Asqeri Llanaj, veprimtar me interesa të gjëra

Dhimitër Shtëmbari

Ka njerez që i njeh vetëm fshati apo blloku i lagjes ku banojnë. Dhe është e natyrshme: për sa kanë bërë, për aq i njohin.

Ka të tjerë që i njohin vetëm shokët e zyrës apo të qëndrës së punës. Dhe është e kuptueshme kjo: i njohin nga që i kanë parë shumë të rregullt në çastin kur ata marin rrogën mujore.

Ka edhe një kategori tjetër burrash e grash të njohur nga shumë njerëz: individë që bëjnë bëma, deri edhe të padëgjuara, për të cilët shkruhet nëpër gazeta apo për të cilët flitet nëpër ekrane televizionesh! Në ditët tona këta individë nuk janë të paktë. Kuptohet, janë pjellë e kohës që jetojmë.

Personazhi i shkrimit tonë përfshihet në një grup njerëzish krejt tjetër: Është i thjeshtë në thjeshtësinë e vetë. Është modest në modestinë e vetë. Është i zhurmshëm në qetësinë e vetë. Punon e lodhet shumë, madje edhe sakrifikon, por… nuk ndihet. E gjenë këtu, atje, përtej, kudo që e gjykon se mund të kontribuojë me fjalën e vetë si intelektual pa e orientuar askush. Sepse e urdhëron vetëm ndërgjegja e vetë.

Dhe ky njëri, sa modest aq edhe human, është intelektuali i shquar nga Cakrani i Mallakastrës, por me banim në Vlorë, stomatologu i njohur Asqeri Jonuz Llanaj.

Në qoftë se u zgjatëm paksa hyrjen e këtij shkrimi, këtë e bëmë për t’i gjetur “vendin” e merituar intelektualit Asqeri Llanaj, se, siç do ta përshkruajmë pak më posht, personazhi i këtij shkrimi nuk është thjesht dentist, një specialist i rëndomtë shëndetësie, por është njëri me interesa të gjëra intelektuale: stomatolog, qytetar aktiv, shkrimtar, biograf, studiues, sociolog, veprimtar shoqëror, militant i ndershëm politik…

Nuk po shpërndahemi gjithandej për jetën dhe veprimtarinë e gjërë të këtij intelektuali, por po qendrojmë pak më gjatë te kontributi i tij në lëmë të krijimtarisë së gjërë letrare e historike.

Sigurisht, “portën” e krijimtarisë së vetë letraro – historike nuk mund ta hapte pa krijime të karakterit studimor profesional. Dhe lexuesit iu drejtua me librat “Kujdesi për gojën – kujdesi për shëndetin”, “Komunikimi mjek – pacient. Këshilla për protezën totale”. Larg gjuhës akademike, autori ka shkruar bukur dhe ka këshilluar qart e në mënyrë bindëse.

Në vazhdë të veprimtarisë së vetë krijuese, stomatologu Asqeri Llanaj do të niste serinë e gjatë të monografive ineresante. Dalëngadalë e si pa u ndjerë ai do të kalonte nga mjek dentist, në shkrimtar. “Cakrani në rrjedhat e kohës”, “Dëshmorët e zonës së Cakranit” etj., do të ishin ndër krijimet e para letraro – historike. Në këto libra autori ka derdhur tërë shpirtin e tij të bardhë. Të botosh në këto kohë një vëllim dosido, më parë duhet të mendohesh mirë, sepse… Por ky autor nuk qe menduar dy herë. Shpenzimi i bërë për librin, për historinë, për komunitetin ku ke pas lindur, nuk është lek i shkuar dëm, pat menduar ky intelektual.

Theksojmë, se sprovën e parë letrare biri i nderuar i Cakranit e kish bërë ca më herët, teksa kishte shkruar vëllimin “Vdekja nuk di të trokasë”. Me mbresa të shumta e meditime interesante, autori i kishte përciell lexuesit refleksione vërtet jetësore.

Kur të tjerë e vrasin ditën duke lëvizur mjediseve të bukura të Vlorës, në më shumtën e kohës Asqeriu mbërthehet mbas kompjuterit. Shkruan dhe vetëm shkruan. Tashmë janë të shumta monografitë e botuara prej këtij shkrimtari: “Jetën ia kushtoi naftës”, “Ditari i një partizani”, “Mësuesi i palodhur”, “Ferro Feta Skënderaj”, “Haxhi Banaj” e mjaft të tjera.

Është interesant me disa njerëz: teksa kanë parasysh veten, mendojnë e punojnë vetëm për të nxjerrë në pah të tjerët. Erdhi një kohë dhe ky shkrimtar botoi monografinë kushtuar militantit të shquar mallakastriot, Nuredin Aliu. E botoi nisur nga ideja, se sot, sidomos brezi i ri, ka shumë nevojë të ketë informacion sa më të plotë e sa më real për figurat e shquara të së djeshmes. Që këto të mos i vijnë në ditët tona në formën e përrallave, a të gjepurave, që lenë shkas për debate të kota dhe shterpe.

