Asdreni: Trazime shpirtërore
- Trazime shpirtërore
- (Njëj mikut të pangushëlluar)
- Si ndrrohet pylli rrobe dhe stolije,
- Kur vjeshta ngjyrëverdhë e përflak
- Dhe bryma dërmën flatrave u shtie
- I le pa fare fletë dhe pa gjak,
- Dhe trupi em, i brejtur prej kujtimesh,
- Si brehet vjetesh kurmi i lisit plak,
- Rri strukur si një i rrahur frushkullimesh,
- Si shpend i rrejtur, kapur keq në lak.
- Kur grushti i fortë e prek me vrap furtune,
- Tërhiqet zvarrë barkas si shterpi,
- Pa përdëllim sheh mjegulla dhe tyme,
- Kuçedër gojëgjerë që përpi.
- Çdo ndjenjë e ime dridhet si gjeth ahu
- Me vrull, kur sqota çthuret e pafre,
- Kërkoj fuqi t’i pshtetem kujt pas krahu,
- Të mund të marr prap’ frymë krejt të re.
- Në shpirtin tem shpërthejnë papandehur
- Furtuna dhe shtërngata plot furi,
- Si do lëkundje trupi krejt të nxehur
- Ofshame që s’e lanë me u përtri.
- Më prekin thellë ushtimat mizorie
- Posi një ushtimë pylli që kumbon,
- Kur çdo sulmim sëpata vjen e bie
- Njashtu në trupin tim çdo send ushton.
- I lumtur kush aspak s’i ndjen goditjet
- E fatit që të ndjek kur bën çdo çap,
- As s’i tmerohet shpirti nga tronditjet
- E çdo të keqe, thonjsh kur vjen të kap.
- Një ças rrënime bën shpesh teje,
- Çdo mis i trupit plagë mbushet plot,
- Sikundër krisma e rreptë e një rrufeje
- Dërmon e djeg atje ku s’vete kot.
- M’u tretën ëndrrat, ngjethjet djalërie,
- Sot pika lotësh derdh me ngashërim,
- Kujtimet çdo së shkuarës gazmore
- Më mbushin në çdo çast me mallëngjim.
- Çdo shpresë e bukur shkundet fije, fije,
- Si shkunden lotet, era kur fillon,
- Që larg një frymë e rëndë, frymë zije
- Me çap të shpejtë vjen dhe më pushton.
- Përse tëhuhen kaq e kaq dëshira,
- I trashë hi të zerë vend mbi prush,
- Të shkosh padashur ditë të vështira,
- Mos gjesh aspak mëshirë nga kurrkush?
- Dikur në palcë ndjenja dridhmat gazi,
- Nga dejt e mi vërshonte jetë e re,
- Por fati kur dhuratat gjijsh m’i zbrazi,
- Çdo ditë e bardhë zu m’u mbush me re.
- Gëzonja ditën, diellin, natën, yjet,
- Natyra krente pamje plot shkëlqim,
- Ndër valle lulesh këngë drithnin pyjet,
- Një shpirt i lumtur, gaz edhe dëfrim.
- Kur çilte ngjyrat rishtazi lilaku,
- Si nuse kur stolisej çdo qershi,
- Në trup më shigjetonin rryma gjaku,
- Mbi bar kur lulet rrithnin posi shi.
- Më nge violisë kur i binte zogu,
- Më mbushej zemra mall e dashuri,
- Më dehte trëndafili, borziloku.
- Kallinjt’ e verdhur, larë me flori.
- Mbi fushat hëna derdhte rreze ergjëndi,
- Liqeni dridhej fshehtas në kallam,
- Shijonja bukurirat e çdo këndi
- Me një etje sa nuk dinja se ku jam.
- Ngadalë ma mbylli derën lumturia
- Me të pashoq guxim dhe vendimtar,
- Sapo s’më buzëqesh më bukuria,
- Këputet delli i tingullit magjistar.
- 1940
- Larg vatrës derdhëm gjerë vala gjaku,
- Si lis pa degë mbetëm veç ne gdhënj,
- Më s’mbet filiz të mbahet gjallë plaku.
- Por male shkarpash veshur me shkëmbinj.
- Me gunën tonë të endur flokësh dhie,
- Në vend ta mprojmë veten motit t’keq,
- E bëmë strehë pritje miqësie,
- Përsa që kishim brenda nga një dreq.
- Për një lavdi të kotë shkrijtëm eshtrat,
- Ku tjetrit s’i pat kurrë shkuar këmba,
- U ropmë gjersa na u zbardhnë leshrat
- Në vend kurorash, korrëm ferra, gjemba.
- U vranë për të tjerë kotsëkoti,
- Treguam trimëria pa dobi.
- Për vete s’na piku kurrë loti,
- Sa mbetmë veç një dorë për habi.
- Të verbër nga padia edhe feja
- Dëshirë kemi sendesh të pavend,
- S’mendojmë se prap’ ne do t’jemi preja
- Kujt zgjatim dorën, lypës të pamend.
- Na kënda mirërrojtja pa mundime,
- Çdo punë toke bëhet pa një hir,
- I shkojmë ditët gjithë me sendërgjime,
- Duke e mashtruar veten me pahir.
- Mos qahemi se faj na kanë fqinjët,
- Kurse ne jemi foshnja, mituri,
- Na vetë po ja hapim gjerë gjiret.
- Një komb i mbledhur rreth një vatre.
- Një vatër zanash dielli bukuri,
- Mallkim përsa lakmojnë pas një tjetre
- Mos rritet madhërisht një brez i ri.
- Tiranë, 1938
- Asdreni
- Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013