Ahmet Kurt Pasha, dritëhijet e një personazhi me peshë historike

Nga Ilirjan Gjika

Qorrpashaj në Rrogozhinë, ik, o Kurt, se të arrimë…Janë këto dy vargje të shkëputura nga një këngë popullore e kohës kushtuar figurës së Ahmet Kurt Pashës. E mbledhur nga folkloristi Thimi Mitko dhe e botuar në vëllimin “Bleta Shqiptare”, ajo flet për luftërat dhe anarkinë feudale të shekujve XVII-XVIII në Shqipëri, një nga protagonistët e të cilave ishte edhe kreu i Pashallëkut të Beratit, Ahmet Kurt Pasha.

Por kush është kjo figurë që përmendet si një nga personazhet e shquar të Historisë së Shqipërisë të shekullit XVIII. Pikërisht profilin e tij, plot luhatje dhe dritëhije. do të trajtojmë në shkrimin e sotëm.

2

Pashallëku i Beratit së bashku me atë të Delvinës dhe më vonë atë të Janinës ishin tre nga formacionet shtetërore që u krijuan në Shqipërinë e Jugut gjatë periudhës së anarkisë feudale, që përfshiu shtetin osman në shekujt XVII-XVIII. Ky proces nisi si rrjedhim i disfatave ushtarake në luftërat e vazhdueshme me Austrinë dhe Rusinë. Të tilla zhvillime vunë në krizë sistemin e feudal-ushtarak të timarit, gjë, që solli dobësimin e pushtetit të sulltanit dhe shtoi prirjet separatiste të spahinjve dhe derebejve lokalë. Duke mos patur interes nga lufta ata nisën t’i “bënin bisht” thirrjes nën armë në kohën e fushatave ushtarake, dhe, duke krijuar reparte të armatosura nisën të zgjerojnë territoret e zotëruara prej tyre brenda suazës së perandorisë. Kështu lindën pashallëqet si zotërime feudale gjysmë autonome apo autonome të cilat e futën akoma në një krizë të thellë shtetin osman.

I tillë ishte pashallëku i Beratit i cili u krijua nga Mahmut Pashë Velabishti diku rreth viteve 1750. Ky pashallëk u qeveris më pas nga Ismail Pashë Velabishti ( 1751-1764), Ahmet Kurt Pasha (1764-1887, dhe Ibrahim Pashë Vlora (1787-1813). Ai funksionoi deri në vitin 1810, kur ra në dorën e Ali Pashë Tepelenës, që e përfshiu ne territorin e pashallëkut të Janinës.

Në krye të pashallëkut të Beratit, Ahmet Kurt Pasha erdhi ne vitin 1764 pas vdekjes së kreut të mëparshëm të tij, Ismail Pashë Vlorës (Velabishtit). Në Historinë e Shqipërisë, Ahmet Kurt Pasha, përshkruhet si një: “Feudal mjaft energjik, kishte ambicien të krijonte një pashallëk të madh që të përfshinte Shqipërinë qendrore dhe jugore” (K. Frashëri-S. Islami, Historia e Shqipërisë, I, USHT, Tiranë 1959, f. 429). Për të realizuar këtë sipërmarrje ai zhvilloi një sërë luftërash me pashallëqet përreth si atë të Vlorës, Shkodrës apo Delvinës. Me Ibrahim pashë Vlorën ai u grind për një kohë të gjatë. Po kështu dështoi edhe në përpjekjet e tij për të thyer Kapllan Pashën e Delvinës. Ndërsa me Bushatllinjtë e Shkodrës zhvilloi një sërë luftërash dhe betejash të gjata (Po aty, f. 431). Po kështu u përpoq që të pengonte Ali pashë Tepelenën të merrte sanxhakun e Janinës dhe u detyrua të mbrohej nga sulmet e tij në aleancë me Karamahmut pashën (Fjalori Enciklopedik, Tiranë 1985, f. 580-581).

Por Kurt Pasha zhvilloi edhe fushata pushtuese. I tillë ishte edhe sulmi ndaj Tiranës, por banorët e saj iu kundërvunë me armë dhe e detyruan të pësonte edhe disfatë (K. Frashëri-S. Islami, Historia e Shqipërisë, I, USHT, Tiranë 1959, f. 431) apo pushtimi i Kavajës dhe Durrësit në vitin 1775 ku u ndesh me Mehmet Pashë Bushatlliun për zotërimin e mukatasë së Durrësit (Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës në vitet e para të shek. XIX, 1796-1831, Tiranë 1986, f. 270).

