Agim Sulaj: Kur je larg Shqipërisë figurat kombëtare i shikon më pastër
Entela Resuli
Në katin e dytë, në hollin e ekspozitave në Hotel Plazza, na ‘pret’ mendueshëm Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ai është pjesë e ekspozitës “Rrënjët 3” të mjeshtrit Agim Sulaj.
Sulaj, sjell për herë të tretë “rrënjët” e tij në Tiranë.
Ekspozita është pjesë e një cikli ku autori përcjell me nostalgji dhe mjeshtëri të kaluarën por edhe të tashmen e tij.
Agim Sulaj prej datës 26 nëntor është duke pritur e përcjell miq dhe artdashës që janë të interesuar dhe duan të shohin nga afër veprat që ai ka ekspozuar.
E shohim nga afër këtë ekspozitë ku autori na flet më tepër rreth punëve që ka sjell, nëpërmjet të cilave mësojmë më tepër për jetën dhe veprën e tij.
Agim Sulaj është larguar nga Shqipëria 27 vite më parë. Rimini i Italisë është vendi ku ai punon dhe jeton prej asaj kohe. Kthehet shpesh në Shqipëri, prej këtej merr ajrin e joperfeksionit që i shijon aq shumë dhe e frymëzon në punët që bën.
Vlora është qyteti ku është rritur dhe formuar, kështu që as këtë herë, në ekspozitë nuk mungojnë tablotë nga ky qytet.
Sulaj është ashtu një artist konkursesh. Kudo ku ai çon një punë të tijën del prej andej me një çmim. Aq sa nuk ka konkurs ku nuk ka marr pjesë dhe të mos ketë fituar.
Ndryshe atë e njohin edhe si Njeriu me Valixhe, pasi në shumë vepra të tij është e pikturuar valixhja, jo valixhe dosido, por valixhja e emigracionit, e cila mbart në të jo vetëm tesha, por edhe mesazhin e largimit, mallit dhe jetës që e pret në një vend të huaj.
Në Dita, po ju sjellim një bisedë më mjeshtrin Agim Sulaj.
-Z. Sulaj, riktheheni në Tiranë me një ekspozitë e cila është pjesë e një cikli që vazhdon apo jo?
Kjo ekspozitë është e treta e ciklit në vijim, tashmë prej tre vitesh ‘Rrënjët e mia”, ku unë vij në vendin tim dhe sjell një pjesë të krijimtarisë dhe të punëve të mia të një viti. Në këtë ekspozitë “ Rrënjët 3” jam përqendruar kryesisht te tablotë historike si edhe në portretin e Skënderbeut. Viti 2018 iu dedikua figurës madhore të Skënderbeut dhe mbresave që ka lënë te çdo njeri dhe te çdo artist.
Këtë vit kam punuar tre herë me figurën e Heroit dhe kur e pikturon i larguar nga Shqipëria është më mirë. Pse? Sepse e shikon të pastër figurën e Skënderbeut. Njeriu, kur ikën, them ndonjëherë, merr me vete vetëm vlerat pozitive dhe eliminon fjalët e dëmshme, apo defektet. Unë kam marr ato kolonat e pastra, të pa prekura nga ndotja e kohës dhe i jam kthyer figurës së Skënderbeut duke e referuar si një figurë madhore e vendit tonë. Në këtë tablo prezantohet i menduar, në meditim e sipër…
-Jo në aksion, siç jemi mësuar ta shohim shpesh…?
Jo në aksion, nuk e ka atë shpatën e madhe që vret armikun dhe çanë përpara, por është në një moment pas beteje. Në këtë formë më erdhi në mendje dhe kështu e realizova. Në këtë tablo, Heroi ynë Kombëtar shfaqet i medituar, por krenar. Nuk ka nënshtrim në meditimin e tij, por ka mendim dhe forcë.
Në këtë ekspozitë sjell gjithashtu një tablo tjetër të rëndësishme për mua e cila shfaqet për herë të parë në Shqipëri, pas 30 vitesh kur ekspozova në Tiranë variantin e parë të kokës së Ali Pashait.
Bëhet fjalë për variantin e dytë të tablosë që ndodhet në Janinë, në Muzeun e Ali Pashës, prej 30 vitesh që në 1989.
Kisha dëshirë t’i rikthehesha me përmasa më të vogla për t’i dhënë mundësi vetes të punojë sërish me këtë tablo. Është një punë së cilës i kam kushtuar shumë kohë.
Duke e pikturuar këtë tablo, e admiroja Agimin e 30 viteve në parë, këtë nuk e them për mendjemadhësi, por i thoja vetes: shiko sa i zoti ka qenë ky, si a ka ndërtuar këtë…Kjo duke patur parasysh kohën kur është realizuar, pasi kam qenë më i ri dhe më me pak eksperiencë se sot.
Pavarësisht së në të është pikturuar koka e prerë e Aliut, por ajo nuk përfaqëson humbjen e tij, përkundrazi, prezanton forcën, pasi ata që e vranë ndihen të shqetësuar dhe kanë ende dilema nëse e kanë munduar vërtetë apo jo.
-Shoh që keni shumë peizazhe të ekspozuara, edhe këto janë pjesë e nostalgjisë dhe e rrënjëve tuaja?
Natyrisht, në këtë ekspozitë, këtu jam përqendruar, në rikthimin te vendlindja. Kam sjell peizazhe nga Brataj ku unë jam rritur dhe kam kaluar fëmijërinë. Për fat të mirë atje ende nuk është futur ajo fryma e ndërtimeve dhe e gjen vendin ashtu si e ke lënë vite më parë. Janë vende të shenjta, nuk lëviz gjë aty!
