut, komente të veprave të Aristotelit, vepra të Avienës, poema astronomike e filozofit e astrologut hebre Abu Mezhar, libra të astronomëve të njohur Regiomontan, Puerbah etj. Vetë Gazulli ka pasur një bibliotekë të pasur.
Nga testamenti i tij del se bibliotekën e kishte nga më të pasurat në Raguzë.
Pas marrëveshjes së Zarës (1358) midis Hungarisë dhe Venedikut, Raguza qe shpallur Republikë e kishte fituar autonomi nën protektoratin e Hungarisë.
Roli i saj qe rritur në skenën ndërkombëtare e në shërbim të interesave të saj u vunë dhe shqiptarë si Gazulli e humanistë të tjerë.
Veprimtaria astronomike e Gazullit dhe fama e tij si astronom, ruhet në disa dokumente.
Në Universitetin e Padovës, Gjon Gazulli mbrojti shkëlqyeshëm temën e doktoraturës. Në këtë mbrojtje qenë të pranishëm dhe shqiptarë si p.sh., Gjergj Kaparsi, kanonik i katedrales së Durrësit, Andrea Durrsaku etj.
Në vitet 1432-1433, Gazulli udhëton në Itali dhe në Francë, pastaj kthehet në Raguzë. Më 1439 Gazulli është përsëri në Padovë, pra, nuk i ka shkëputur lidhjet me universitetin ku u diplomua.
Në një Kodeks të Bibliotekës Universitare të Krakovit ruhet një vizatim astronomik që ka të ngjarë që është punuar nga dora e vetë Gazullit.
Në një vizatim astronomik, që tregon teorinë e astronomit e matematikanit të madh të shekullit XIII, Kompani i Novarrës, « mbi barazimin e 12 yllësive qiellore » ndeshet dhe emri i Gazullit si ndjekës i kësaj teorie.
Nga disa dokumente që ruhen në Raguzë del se Gazullin e lut Këshilli i Rogatëve për të shkuar në Hungari, ku astronomin tonë e ftonte vetë Matia Korvini, i cili në oborrin e tij grumbullonte dijetarë, artistë të humanizmit evropian.
Çesmiçki, dijetar i oborrit të Korvinit i shkruan një letër Gazullit ku flet me respekt e nderim për dijetarin shqiptar e për një libër të shkruar nga Gazulli mbi astronominë, i cili qe pëlqyer veçanërisht.
Në regjistrimin e Kodekseve të bibliotekës së astronomit e matematikanit të madh nga Nyrembergu B. Ëalter, të përpiluar më 1.10.1522, zihet në gojë dhe Gazulli : « Liber Gazuli in astronomia » (Libri i Gazullit për astronominë).
Në veprën e tij astronomi Johan Myler i njohur me emrin e latinizuar Regiomantan i kundërshton pikëpamjet astronomike të Gazullit dhe në fakt të Kompanit të Novarrës. Megjithëkëtë fama e Gazullit si astronom është e madhe.
Drançolli ka hetuar se studimet astronomike të Gazullit i venë në dukje dhe astronomë e dijetarë të tjerë si F. Giuntini (1522-1590), K. Gesner, si dhe astronomi gjenial J. Kepler, që e përmend Gazullin së bashku me Kompanin e Novarrës.
Më pas përmendet nga Riciolo, Dopellmayr, Musanti etj.
Më tej J. Drançolli jep argumente për të vërtetuar se një dorëshkrim raguzian mbi astrolabin e shekullit XV mund t’i ketë përkitur Gjon Gazullit.
Nga dokumentet e Raguzës që lidhen me trashëgimin e bibliotekës së Gazullit, autori i monografisë ka nxjerrë të dhëna me interes për dijet e Gazullit e të njerëzve të tij të afërt, siç ishin mësuesi Shtjefën Shqiptari (Stephanus Albanensis), të cilit Gazulli i kishte lënë të ruante një arkë plot me libra, për shqiptarin tjetër Nikollë Tanushi e bujarin shqiptar të Raguzës Gjon Marin Gjergji, të cilit astronomi dy ditë para se të vdiste i la me testament një libër të bibliotekës së tij.
Nga librat e dhuruara nga Gazulli u krijua dhe e para bibliotekë publike e Raguzës.
Kapitulli II (f. 57-102), ka si objekt veprimtarinë e Gazullit si diplomat e lidhjet e tij me ngjarje politike shqiptare, me Gjergj Kastriot Skënderbeun e ngjarjet politike evropiane.
Drançolli tërheq vëmendjen se arkivat e Raguzës kanë shumë fakte që tregojnë veprimtarinë diplomatike të Gazullit. Që më 1432, Republika e Raguzës e dërgon me mision diplomatik në Romë për të takuar papën Eugjeni IV dhe perandorin Sigmund të Hungarisë.
Më pas Gazulli gjendet në Siena të Italisë, më 1435 në Italinë e Jugut ku qëndroi mbi dy muaj, më 1436 në oborrin e princit të Sllovenisë Matek Tollovec, më 141 përsëri në Itali, në Firence dhe në vitet 1445-1446 në Romë.
