Prezantim i Malësisë së Gollakut

KU LIND DIELLI NË KOSOVË?


Pamje dhe shtrirje e malësisë

Malësia e Gollakut është një vend që shtrihet në lindje të Kosovës dhe është pak më shumë se 10% e territorit të vendit tonë, dhe si e tillë është zona më e lënë pasdoresh saqë shumica e kosovarëve jo se nuk e kanë vizituar ndonjëherë por as që e dinë se ku gjendet. Kjo malësi shtrihet edhe në Serbi, jo vetëm në fshatrat shqiptare por edhe më gjerë. Malësia e Gollakut është karakterizuar më herët me një jetë të qetë, idilike, por viteve të fundit mungesa e sigurisë është shtuar pasi që dihet se me kilometra të tërë kufizohet me Serbinë. Gollaku si trevë shqiptare kufizohet me Llapin, me Rrafshin e Kosovës, me Anamoravën si dhe me Karadakun. Përreth Gollakut janë 9 qytete (qyteza; komuna) shqiptare, dhe vetëm Novobërda dhe Medvegja janë brenda kësaj malësie. Moszhvillimi ekonomik e sidomos mungesa e infrastrukturës ka bërë që shumë fshatra të braktisen nga banorët, dhe tani është krijuar një gjendje me disa katunde të zbrazura. Një numër i madh fshatrash kanë mbetur me dy a tri shtëpi. Zakonisht popullata e kësaj ane lëviz për në qytetin e Prishtinës, më përpara edhe në Kamenicë dhe më pak në Gjilan. Lagje të tëra qytetesh janë me popullatë nga kjo trevë në Prishtinë (Vranjevci, Kolevica, Vreshat, Kolevica e Re, Matiçani, Sofalia, Lagja e Spitalit, Taslixhe I dhe Taslixhe II etj.) dhe po ashtu edhe në Kamenicë. Familje të shumta tani kanë mërguar në shtetet perëndimore. Fshati më i madh i Kosovës është Marevci, dhe bën pjesë në këtë malësi.

Mungesa e qendrës komunale

Në shpërndarjen dhe zbrazjen e malësisë ka ndikuar tej mase edhe mungesa e një qendre komunale urbane në këto anë. Po këtë fat e pati edhe ana e Karadakut dhe Rugova. Krahinat tjera të Kosovës në shumicën e rasteve kanë dy e më shumë qendra komunale. P.sh. Drenica (Gllogovcin dhe Skenderaj), Anamorava (Gjilani, Kamenica, Vitia), Llapi (Podujevën), ana e Sharrit (Dragashin) etj. Malësia e Gollakut, përkatësisht fshatrat, bëjnë pjesë në këto komuna: Prishtinë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Podujevë, Bujanovc dhe Medvegjë. E vetmja qendër komunale plotësisht me sipërfaqe të Gollakut, dhe me shumicë shqiptare, është komuna rurale e Medvegjës, por që nuk ka arritur që të dalë jashtë fatit të trevës duke ia shtuar edhe fatkeqësinë politike. Popullata e Gollakut është mbi 65% shqiptarë autokton, megjithëse pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit shumë "muhaxhirë" kanë gjetur strehë në këtë trevë piktoreske të Kosovës. Popullata serbe që banon në këto anë kryesisht është ngulitur vonë sidomos pas luftërave ballkanike, por që fshatrat e tyre janë në një gjendje shumë më të mirë ekonomike, infrastrukturale por edhe gjeografike, dhe ato mbesin të populluara ashtu siç kanë qenë edhe para luftës së UÇK.

Zonat operative të UÇK

Në Malësinë e Gollakut, në fshatin Zllash, gjatë luftës së çlirimtare ishte vendosur shtabi për zonën e Karadakut, ku u zhvilluan disa beteja dhe ranë dëshmor disa luftëtarë. Ishte një paradoks që në territorin e Gollakut vepronin dy zona opertative të UÇK (e Karadakut dhe ajo e Llapit), por që nuk kishte zonë të luftës me emrin e Gollakut, dhe ky fakt flet edhe një herë për një anashkalim dhe përbuzje, edhe pse heroi i Kosovës Zahir Pajaziti është lindur dhe është rritur pikërisht në Malësinë Gollakut. Nga kjo anë po ashtu janë edhe pishtarët e lirisë Nuhi Berisha e Kadri Zeka.