Ndërkohë që ndryshe nga derebejtë e tjerë të Shqipërisë, si Karamahmut Pasha apo Ali Pashë Tepelena, të cilët ndoqën në krye të pashallëqeve të tyre një politikë të pavarur nga Stambolli, Ahmet Kurt Pasha, gjatë gjithë sundimit të tij në vitet 1764-1787, i qëndroi besnik sulltanit. Vetëm në vitin 1787 ai vendos t’i largohet kësaj politike dhe të ndiqte një tjetër strategji. Lidhur me këtë politikë, studiuesi Stavri Naçi, thekson se në vitin 1786, një vit pas disfatës që i shkaktuan Ali pashë Tepelena dhe Karamahmut pashë Bushatlliun, Ahmet Kurt Pasha, u pajtua me këtë të fundit, u hodh në kryengritje dhe ndoqi rrugën e pavarësisë. Me shtytjen e Stambollit u helmua nga mjeku i tij (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1985, f. 580-581).

Për këtë rast në dorëshkrimin e murgut Kostandin Berati thuhet se: “…vdekja e tij ndodhi kështu: ishte shëndoshë e mirë, por piu një sherbet nga një doktor” (Stavri Naçi, Shënimet Kronikale në Dorëshkrimin e Kostandin Beratit, Studime Historike, 3, Tiranë 1964, f. 185).

Por të dhëna më të plota rreth aktivitetit të Ahmet Kurt Pashës në krye të pashallëkut të Beratit na jep ky dorëshkrim, të cilin e gjejmë të botuar te shkrimi i Stavri Naçit “Shënimet kronikale në dorëshkrimin e Kostandin Beratit”, botuar në revistën “Studime Historike”, nr 3, Tiranë, 1964 (f. 145-169). Aty ai na jep disa të dhëna interesante që kanë të bëjnë me qeverisjen e Ahmet Kurt Pashës, konfliktet me derebejtë e tjerë, marrëdhëniet me popullsinë, familjen si dhe momentin e fundit të jetës së tij.

Duke qenë kreu i një pashallëku që kishte si qendër Beratin, një qytet të pasur zejtaro-tregtar, Ahmet Kurt Pasha, zhvilloi edhe një sërë veprimtarish të tjera, siç ishte edhe angazhimi në një sërë sipërmarrjesh ekonomike në ortakëri me tregtarët beratas si dhe marrja me ndërtime të shumta private dhe publike (K. Frashëri-S. Islami, Historia e Shqipërisë, I, USHT, Tiranë 1959, f. 430).

Janë një sërë ndërtimesh dhe punimesh botore që ruhen edhe sot si dhe shumë të tjera që dëshmohen nga burimet e shkruara që e vërtetojnë një gjë të tillë. Të tilla kanë qenë Ura e Gjanicës në Fier (1777), Ura e Goricës në Berat (1780), rindërtimi i kalasë së Beratit (1768), etj. Kështu në qytetin e Beratit ai ngriti me punë angari të popullsisë së Myzeqesë edhe sarajet e tij. Për këtë u përdorën gurë të marrë nga rrënojat e qytetit antik të Apolonisë (K. Frashëri-S. Islami, Historia e Shqipërisë, I, USHT, Tiranë 1959, f. 430). Ndërsa nga sarajet e dikurshme ka mbetur në Berat, në lagjen “Mangalem” porta e tyre monumentale e cila mban edhe sot emrin “Porta e Pashait”.

3

Për jetën e Ahmet Kurt Pasha ka përgjithësisht pak të dhëna. Po kështu ndryshe nga krerët e pashallëqeve të tjera shqiptare për të mungon edhe një imazh grafik apo pikturë. Gjithsesi dihet që ai ishte me origjinë nga Ngurza, një nga fshatrat e sotme të Myzeqesë së Madhe, e cila ndodhet pak kilometra në J-L të qytetit të Lushnjës. Prej këtij vendi rridhte edhe familja e tij që mbante si mbiemër atë të fshatit: Ngurza.

Nuk dihet se kush i dha emrin njëra-tjetrës, fshati apo familja e pashait, ndërkohë që historia jonë zyrtare e përshkruan si: “një shtëpi tjetër feudale ajo e Ngurzajve, përfaqësuesit e së cilës ishin ajanët kryesorë në Myzeqe” (Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, Toena, Tiranë 2002, f. 631).

