TRILOGJIA E JETËS
I
Kënga e të riut njëzet vjeç


Me syt’ e mi shkreptima hyjsh e flakë
Tek ta papra thërmon me hir prendvera,
Qysh hyll i dritës terrin del ta flakë,
Si shtyllë zjarri mundës prij ngaherë.


Jam bota e re, që vëndin ze së vjetrës;
Pushteti im nuk njeh kurrkund kufive;
Si lulja që përtrihet pas një tjetrës,
Në rrahje rrezesh, andje shkrep dhe hire.


Jam lis me pemë t’arta, fletë argjendi,
Koshere mjaltë blete lulesh maji;
Nuk trembem nga furtuna, shi dhe shqota,
Si trimi përball çdo lufte plot kuraj.


Rreth meje shpallen këngë lumërie,
Të bukurat e dheut për dore vargje
Ja dredhin valles n’ëndrra dashnie
Hirplot tërhidhen dhe epin trupat hargje!


Thesaret s’i peshoj, thesar jam vetë,
Të rit’ e kam dhuratë dhe kurorë;
Fuqi luani kam dhe gjak të nxehtë,
Sa gurët më të fortë i shtrydh me dorë!


Jam kënga e moshës së re, lajmtar gojarti,
Ndër tinguj magjiplotë jehon dëfrimi;
Ylber q’e kap gjithë tokën që së larti:
Jam mbreti ngadhënor mbi fron shkëlqimi!


II


Kënga e mesatarit gjashtëdhjetëvjeçar


O ditë të bukura të jetës sime,
Që pa ju ndjehur merrni tatëpjetën,
Si rrymë lumi shkisni pa pengime
T’ja mblidhni fijet lëmshit që lidh jetën!


Ju gaze që shpërndanit, rreze flake
Ndër maja ledhatare plot dëshira,
Sot fikeni si lule vjeshtarake
Në frytje t’erës shembur poshtë të mpira.


I zhveshur nga stolitë e bukurisë,
Si zhvishet pylli rrobes tij verore,
Me vrer shoh si erret ylli i bukurisë,
Në tym si pshtillet pamja madhështore.


Si trim i ri mendonja kryevepra,
Se le në botë një emër largtingllonjës,
Të mburrem me të kota dhe të tepra
Sa shkrepnim prej një truri ëndërronjës.


Kujtimet e ëmbla koha pa kujdese
Ma piku zemrën sot si maja thike
Pa mundur t’i mbështillem një harrese,
Më mos godasë vrull’ i rreptë plumbi.


Tash lamtumirë, o vjete lumturie,
Me faqet kthyer drejt nga Perëndimi,
Pres vetullvrojtur rrudhat pleqërie
S’tallje shenjë e re ... rizbukurimi.


III


Kënga e plakut njëqindvjeçar


Në trupin tim të zbrazët si zgërbonjë
Si lisi plak i shqyer prej rrufeje,
Për hir ka bërë çerdhe një zhgabojë
Me kthetrat ngulur copra që bën meje.


Mbi shpirtin tim rëndon një rrasë varri,
Me kryq të shkruar lotësh vese pylli,
Çdo pikë djek shprush thëngjillit zjarri
Si dhe qirinjsh kur derdhen pika dylli...


Si muret e një tempulli të vjetër,
Ku dhëmbi i kohës gjurma le të thella
Dhe hijes seme – vepër sikur tjetër –
Për ças e ndenj qysh krimbat bëjnë shpella.


Më dysh kërcinjtë e këmbëve të mija
Dhe brinjët hekura dritare burgu,
Fytyrëtharë, rrudha plot e vija,
Kufomë e gjallë, rrojtje e zezë murgu.


Si yll në perëndim ndër drithma vdekje,
Që zhduket për t’u kredhur larg në rrymë,
E shkuara me t’ardhmen gjith’ në prehje,
Prej hirit tem përtrihet tjatër frymë.


1940
Asdreni
Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013