Figurat, rezistencat dhe planprogrami i trashëguar

Serbia historikisht disa fshatra të malësisë së Gollakut i ka terrorizuar shumë herë, ashtu si është i njohur rasti me Prapashticën, me Dabishevcin, Keçekollën, Mutivodën etj. Në këto anë ka mjaft varreza të ushtarëve të huaj (turq, serbë, bullgarë etj.) të cilët vrarë nga kryengritësit shqiptarë të kësaj treve. Nga kjo anë Shaban Palluzha i ka pasur pothuajse ushtarët më besnik. Edhe Azem Bejta dhe Bajram Curri e kanë vizituar këtë malësi. Rezistenca mes shqiptarëve kundër çetnikëve dhe komunizmit jugosllav ka zgjatur më së shumti pikërisht në Malësinë e Gollakut. Deri sa nëpër disa anë të Kosovës ishin hapur edhe shkollat dhe degët e partisë komuniste këtu luftohej edhe pas pesë vjetësh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Çetat e kaçakëve kanë ekzistuar edhe në Gollak, dhe më i njohuri ndër ta është Shyt Vakoci. Mulla Idrizi i cili nuk është dorëzuar deri në vitin 1949, është figura e fundit e rezistencës së nacional demokratikës shqiptare në ish Jugosllavinë e pas luftës së Dytë Botërore që ka vepruar këtej. Sekretari i Lidhjes së Dytë të Prizrenit ka qenë Mehmeti i Zi nga Krileva. Varri i tij është në Filadelfi të Amerikës. Në delegacionin e parë të Kosovës i cili është takuar me Titon më 1945 ka qenë edhe Mehmet Krileva. Ky është delegacioni i parë i Kosovës që ka kërkuar të drejta nacionale në emër të shqiptarëve nga Tito. Ana e Gollakut ka qenë zona ku më së paku ka pasur anëtarë të partisë komuniste të Jugosllavisë. Disa nga grupet e para ilegale që kanë vepruar në Kosovë gjatë kohës së monizmit, kundër shtetit jugosllav apo Serbisë, pjesëtarët e tyre kanë qenë nga rajoni i Malësisë së Gollakut. Anashkalimi i kësaj treve ishte planprogram i hershëm i Serbisë, dhe këtë sens pavetëdijshëm duket se e kanë dhe e zbatojnë edhe sot klasa politike e Kosovës.

Rezervati më i pasur arkeologjik ilir në Kosovë

Një nga vendbanimet më të lashta në Kosovë të kohës ilire gjendet në fshatin Keçekollë, dhe këtu janë gjetur shumë materiale arkeologjike me vlera të mëdha. Në fshatin Krilevë edhe sot gjenden varreza të vjetra që mund të jenë ilire ose romake. Materiale arkeologjike janë gjendur edhe nëpër fshatrat tjera. Gjatë kohës së Bizantit në këtë anë janë ndërtuar disa kështjella dhe kala, e që janë ndërtuar gjatë kohës së perandorit Justinian me prejardhje ilire.

Dikur Londra nuk krahasohej me Novëbërdën

Malësia e Gollakut është shumë e pasur si me fusha, kodrina, rrafshnalta, lugje, gryka, shpatina, thepaja, pyje, maje malesh, zabele, suka, shkëmbinj, përrenj të shumtë, kroje etj. Druri i ahut, bungut dhe qarrit i dominojnë malet e këtushme, megjithëse ka edhe varietete tjera. Gjithë zona e Gollakut është bleroshe dhe s’ka pjesë të zhveshura. Lumi më i madh Krivareka që rrjedh nga Krileva derdhet në lumin Morava. Vendbanimi më i madh i kësaj malësie është qyteti i lashtë Novobërda, i cili sipas historianit anglez N. Malkolm në fillimin e shek. XVI (para se ta marrin turqit dhe ta shkatërrojnë) ky qytet ka qenë më i madh dhe më i zhvilluar sesa Londra. Në këtë malësi janë të njohura disa miniera: e Novobërdës, e Kishnicës, e Hajvalisë, e Strezovcit dhe e Fllatacisë.

Zona më e pastër ekologjike në Kosovë

Malësia e Gollakut ka potenciale për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë, si dhe turizmin rural. Këtu ka pasur një traditë shumë të gjatë të rritjes dhe e kultivimit të qengjave, deleve, edhave, dhive, viçave si dhe pemëve e perimeve të ndryshme. Para 20 vitesh këtu janë rritur mbi 70.000 qengja e që zakonisht i kanë blerë tregtarë nga pjesët tjera të Jugosllavisë dhe jashtë saj. Në vitet e kaluara kryesisht Rrafshi i Kosovës dhe Anamorava janë furnizuar me produktet ushqimore nga kjo trevë. Gjithë Gollaku është plotësisht një zonë shumë e pastër ekologjike.

