Dhjata e Vjetër
< AMOSI >
Kapitulli 2
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9


1 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Moabit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse ka djegur kockat e mbretit të Edomit, duke i katandisur në gëlqere.

2 Prandaj do të dërgoj zjarr në Moab, që do të gllabërojë pallatet e Keriothit, dhe Moabi do të vdesë në mes të rrëmujës, të britmës së luftës dhe të tingullit të borive.

3 Do të shfaros nga mesi i tij gjykatësin dhe do të vras tërë krerët e tij bashkë me të", thotë Zoti.

4 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Judës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse kanë përçmuar ligjin e Zotit dhe nuk kanë respektuar statutet e tij. Kështu idhujt, pas të cilëve shkuan etërit e tyre, i kanë bërë të devijojnë.

5 Prandaj do të dërgoj zjarr në Judë, që do të gllabërojë pallatet e Jeruzalemit".

6 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Izraelit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e shesin me pare të drejtin dhe të varfrin për një palë sandale,

7 ata që dëshirojnë fort të shohin pluhurin e tokës mbi kryet e të varfërve dhe shkelin të drejtën e të përulurve. Një njeri dhe ati i tij shkojnë bashkë te po ajo vajzë, për të përdhosur emrin tim të shenjtë.

8 Shtrihen rreth çdo altari me rroba që kanë marrë hua dhe në shtëpinë e perëndive të tyre pinë verën e atyre që janë dënuar me gjobë.

9 Unë, pra, e shkatërrova para tyre Amoreon, që ishte i gjatë sa është i gjatë kedri dhe ishte fortë si lisi; unë shkatërrova frytin e tij lart dhe rrënjët e tij poshtë.

10 Unë ju nxora gjithashtu nga vendi i Egjiptit dhe ju çova për dyzet vjet në shkretëtirë, për t'ju dhënë në trashëgimi vendin e Amoreut.

11 Nxora disa profetë midis bijve tuaj dhe Nazirej midis të rinjve tuaj. Vallë, nuk është kështu, o bij të Izraelit?", thotë Zoti.

12 "Por i keni detyruar Nazirejtë të pinë verë dhe i keni urdhëruar profetët duke thënë: "Mos profetizoni".

13 Unë jam i shtypur poshtë jush, ashtu siç është e shtypur qerrja e mbushur me duaj.

14 Prandaj i shpejti nuk do të ketë mundësi të ikë, i forti nuk do të konsolidojë forcën e tij dhe njeriu trim nuk do ta shpëtojë jetën e tij.

15 Kush përdor harkun nuk do të mund të rezistojë, kush ka këmbë të shpejta nuk do t'ia dalë të ikë, as ka për të shpëtuar jetën e vet kalorësi mbi kalë.

16 Atë ditë më trimi ndër trimat do të ikë lakuriq", thotë Zoti.