Në sythin « Lidhjet e Gazullit me Skënderbeun » bëhet fjalë për veprimtarinë e këtij humanisti në dobi të çështjes kombëtare, të luftërave të Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë.
Më 1435 raguzianët përcollën në Shqipëri të dërguarin e Sigmundit për t’u interesuar për kryengritjet shqiptare.
Autori i monografisë shënon se « Gazulli ishte më aktiv se qeveria e tij, meqë kryengritjet shqiptare i përcillte me vëmendje të madhe dhe me rastin e udhëtimeve të veta të shumta me karakter diplomatik dhe shkencor, i popullarizonte ato ngado që shkonte » (f. 67).
Nga dokumente del se jo rastësisht qeveria raguziane e njeh princin shqiptar, Aranitin,(Gjergjin ) si qytetar të vet.
Ajo i dërgoi këtij udhëheqësi të njohur të kryengritjeve antiosmane dhe flamurin, por refuzoi kërkesën e tij për t’i dërguar një bombardë.
Me ardhjen e Skënderbeut në Shqipëri, të mbajtjes së Kuvendit të Lezhës më 1444, të fitoreve të mëdha epike të shqiptarëve që bënë bujë në tërë Evropën, edhe Raguza interesohet për lidhjet me Shqipërinë, e ndërmjet të interesuarve është edhe Gjon Gazulli.
Në dhjetor 1450, Skënderbeu erdhi dhe vetë në Raguzë.
Në misionet e shumta diplomatike të Skënderbeut në shtetet evropiane u angazhuan mjaft diplomatë dhe në këtë hulli rëndësi të posaçme kishte aktivizimi i Gazullit dhe i vëllezërve të tij.
Më 1451 Gazulli shkon në oborrin e Papës Nikolla V dhe në fjalën e tij i bëri jehonë dhe popullarizoi luftën e shqiptarëve dhe të Skënderbeut.
Po këtë vit Gazulli shkon dhe në Shqipëri.
Më 24 gusht 1461 Skënderbeu gjatë rrugës për fushatën e tij në Itali u ndal në Raguzë.
Mbas fushatës Skënderbeu u kthye sërish në Raguzë më 31 janar ose 1 shkurt 1462.
Më 7.2.1462, Skënderbeu lë Raguzën e niset në Shqipëri.
Po udhëtimi në det me anije qe i rrezikshëm për shkak të motit dhe Skënderbeu u kthye prapë në Raguzë, nga ku strategu shqiptar u nis më 11 shkurt në atdheun e tij.
Gjatë qëndrimeve të Skënderbeut në Raguzë më 1450, 1461, 1462, shkruan J. Drançolli, Gjon Gazulli duhet t’i ketë ndenjur pranë e t’i ketë shërbyer atij dhe çështjes shqiptare. Përveç Gjonit, me veprimtari diplomatike u morën dhe vëllezërit Andrea dhe Pal Gazulli. Në tri dokumente të Raguzës që mbajnë datat 17.3, 2.4 e 13.6.1459 thuhet se Pali është i deleguar i Skënderbeut. Më 1462 edhe Andrea qe delegat i Skënderbeut në Raguzë.
Pjesa III e librit është “Shtojca e materialeve” (f. 79-139), ku J. Drançolli ka përfshirë pjesë nga dokumente të ndryshme të Raguzës ku flitet për Gjon Gazullin (18 dokumente).
Përveç këtyre janë përfshirë dhe 18 fotografi të dokumenteve të arkivit raguzian, të papërkthyera, por të shoqëruara secila nga një shënim i shkurtër ku thuhet përmbajtja e dokumentit.
7 vizatime astronomike që lidhen me idetë shkencore të Gazullit shërbejnë për të bërë të qartë, për lexuesit, punën kërkimore të humanistit shqiptar në kohën e tij.
Njëkohësisht në libër është botuar dhe faqja e parë e veprës raguziane për astrolabin si dhe një gravurë e shekullit XV e Raguzës, një fotografi e arkivit të saj etj.
Në faqet 140-142 është rezymeja e librit në anglisht, kurse në faqet 143-152 janë vënë zërat e burimeve dhe literaturës së shfrytëzuar, treguesi i emrave, etj.
Duke përfunduar theksojmë se monografia e J. Drançollit mbi Gjon Gazullin i shërben ndriçimit të historisë kulturore të humanizmit shqiptar e evropian të shekullit XV, të njërit nga përfaqësuesit e tij të hershëm, që ka luajtur rol me rëndësi dhe në lidhjet me Shqipërinë dhe luftërat e popullit të saj me heroin kombëtar Skënderbeun në krye kundër sulmeve osmane, rrezikshmërinë e të cilave për kulturën e qytetërimin rilindës evropian e ka vënë qartë në dukje edhe Karl Marksi.
( Botuar fillimisht në revistën shkencore “Studime historike” 1984,nr.e 8)