Mbështetur te fakti historik, se prej zonës së Cakranit gjatë LANÇ qenë internuar në kampin famëkeq të Zemunit të ish Jugosllavisë dhe masakruar atje shumë bijë të saj, shkrimtari Asqeri Llanaj mori mundimin të shkojë në vend, të mbushet atje me mbresa dhe t’i derdhë këto në një tjetër monografi, titulluar “Karafila nga Zemuni”. Duhej një njëri me zemër të madhe, siç e ka në fakt ky intelektual, që të merrje parasysh mundimet dhe shpenzimet për të zbatuar një detyrë të tillë.

Duke jetuar ndjeshëm gjithçka që ka të bëjë me komunitetin e krahinës ku pat lindur, ky shkrimtar ka bërë objekt të monografive të veta deri edhe figura shumë të shquara, siç është, fjala vjen, ajo e Prof. Dr., të ndjerit Fatmir Agalliu. Jam me fat që kam pasur pedagog të Morfologjisë gjatë studimeve të mia të larta këtë profesor të paharruar. Dhe gjej në librin e shkrimtarit Llanaj po ato vlera të larta njerëzore e profesionale që diktonim si ish studentë të tij në ato kohë të shkuara te ky shkencëtar i mirënjohur i gjuhësisë shqiptare.

Me vlera të spikatura letrare, por po aq edhe historike është monografia kushtuar atdhetarit të shquar Kristo Floqi. Bazuar në kujtime gojore, por edhe në dëshmi arkivore autori ka mundur të pasqyrojë një figurë të plotë e të denjë për një Firmëtar në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Nuk mund të mos i kushtonte një monografi edhe ish mësuesit të tij, birit të shquar të Cakranit, Ballëm Mete. Së bashku me shokun e vetë, Asllan Gropasi – ish ushtarak i lartë dfhe aktualisht nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, e kanë portretizuar këtë mësues të talentuar jo thjesht si një mësimdhënës, por dhe si një intelektual me përmasa të plota atdhetari

Kohët e fundit shkrimtari Asqeri Llanaj ka botuar monografinë me titull “Intelektuali dhe shkencëtari Hysen Çobani” me redaktorë Prof. Dr. Bardhosh Gaçe e Ago Nezha. Duke e pas njohur nga afër shumë dekada më parë, kur ky specialist i talentuar i bujqësisë ishte kryeagronom në kooperativën bujqësore të Cakranit, shkrimtari Llanaj i ka gdhendur një portret të denjë për një shkencëtar të vërtetë të perimeve.

Krahas punës si mjek stomatolog, gjatë tërë jetës së vetë Asqeri Llanajt nuk i kanë pushuar mendja dhe dora së shkruari. Veç monografive të tilla, si ato kushtuar Abaz Muçajt, kirurgut duarartë Et’hem Kapllani e të tjera e të tjera si këto, ky shkrimtar ka shkruar edhe për çështje shqiptare të fundit të shekullit XIX e të gjysmës së parë të shekullit XX, për kontributin e atdhetarëve shqiptarë në Kongresin e Lushnjes, për Lidhjen e Prizrenit si monument i besës dhe i bashkimit të popullit shqiptar, për reagimin e mallakastriotëve mbas thirrjes që u bëri Mehmet Shehu për luftë gjatë LANÇ etj., etj.

Intelektuali i shquar Asqeri Llanaj është edhe një veprimtar i shkëlqyer shoqëror. Ai është themelues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Cakrani”, sikundër është edhe botues i revistës së kësaj Shoqate. Ish këshilli i komunës së Cakranit i ka pas dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi i Cakranit”.

Ndërkohë, është edhe veprimtar i shkëlqyer shoqëror i mjaft organizatave dhe shoqatave të ndryshme. Veprimtar i pakursyer i komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit të Vlorës, i degës së Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut të këtij rrethi, i degës së Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ të po këtij rrethi etj.

Për veprimtarinë dhe aktivizimin e gjithanshëm të shkrimtarit Asqeri Lanaj flasin qartë edhe anëtarësimet dhe nderimet e bëra nga shoqata homologe. Ai është nderuar “Me Mirënjohje” nga Shoqata “Labëria”, “ Çamëria”, “Mallakastra”, nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve, nga ajo “Detaria Shqiptare” e nga shumë shoqata të tjera.

Krijimtarisë letraro – historike të Asqeri Llanajt i është bërë mbështetje edhe redaktori i shumë prej librave të këtij, intelektuali me përmsa kombëtare, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, aktualisht pedagog në Universitetin e Vlorës.


25 Korrik 2018