Asdreni: Dallëndyshe
- Dallëndyshe
- Dallëndyshe bukuroshe
- Shpesë e dashur, vogëloshe.
- E palodhur udhëtare,
- Që mërgimit s’trembesh fare,
- Eja, zogë, prap ndaj neve.
- Dallëndyshe mërgimtare
- Eja prapë në dritare,
- Ndënë strehë bëj folenë,
- Zogjt e vegjël ku të flenë,
- Diell na sjell edhe pranverë
- Siç na solle tjatër herë,
- Të shkëlqejë bukuria,
- Të ringjallet bukuria,
- Të ringjallet njerëzia,
- Gjth me lule nëpër fushat,
- Vajzave t’u zbardhen gushat...
- Hijeshi dhe zbukurime,
- Gjith’ me këngë dhe gëzime,
- Këngë malli, dashurie
- Veç të rinjve q’u ka hije.
- Dhe për trimat shtatselvije,
- Që të presin si ngaherë,
- Që t’u çfaqesh prap’ te dera
- Me një lule symëshqerrë
- Dhe t’i thuash: djal’ o merre!
- Dallëndyshe vrapimtare
- Hapi flatrat lodhëtare,
- Me plot endje pranverore
- Ndër livadhe lulëzore,
- Ku shkëlqejnë mijra ngjyra,
- Të na çelet prap’ fytyra,
- Të na ndizet rishtas malli,
- Të rrudhoset pakë balli,
- Të dëgjojmë ligjërata
- Sa mban dita, sa mban nata.
- Asdreni
- Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013