Arbërit dhe shenjtërimi i eshtrave të Skënderbeut

Nga Moikom Zeqo

Marin Barleti dhe Dhimitër Frëngu kanë shkruar për subjekte të përbashkëta për Historinë Kastriotase të Lirisë, në shekullin XV.

Janë historianë të skalitur edhe vetë në histori.

Me këtë shkrim do të bëj një paraqitje krahasimtare , midis pasazheve dhe mendimit të tyre, se nga ç’origjinë janë arbërorët e mesjetës, si dhe për sakralizimin e eshtrave të heroit, a ka vërtetësi dhe si qëndron fakti konkret i spektaklit adhurues të këtyre eshtrave.

Pse ndodhi ky veprim?

A është e vërtetë se “jeniçerët e shpallën Skënderbeun Shenjt”?


Dhimitër Frangu (1443-1525), ka lindur në Drishtin, pranë Shkodrës.

Ai bën pjesë në koleksionin e humanistëve shqiptarë të shekujve XV dhe XVI.

Frëngu ka lindur, kur Gjergj Kastrioti, në 1443 nisi Rebelimin e Madh, Sagën Skënderbeiane.

Nga viti 1466 qe arkëtari i Skënderbeut deri në 1468. Në 1478, për shkak të pushtimit osman, Dhimitër Frangu vendoset në Trevizo, një fshat afër Venedikut.

Në 1539 Dh.F. boton në Venedik në latinisht librin e tij për Skënderbeun.

Ky libër u ribotua në Londër, në 1562, brenda librit të fiorentinasit Andrea Kambini.

Libri i Dh.F. pati disa botime dhe ribotime në latinisht dhe italisht.

Në këtë libër, Dh.F. jep deklaratën e Kuvendit të Lezhës:

“Ja një deklaratë e shkurtër e princërve kryesorë të Shqipërisë, pjesëmarrës të Lidhje së mësipërme:

Gjergj Kastrioti, i quajtur gjithashtu Skënderbe, emëruar me miratimin e të gjithëve Kryekomandant i Përgjithshëm, meriton të përmendet i pari.

Mbas tij vjehrri Aranit Kanina, e më pas djemtë e Muzakë Topisë, të quajtur prej shumëkujt Karliç, që në gjuhën sllave, ka kuptimin e lavdishëm, me që pretendonin se qenë bijtë e Karlit, i cili vinte nga një shtëpi e Francës.

Vijnë pastaj të zotët e shtëpisë Dukagjini dhe fisnikët e shtëpisë së Spanit, zotërit Cernojeviç dhe Dushmani.

Sa për venecianët, ata nuk duhej të futeshin në këtë Lidhje nga që kishin lindur prej shtëpisë së Engjëllit, që vinte prej shtëpisë perandorake të Kostandinopojës nga njëra anë dhe nga ana tjetër prej Despotit të Serbisë dhe princeshës fisnike Margerita e Monseratos, Dukeshës së Mantovas, e cila krahas trashëgimisë që i vinte prej derës atërore, zotëronte edhe ngastra të ndryshme toke në Shqipëri si, Drivastin, Tivarin dhe Krujën, po edhe Tivarin e Ulqinin bashkë me të tjera vise që nuk u gjunjëzuan.

Dhëntë Perëndia që me mëshirë të vet t’u japë hirin për t’i kthyer turqit dhe mosbesimtarët e tjerë në fenë tonë hirëplotë, më mos, t’i përmbysin nga pushtetet e tyre të mëdha, ashtu sikurse ka bërë Skënderbeu herë pas here

Po kjo s’është deklarata zyrtare, por apokrife.


Ja dhe një tjetër pasazh:

“Disa mund të pyesin se nga e ka marrë Shqipëria emrin e vet.

Mësojmë se Plini, në librin e tij titullar “de Homibus Illustris”, në kapitullin e tretë thotë se Tuilio Hostilio, mbreti i tretë i Romës, kur pati rrafshuar qytetin Alba, i cili nuk ndodhej larg prej Romës, duke qenë më së shumti armik i saj, urdhëroi që albanët të vinin të jetonin në Romë.

Një numër i madh albanësh, sipas opinionit edhe të disa shkrimtarëve të tjerë, shkuan në Azi dhe jetuan midis popujve, që zotëronin vendin që shtrihet midis maleve që mbajnë emrin Hiberi dhe Kaukaz.

Atje albanët u shtuan e u shumuan në rrjedhën e kohës dhe vendi i tyre mori emrin Albania Iberia, emër të cilin Plini e përmend në kapitullin e tretë, të librit të vet të Historisë së Natyrës.

Më pas, disa nga albanët u larguan që andej dhe u vendosën në Epir e Maqedoni, disa në Liburni, që aso kohe thirrej Csemptia dhe akoma, disa të tjerë, poshtë Epirit dhe Maqedonisë.

