Interesi
Hap sytë e rri mendohesh pa të duash
Kur sheh qysh rron në kohë të vështirë,
Se çdo që vjen mbi krye do ta vuash
Dhe veten tënde më s’e gjen të lirë!


Rreziku kur afrohet s’mund ta gjuash,
Një forcë e naltë rrugën e ka nxirë,
Sa më çdo çap, syrin pak po tallash,
Drejt në greminë mund të jesh i shtrirë!


Kjo luftë me tmerre të pathënë,
Ku jeta e njeriut në peshë s’vihet
Tek vete e vjen, ndër leqe je i zënë!


Njeriu q’e njeh sot masën e egërsimit
Së piri gjak vëllau ay më s’ngihet:
Për ar i shkel krejt ligjet e njerzimit!


1916
Asdreni
Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013