Në Ngurëz ndodheshin edhe sarajet e kësaj familjeje, të cilat patën fatin e keq që të shkatërrohen. Ato u dogjën gjatë luftërave feudale që zhvilloi Kurt Pasha ndaj kundërshtarëve të tij. E tillë ishte edhe lufta e vitit 1785, ku Bushatllinjtë në aleancë me Ali Pashë Tepelenën i shkaktuan Pashallëkut të Beratit disfatën më të rëndë në historinë e tij.

“Ahmet Pashë Bushati (vëllai i Kara Mahmut pashë Bushatit, që vepronte në drejtim të Myzeqesë, erdhi në Lushnje. Ai e nisi operacionin e parë në fshatin Ngurëzë, nga kishte prejardhjen sundimtari i Beratit. Shkatërroi e dogji shtëpitë e Ahmet Kurt Pashës”, shkruan autori Teki Sadiku në librin e tij “Mallakastra dhe Myzeqeja e Vogël” (Teki Sadiku, “Mallakastra dhe Myzeqeja e Vogël”, Migjeni, Tiranë 2009, f. 392).

Ndërsa mitropoliti Beratit, Anthim Aleksudhi, i cili në vitet 1855-1887 shërbeu si prelat i lartë në krye të klerit ortodoks vendas, na jep edhe përshkrimin interesant për Ahmet kurt Pashën, të cilin e quan ujk. Në librin e tij “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit”, midis të tjerave, Aleksudhi, shkruan: “Kur në Berat komandonte Ahmet Pashë Kurti (i mbiquajturi ujk) nga Lushnja e Myzeqesë së Madhe (Përshkrim i Shkurtër Historik i Mitropolisë Së Shenjtë Të Beratit Prej Peshkopit Të Beratit Anthino, përkthim nga greqishtja nga Vasil Nika, f. 71, dorëshkrim).

Ndërkohë që Eqrem Bej Vlora në librin e tij “Kujtime 1887-1925”, kur përshkruan gjenealogjinë e familjes Vlora thekson se një nga pasardhësit e saj ishte edhe Ismail Pashë Velabishti, vdekur në Vlorë në vitin 1764. Sipas tij, Ismail Pasha kishte patur dy vajza, Ruhijen të martuar me Sulejman Pashë Biçakun dhe një bijë tjetër, të cilës nuk ja përmend emrin. Kjo e fundit ishte martuar me Ahmet Pashë Ngurzën (Eqerem Bej Vlora, Kujtime 1887-1925, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë 2003, f. 606-607).

Ndërsa vetë Ahmet Kurt Pasha kishte dy fëmijë, Mehmetin dhe Merjemen. Por këta fëmijë ai i kishte me dy gra të ndryshme. Pra Ahmet Kurt Pasha mund të ishte martuar dy herë ose të kishte dy gra. Këtë të dhënë na e jep Kostandin Berati kur shkruan se: “…i biri i pashait tonë, Mehmet beu, diçka u zu gruaja e tij me të motrën e tij nga i ati…(Stavri Naçi, Shënimet Kronikale në Dorëshkrimin e Kostandin Beratit, Studime Historike, 3, Tiranë 1964, f. 163).

Dëshmitë theksojnë se pashai anonte nga e bija për të cilën kishte dobësi, por edhe e përdorte shpeshherë si instrument politik. Fillimisht ai e përdori atë për të afruar Ali Pashë Tepelenën, por më pas e martoi me Ibrahim Pashë Vlorën.

Historiani Dorian Koçi na jep edhe një detaj shumë interesant te libri i tij ‘’Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës’’. Midis të tjerave kur flet për origjinën dhe familjen e Hankos të ëmës së Aliut, ai duke iu referuar Konicës shkruan se: “Analet historike dëshmojnë se dera e Konicajve njihej ndryshe edhe si dera e Zenelbejllinjëve, në emër të Zenel Beut, nipit të Mehmet Pashës, i përmendur për pasurinë dhe jetën e shkëlqyer që bënte. Zenel Beu nga martesa me motrën e Kurt Pasha Beratit, pati një bijë dhe bir. E bija u martua me Veli Bej Tepelenën dhe lindi Alinë (Dorian Koçi, Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës, Streha, Tiranë 2014, f. 88).

