Varri i Leshit
Atje në Lesh një varr është i harruar
Që në kujtim ka mbetur si përrallë,
Se ka pas qen’ dikur një trim i gjallë,
Kujt eshtrat qenë çdukur pa mbuluar.


Si varri q’ësht’ i zbrazur, i shkretuar,
Sa gjurmë nuk i mbeti trimit vallë,
Veçse ndër t’huaj një e ndryshkur pallë,
Pa shpresë për qëllimin q’ish gatuar.


Por, si u çduk ay, dhe trimëria,
Ashtu u çduk prej nesh përgjithmonë,
Se sot s’ka, jo, më trim si atë Shqipëria.


Si s’qenë të zot eshtrat t’ja nderojnë;
Veç grindje dhe përçarje në mes tonë!
Sot mëkatet le t’i lajm’ se i meritojmë.


1938
Asdreni
Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013