Më vonë të tjerë albanë u vendosën në pjesë të Dalmacisë dhe Ilirisë.

Ata u shtuan dhe u shumuan aq shumë, sa të gjitha provincat, në të cilat ata shtriheshin, formuan një rajon dhe një shtet, që mori emrin Albania, sipas vetë emrit të atyre banorëve.

Ka të tjerë, që thonë, se albanët vijnë prej France, sepse kanë vënë re një miqësi të natyrshme midis fisnikëve e të të dyja vendeve, sikur përmendet për shembull miqësia e princit të Durrësit me mbiemrin Topia, që vinte prej Karlit të madh, apo ajo e disa princërve nga Meschino.

Si shenjë e vullnetit të mirë statuja e Karlit të Madh prej guri të mrekullueshëm dhe gdhendur me shumë mjeshtri e art, qe vendosur në sheshin kryesor të qytetit të Krujës.

Shkrimtarë të tjerë thonë, se albanët vijnë prej Grisson të Altasoglia-s, si shtëpia e Dukagjinit dhe ajo e Spaneshve, sikurse pohojnë edhe vetë fisnikët e këtyre shtëpive.


Vite më parë edhe Marin Barleti e bën një skicë për prejardhjen e arbërve në librin e tij botuar në 1508.

Ja ç’thotë Barleti:

“Epirotët, të cilët janë quajtur edhe arbër, thuhet se e kanë zanafillën e tyre nga albanët, popujt të motshëm e dikur të dëgjuar të Italisë, të cilët kanë banuar edhe në një pjesë të Kolkidës.

Siç ma merr mëndja mua, ndoshta nuk do të gabonte kush, po të thoshte se prej këtyre ka rrjedhur gjuha arbërore, apo epirotase, gjersa Straboni përmend, se atje kanë lulëzuar gjashtëmbëdhjetë gjuhë.

Për origjinën e këtyre po atë mendim kanë pasur gjithashtu Papa Piu i Dytë, burrë fort i ditur në të drejtën hyjnore dhe njerëzore, dhe disa nga më të rinjtë, që kanë shkuar larg Trog Pompeit.

Trog Pompei thotë se zanafilla e arbërvet është italike, sepse pohon që albanët Herkulin, i cili kishte shpënë në Itali lopët e Gerionit, e ndoqën pas, kur u largua së andejmi, pasi i mbajti pak për t’i kullotur në malin Alban, i magjepsur nga kullota e pasur.

Nga këta, pra, kanë dalë arbërit, një pjesë e të cilëve sot kanë zënë vend në Pelopones, një pjesë në Maqedhoni apo në Arbëri dhe në Epir.

Princ i këtyre gjithashtu është Gjergj Kastrioti, një princ shpirtmadh.”


Teza e prejardhjes së arbërve nga Marin Barleti (që padyshim Dhimitër Frëngu e ka lexuar dhe njohur mirë) mbështetet tek citimi i Strabonit.

Kjo origjinë lidhet me një popull të ardhur nga Kolkida (lidhje me mitin e argonautëve dhe Medeas) në brigjet e Italisë, e pastaj kinse janë vendosur në tokat e Arbërisë.

Barleti mbështetet te kujtimet e Papa Piut të Dytë, apo nga të dhënat e Trog Pompeit.

Këtë tezë e mbështesin edhe kronistët e Bizantit, si Leonik Halkokondili.

Dhimitër Frangu, citon Plinin, dhe mendon se banorët e qytetit romak Alba, afër Romës, ikën dhe u vendosën, përtej detit në viset e sotme të Arbërisë.

Një pjesë e këtij populli, kinse u vendosën, në Kaukaz, në Maqedoni, Liburni, Iliri, Epir.

Dh.F. thotë edhe një tjetër teori, të ardhjes së arbërve nga Franca, nga familja mbretërore e Anzhuinëve.


Një gjë është e qartë, të dy, edhe Barleti edhe Frangu, e lidhin origjinën e arbërorëve me Europën, pra theksojnë ekskluzivitetin europian, si një metaforë më e besueshme identiteti.

Jemi në fazën parashkencore, të studimit të origjinës së arbërve.

Studimi shkencor, gjuhësia dhe arkeologjia prehistorike kanë krijuar teorinë shkencore të origjinës autoktone të arbërve nga Ilirët, teori, që nuk mund të konceptohej dot në shekujt XV dhe XVI.


Barleti dhe Frangu, nisur edhe nga njohja e tyre e lidhjeve historike dhe politike, përmendin disa personazhe europiane, si Margaritën e Monseretos, që qe edhe Dukesha e Mantovas, apo edhe familjen fisnike franceze të Grissonit të Altasolias, që kinse kishin raporte gjenetike edhe me Dukagjinët, apo Spaneshët.