Nga kjo e dhënë del edhe një e dhënë me vlerë etnografike. I tillë është fakti që midis përfaqësuesve të klasës feudale shqiptare ekzistonin martesat e tipit endogame, të cilat u ruajtën në vendin tonë deri në fillim të shekullit të XX. Pra, Ahmet Kurt Pasha tentoi ta martonte të bijën me të birin e së mbesës, Hankos.

Po kështu burimet historike na japin edhe të dhënat ekzistencën edhe të një vëllai të Ahmet Kurt Pashës. Ky ishte Hasan Bej Ngurza, që luante një rol të rëndësishëm pranë oborrit të të vëllait.

4

Ahmet Kurt Pasha kishte marrëdhënie me disa prej njerëzve më të fuqishëm dhe më të njohur në Shqipërinë e kohës kur jetoi. Të tillë ishin Ali Pashë Tepelena, Karamahmut Pashë Bushatlliu, Ibrahim Pashë Vlora, etj.

Me Ali Pashë Tepelenën marrëdhëniet kanë qenë shume komplekse. Ato nisin kur ky i fundit ishte në fillimet e tij. Për këtë, Sami Frashëri, te Kamus ul-alam midis të tjerave shkruan se: ‘’Në atë kohë i ishin dërguar urdhra të rrepta Kurt Pashës, qeveritarit të Beratit, për të ndëshkuar cubat që shqetësonin ato krahina. Ky e pa të arsyeshme të shtjerë në dorë Ali beun, të cilin e ftoi të vente pranë tij duke i premtuar ti jepte të bijën për grua. Por më vonë ky nuk e mbajti fjalën dhe bëri dhëndër Ibrahim pashën nga Vlora (Sami Frashëri, Vepra 2, Tiranë 1989, f. 335).

Të tjera burime dhe autorë theksojnë de Aliu kishte qenë në vitet 1775-1776 në shërbim të Ahmet Kurt Pashës (Dorian Koçi, Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës, Streha, Tiranë 2014, f. 113). Më pas Aliu u bë një nga kundërshtarët e tij më të ashpër. Ai do të kapej rob nga trupat e Ahmet kurt Pashës dhe do ti falej jeta prej këtij të fundit ( po aty, f. 116). Ndoshta këtu influencoi edhe lidhja familjare që ekzistonte midis tyre, të cilën Dorian Koçi e thekson më sipër.

Ndërsa kur u emërua sanxhakbej i sanxhakut të Tërhallës, Aliu bëri aleancë me Mustafa Pashë Bushatlliun dhe e sulmoi Ahmet Kurt Pashën duke i marrë territoret jugore të pashallëkut të tij. Më pas vdekjes së tij, Ali Pasha, mori edhe gradën e dervenxhi pashës, post që më parë e kishte mbajtur Ahmet Kurt Pasha.

Ndryshe ishin marrëdhëniet me Ibrahim Pashë Vlorën, të cilit Ahmet Pasha i dha të bijën për grua. Rreth kësaj martese, Kostandin Berati, shkruan se: “1767-30 maj ditë e mërkurë. U martua e bija e Kurt pashajt dhe e mori Ibrahim beu i Kapllan pashajt nga Vlora…” (Stavri Naçi, Shënimet Kronikale në Dorëshkrimin e Kostandin Beratit, Studime Historike, 3, Tiranë 1964, f. 162).

Po kështu në shënimet e këtij murgu gjejmë të dhënat edhe për grindjet familjare ku pashai mbante anën e së bijës. Ja se ç’shkruan si: Në korrik 1786. Bënë bajramin dhe i biri i pashait tonë, Mehmet beu, diçka u zu gruaja e tij me të motrën e tij nga i ati, që kishte marrë Ibrahim beun nga Vlora dhe të cilin e donte fort pashai. Dhe e bija i qahet babait të tyre a të qëndroj a të iki, dhe pashai sipas gjykimit të tij zemërohet me të birin e tij që e kish të vetëm, se sa me të bijën dhe i thotë të shkojë… Dhe ngrihet e ikën natën dhe merr poshtë Myzeqenë me flamur dhe u bë me të edhe xhaxhai i tij, Hasan Beu, i vëllai i pashait (po aty, f. 163).

Pikërisht nga këto grindje përfitoi Ibrahim Pashë Vlora, i cili pas vdekjes së Ahmet Kurt Pashës në vitin 1787 erdhi në krye të Pashallëkut të Beratit.

