Qytetërimi
Sot qytetërimi ësht’ një fjalë e thatë
U duk me punë e ngjarje që pohohen,
Se zjarri që i ra botës gjërë e gjatë
Si faqe libri janë që s’mohohen!


Ç’do ditë ësht sot porsi nj’ e tmerrtë natë
Me sy po sheh kaq vepra si dërmohen,
Ato që vet’ krijon njeriu i ngratë
Po në një grimë posht’ prej tij rrëzohen!


Mësimi i zbut vetijat sa për faqe,
Se egërsimi mbet në trup krejt brënda,
Kur sheh papra qysh derdhen vala gjaqet!


Ja fryti i qytetërimit gjer më pikë
Njeriu në shtazë ndrrohet kur i kënda:
Si penda që ju ndrrua sot në thikë!


1917
Asdreni
Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013