Kështu kemi një lloj “teorie” të një stili shkencëzues, citohet miti i lashtë i Herkulit, që ruante lopët e Gerionit, në gadishullin italik, Straboni, Plini, citohet prejardhja nga Kolkida, Kaukazi, por edhe nga qyteti Alba, pranë Romës, pa harruar edhe anzhuinët, mbase, si jehonë e Regnum Albaniae, (Mbretëria e Shqipërisë) e krijuar nga Karl Anzhuini, në 1272, me kryeqytet Durrësin.


Marin Barleti e përshkruan kështu vdekjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut: “Kur e dëgjoi që po e qanin të vdekur Lek Dukagjini, princ epirot, të cilin e kemi përmendur më lart, dolli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e me zë të mbytur tha, duke çkulur mjekrën e flokët: “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë, o princër e sundimtarë arbërorë.

Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedhonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona; sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë; sot u përmbysën fronet e pushtetet tanë; sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jonë.”

Gjithashtu, gjatë kohës që ai po vdiste, kali të cilit i hipënte kur kish për të përleshur, u bë aqë shumë i egër, i tërbuar e i pafrënuëshëm, sa që s’donte të mbante më asnjëri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi.

Skënderbeu u varros në qytetin e Lisos, në kishën më të madhe të Shën-Kollit.

Ceremonia e varrimit të tij, sipas zakonit të të parëvet, u bë me një madhështi të paparë; trupi i tij u përcuall me vaj nga të gjithë ushtarët dhe me pikëllim sipas zakonit të vëndit nga të gjithë princët dhe kapedanët.

Dhe eshtrat e tij, që u vunë n’atë vënd, pushuan në paqe, gjersa Mehmeti, prijësi i turqvet, erdhi në Arbëri dhe në Epir për të sulmuar qytetin e Shkodrës.

Për këtë sulm, apo fushatë, ne kemi shkrojtur më gjërë dhe më gjatë në një libërzë, që kemi botuar.

Gjatë kësaj kohe, turqit dhe barbarët, duke i bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxuarrë nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut.

Dhe atë që, kur ish gjallë, ia kishin frikën fort dhe vetëm me t’i dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani s’di a sepse ashtu deshi Perëndia, dëshironin me të madhe ta shikonin të vdekur dhe pothuajse të tretur, që të mos them se deshën ta nderonin dhe ta adhuronin.

Dhe me të vërtetë, te varri dhe eshtrat e tij u mblodhë që të gjithë e kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishte fatbardhë dhe shumë i lumtur ai që do të siguronte për vehte një copëzë fare të vogël prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjënd, një palë me ar, dhe e varnin në qafë si ndonjë gjë hyjnore, të shënjtë dhe vendimtare për fatin e tyre, dhe e nderonin me respekt shumë të madh e me frikë perëndie në zemër, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vehte ato thërmia do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat nga perënditë e pavdekshme dhe gëzoi, sa qe gjallë, vetë Skënderbeu, i vetëmi ndër gjithë njerëzit me sa mbahet mënd.”


Shpërndarja e eshtrave të heroit si hajmali, veshur me flori dhe argjend u bë një motiv tronditës dhe u këndua nga disa poetë të mëdhenj europianë.

Ky motiv besohet dhe rrallë ka një historian për të shfaqur ndonjë dyshim, nëse është e vërtetë kjo ngjarje, apo ndonjë poetizim, pa një motiv dhe subjekt apokrif.

Por edhe Dhimitër Frangu, i cili ka qenë dëshmitar okular, në vdekjen dhe varrimin e Skënderbeut në 17 janar 1468 dhe është larguar nga Arbëria në 1478, kur turqit e pushtuan Lezhën, dëshmon se ajo, që ka shkruar Marin Barleti, për sakralitetin e eshtrave të Skënderbeut, është e vërtetë.

Dhimitër Frangu shkruan: “Mbas Shkodrës turqit morën qytetin e Lezhës.

Atje, plot zell e ngulm, kërkuan trupin e Skënderbeut, të cilin, sapo e gjetën, edhe pse i qenë friguar sa qe gjallë, dhe e patën urryer së tepërmi emrin e tij, tashmë, duke qenë i vdekur, kishin nisur ta adhuronin, sikurse dhe ne të krishterët kemi zakon të adhurojmë shenjtorët tanë të kanonizuar.

I lumtur ndjehej ai, që ja dilte të merrte, ndonjë copë prej eshtrave të Skënderbeut, që, duke e vlerësuar si send të rrallë dhe të shenjtë, ta vishte në flori dhe argjend, e ta varte në qafë si relike të një shenjtërimi të madh, duke thënë, se ndjehej, plot shpresë për fitore!”