-Për ju kjo është një shenjë e mirë, domethënë fakti që nuk lëviz gjë dhe gjithçka ka mbetur si dikur…?
Për mua që jetoj andej është një gjë shumë e mirë, pasi unë dua ta gjej ashtu si e kam lënë. Njeriu rritet dhe nëse 20 vite më parë ti ke kaluar me prindin aty, kur rikthehesh vetëm dhe ajo pamje nuk ka ndryshuar të duket sikur koha ka ndalur. Në ekspozitë ka gjithashtu peizazhe nga Vlora, qyteti ku jam rritur dhe formuar si artist. Vlora mua më ka dhënë burimet e para të frymëzimit. Qytet i cili ka ndryshuar shumë vitet e fundit.
Kur ktheva këtë herë vura re se qendra po rindërtohej dhe kjo gjë më pëlqeu, pasi Vlora është qytet kombëtar, është qytet që përfaqëson historinë dhe rikthimi i vëmendjes tek ajo është një moment i rëndësishëm, pasi ky qytet u përket të gjithëve.
Në pjesën e Lungomares kisha dëshirë të prezantoja dhe të vendosja një valixhe emigrantësh, vepër timen e cila ka fituar në Londër në 2016 çmimin e parë për refugjatët. Këtë doja ta bëja skulpturë, jo shumë të madhe dhe ta vendosja ngjitur më portin e Vlorës, aty ku mbaron Lungomare, por edhe pse kishte fjalë pozitive nga bashkia, nuk arritëm ta konkretizonim. Nuk kishte fonde dhe për këtë më vjen keq.
-Z. Sulaj, shpesh ju identifikojnë si piktori i valixhes së emigrantëve, pasi veprat tuaja me këtë tematikë kanë marrë disa çmime në konkurse ndërkombëtare në botë, ju vjen mirë për këtë gjë?
Natyrisht, njeriu me valixhe më thonë edhe kur marr pjesë në konkurse të ndryshme. Që kur ika në Itali, konkursi i parë ku mora pjesë dhe vepra e parë që u vlerësova me çmim ishte pikërisht valixhja, pasi tema e konkursit ishte për emigracionin.
Valixhja krahas mesazhit ka edhe vlerën teknike dhe piktorike. Emigracioni vazhdon të mbetet një plagë dhe jo vetëm në Shqipëri në fakt. Unë personalisht nuk kam patur dëshirën për ta braktisur vendin, por duke parë kushtet dhe mundësitë që më ofroheshin, u ndjeva detyruar. Ndaj në këtë ekspozitë ndodhet edhe një peizazh nga Rimini ku unë jetoj prej 27 vitesh. Këtë herë ndryshe nga vitet e tjera kam sjell edhe këtë tablonë e madhe e cila është pjesë imja. I prezantoj edhe publikut një pjesë nga qyteti i Italisë ku unë jetoj.
-Ktheheni shpesh në Shqipëri? Frymëzoheni nga ky vend?
Europa është më e kamufluar, ndërsa Shqipëria, nga që është vend në Zhvillim e sipër gjithçka e gjen më reale. Vuajtjet, shqetësimet, i shikon të zbuluara. Këtu edhe kur shoh njerëz më këmishë jashtë pantallonave për mua është gjetje, kurse atje kurohen të gjithë. Ja, këtu shumë pranë nesh janë vendosur dy flamuj, një është flamuri evropian dhe një shqiptar. Ai i Evropës valëvitet ndërsa i joni rri varur, nuk e merr era….edhe kjo pamje më frymëzon!
Megjithatë, pavarësisht ç’ka thamë, vë re me shumë kënaqësi që vendi ka ndryshuar, po ashtu edhe njerëzit, i gjej më të emancipuar. Unë shikoj një Shqipëri të bukur sa herë që vij, pavarësisht se ka ende probleme.
-Keni në dorë një punë apo projekt të radhës?
Unë zakonisht e zhvilloj krijimtarinë në bazë konkursesh, qoftë për pikturën qoftë edhe për karikaturën, tani në fund të Dhjetorit, mbahet një konkurs i rëndësishëm në Portugali ku unë jam vlerësuar edhe herë të tjera. Është konkurs ndërkombëtar nga më të njohurit në botë që i dedikohet satirës dhe humorit. Do të marr pjesë në të një portret surrealist të Papa Ratzinger i cili është gjysmë pikturë, siç i bëj unë. Gjithkush mund të gjej vetë mesazhin në këtë pamje, nuk dua të jap shpjegime pasi mendoj se duke i shpjeguar mesazhin i humbas vlerën.
Po ashtu kam një ekspozitë në datë 16 Dhjetor në Umbria, kanë shumë vite që më kërkojnë pasi aty ka edhe shumë shqiptare. Aty do të prezantoj një përmbledhje të shumë karikaturave që i kam botuar dikur edhe të revista Hosteni. Pavarësisht se i përkasin një periudhë tjetër, ato kanë mesazhet e sotme. Janë ende aktuale.
-Shumë nga punët tuaja për shkak të mesazheve aktuale që përmbajnë, shpërndahen në rrjet, por edhe në media, madje shpesh u humbet edhe autorësia, si ndihen për këtë fakt?
Mua më vjen mirë kur shikoj veprën time të publikuar në shtypin shqiptar, por do të kisha dëshirë që të më njoftonin dhe mbi të gjitha të vendosin emrin e autorit. Dhe meqë po flas me ju, vetëm disa ditë më parë, gazeta juaj publikoi një punë të timen në faqe të parë, por pa emrin tim. Shpresoj të ketë qenë një lapsus. Vendosja e autorit i bën mirë edhe gazetës, pasi edhe qytetari që e lexon e vlerëson. Shpresoj që mos të përsëritet.
4 dhjetor 2018