Nga Çapajev Gjokutaj

Fjala ‘burrë’ në shqip përdoret edhe si sinonim i forcës dhe vetpërmbajtjes. Parë kështu burrit nuk i kanë hije të qarat. Madje të qarat e tij në publik perceptohen si turp a koritje.

Në fakt nuk kemi të bëjmë me një dukuri thjesht shqiptare. Prirja për ta perceptuar burrërinë si të papajtueshme me vajtimet dhe të qarat haset dhe në popuj shumë më të civilizuar. Sondazhet tregojnë se në Britani, psh, një grua qan deri në 64 herë në vit, kurse te burrat kjo shifër priret të jetë pesë herë më e ulët.

Duket se ky shpërpjestim gjinor nuk vjen aq nga biologjia, sa nga mentaliteti, zakonet, morali etj. Eshtë mentalitet që e privon burrin nga një instrument i fortë shkarkimi. Qysh në antikitet Hipokrati i atribuonte të qarës aftësinë ta pastronte trurin e njeriut nga ‘lëngjet e këqia’ dhe agresiviteti, kurse Aristoteli pretendonte se e qara kthjellon mendjen.

2.

Burrit i ka hije loti, por jo të qarat e vajtimet; këto janë për gratë, thotë një qëndrim tradicional.

Nuk është e rastit që në disa krahina, kur vdes dikush, burrat zhvendosen tek ndonjë fqinj a i afërm. Gjithsesi pak larg, të mos dëgjojnë vajtimet e grave se ligështohen e mund të qajnë dhe ata.

Burri nuk duhet të qajë me të madhe, por a nuk qe burrë Lekë Dukagjini që, kur vdiq Skënderbeu ‘si i marrosur nga hidhërimi, rendi në shesh të qytetit e, duke çjerrë krahërorin e duke çkulur mjekrën dhe flokët’ dha lajmin e kobshëm?

Vajtime të tilla, bërë prej burrash që çkulin mjekrën e çjerrin krahërorin, kanë qenë të zakonshme, madje gati-gati të detyrueshme, gjatë gjamës, një rit vdekjeje që mbijetonte në malësitë e veriut deri në mesin e shek XX.

Duket se zakoni ‘burri s’qan se s’është grua’ është disi i vonë dhe më shumë se ndjenjave të burrit, i ka shërbyer pushtetit të tij. Fshihi ndjenjat që të dukesh më i fortë e më autoritar.

Po cili është ai autoritet që mund të caktojë se ç’duhet të ndjejë njeriu, si duhet të qajë e si të qeshë; sikur të ishte kukull teatri, marionetë dhe jo njeri prej mishi e gjaku?

Por përtej dilemës ‘të qajë apo të mos qajë burri?’, shfaqet një tjetër, shumë më jetike. A duhet që njeriu, burrë a grua qoftë, t’i shfaqë përjetimet e veta natyrshëm, si t’i vijnë, – doemos pa bezdisur të tjerët dhe pa dëmtuar veten -, apo duhet të hyjë në kallëpe zakonesh e normash dhe të sakatosë jetën e vet e ta bëjë më të varfër e më të shkurtër seç është?

3.

Dilema ‘duhet të qajë apo jo burri’, më sjell ndër mend një ngjarje që tregohej shpesh në familjen tonë, kur isha fëmijë.

Në vitin 1940 vëllazëria e tim eti ra në telash me ushtrinë greke. Im ungj, i madhi, kishte parë një togë grekësh tek po hynin në avllinë e shtëpisë fqinje, në kodrën përballë.

Me që e dinte se te fqinjët atë ditë ishte vetëm e zonja e shtëpisë me fëmijët, mori belçikun dhe u nis të ishte i pranishëm. Pa bërë as njëqind hapa dëgjoi ulërimat e fqinjës. Gabimisht mendja i tha se ishte punë nderi, ndaj nisi të shtinte.

Toga u largua, por po atë ditë u lëshua urdhër arresti për burrat e shtëpisë. Për t’i shpëtuar përndjekjes, im atë dhe dy vëllezrit morën gra e fëmijë dhe bujtën tek një mik, shtëpia e të cilit ishte disi larg e mënjanë. Në darkë, kur sa ishin ulur të hanin, ia behën grekët dhe i arrestuan.

Ndërkohë që të tre vëllezërit po i largonin duarlidhur e të shoqëruar, mikpritësi u ngjit në çukën përbri shtëpisë dhe ja dha kujes: Korbi ū për ju, o miq! I ziu ū, i ziu, o miq!