Emërtimet ilire, romake dhe bizantine

Shumica e emërtimeve të vendbanimeve të Gollakut janë me prejardhje romake dhe bizantine, dhe për këtë mund të kërkosh për studimin e shkëlqyer të z. Abdullah Konushevcit lidhur me toponimet e Gollakut. Shumë herë nga persona jo përgjegjës në shkencë, kulturë ose politikë këto emërtime i cilësojnë sikur të jenë sllave, por studimi etimologjik dëfton se këto qëndrime nuk janë të sakta, prandaj në zëvendësimin e emërtimeve duhet pasur shumë kujdes, pasi në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për pagëzime të reja. Nga terreni shihet se ka shumë emërtime kishtare nëpër këto mjedise. Para se të islamizoheshin shqiptarët e kësaj ane ata të gjithë ishin shqiptarë ortodoksë. Ka fshat që dikur i ka pasur edhe dy a tri kisha kurse edhe sot ende nuk gjendet asnjë xhami.Rrugët nëpër malësinë tonë janë shumë të pakalueshme pasi shumë prej tyre nuk janë të asfaltuara, megjithëse ka shpresë që brenda tri vitesh do të asfaltohen shumica e këtyre rrugëve. Kjo malësi nuk ka barriera gjeografike të ndërlidhjes së një fshati me fshatrat tjera, pasi këtu edhe para shumë e shumë vitesh në secilin fshat kanë funksionuar drumet që kanë lidhur gjithë zonën.

Oborri i Prishtinës është malësia e Gollakut

Gërmia që është pjesa më e bukur e qytetit të Prishtinës, tani park nacional, bie në rajonin e Malësisë së Gollakut, dhe me plot gojë thuhet se kryeqyteti i Kosovës Prishtina oborr të vetin e ka pikërisht këtë malësi, por që deri tani ka bërë pak e aspak për jetën e kësaj malësie. “Kap kryet” nuk shprehet ndryshe kur njeriu nuk ka një plan për oborrin e shtëpisë së tij. Në vend të kësaj drunjtë që priten nga këto anë shiten jo vetëm në Prishtinë e nëpër Kosovë, por edhe në Shqipëri, në Serbi dhe Maqedoni. Një ditë mund të ndodh që oborri i kryeqytetit tonë të mbetet cullak. Pikërisht nga kjo malësi dikur në Prishtinë ka rrjedhur lumi Prishtevka nga Stallova dhe lumi tjetër Vellusha që rrjedh nga Gërmia, janë varrosur. Prishtina pa këtë pjesë të kësaj malësie sigurisht se do të ishte një qytet fantazmë, pasi ajri i pastër, freskia dhe shëndeti ambiental në Prishtinë vjen vetëm nga drejtimi i Malësisë së Gollakut.

Homogjeniteti i banorëve

Është edhe një e veçantë për këtë malësi se këtu gjakmarrja dhe vrasjet me motive të dobëta janë në nivelin më të ultë të mundshëm në gjithë territorin e Kosovës. Banorët e kësaj ane mund të thuhet se janë njerëzit e paqes dhe të dinjitetit. Këta banorë kanë një harmoni dhe një respekt mes tyre, dhe kurrë nuk mbahet mend për konflikte mes fshatrave apo lagjeve. Ata njihen edhe për tolerancën e tyre ndaj të tjerëve. Këta banorë edhe pse shumë homogjen në të gjitha drejtimet, ata kurrë nuk kanë zhvilluar një lokalizëm çfarë e gjen në zonat e tjera të Kosovës. Ndoshta ky privim ose kjo mungesë e kësaj ndjenje i është kthyer në bumerang Gollakut.

A ka Gollaku këngëtarë?

Letërsia orale është shumë e pasur në Malësinë e Gollakut dhe punonjësit e Institutit Albanologjik të Prishtinës kanë organizuar aty-këtu ekspedita në mbledhjen e kësaj pasurie shpirtërore por normalisht se ajo nuk është vjelë e tëra. Kam dëgjuar njëherë një dialog në Prishtinë mes një plaku nga Drenica dhe një tjetri nga Gollaku. Drenicaku po i thoshte gollakjanit se “ju po më doket nuk jeni trima e nuk luftoni sikur na, ju jeni diqysh ma t’urtë!”. Atëherë plaku i anës sonë i tha: “jo o dashamir, edhe na jemi trima e luftojmë, shumë bile, po problemi asht se ju Drenica e Llapi keni shumë ma shumë kangatarë, e na kena shumë pak. Ju atje edhe kur pula kur ta ban voen e qitni n’kangë bre burrë. Na kena luftarë por s’kena kangatarë”.

