Albert Ukelli

(poet)


Poezi nga autori

redakto

Grila të thyera

(Ngjarjeve të 1 tetorit 1997 ne Kosove)

Ndër dhëmbë na ishte ngujuar fjala prej kohësh

Fjala e lirë

Ndër grila na ishte ngujuar

Lapsi

Dashuria

Jeta

Ndryshku gërryente bankat

Ku thurëm këngë lavdie

Kohë pa kohë

Shekuj

Tetor pragshekull i ri

Fjala doli nga dhëmbët

Lapsi theu grilat

Në banka u ulëm thurëm këngë lavdie

Mposhtëm ankthin e zi

Kohën e bëmë për vete

Në shekullin e ri

(Prishtine, '99)


Kanakar

Nisem dikah

Pa e ditur se nga

Mundohem të kthehem prapa

Në rrugë më zë nata

Prapë më vjen një ndjenjë

Gjendem në rrugë i denjë

Kërkoj derebe

Më shfaqet një grua fyrytyçkë

Më propozon një drejtim

E unë i gjezdisur në rrugë kaçakçe

Jetoj kanakar në nisje e kthime

Në e pa drejtime


Brez në hije

(Brezit tim të shkollimit të mesëm 1993-1997)

Në një dhomë të errët

U takuam bashkë

Të njëjtit blloka mbajtën dërrasën ulëse

Të njëjtat mësime mësuam për katër vjet

Lozëm shumë lojë së bashku

Nëpër oborre shtëpish bujare

Ardhmëninë rritën krenarinë gëzimin

I arritëm së bashku

Ne të gjithë sa ishim

Nën ritmet e jetës së trishtë

„Nxënës rebelë" deri në fund

Brez në hije ishim


Fotografitë

Fotografitë tuaja sot nuk më bëjnë punë

Nuk ma shuajnë mallin që kam

Gjithçka kanë fotografitë

Sytë, faqet, duart, dhëmbët tuaj

Veç erë nuk kan

As s'prekë dorë e juaj


Rrugë për Llap

Mora rugën për në male të Llapit

Atje ku dikur topi gjëmonte

Në të njëjtin burim ku laga buzët me ujë Llapi

Kishin shuar etjen djemtë e pushkës

E unë me atë ujë mora laga lapsin tim

Të shkruaj për këtë rrugëtim

Eca nëpër hije lisash të gjatë

Nën të cilët ruhet lavdia llapjane

Dhe kujtova gjurmë e sqotë

Pushkë që zgjuan botën nga gjumi

Beteja të shumta që flasin vetë

Mora rugën për Llap

Në istikame

U njoha me historinë

Shova etjen time të madhe

Kujtimeve ua hapa portën

Gjeta ritme pushkësh e çiftelishë





Malli

Pika shiu bien mbi lumenjë

Pika malli

Mblidhen diku

Bëhen oqean malli

Krejt nga dashuria


Prishtinës

Lehtas një puhizë flladi

Më pushton në këtë natë

Në qytetin tim pa lumë

Pa rrymë e pa ujë

Kjo është Prishtina ime sot

Që më bën ta dua edhe më shumë

Se thuhet: atë që e krijon me sakrificë

Ka vlerë të shumëfishtë

Prishtinës ia falë dashurinë

Atëherë kur s’ka drita

Kur rrugët janë të pluhurosura

E të baltosura

Po të ishte ndryshe

Dashuria ime do të tretej dikah

Në krahët e harrimit tutje

Pa valët e përmallimit

(Prishtinë, 2001)


Në pritje të mëngjesit

Edhe pse ti je eklipsuar diku

Unë të pres

Simfoninë e dhimbjes

Bashkë me preluden e tingujve të paqenë

Në këtë natë

Do t'i transformojë me orët e mia lokale

Në pritje të mëngjesit


Dallgë deti është jeta

Dallgë deti e pafund

Është jeta

Ne jemi notues që luftojmë

Të mos zhytemi

Të mos mbytemi

Të mbetemi fitimtarë

Nëpër dallgë jete

Të gjallë


Regjentë pa kontratë

Kënga e bulkthit nuk më lë të fle këtë natë

Se është regjentë pa kontratë në këtë rrethinë

Është dimër

Ftohtë

Cakëllova gotën me raki bullut

Me dhëmbët e mi

Mora e ia thashë këngës së bilbilit

Bulkthi mori datën

Ndali zë

Cakëllova dhe një gotë

Prapë këndova

Edhe pse nuk kishim bërë ndonjë kooptim me bilbilin

Bulkthin e detyrova të marrë datën


Dikur

Dikur me leqenik bëmë trupin

Nuk u zgropem kurrë

Zahire mbajtëm për miq e shokë

Drapëruam grurë e misër

Therëm qengjin më të mirë

Pimë nga një gotë

Ia thamë këngës

Tregimtarët e shumëdashur folën qetë

Punëtorët stinorë dëgjuan me ëndje

Vashëzat tutje punuan rrogoz për oda

Pllenuan lulen e thurën kurorë

Me leqenik bëmë trupin

Ishim punëtorë stinorë

Por nuk ishim vonestarë