Kjo ka ndodhur tetë vjet para se të lindja unë, megjithatë vajiklithmë i atij burri, që nuk pata rast ta njihja, ka jehuar e jehon në kujtimet e mia.

Sa isha fëmijë e përjtoja fuqishëm. Mbase edhe nga që tek ai vajtim shkreptinin dy ngarkesa të kundërta.

Më njerën anë shquanin elementë gotikë e të frikshëm: kuja e një burri që, si angullimë ujku përhapej nëpër natën pus e jehonte nëpër hone atje, larg fshatit e buzë asgjësë.

Më anë tjetër gjallonte një hapsirë e butë e njerëzore, mbushur me dashuri dhe keqardhje për miqtë, dy ndjenja këto aq të sinqerta e aq të thella sa që hynin në kufijtë e dhimbjes.

Kur u rrita dhe profesioni më shtyu të lexoja jo pak për shenjat, për kuptimet dhe nënkuptimet e fjalëve dhe të gjesteve, kuptova se vajtimi i atij burri shfaqej e rishfaqej në kujtesën time edhe nga që ishte shenjë shumëkuptimshe e lojcake, përcillte jo të njëjtin mesazh tek ata që e perceptonin.

I zoti i shtëpisë e përjetonte vajtimin e vet si dhimbje për miqtë, por edhe si shfrim dufi që ia morën mysafirët nga sofra e ai s’bëri dot gjë t’u dilte zot.

Tre vëllezërit e arrestuar e përjetonin si shprehje dashurie e keqardhjeje për ta, por edhe si premtim: mos ikni me kokën pas, grave e fëmijve do u dal krah.

Gratë e përjetonin si dhimbje e si shpresë, si kumt që u thoshte se mbijetesa në ditët dhe muajt që do pasonin nuk kërkonte thjeshtë bukë dhe ujë, por përkujdesje e ngrohtësi njerëzore.

Sot e kësaj dite nuk e kam gjetur dot se si e përjetonin ushtarët e huaj vajtimin e atij burri. Shpresoj të mos ketë patur të drejtë strategu kur tha se ushtarët duhet t’i lenë ndjenjat në xhepat e rrobave civile.

4.

Në vdekjen e Fatos Arapit u publikua dhe një foto e Xhevahir Spahiut që shpërthente në lot para njoftimit të vdekjes.

Duket sa paradoksale, aq dhe therëse të vajtosh njerin nga poetët e shquar të shqipes para një lajmërimi vdekjeje krejt të rëndomtë, ngjitur në shtyllë, krahas lajmërimesh për për punë e halle të përditshmërisë.

Shikuesi e ka vështirë të thotë: Spahiu është gjendur rastësisht aty dhe i tronditur nga lajmi i beftë ka shpërthyer në të qara?

Apo, me që sëmundja e ka privuar nga e folura e dikurshme, gjithë ngjyrime e mprehtësi, ka zgjedhur të flasë me foton?

Më saktë, të protestojë kundër heshtjes shumëvjeçare të shoqërisë dhe të institucioneve për një personalitet të përmasava të Arapit.

Sido që të jetë, fakti mbetet fakt: Poetët janë metaforë më vete, nxisin mendimin edhe kur heshtin.

Gjithsesi, përtej çastit të fiksuar në foto, lidhja mes Spahiut dhe Arapit është e gjatë dhe e shumfishtë.

I lidhte një miqësi njerëzore, ndjenjë që buronte nga mendime, qendrime, pëlqime madje edhe temperamente të përafërta.

I lidhte Vlora dhe deti, hapsira të përbashkëta të fëminisë së tyre dhe burime të begata lirizmi.

I lidhte parapëlqimi për poezinë metaforike, të pasur në mendim dhe të stërpikur me ndjenjë.

Të dy parapëlqejnë poezinë e ngarkuar me tension të brendshëm. Tension që buron jo thjesht nga përmbajtja, nga pëlqimi për dramatiken, por po aq edhe nga struktura e vargut. Fjala sikur ndjehet ngushtë nën trysninë e mendimit.

S’di të thuash nëse është rastësi që që të dy shkëlqejnë sidomos në lirikat për detin dhe për dashurinë. Dashuri të përjetuara si dhimbje, si kujtim dhe si mungesë.

E kaluar nga jeta tek vargjet, lidhja mes Fatos Arapit dhe Xhevahir Spahiut, do të jetojë gjatë.


4 Nëntor 2018