Muhaxherizimi i Gollakut dhe traditat iliro-krishtere

Me ardhjen e muhaxhirëve jeta frymore dhe kulturore ndryshon shumë. Para ardhjes së muhaxhirëve, të cilit ishin kryesisht myslimanë fanatikë dhe të cilët ishin shumë lojalë ndaj turqve, dhe megjithëse ata ishin dëbuar nga serbët, ndikuan shumë që ta ndryshojnë filozofinë, moralin dhe psikologjinë e banorëve vendorë. Para ardhjes se muhaxhirëve në gjithë trevat e Gollakut shtëpitë nuk e kanë pasur odën ndaras nga shtëpia, zakonisht ashtu qysh është bërë me vonë afër portës ose shtëpive. Dasmat dhe festat më parë këta banorë i bënin së bashku burra e gra, ashtu sikur që edhe mysafirët rrinin së bashku me gjithë anëtarët e familjes mikpritëse. Muhaxhirët e sollën dhe e futën "marren" , “turpin”, “pështjellakun”, “mahramën”, “çallmën”, “mshefjen”, “frymën anadollake” ndër malësorët e Gollakut në përplot adete të vjetra që këta banorë i kanë trashëguar brez pas brezi qysh prej ilirëve dhe nga krishterimi shqiptar. Deri vonë në këtë malësi janë mbajtur rregullisht tubime festive që lidhen me të kaluarën tonë ilire dhe krishtere sikurse manifestimi për Lerthat, dita e Shmarkut (Shën Markut), e Shën Gjergjit etj. Edhe tani në Novobërdë mblidhen me mijëra njerëz për ditën e Shën Gjergjit. Ishin muhaxhirët që shumë lehtë u joshën t'i lëshojnë vendbanimet e tyre të reja në këtë malësi për t'u shpërngulur në Turqi, dhe pastaj edhe për t'u asimiluar pothuajse plotësisht atje. Edhe sot ka dëshmi dhe gojëdhëna se muhaxhirët megjithëse nuk gjeten xhami nëpër këto fshatra ata e panë Anadollin shpëtimtarin e identitetit të tyre në radhë të parë fetar sepse atë kombëtar mjerisht ose nuk e përjetonin ose e harruan, andaj edhe atje ligjërisht shkuan jo si shqiptarë por si turq. Veprimtari i shquar kombëtar Nazim Gafurri ishte kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, dhe kjo atij i kushtoi me jetë. Mendoj se shqiptarët sa më afër serbëve që kanë jetuar ata kanë qenë më pak patriotë dhe më me pak vlera kombëtare kanë prezantuar.

Kthimi kah malësia dhe ndryshimet që priten

Viteve të fundit kanë nisur që shumë qytetarë prishtinas fundjavat t'i kalojnë nëpër malësinë gati të boshatisur të Gollakut. Po ashtu kohëve të fundit është themeluar një shoqatë me emrin "Galabroi" në krye me z. Islam Velija që së paku t’i prezantojë disa probleme të këtij territori të Kosovës, dhe deri tani janë shënuar disa rezultate. Në shumë fshatra kanë filluar që të mbahen takimet e vendlindjes, takimet me mërgimtarë, dhe këtë vullnet duhet kanalizuar edhe për vepra e qëllime më të mëdha dhe më fisnike. Çdo cep i Kosovës i kushton Kosovës së nesërme. Gabimet e kaluara nuk riparohen, por prej sot mund të vendosim të jetojmë ndryshe, të mendojmë ndryshe, të veprojmë ndryshe dhe të ndjejmë ndryshe. Të bëjmë ndryshime jo për shkak të historisë por për fëmijët tanë. Aty ku s’ka rezultate është vendi për ndryshime. Ata që pajtohen me të keqën dhe me ngecjen ata nuk mendojnë për ndryshime.


Shënim

Artikulli është paraqitur si reagim ndaj artikullit të enciklopedisë së lirë Wikipedia, Gollaku nga përdoruesi me IP 80.80.161.137. Bashkë me të është dhënë shënimi:

Prezantim i Malësisë së Gollakut KU LIND DIELLI NË KOSOVË? Shkruan: Dr. Femi Cakolli

dhe adresa elektronike : femi_cakolli@yahoo.com