Një diell i ri
Sot mori fund çdo gjurmë tiranie,
Një diell i ri po ndrit plot me shkëlqim,
Për kombin lind një kohë lumturie
Dhe për bishat e egra një shkatrim.


Ndër malet tona, shkaba ku ka çerdhen,
Filiza rriten sot me gjak të ri,
Me vrull e zjarr në gji, rrebesh që derdhen,
Të dalin fitimtarë për liri.


Tiranët pa të drejtë që na shtypnin
T’iu jemi robër veç për pasuri,
Të vritemi për ta veç gjak na lypnin
Për me na mbajtur peng në skllavëri.


Mjaft, se s’na mbet durim, o të mallkuar,
Me rrojtje t’ashpër, rrojtje si në ferr,
Sot ne ju mbajmë fytit kaq shtërnguar,
Dhe ne të shohim jetë pa një vrer.


Larg nesh ju egërsira fushe e mali,
Që thithni gjak papra nga çdo shtegtar,
Se jetën, Perëndia që na e fali,
E keni veç për vatrën shenjt altar.


Tetor, 1945
Asdreni
Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013