Por Ahmet Kurt Pasha kishte patur si kundërshtarë të tij edhe bushatllinjtë e Shkodrës me të cilit ishte ndeshur në një sërë konfliktesh në periudhën e viteve 1775-1786. Të tillë ishin: Mehmet Pashë Bushatlliu me të cilin u ndesh në vitin 1775 në Kavajë dhe Peqin. Më pas konflikti vijoi me të birin e tij, Karamahmut Pashën, kulmi i të cilit ishte lufta e vitit 1785 që i shkaktoi edhe disfatën më të madhe Ahmet Kurt Pashës. Kjo disfatë solli edhe fundin e Ahmet Kurt Pashës, sepse Porta e Lartë e zëvendësoi atë me një dorë më të fortë, siç ishte dhëndëri i tij, Ibrahim Pashë Vlora.

Ndërkohë që Ahmet Kurt Pasha pati edhe marrëdhënie me murgun grek Kozma Etolin. Në vitet 1760-1770, kur Kozma Etoli udhëtoi në tokat shqiptare për të përmbushur misionin e tij kaloi edhe në territoret e Pashallëkut të Beratit. Biografitë e shumta për figurën e Kozma Etolit theksojnë se Ahmet Kurt Pasha e priti murgun në sarajet e tij. Gjate bisedës Kurtit i bëri shumë përshtypje Kozmai, saqë nga respekti që krijoi për të urdhëroi që murgut t’i përgatitej në shenjë nderimi një fron mbi të cilin ai do t’u predikonte njerëzve. Por këto marrëdhënie do të ndryshojnë atëherë ku Ahmet Kurt Pasha, nisi të dyshonte se veprimtaria e Kozmait nuk ishte gjë tjetër veçse aktivitet agjenturor. Duke shfrytëzuar edhe protestat e klerit mysliman në adresë të misionit të murgut, Ahmet Kurt Pasha dha urdhër për ta ekzekutuar atë.

Ekzekutimi u bë në 24 gusht 1779, kur njerëzit e pashait të Beratit e kapën Kozma Etolin buzë lumit Seman në Grecalli, 3 km në veri të Fierit. Nën akuzën e organizimit të kryengritjes së armatosur dhe veprimtarisë si agjent i Rusisë, ata, pasi e varën e hodhën trupin e tij në lumin Seman, i cili e nxori pranë kishës së shën Marisë në Kolkondas, disa kilometra më tej. Pikërisht këtu në vitet 1813-1814, Ali Pashë Tepelena ngriti manastirin kushtuar Kozma Etolit (Ilirjan Gjika, Cili është misteri i madh i Shën Kozmait, Gazeta “Koha Jonë”, Tiranë 16 gusht 2004).

Ndërsa Eqrem Bej Vlora në librin e tij “Kujtime” na tregon tangencialisht edhe për marrëdhëniet e Ahmet Kurt Pashës me një tjetër personazh të njohur të zhvillimeve historike: Xhel Fejzon, të atin e Omer Vrionit. Me këtë person që mbante postin kryetarit të esnafit të rrobaqepësve të qytetit kishte nisur edhe një armiqësi ndaj dy familjeve, e cila më vonë vijoi me përballjen midis Ibrahim Pashë Vlorës dhe Omer Vrionit. (Eqerem Bej Vlora, Kujtime 1887-1925, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë 2003, f. 584-585).

5

Ahmet Kurt Pasha e drejtoi për 20 vjet Pashallëkun e Beratit. Gjatë kësaj qeverisje, Berati pësoi ndryshime të mëdha që e bënë atë një nga qendrat e Shqipërisë së Jugut. Edhe sot si dëshmi të aktivitetit të këtij sundimtari kanë mbetur në Berat Ura e Goricës, Porta e Pashait, Teqeja e Helvetive, apo një pjesë e mureve të kalasë.

Por Teqeja e Helvetive është objekti më përfaqësues. E ndërtuar në fund të viteve 70 të shekullit të XVIII prej tij, ajo bart edhe një tjetër veçanti. Pranë sallës së lutjeve të këtij objekti fetar ndodhet edhe një mjedis tjetër me përmasa 7.20 m gjatësi dhe 5.01 m gjerësi. Pikërisht këtu ndodhej varri i Ahmet Kurt Pashës (A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Berati historia dhe arkitektura, 8 nëntori, Tiranë 1988, f. 71).