Por Dhimitër Frangu, nuk harron të nënvizojë opinionin e tij se “Natyrisht, ky gjest, nuk qe veç një supersticion pagan”.

Ai, nuk kuptonte dot se atë, mund ta adhuronin, turqit, që Skënderbeu, i kishte luftuar, gjithë jetën.

Nuk e shpjegonte dot këtë adhurim, që tingëllonte krejt paradoksal, madje në shumë kuptime, krejt i paarsyeshëm, dhe sfidues.

Vërtet, duket, se sakralizimi i eshtrave të Skënderbeut ka një sekret, që duhet zbuluar, pse dhe si mund të justifikohet dhe të ketë kuptim një veprim i tillë i çuditshëm.


Historiani ynë Aleks Buda, në “Buletinin për shkencat shoqërore”, Tiranë, 194, nr. 3, f. 98-102, boton shënimet dhe konspektin e Karl Marksit, mbi vëllimin VIII-X, të “Historisë së Përbotshme”, të dijetarit të madh gjerman Friedrich Christoph Schlosser.

Ky Shloser, në vëllimet e tij përshkruan ngjarjet europiane nga vitet 1300 deri në 1470, ku flitet edhe për historinë e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Mbi vëllimet përkatëse, Marksi, bën shënimet e tij. Këto shënime janë botuar nga Aleks Buda (shih, Aleks Buda, “Shkrime historike”, vëllimi I-rë, 8 nëntori, 1986, faqe 153-160).

Po kush është ky Friedrich Christoph Schloscer?

Vetë Aleks Buda, nuk na thotë, çuditërisht, asgjë për të.

Shloseri (Schloscer) ka jetuar në vitet 1776-1861.

Ai ka lindur në Jever, në Distriktin e Frieslandit, në Gjermani.

Ai ka studiuar për teologji dhe histori në Universitetin e famshëm të Gottingenit.

Më 1807, i frymëzuar nga kryevepra e Dantes, boton librin e tij të parë për figurat e dy heretikëve të mëdhenj, librin “Abelardi dhe Dulcini”.

U bë shumë i njohur në studimin e madh “Historia e perandorëve ikonoklastë të Lindjes”.

Ky libër kundërshton në shumë pika librin e Eduard Gibonit për Historinë e Romës.

Shloser ka punuar si profesor në Liceun e Frankfurtit, ku edhe ka vdekur.

Më 1815 nis botimin me shumë vëllime të „Historisë së Përbotëshme“.

Shloseri shkruan për ngjarjet e rezistencës homerike shqiptare, është tepër kritik për ndihmat që papët i dhanë Skënderbeut, madje Papën Pavli II, e quan “Kurnac”, kur Skënderbeu shkoi t’i kërkonte ndihmë dhe se “Skënderbeu u kthye në vendin e vet pa arritur ndonjë përfundim.”

Shloseri, tregon, se mbas hapjes së varrit të Skënderbeut në 1478, “Jeniçerët e bënë Skënderbeun shenjt të tyre”.

Ku mbështetet Shlosëri për këtë pohim?

Si historian serioz dhe tejet erudit, padyshim, që ka patur parasysh burime të sakta informacioni, ose të besueshme.


Një personalitet i bektashizmit në shekullin XX Ali Baba Tomori, në librin e tij studimor për bektashizmin,- si nje religjon sinkretik midis krishterimit dhe muslimanizmit,- shkruan, për jetën e Skënderbeut të ri, i cili ka qenë në rangun e jeniçerëve, të cilët dihet, që besonin bektashizmin, frymezoheshin nga ky urdher mistik.

Po Ali Baba Tomori, nuk i referohet dokumenteve, por një tradite gojëdhanore të trashëguar tek shqiptarët.

Kështu që sakralizimi i eshtrave të Skënderbeut, pikërisht nga jeniçerët,- që në shumicë, kanë qenë me origjinë shqiptare dhe nga familjet e tyre te origjinës te krishtera,- mbetet një mënyrë të shprehuri, të veprimit të njohur në histori, ku jetësohet dhe është i pranishëm dhe shpjegimi mistik dhe religjioz një lloj palimpsesti religjionesh, sic do te thonte dijetari i madh i studimit krahasimtar te feve, Mircea Eliade.

Në këtë pikë kërkohet padyshim një studim shkencor, i thelluar!

Së fundmi, po shënoj një thënie tepër të njohur të Marksit, që lidhet me epokën e Skënderbeut: “Invazioni turk i shekujve XV-XVI paraqet një edicion të dytë, të invazionit arab , të shekullit VIII… dhe i kanosej rreziku tërë zhvillimit europian.”


Në këtë kuptim Skënderbeu është Heroi Semantik i mbrojtjes së Qytetërimit Europian dhe sidomos Rilindjes Italiane.


26 Qershor 2018